Walker, masat ndaj Kosovës po i cilëson si të padrejta dhe ndëshkuese

uraebashkuar

Për ish-ambasadorin William Walker, sanksionet e Bashkimi Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, të një vendi demokratik janë jo të zakonshme, i cili më tej shtoi:
“Konsideroj që masat ndëshkuese apo sanksionet, sido që t’i quani ato, janë të padrejta ndaj Kosovës. Masa ndëshkuese u vihen atyre shteteve që i shkelin ligjet ndërkombëtare, siç është rasti me Rusinë. Nuk është normale që BE-ja dhe SHBA-të ta sanksionojnë një vend demokratik siç është Kosova. Kjo është me të vërtetë diçka e pazakonshme”.
Ndërsa për të ardhmen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Walker është pesimist dhe theksoi se Serbia ende nuk është e gatshme ta njoh pavarësinë e Kosovës.
“Për çfarë dialogu jemi duke folur? Krerët shtetërorë serbë e kanë bërë të qartë se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Si mund të jesh optimist për të ardhmen e dialogut kur Serbia nuk është e gatshme të ndryshoj. Tani shikoni se çfarë qasje destruktive ka Serbia, ndërsa Perëndimi i bënë presionin vendit më demokratik në rajon”, u shpreh Walker.
Po ashtu Walker është i shqetësuar nga diplomatët amerikan në pension, të cilët janë shumë të painformuar për historinë e Kosovës, dhe për këtë, ai shprehet shumë i shqetësuar.
“Ka ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe SHBA-të tani e shohin më ndryshe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mos harroni se kanë kaluar 23 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Duhet ta dini që në vendimmarrjen amerikane nuk janë më personat e njëjtë dhe tani jam shumë i shqetësuar se sa të painformuar janë disa prej tyre për të kaluarën e Kosovës. Prandaj do t’u sugjeroja që të lexonin më shumë histori”, shtoi Walker.
Walker tregon se ku duhet ta kishte vendin presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq.
“Po ta kishim një situatë normale, sot në bankën e të akuzuarve në Hagë do duhej të ishte ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, e jo Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli. Të gjithë e dimë se çfarë roli ka pasur gjatë viteve të 90-ta Aleksandër Vuçiqi, dhe sot imagjinoni ai është President i Serbisë dhe për më tepër respektohet nga partnerët ndërkombëtar. Këtu e keni vetëm një shembull se sa shumë ka ndryshuar komuniteti ndërkombëtar në raport me Kosovën”, tha Walker.
abriel Escobar, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka mohuar të ketë qenë i ashpër me Kosovën dhe i butë me Serbinë. (uraebashkuar)