Vëllimit poetik “Vjeshtë në Prishtinë” të poetit LAN -Asllan Qyqalla

Nikollë Loka,

Poezi e dhimbjes dhe ndarjes, e shkëputjes dhe e largësisë.  

Shkruan: Nikollë Loka, shkrimtar – Poeti Lan-Asllan Qyqalla vjen me vëllimin e ri poetik ” Vjeshtë në Prishtinë”. Edhe ky vëllim, si ai paraardhës përmban lirika të dashurisë, të dhimbjes dhe të mallit. Poeti Qyqalla jeton në tri kohë dhe bisedon në të tri kohët.  Për të fjala ka aftësi t’i bashkojë njerëzit që e kanë të pamundur të jenë pranë njëri-tjetrit. Poezia e Qyqallës është zëri magjik brenda vetes që ia ndryshon gjendjen shpirtërore dhe e bën ta vlerësojë jetën. Pjesa kryesore e librit përmban poezi të mungesës. Poeti flet nga larg për t’u dëgjuar. Poezitë mbajnë dhimbje, siç mbajnë retë shiun,  që poetit ia mpakin përherë qiejtë e së tashmes. Është një dhimbje që poeti kërkon ta ketë përherë të re. Në fakt, shumica e poezive të këtij libri edhe kur kanë ngjyra dhimbje a dëshpërimi, pasqyrojnë ʺcopëzaʺ dashurie, të cilat e pasurojnë edhe më shumë stilin e tij poetik. Dihet se poezitë e mira dalin prej dashurive të mëdha ose prej dhimbjeve të mëdha. Asllani i ka të dyja. Teksa ndjen dhimbje për kalimin në amshim të bashkëshortes, ai jeton çdo çast me kujtimet e saj. Është një jetë e dyfishtë që i krijon dhe një gjendje emocionale të favorshme për procesin krijues.

Ist möglicherweise ein Bild von 3 Personen, einschließlich Lan Qyqalla und Baum

Në libër, dashuria përjetohet si një ndjenjë e ndërlikuar dhe kontradiktore. Kur lexon librin, të provokohen ndjesi,  ndihesh më mirë ose më keq, ndjen dhimbje, për ta gjetur sërish qetësinë, ndoshta, pas kohës së reflektimit për shkak të saj.

Montale e cilëson lirikën “bashëkjetesë e çuditshme e muzikës dhe metafizikës, e arsyes dhe paarsyes, e ëndrrës”. Poezia i lejon poetit të shprehë ndjenjat në një mënyrë të tillë që emocionet e tij të përcillen më dëshirueshëm sesa në të folurit apo të shkruarit e zakonshëm, për shkak të përdorimit të figurave, simbolikës, alegorisë dhe mjeteve të tjera poetike.

Si dhe në vëllimet paraardhëse, lirika e poetit Qyqalla përgjithësisht ruajti trajtat e një zëri të brendshëm meditues, duke përcjellë herë-herë një tis të bukur trishtimi, që rrjedh ngadalë nëpër vargje. Në lirikën e tij  mendimet shpesh transmetohen drejtpërdrejt  te personi i dytë, ose  përmes konstruktit poetik jepen bashkë me elementë të natyrës. Poezia e Qyqallës ka ngjyrat simbolike të stinëve dhe ndihet ritmikisht në sintoni me to si: ringjallje, dëshirë, trishtim, apo pezullim, një gjendje apatie, ndalim frymëmarrjeje etj., teksa uni lirik ripërjeton momente të shkuara.

Asllan Qyqalla është lirik i dashurisë që shpreh në poezitë e tij nevojën për dhimbje dhe dashuri, qoftë edhe në formën e kujtimeve.  Breton shton : ”Pavarësisht se çfarë ndodh apo nuk ndodh, vetëm pritja në vetvete është fantastike. Pritja, mendimi për të dashur(ë)in, shumëzon lidhjet dhe raportet që ky person krijon, është një “ethe” që asgjë si shpëton. Nga kjo gjendje mendore, shpirtërore e fizike komplekse, lind natyrshëm një gjendje poetike, një ”konfuzion” i orientuar, një rrjet fijesh emocionale rrotull një boshllëku, si një vello e padukshme që mbështjell një trup fizik që mungon, ku parandjenja dhe pasiguria, shndërrohen në një farë “dije” të çuditshme njohje”.  

Poezia e autorit Qyqalla shtresëzohet në kohë, përthyhet në një të tashme që ka pak të shkuar, apo në një të shkuar që vijon të jetojë brenda cikleve jetësore javore, të stinëve, apo viteve. Autori e përjeton dashurinë si çast që e lumturon dhe mungesë që dhemb. Në librin “Vjeshtë në Prishtinë”, dashuria kërkon të lerë një gjurmë të dukshme, dhe që këto gjurmë të jenë më të kuptueshme, individualizohet me emrin e imazhin e një femre, një studenteje në rrugët e Prishtinës, në shetitoren “Gërmia”, njohja në amfiteatrin poetik, në Vjeshtën poetike, në Ulpianë që janë imazhe të derdhura në vargje poetike …

Lirika e Qyqallës është poezi e dhimbjes dhe ndarjes, e shkëputjes dhe e largësisë. Përjetimi poetik në libër jep shpërthyerje të shumta, të cilat e koncentrojnë mendimin në vargjet e fundit, si thënie poetike që mbajnë brenda edhe misterin e të pashpjeguarës deri në fund. Në poezinë “Pa dashje” shkruhet: …

Në dimrin e 27-të, të acartë…
dielli ngre kokë në janar
mbi ngricat e kristalta
takohemi në semafor
aty ku ndalet jeta
me Dorisën njiheshim nga një botë tjetër
në enigmën e shikimeve puthen yjet.

Te poeti në këtë përmbledhje, dashuria është nevojë e pakontestueshme, që e bën njeriun të vuajë dhe të sakrifikojë për hir të saj.  Poezia e Asllan Qyqallës ka ton të ëmbël lirik  me elemente të vetmisë, trishtimit, erotikës dhe një pasioni të fuqishëm.

Autori i kthehet konkretësisë, trupit të femrës, syve, duarve, këmbëve, buzëve, lëkurës, gjoksi etj, ku lirika plotësohet me erosin: Në poezinë “E nesërmja” shkruan: E nesërmja edhe po të mos vijë/… sonte jam shtegtar/ në kullën tënde stolisen ëndrrat/ në buzët tua qëndis romancën/ e urës së psherëtimave/në syrin tënd digjet rinia/në dorën tënde rinohen vitet, në ballë të derdhen avujt e bleruar/viteve të fjetura zgjohet nektari i Erosit/në zemrën e Dorisës dashuria çel sythe/ në kështjellën e magjishme të Shën Valentinit.

Natyra merr pjesë gjerësisht në poezinë meditative të Asllan Qyqallës.  Qielli me diell të brishtë, ngërçi në natën pa hënë, lumi i etur, netët me mallëngjim, dushknajë e blertë, dallgët dhe pulëbardhat etj  ushqejnë shumësi gjendjesh dhe kuptimesh, ngërthyer prej metaforash fort origjinale. Krijohet një paralele midis pastërtisë së botës natyrore dhe pastërtisë së dashurisë.

 Te poezia “Unaza e liqenit”:

jeshkët nanurisnin serenatën e pakënduar
teksti mbeti në ujin e liqenit
tingujt e dashurisë malin kapluan
syri i tretë, magjinë e harlisur sodit.

Dashurinë poeti e sheh si një burim për jetë; aty gjen kuptimin e jetës. Këtë mund ta shohim edhe në vargjet e poezisë “Më prit”: S`dua ta kalosh ditën duke më pritur/ ardhjen time nëpër kohë/në natën e dashurisë/  dua  të sjell yllin në gjirin e virgjërisë/në kopshtin e viteve të ftoj në vallëzim/ serenadë në qytetin tim…/ti e ëmbla në oxhakun e vatrës/mbolle zjarrin e përjetësisë/ më prit, në ardhjen time.

Edhe pse poezia lëviz midis kornizave kohore (e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja) përsëritja e “heshtjes dhe lotëve” tregon se poeti  trajton në vazhdimësi mbi një shtrat konkretësie të kaluarën e tij. Në poezinë “Po s’të pashë ty” jepet gjendja shpirtërore e  poetit dhe nevoja për t’u ndjerë pranë të dashurës së tij në një sfond përjetësie dhe amshimi:  

Nesër nuk e dua diellin të ma thajë lotin
ylberin ta shoh pas regëtimit të shiut
nesër… të humbas mes ngjyrash ylber – loti

Sonte s’e dua as simfoninë e Betovenit
në kërkim të fjalës dergjem, sonte…
le të verbohem në natën e trishtë
po s’të pashë ty në pellgun e syrit.

Krijimi është një metaforë. Pa metaforën, teksti artistik nuk funksionon. Metafora ndërlidh si të thuash gjithçka. Ajo është një mënyrë veprimi, me anë të së cilës, dërgohet kuptimi i saktë i një fjale, te një tjetër kuptim, që nuk i përshtatet atij, për arsye të një krahasimi  të nënkuptuar.  Në poezinë “Metaforë në gurë, poeti shkruan:

“Në hijen e shtojzovalleve
vezulloje metaforën
e shkruar në gurë
latoje vargun
në ujin e pikëlluar
notoje në mallin
e ngjeshur në qerpikë
e grishja yte
trand rrënjët trevjeçare
në emblemën e gurëve dasmorë.

Kjo dendësi metaforash e shoqëron të gjithë librin, duke i dhënë freski dhe mjete të reja shprehëse.

Poezia e Asllan Qyqallës reflektonte humanizëm. Teksti i lirikave të tij synon të modelojë universin në kategoritë e tij më të përgjithshme, të cilat përbëjnë brendinë e botës në formën e ekzistencës së gjërave dhe të dukurive konkrete, që lidhen me shpirtin njerëzor. Vëllimi me poezi  “Vjeshtë në Prishtinë”, duke qenë vazhdim i vëllimit të mëparshëm poetik “Lora”, shënon arritje. Me vëllimin e ri poetik,  poeti Asllan Qyqalla na tregon se është një poet që ka ende shumë për të thënë dhe se ai me poezinë do të jetojë gjatë.   

21Fatmir Halimi, Nikolle Loka und 19 weitere Personen8 KommentareGefällt mirKommentierenTeilen