URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN (-I-)

Shkruan: Sejdi Veseli

Sejdi Veseli

Po mbushen tetë vite të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të barit mbi varret e të parëve tanë, të cilët na e lanë trashëgimi truallin tonë. Këtë luftë e zhvilluam nën Flamurin e Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mbështetur nga ajri nga forcat e Aleancës Veriatllantike – NATO.
Është rregull i mirënjohur, se pas përfundimit të luftërave, të bëhet edhe vlerësimi i përmasës së dëmtimeve në njerëz, bagëti të mira materiale në përgjithësi, të shkaktuara nga veprimet luftarake të kundërshtarit. Andaj, edhe ne shqiptarët e Kosovës (Unmikistan) e kemi ndie detyrë parësore eliminimin e dëmtimeve të mëdha dhe të shumëllojshme që na janë shkaktuar nga thundrakët pushtues serbo-çetnike, me armatimet supermoderne të tyre.
Duhet të konstatojmë me dhembje në shpirt, se edhe ato sanime teknike që i kemi bërë në terrenet e djegura rënd, përveç në rastet kur kemi pasur të bëjmë me shtëpitë e minoritarëve serb, ku i kemi bërë të gjitha veprimet për mrekulli, pa e lodhur mendjen se çfarë kanë bërë familjarët e tyre gjatë luftës, për popullin shumicë ishin gjysmake, për mos me thënë shkel e shko. Nuk përjashtohet mundësia, që edhe familjeve të paramilitarëve serbo-çetnik u kemi ndërtuar shtëpi moderne dhe ua kemi mobiluar me mobile të reja, thjesht u kemi siguruar një jetë komfore, më të mirë se ajo që e kanë pasur para luftës. Ndërsa shumicën e luftëtarëve të lirisë dhe familjet e shumta shqiptare, të cilëve ua kanë djegur shtëpitë pushtuesit (ndofta po ata që u kemi siguruar plëng dhe shtëpi), i kem lënë të presin për një kulm mbi kokë dhe që gjallojnë nën plastmasë, duke u ballafaquar me acarin e dimrave dhe lagështinë.
Por me këtë shkrime timen kam për qëllim të përpiqem të shpalosë një problem, i cili gjeneron në vazhdimësi rrezik të madh për shëndetin, jo vetëm për gjeneratat e sotme të popullit, por edhe për ato që do të vinë për disa shekuj më pas. Pra, e kam fjalën për rrezikun që paraqet ndotja e Truallit tonë atëmëmëdhetar lëndë radioaktive, biologjike dhe helme të ndryshme luftarake.
Jemi dëshmitar i një realiteti të hidhur, se deri në ditët tona, nga të kompetentët për shëndetësi dhe për mbrojtjen e ambientit, të cilët dje figuronin si “zyrtar të lartë” të kinse IPVQK (e që në realitet u vetë-dëshmuan se nuk ishin tjetër pos servil të unmikistanezëve…) , dhe ata të mëvonshmit që fryheshin më mandatin që ua dha populli me votën e tij, jo vetëm se nuk është ndërmarrë as edhe, një hap për eliminimin e këtij rreziku, por as që është diskutuar seriozisht për te, ngase u kanë thënë shefat e tyre ndërkombëtarë, harrojeni këtë punë, se ky rrezik nuk ekziston.
Nëpërmes këtij shkrimi të cili po e ribotoj (me pak ndryshime) u bëjë thirrje publike, të gjithë atyre që e konsiderojnë veten kompetent, për të ndërmarrë hapa konkrete për detektimin ABK të hapësirës kosovare dhe dekontaminimin e asaj çka mund të dekontaminohet, në rend të parë nga ndotësit atomikë (uraniumi i varfëruar), kimik (dioksina) dhe biologjik (shkaktarë të sëmurjeve ngjitëse e të cilët bëjnë pjesë në arsenalin e armëve biologjike, si p.sh. Tularemia…), me të cilët u kontaminua kjo hapësirë gjatë periudhës së luftës, si nga ana e ushtrisë pushtuese serbo-çetnike, ashtu dhe nga fushata e bombardimeve të NATO-s, ndaj pozicioneve, armatimeve dhe pikave strategjike të pushtuesit.

Si erdhi deri të kontaminimi radioaktiv?

Përgjigjen në këtë pyetje do ta filloj me këtë citim:
“Më 22 prill (1998 v.ime) forcat serbe përdoren për herë të parë predhat radioaktive kundër trupave të UÇK-së… përdorimi i predhave me material radioaktiv brenda territorit shqiptar synonte të qëllonte mbi popullatën civile… përdorimi i armëve të tilla u shtua gjatë muajit maj…”
James Pettifer dhe Miranda Vickers “Çështja shqiptare – Riformëzimi i Ballkanit”, faqe 355, botimi shqip nga
Bota shqiptare dhe Edicioni “Libri”, Tiranë-New York, 2007
Siç dihet, ushtria pushtuese serbo-çetnike ka pasur në posedim DU municione që nga viti 1989, të prodhimit rus e më vonë ato të prodhimit serb, në “Krušik” të Valevës dhe Sloboda të Çaçakut.
Dëshmia më e mirë që vërteton faktin, se në përdorim të ushtrisë serbe gjenden DU municione, është aksidenti në Fabrikën e armatimeve ”Krushik” të Valevës, ku u rrezatuan 4 punëtor serb, të cilët punonin në këtë fabrikë. (www,b-92.net).
Siç theksova më lartë, Ushtria pushtuese serbo-çetnike, që nga viti 1989 ka në posedim raketa ajër-ajër, me kokë nukleare dhe me peshë prej 3.5 e 6 kg dhe të cilat posedojnë 1.6 kg DU, në formë të shufrave, si ato të prodhimit rus, ashtu dhe ato të modifikuara në fabrikën “Krushik” të Valevës, me shenjën dalluese R60 MK.
DU-depleted uranium (uraniumi i varfëruar), është një nusprodukt i prodhimit të karburantit nuklear, pra si tepricë e uraniumit të fisnikëruar, i cili shfrytëzohet për prodhimin e bombave nukleare.
Uraniumin e varfëruar, OKB e klasifikojnë si “ një metal të rënd dhe jo stabil”, i cili emeton tri lloje të radioaktivitetit jonik:alfa, beta dhe gama.
Në fabrikat serbe për prodhimin e armatimeve “Krushik” të Valevës, “Slloboda” të Çaçakut, “Zastava” të Kragujevcit dhe “Prvi Partizan” të Uzhicës, uraniumi i varfëruar (me siguri prodhim i reaktorit “Vinça”), shfrytëzohet për prodhimin e municioneve blindëshpuese të këtyre kalibrave: 7,62 mm, 7.9 mm, 12.5 mm, 12.7 mm, 20 mm, 25 mm, 30 mm, 105 mm, 125 mm, 155 mm, si për prodhimin e kokave të raketave tokë-ajër, tokë- tokë dhe ajër-ajër, të të gjitha kalibrave, përfshi këtu edhe ato të radiusit të gjatë të veprimit!
Këto municione u shfrytëzuan dhe shfrytëzohen si nga Ushtria serbe, ashtu dhe për eksport.
Me këto raketa janë të armatosur aeroplanët luftarak serb, MIG 21, MIG 29, Orao 2, Supergaleb…
Ushtria serbe, përveç të tjerave, ka pasur dhe ka në posedim DU municione për tankun e prodhimit të vetë, M-84(sipas modelit rus T-74).
DU-municioni që përdoret nga tan kësi M-84 njihet me shkurtesën APFSDS 125 mm. Por në përdorim të tankësit M-84, që prej momentit të modifikimit të tij nga modeli rus T-72, gjendet edhe predha me penetrues nga volframi.
DU-municionet bashkëkohore me predha nënkalibrore, janë të destinuara për t’u përdorur nga topat e
tankeve dhe topat kundër tank, për luftime kundër mjeteve të blinduara luftarake, në largësitë prej 2000 deri në 3000 metra.
Këto municione janë të konstruktuara sipas principit të shfrytëzimit të energjisë vetanake kinetike e cila gjatë kontaktit të predhës me cakun, së pari deformohet dhe më pastaj e tejshpon pengesën. Gjatë shpërthimit brenda objektit, copëzat e predhës dhe të blindës paaftësojnë ekuipazhin dhe stabilimentet vitale të mjetit të goditur,duke e nxjerrë atë nga formacioni luftarak i kundërshtarit.
DU-municionet kundërtank me predha nën kalibrore janë shumë më efikase, në krahasim me ato klasiket, të cilat lansohen nga tytat e topave të tankeve dhe të atyre kundërtank dhe njihen si: predhat pancir dhe komulative.
Në bazë të konstruktimit specifik masa e predhës është zvogëluar prej 1/3 deri në ¼ të masës së atyre klasike. Kjo veti mundëson shpejtësi të madhe fillestare të udhëtimit të predhës nën kalibrore, prej 1.400 deri në
1.800 m/sek. Përveç të tjerave, bartësi i predhës përben afro 30% të masës së përgjithshme të predhës dhe ndahet nga ajo, menjëherë pas daljes së saj nga tyta lansuese, kështu që e rritë radiusin e veprimit të predhës, prej 1000 metra në 2000 deri në 3000 metra. Shih foto 1

Foto 1: Ndarja e bartësit të predhës UV, menjëherë pas daljes nga tyta e lansuesit

Për ndërtimin e bërthamës së këtyre predhave të destinuara për luftë kundër mjeteve të blinduara përdoren metalet e rënda dhe uraniumi i varfëruar dhe për këtë njihen me emërtesën e njohur, si DU municione.
Metali i fortë që përdoret për ndërtimin e bërthamës së këtij lloji të predhave, është një legurë e përbërë prej dy elementëve, nga volframkarbidi(WC) dhe kobalti (Co) ose nga nikeli(Ni), me masë specifike afro 13 deri 14 gr/m³.
Metali i rëndë është një legurë e përbërë nga tri elemente, nga volframi (W), hekuri (Fe) dhe bakri (Cu)
ose nga volframi (W), nikeli (Ni) dhe hekuri (Fe), më masë specifike prej rreth 18 g/m3.

Si duken municionet DU?

vijon në numrin e ardhshëm