VALBONA – NJË MREKULLI MES MALEVE ME KRESHTA TË LARTA

Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe

Shkruan: Berat Luzha – Fshati Valbonë, lumi Valbonë, lugina e Valbonës, Parku Kombëtar i Valbonës, Ujëvara e Valbonës, trofta pikaloshe e Valbonës, Qafa e Valbonës, vajzat e gratë me emrin Valbona. Valbona është një emër i popullarizuar më shumë se çdo emër tjetër në trojet shqiptare, si fshat, si lumë, si park, si peshk, si emër njerëzish…

Ist möglicherweise ein Bild von Natur und Berg


Fshati Valbonë, më parë i quajtur Selimaj, ndodhet në bashkinë e në rrethin e Tropojës dhe është pjesë e Parkut Kombëtar të Valbonës, 810 metra mbi nivelin e detit. Me rreth 30 familje të përhershme, që jetojnë në fshat, Valbona shtrihet në një grykë – zallishte të krijuar nga lumi, i rrethuar nga majat e thepisura, rreth 25 km larg nga Bajram Curri. Shtëpitë kryesisht janë kulla dy e trekatëshe, me mure të trasha prej guri e me kulme karakteristike me dërrasa. Përmes fshatit kalon lumi Valbona, njëri nga lumenjtë më të rrëmbyeshëm e më të kthjellët të Alpeve Shqiptare. Thuhet se fshati është themeluar para 400 vjetëve nga të ardhurit nga fshati Vuthaj i krahinës së Plavë – Gucisë, të cilët këtu më parë i kishin stanet verore. Gjithashtu, thuhet se emrin ia ka lënë një vizitor – prift italian, i cili, kur kishte dalë në Qafën e Valbonës, luginën e lumit e kishte quajtur Vale Buona – luginë e bukur.


Nëpër fshatin Valbonë dhe nëpër Luginën e Valbonës gjarpëron lumi i rrëmbyeshëm i Valbonës. Lumi Valbona buron nga Malet e Shalës në Malësinë e Madhe, afër fshatit Rragam dhe pas 50.6 km., derdhet në lumin Drin apo në liqenin e Komanit në fshatin Fierzë. Rreth 24 km të këtij lumi me ujë të kulluar rrjedh nëpër luginën e ngushtë piktoreske të Valbonës. Një vend i bukur, një mrekulli e vërtetë është edhe Ujëvara e Valbonës, që ndodhet ndonjë kilometër sipër Valbonës, afër Rragamit. Sapo lumi buron nga toka, fluturon në ujëvarën 50 metërshe të lartë. Fenomen i rrallë natyror dhe i paparë ndër ne është kur lumi humbet i tëri nën zallishtë dhe rishfaqet përsëri pas pesë kilometrave, poshtë fshatit Valbonë.
Lugina e Valbonës është një kryevepër e natyrës, e mbushur me mrekulli të shumta; rrjedha të ujit, ujëvara spektakulare, pyje të pafund e rrethuar me male të larta alpine që ngritin kokën deri në qiell. Lugina që fillon nga Qafa e Valbonës dhe përfundon në fshatin Fierzë, përshkohet nga lumi i Valbonës, duke krijuar gryka, kanione e ujëvara, burime, liqene e shpella shumë të bukura. Lumi i Valbonës bashkohet me Lumin e Gashit, një pasuri tjetër natyrore e mbrojtur nga UNESCO, bashkë me pyllin e ahut në të dy anët e lumit. Këndej shtrihet zona e Eposit të Kreshnikëve, ku ka mbetur njëri nga shtatë Omerët e Mujit e ku Ajkuna e kërkon vëllain e pagjetur dhe i mallkon bjeshkët që e fshehin varrin e vëllait të saj.

Ist möglicherweise ein Bild von Natur und Gewässer

Një ngjarje nga e kaluara e Valbonës: Kur serbët vërshuan në vitin 1912, fshati Selimaj kishte shtatë shtëpi. Forcat serbe kërkuan që secila shtëpi e fshatit të dorëzonte nga një pushkë, shtatë pushkë! Përgjigjja e malësorëve të Selimajt (Valbonës) ishte: – As shtatë gurë lumi nuk i dorëzojmë e jo më shtatë pushkë. Kishte pasuar lufta dhe masakrat ndaj popullsisë, kurse fshati ishte djegur tri herë radhazi.
Kjo luginë, mrekullia e Alpeve Shqiptare, e ka statusin e Parkut Kombëtar në sipërfaqe prej rreth 8000 hektarësh. Parku është nga vendet më të vizituara malore, veçanërisht vizitohet nga turistët që vijnë nga Republika e Kosovës, kryesisht në formë pikniku njëditor, për shkak të afërsisë që ka me Kosovën.
Të gjithë ata që kanë udhëtuar në Valbonë kanë parë se ndërtimi i dy hidrocentraleve të vogla në luginë ka paraqitur masakër mjedisore në luginën e Valbonës dhe dëmtim të rëndë të zhvillimit të turizmit në këtë zonë, përkundër faktit se Lugina e Valbonës është Park Kombëtar. Disa projekte për ndërtimin e HEC-eve parashohin ta fusin Valbonën dhe disa përrenj në tuba, duke dëmtuar mjedisin, rrjedhimisht edhe turizmin. Kundër ndërtimit banorët e kësaj zone kanë protestuar në Bajram Curr dhe në Tiranë. Qeveria fillimisht kishte miratuar ndërtimin e 14 HEC-eve përgjatë 20 km të lumit, por në fund ka mbetur të ndërtohen vetëm dy prej tyre, kurse edhe ato janë të tepërta. Pos punishteve për ndërtimin e HEC-eve në luginë mund të shihen edhe punishte për ndërtimin e objekteve hoteliere pa leje e pa plan, si dhe gurore, nga ku gumëzhijnë transportuesit e rëndë, duke shkatërruar shtratin e lumit dhe shpatijet e malit.

Ist möglicherweise ein Bild von Natur, Baum und Berg


Valbona është në fazën e zhvillimit të turizmit, me shumë projekte, që pritet të realizohen së shpejti. Veçanërisht, fshati është pjesë e masterplanit për zhvillimin e Alpeve Shqiptare dhe pjesë e projektit tjetër të turizmit fshatar “100 fshatrat e Shqipërisë”. Numri i vizitorëve dhe i turistëve vendorë dhe të huaj është gjithnjë në rritje. Janë ndërtuar apo përshtatur për turizëm shtëpi e bujtina, hotele e restorante. Fshati turistik i Valbonës është kthyer në një nga destinimet më të parapëlqyera malore në Shqipëri. Se Valbona është një vend i jashtëzakonshëm e tregon edhe Kanali TV National Geographic, që e ka radhitur si njërën nga nëntë destinimet më të mira në botë për aventurë në ajër të pastër.
Valbona dhe Lugina e Valbonës mahnitë vizitorin me natyrën madhështore, me male të larta e hijerënda, me pyje të pasura të ahut, të pishës, të bredhit e të gështenjës, me ujëra të pastra, përrenj e lumenj malorë, ku notojnë troftat e njohura të Valbonës, me livadhe alpine. Natyra e egër dhe e paprekur e Valbonës paraqet një perlë të fshehur të maleve alpine, një destinim të përkryer turistik, ku merr ngjyra piktura dhe fotografia, ku fillojnë sportet dimërore, peshkimi e alpinizmi, ku merr udhë aventura drejt Thethit nën gurgullimin e ujërave, cicërimën e zogjëve e fërshëllimin e drunjve. Në Valbonë mund të peshkohet trofta e Valbonës, një peshk i veçantë autokton, si dhe mund të zhvillohet kanotazhi, si sport i aventurës. Shëtitjet në këtë zonë me shumë befasi natyrore dhe ecja në ajër të pastër nëpër shtigje në fshat dhe rrethinë është përjetim i këndshëm, që përjetohet e nuk harrohet. Lugina, ujëvara, burimet, stanet, kullat, mikpritja, ushqimet e pasura natyrore formojnë pasqyrimin për Valbonën, që duhet ta shofim e ta njofim sa më parë. Mikpritja malësore, sipas traditave të vjetra shqiptare, bujtinat dhe gatimet tradicionale të zonës, krijojnë disponim të mirë të vizitorëve, kurse ajri i pastër dhe qetësia absolute krijojnë kushte ideale për pushim.