Shkruan: Sejdi Veseli
Këto predha dallojnë nga predhat tjera të artilerisë, edhe nga fakti, se nga koka e tyre del një pykë me ngjyrë të përhimtë në të mbyllur, me gjatësi prej afro 20 cm. Maja penetruese e kësaj pyke ka një gjatësi prej afro 3 cm dhe ka shkëlqim të ngjashëm me atë të argjendit.
Transportohet në ambalazh të posaçëm, në të cilin ka vend për dy predha, ku janë të vendosura shenjat e rrezikut nga radioaktiviteti dhe shenja e uraniumit 238 (uraniumit të varfëruar). (www.cgocable.net)
Ky municion është përdorur në zonën e Shalës, Llapit, Drenicës dhe të Dukagjinit, Prishtinës, si dhe në zonën kufitare Shqipëri Londineze-Kosovë, në rajonin e Kukësit dhe Bajram Currit.
Ky municion është përdorur kundër fortifikimeve, sidomos në objektet e ndërtuara me gurë (kullat shqiptare) dhe betonarme dhe ku kanë qenë vatrat e fortifikuara të zjarrit.
Cilat janë pasojat shëndetësore nga kontaminimi me UV?
Rreziku më i madh nga DU-municionet fillon në momentin e shpërthimit të predhës. Në kontakt të predhës me cakun, krijohet një temperaturë e lartë, prej afro 3400 gradë Celsius. Pas perforimit të pengesës, predha shndërrohet në formë të pluhurit, që digjet në kontakt me ajrin, duke krijuar oksidin e uraniumit dhe shndërrimin e tij në aerosol. Në varshmëri të drejtimit dhe të forcës së erës, ky pluhur mund të kontaminojë hapësira të mëdha.
Personat që inhalojnë këtë pluhur, mund të pësojnë dëmtime serioze. Serioziteti i këtyre dëmtimeve është në varshmëri të plotë nga forma e oksidit të uraniumit, me të cilin është kontaminuar personi.
Dihet se ekzistojnë dy forma të këtij oksidi.
Nëse personi e ka inhaluar formën e gaztë të UV, ai mund të lirohet nga ai duke e nxjerrë nga organizmi, me anën e djersitjes dhe urinimit.
Nëse personi është kontaminuar me formën “qeramike” të UV, ky kontaminuat mund të qëndrojë në ndonjë ind për një kohë të gjatë e kjo do të thotë, se personi që është kontaminuar me këtë formë të oksidit të uraniumit, do të ketë një burim rrezatimi të përhershëm në organizmin e tij dhe do të ballafaqohet me të gjitha pasojat e rrezatimit radioaktiv.
Rrezatimi alfa që posedon UV ka një forcë të madhe depërtuese, ai shkatërron edhe materialet gjenetike, kështu që pasojat barten tek pasardhësit. Jonizimi i emetuar nga UV shkakton ndryshime të pariparueshme në molekulat dhe në trashëgiminë gjenetike të qelizave dhe si pasojë shkakton njërën prej formave të kancerit.
UV është më i rrezikshëm se uraniumi natyror, ngase ai oksidohet dhe është i tretshëm në ujë, duke depërtuar, në shtresat ujë bartëse të tokës.
Me pasojat e detonimeve të DU municioneve të shumta në Kosovë, gjatë viteve 1998 dhe 1999, të shkrepura si nga ushtria serbe, ashtu dhe nga aviacioni i NATO-s (prej 24 marsit e deri me 10 qershor të vitit 1999), siç duket, kemi filluar të ballafaqohemi më herët se sa ka mundur të paramendohet (nëse është paramenduar) nga kompetentet e mbrojtjes së ambientit dhe të shëndetësisë së Kosovës.
Në vitin 2001, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pranoi se mijëra trupa britanike që shërbyen në Kosovë, gjatë konfliktit, të udhëhequr nga NATO në 1999 ishin në rrezik nga efektet e DU, pasi një paralajmërim shëndetësor nuk arriti t’i arrinte ushtarët.
Raportet e deklasifikuara se gjykatat italiane po gjejnë, në favor të veteranëve forma që u zhvilluan nga kanceri, pasi u ekspozuan ndaj uraniumit të varfëruar, ndërsa shërbenin në Ballkan, në vitet 1990.
Përdorimi nga NATO i uraniumit të varfëruar (DU), në Kosovë, nuk u konfirmua deri në vitin pas luftës, mes panikut për ‘sindromën ballkanike’. Paqeruajtësit italianë, të cilët morën kontrollin e shumë bazave të bombarduara të ushtrisë jugosllave, po bien me leuçemi.
Në mars të vitit 2000, shefi i NATO-s, kolegu laburist George Robertson, i tha me vonesë Kofi Annan të OKB-së se “afërsisht 31,000 fishekë” të DU-së ishin qëlluar “në të gjithë Kosovën gjatë, afërsisht, 100 misioneve”. Ai tha se arma vendosej “sa herë që A-10 angazhohej me forca të blinduara”, duke iu referuar “tankbusterit” të Warthog të forcave ajrore amerikane.
Pas muajsh mashtrimesh të brendshme, intensive, për marrjen e hartave më të sakta, ata kaluan 24 ditë, gjatë viteve 2000-2001, duke vëzhguar Kosovën për kërcënimin e dyfishtë të paraqitur nga DU: rrezatimi dhe toksiciteti i metaleve të rënda – të cilat mund të shkaktojnë kancer ose defekte të lindjes.
Shumë varet nga gjetjet e tyre. Një rezultat negativ do të minonte kredencialet humanitare të NATO-s dhe do të pengonte kthimin e refugjatëve nga azili i tyre i përkohshëm në Evropën Perëndimore.
Droja e shprehur nga disa njohës të efekteve të uraniumit të varfëruar, se populli i Kosovës do të ballafaqohet pas 5 vjetësh me pasojat e para të bombardimeve me DU municione, mjerisht po vërtetohet, ngase numri i madh i të sëmurave nga sëmundjet malinje, mjerisht me epilog fatal, ka filluar të bëhet dukuri e përditshme.
Përveç rritjes së numrit të atyre që po preken nga format e ndryshme të sëmundjeve malinje, shqetëson fakti se ky numër dominohet nga të rinjtë.
Sipas pikave të goditura nga predhat DU, popullata e rajonit të Dukagjinit është më e rrezikuara, sidomos, nga pjesa që kufizohet me kufirin shqiptaro-shqiptar. Siç dihet, nga ushtria serbe jo vetëm se janë goditur me predha DU caqe të shumta në rrethin e Deçanit dhe Gjakovës, por edhe pjesë të rrethit të Bajram Currit dhe Kukësit.
Është për të dyshuar seriozisht në profesionalizmin dhe sidomos në etikën e disa punëtorëve të disa organizatave ndërkombëtare, të cilët, duke u bazuar vetëm në disa hulumtime sipërfaqësore dhe të vonuara shumë (sa për të arsyetuar donacionet e majme që marrin për këto punë të tyre”hulumtuese”), që po kanë fytyrë të deklarojnë se DU është i parrezikshëm për shëndetin e popullatës së vendeve ku janë përdor municionet e
prodhuara nga kjo lëndë shumë e rrezikshme. Në kuadër të këtyre organizatave prijnë UNEP dhe simotrat e saj.
Është e kuptueshme se përdoruesi i këtij lloji të municioneve nuk pranon se ato paraqesin rrezik për rrethinën, sepse sipas normave ndërkombëtare, përdoruesi i mjeteve të rrezikshme është i obliguar të paguajë shpenzimet financiare për detektimin dhe dekontaminimin dhe, këto shpenzime janë shumë të mëdha.
“Në Malin e Zi fqinj, ku NATO gjuajti uranium të varfëruar në vetëm një vend, kostot e pastrimit janë të frikshme. Për të dekontaminuar 480 fishekë, të cilave iu deshën vetëm 12 sekonda për t’u gjuajtur, Mali i Zi shpenzoi mbi një çerek milion dollarë amerikanë dhe i kushtoi 5,000 ditë pune.
Kosova ka më shumë se 100 vende të tilla.”
Është në natyrën e seriozitetit shkencor dhe të etikës profesionale e njerëzore, që, për çështje të pastudiuara mirë, të jepen supozime, se efektet e tyre janë, apo nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut, në veçanti, dhe të botës shtazore, bimore, shpezore e ujore, në përgjithësi.
Realisht, numri i të sëmurave nga format e ndryshme kanceroze, sidomos të mushkërive, gjirit, grykës, lëkurës dhe leukemive është në rritje dhe me përfundime fatale. Çka është më keq, në numrin e përgjithshëm të të prekurve nga kjo fatkeqësi, grupmosha e re ka filluar të shënojë rritje.
Mjafton të bëhet kujdestari për një muaj rresht në varrezat e Prishtinës, dhe të mësosh një fakt shumë shqetësues, se më shumë se gjysma e atyre që varrosen, janë të diagnostifikuar se kanë lënguar nga sëmurjet kancerogjene dhe të moshës nën 60 vjeçare.
Duhet konstatuar me keqardhje, se këtë të dhënë mund ta sigurosh vetëm në këtë mënyrë, ngase institucionet tona shëndetësore, nuk e kanë parë të arsyeshme ta hulumtojnë këtë dukuri, andaj edhe mungojnë të dhëna të sistemuara profesionalisht.
Kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet e aborteve dhe lindjeve të fëmijëve me anomali kongjenitale, sidomos nga zonat e prekura nga bombardimet gjatë luftës.
Gjithashtu, duhet konstatuar se edhe tek kafshët shtëpiake, janë shpeshtuar sjelljet në jetë të të vegjëlve të tyre me anomali të ndryshme.
Kjo nuk i shqetëson kompetentët vendorë, ngase ata janë të dhënë pas tenderëve, honorareve dhe luftës për poste drejtuese… etj.
Përballë këtij realiteti të hidhur, pa u frikësuar së po merremi me paragjykime, na imponohet dyshimi i bazuar, se shkaktari i krejt kësaj që po ndodhë, nuk është tjetër pos pasojë e kontaminimit me UV (uranium të varfëruar). Ky dyshim mund të kontestohet vetëm pas hulumtimeve të mirëfillta dhe të gjithanshme shkencore, çdo kontestim tjetër, padyshim bëhet për qëllime politike. Fshehja e këtij rreziku shumë të madh para popullit, siç po bëhet qe 8 vjet, është turp për ata që dinë çka është turpi!
Kur e tërë bota shkruan me të madhe për rreziqet me të cilat ballafaqohet populli i Kosovës, sidomos nga ndotësit e ambientit, të cilët u hodhën nga të huajt gjatë kohës kur populli shqiptar luftonte heroikisht për të shpëtuar nga bishat serbo-çetnike, të cilat synonin shfarosjen e tij, hajnat e farës tonë, mafiozët, “ekspertët” me diploma false, të paaftit, të verbuar pas interesave të tyre personale dhe të mujsharëve të tyre, heshtin dhe e mbulojnë të vërtetën.
Populli jeton nëpër terrene të kontaminuara dhe deri në ditët e sotme, askush nga “shkencëtarët” tanë zhurmaxhinjë nuk e tërhoqi vërejtjen për rrezikun që i kanoset. Bile, disave u konvenon fshehja e këtij rreziku serioz para popullit, ngase, ky është një investim për të pasur fitime të mëdha në ambulancat private dhe gjatë procedurave për dërgimin e fatkëqijve për shërim në qendrat e specializuara mjekësore jashtë vendit.
Po të ishte ndryshe, me siguri do të bëheshin hulumtimet e mirëfillta në terren, me qëllim të identifikimit të rajoneve të kontaminuara me uranium të varfëruar, si dhe shkalla e ndotjes së terrenit me materie helmuese, si p.sh. me dioksinë e cila për nga shkalla e rrezikshmërisë për shëndetin e popullatës, radhitet menjëherë pas mjeteve radioaktive.
Si pasojë e mosinteresimit të kompetentëve nuk është bërë dekontaminimi as edhe i një centimetri katror të terreneve të kontaminuara të Kosovës, edhe ato të cilat janë para hundëve të IPVQ-ve, të cilat ishin goditur nga predhat DU dhe as ku kanë shpërthyer depot ushtarake (p.sh. në Llukar) në të cilat përveç DU municioneve ka pasur edhe predha të mbushura me helme luftarake, si dhe depot e karburanteve për nevojat ushtarake, si p.sh. në Bardhosh dhe në Arbëri, etj.
Gjatë bombardimeve janë asgjësuar një numër i madh i stabilimenteve kimike dhe petrokimike dhe është përdorur municioni me uranium të varfëruar. Këtë fakt e ka pranuar edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Paktit NATO, George Robertson.
Pasojat e këtyre kontaminimeve, si pasojë e përdorimit të DU municioneve, vërehen me të madhe dhe me siguri do të vërehen edhe nesër dhe do të jenë me pasoja të rënda dhe të paparashikueshme. Andaj, duhet të formohet një komision ekspertësh, nga të jashtmit dhe vendorët për t’i bërë hulumtimet e nevojshme në terren dhe në bazë të tyre t’i propozojë masat, të cilat duhet të ndërmerren, së pari për dekontaminimin e terrenit dhe masave tjera sanuese.
Gjatë këtij hulumtimi duhet të bëhet diferencimi i qartë, se cilat terrene i ka kontaminuar ushtria serbe dhe cilat aviacioni i NATO-s. Kjo punë mund të bëhet lehtë, në bazë të mbetjeve të municioneve të detonuara dhe në bazë të hartës, në të cilët janë pasqyruar të gjitha objektet e goditura nga aviacioni i NATO-s me DU municione. Kjo mund të dëshmohet edhe kur të krahasohen urdhrat e skuadrileve sulmuese për të kryer veprime, në terrenin e Kosovës, ndaj caqeve të ushtrisë serbe. Kjo, gjithashtu, mund të dëshmohet edhe në bazë të dokumentacionit të armëtarëve, të cilët i kanë krye veprimet e armatosjes së avionëve para se të niseshin për detyrë luftarake në terrenin e Kosovës.
Projekti për sanimin e gjendjes duhet të mbështetet nga shkaktarët e kontaminimit të terrenit, ngase projektet e tilla jo vetëm se kushtojnë shumë, por ata duhet të detyrohen, si masë dënimi, ngase përdorimi i këtyre mjeteve të rrezikshme është i ndaluar nga OKB.
Sa është evident rreziku nga kontaminimi me agjensë radioaktivë dhe helme kimike, tregojnë këto fakte:
Fillimisht, si ushtarët e KFOR-t, nëpunësit e UNMIK-ut, OSBE-së dhe organizmave tjerë ndërkombëtarë, të instaluar në Kosovën e pasluftës, nuk i kanë shfrytëzuar gjërat ushqimore të prodhimit vendor dhe as ujin e pijes, të gjitha i kanë sjellë nga jashtë.
Me 19 janar 2001, në mbledhjen e hapur të KS të OKB, në të cilën është diskutuar për Kosovën, është inicuar edhe diskutimi në lidhje me municionet që përmbajnë në vete uranium të varfëruar, të cilat i ka përdorur NATO gjatë fushatës së bombardimeve ndaj caqeve të përzgjedhura në territorin e Serbisë dhe Kosovës.
Disa vende anëtare të KS të OKB, kanë kërkuar që kjo çështje të hulumtohet drejt dhe mirë dhe të ndërmerren masat përkatëse për sanimin e gjendjes, me kusht që të ruhet edhe personeli ushtarako-civil ndërkombëtar nga pasojat e këtyre municioneve të përdorura.
Gjatë hulumtimeve që u janë bërë rreth 300.000 veteranëve amerikanë të luftës për çlirimin e Kuvajtit nga Iraku, të cilët kanë qenë të ekspozuar kontaminimit me uranium të varfëruar, është zbuluar ky element i rrezikshëm në urinën dhe në spermën e tyre.
Kosova është e kontaminuar përjetësisht me elementë radioaktivë, të cilët janë shumë kancerogjenë.
Periudha latente kancerogjene, d.m.th. koha e inkubacionit të malinjiteteve është prej 5 e deri në 50 vjet. Mund të konstatohet me siguri se malinjitetet që lajmërohen sot në trupat e NATO-s dhe paqeruajtësit në Ballkan janë vetëm maja e ajsbergut.
Zgjedhja e vetme është sanimi i terrenit, nëpërmjet dekontaminimit të plotë të vendeve ku kanë goditur predhat DU, si dhe hapësira e kontaminuar nga detonimi, në përputhje me radiusin e veprimit të tyre. Me një dekontaminim të tillë, do të zvogëloheshin në minimum rreziqet për popullatën dhe kafshët shtëpiake, për botën bimore, ujore, ajrore e shpezore nga një rrezik evident për shëndetin dhe jetën e tyre.
Referenca: Shtypi evroperëndimor dhe veçanërisht ai britanik (BBC).
Për ta dëshmuar seriozitetin e gjendjes, e shoh të mjaftueshme ta citoj një pjesë nga raporti i
IWRP BCR No 526, 15-Nov-04):
Mosmarrëveshjet për matjen e ndotjes
Por, disa shkencëtarë thonë se problemi më i madh është mënyra e matjes së ndotjes.
Një shkencëtar i cili mendon se uraniumi i varfëruar është shumë më i rrezikshëm se sa mendohej më parë, është Dr. Chris Busby, i komitetit mbikëqyrës për uraniumin e varfëruar në Ministrinë e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe.
Dr. Busby ka kryer disa studime në Kosovë, ku janë përdorur gjithashtu municionet me uranium të varfëruar. “UNEP thotë se sasitë e vogla të uraniumit të varfëruar në ajër janë të padëmshme, megjithatë kjo nuk është e vërtetë,” ka thënë ai për IWPR (Institute for War and Peace Reporting), duke shtuar se kjo nuk është e vërtetë,” ka thënë ai për IWPR, duke shtuar se sipas tij, “ata kanë përdorur mënyra të gabuara për ta llogaritur
rrezikun”.
“Modeli tradicional i rrezikshmërisë bazohet në një organ të trupit njerëzor ndaj një pjese të uraniumit të varfëruar,” shpjegon ai.
“Por, kur një pjesë e uraniumit të varfëruar thithet, ajo që ndodh është se një pjesë shumë e vogël e indeve të trupit ekspozohet ndaj tij. Pra, pasojat e uraniumit të varfëruar nuk duhet të maten bazuar në një organ të trupit, por vetëm në ato qeliza të prekura”.
Profesori Malcolm Hooper, një profesor i njohur i kimisë mjekësore në Universitetin e Sunderland,
pranon se kjo është një mënyrë më e mirë e matjes së shkallës së ndotjes.
“Uraniumi i varfëruar është një rrezik për shëndetin e popullsisë lokale sepse pjesëzat e vogla të uraniumit të varfëruar depozitohen fillimisht në sistemin e ujërave. Më pas, kur del dielli, drita dhe nxehtësia i stimulon pjesëzat dhe ato ngrihen përsëri në ajër,” ka thënë ai për IWPR.
“Raporti i UNEP ka qenë i pasaktë, shkencërisht. Ata e kanë vizituar zonën shtatë vjet më pas dhe zonat e vizituara prej tyre janë pastruar – mjetet e shkatërruara dhe pjesa më e madhe e municioneve janë larguar”.
Në fund, profesori Hooper kujton edhe rastin e ushtarëve italianë, të cilët kanë shërbyer në Bosnjë dhe Kosovë.
Sugjerimi i parë për një lidhje ndërmjet uraniumit të varfëruar dhe sëmundjes së kancerit ka qenë ai në lidhje me vdekjen e pashpjegueshme të një numri ushtarësh italianë të cilët kanë shërbyer atje.
Televizioni italian e ka quajtur Sindroma e Ballkanit dhe shtypi i huaj ka shkruar shumë për këtë temë, duke shkaktuar një zhurmë të madhe në media.
Frika për pasojat e uraniumit të varfëruar në Bosnjë është shfaqur, fillimisht, në dhjetor të vitit 2000, kur është njoftuar vdekja nga kanceri e Salvatore Carbonaro, vetëm 24 vjeç.
Carbonaro ka qenë ushtari i gjashtë, i cili kishte qenë në Ballkan që ka vdekur nga kanceri dhe ndryshimi i tij nga pesë të tjerët mund të ketë qenë se ai kishte shërbyer vetëm në Bosnjë dhe jo në Kosovë.
Deri më atëherë, NATO nuk kishte pranuar se kishte përdorur municione me uranium të varfëruar në Bosnjë. Por, në dhjetor të vitit 2000, ministri i Mbrojtjes i Italisë, Sergio Mattarella, ka pranuar se aleanca kishte përdorur municione të tilla edhe në Bosnjë, duke shtuar se Italia është njoftuar për këtë vetëm në atë kohë.
Mattarella më pas ka urdhëruar nisjen e një hetimi, nën drejtimin e profesor Franco Mandelli, për ta hetuar lidhjen e mundshme ndërmjet kancerit dhe uraniumit të varfëruar.
Një anëtar i ekipit të Mandellit, Dr. Martino Grandolfo, ka thënë për IWPR se ekipi kishte parë një rritje të madhe të sëmundjes së Limfomës së Hodgins – një formë e leuçemisë në gjak.
“Përqindja e rasteve me Limfomën e Hodgkins në radhët e trupave italiane, të cilët kanë shërbyer në Bosnjë dhe Kosovë, është për dy herë më e lartë se sa ajo në radhët e ushtarëve, të cilët kanë shërbyer në Itali,” ka thënë ai për IWPR. “Por, për momentin, ne nuk e dimë arsyen e kësaj”.
Numri i veteranëve italianë të Ballkanit, të cilët kanë vdekur nga kanceri ka arritur në 27, në korrik të vitit 2004 – dhe disa mendojnë se shifra e vërtetë është edhe më e lartë.
“Numri i të vdekurve në fakt është 32 apo 33, dhe numri i atyre të cilët jetojnë ende të sëmurë me kancer është disa qindra”, thotë për IWPR, Falco Accame, një ish oficer i marinës ushtarake dhe studiues, i cili është drejtues i grupit të veteranëve të Italisë, Anavafaf.
Reagimi publik e ka detyruar qeverinë të pranojë ngritjen e një komisioni parlamentar në senatin italian për hetimin e pasojave të uraniumit të varfëruar.
Por, Accame ka thënë për IWPR se ndërkohë, përveç kompensimit të paguar familjeve të ushtarakëve të vdekur, shteti nuk ka pranuar zyrtarisht asnjë lidhje ndërmjet uraniumit të varfëruar dhe kancerit.
“Si në rastin e problemeve shëndetësore nga përdorimi i duhanit apo asbesti, ne nuk mund të jemi të sigurt që uraniumi i varfëruar është përgjegjës për vdekjen e këtyre ushtarëve,” shton Accame. “Këtu, ne flasim vetëm për një mundësi që uraniumi i varfëruar të ketë ndikuar në sëmundjet kanceroze”.
Megjithatë, mungesa e dëshirës së zyrtarëve për ta pranuar ekzistencën e një lidhjeje ndërmjet uraniumit të varfëruar dhe kancerit mund të ndryshojë.
Në një vendim të rëndësishëm të gjykatës së Romës, më 10 korrik 2004, urdhërohet Ministria e Mbrojtjes e Italisë të paguajë 500,000 euro kompensim për familjen e Stefano Melone, një veteran i misioneve në Ballkan, i cili ka vdekur nga kanceri në vitin 2001.
Gjykata ka deklaruar se Melone ka vdekur “për shkak të ekspozimit ndaj substancave radioaktive dhe kancerogjene” dhe ka përmendur ndër to edhe uraniumin e varfëruar.
E veja e ushtarit të vdekur, Paola Melone, ka thënë për IWPR se ky është “një vendim historik”, duke shtuar se një gjykatë civile “tani ka pranuar se uraniumi i varfëruar është një substancë kancerogjene dhe e ka përmendur atë si një shkak të mundshëm të vdekjes”, të burrit të saj.
“Ky rast ka krijuar një precedent dhe ne po organizojmë tani një konferencë në Itali për familjet e ushtarëve të tjerë të vdekur, për t’i ndihmuar ato në gjyqet e tyre”, shton ajo.
Urgjenca për të vepruar në Kosovë Të dhënat dhe dëshmitë e përmendura më lart, tregojnë për një rrezikshmëri të lartë të kontaminimit në Kosovë, si pasojë e përdorimit të municioneve DU dhe armëve të tjera biologjike e kimike.
Prandaj, apriori, duhet të kujdesemi dhe ta kemi parasysh shëndetin e popullatës, cilësinë e kualitetit të ushqimeve, të ujit të pijshëm, të bimësisë, të pemëve dhe perimeve, drunjve që kontaminohen nga toka e kontaminuar me uranium të varfëruar dhe ndotës të tjerë nuklearo-atomikë (biologjiko-kimikë), që ka përdorur pushtuesi serbo-çetnik, si dhe NATO-ja, kundër pushtuesit të egër serbo-rus.
Sipas ligjeve dhe normave ndërkombëtare, përdoruesit e këtyre municioneve të rrezikshme (DU) janë të obliguar t’i paguajnë shpenzimet financiare për detektimin dhe dekontaminimin e terrenit ku janë përdorur municione të tilla, që lënë pasoja afatgjata për popullsinë, kafshët, shpezët dhe botën tjetër të florës dhe faunës vendore.
Urgjenca për të vepruar në Kosovë, kërkon që të formohet një komision ekspertësh, vendorë e ndërkombëtarë, që të bëhen hulumtime të nevojshme në terren, dhe, në bazë të tyre, t’i propozojë masat, të cilat duhet të ndërmerren, së pari, për detektimin dhe dekontaminimin e terrenit dhe masat e tjera të domosdoshme për zvogëlimin e rrezikshmërisë dhe sanimin e gjendjes alarmante që dominon në Kosovën e pasluftës.
Referenca:
James Pettifer dhe Miranda Vickers, “Çështja shqiptare – Riformëzimi i Ballkanit”, faqe 355, botimi shqip nga
Bota shqiptare dhe Edicioni “Libri”, Tiranë-New York, 2007.
Phil Miller -In Kosovo, US-NATO 1999 Depleted Uranium Ammunition Bombings Still Causes Rising Cancer
Cases –
Phil Miller -Courts across Europe have ruled that depleted uranium can cause cancer among troops.
Dr. Martino Grandolfo -(IWPR) Institute for War and Peace Reporting
Profesori Malcolm Hooper -(IWPR) Institute for War and Peace Reporting
PHIL MILLER – declassifieduk.org/
___
Sejdi Veseli – Vdekja e padukshme i kanoset Kosovës 11 prill 2007
Prishtinë, me 6 prill 2024