Nga Isuf Ismaili
Zanoret janë tinguj të plotë, por edhe të pavarur. Veçorinë e zanoreve është e rëndësishme ta kuptojmë që në hapat e parë të mësimit të gjuhës standarde shqipe.
Gjatë nyjëtimit të zanoreve, duhet të kemi kujdes gjithmonë që ato nuk duhet të hasin pengesa në gojë e as në hundë. Meqë, zanoret janë të pavarura dhe të plota, bashkëtingëlloret mbështeten në zanore dhe së bashku formojnë një tërësi shqiptimi – rrokjen. Por, zanoret mund të qëndrojnë, pa u bashkuar me ndonjë bashkëtingëllore dhe ato mund të formojnë rrokje, p. sh. a-ra, e-rdhi, ë-ma, o-ra, u-ra etj.
Gjuha letrare a standarde shqipe ka shtatë zanore. Ato janë: A, E, Ë, O, I, U dhe Y.
Shqiptimi i zanoreve sipas rregullave të drejtshqiptimit, ka rëndësi të madhe, madje është edhe nevojë e domosdoshme t’i përmbahemi rregullave, sepse kështu, duke zbatuar rregullat e flasim pa gabime gjuhën standarde shqipe.
Herë – herë, shqipfolësit e trevave të ndryshme shqiptare, vihen re, se cilës trevë i takojnë, sapo ata i nyjëtojnë zanoret. Kjo ka rëndësi të madhe edhe për dialektologjinë edhe për dialektologët.
Nyjëtimi i zanoreve
Kur e nyjëtojmë zanoren A gojën e hapim më shumë se për çdo zanore tjetër, por gjuha tërhiqet pak prapa.
Për ta nyjëtuar zanoren E, goja hapet më pak, por pjesa e mesme e gjuhës shkon pak në drejtim të qiellzës së fortë.
Kur e nyjëtojmë zanoren Ë, goja hapet mesatarisht dhe pjesa e mesme e gjuhës ngrihet te qiellza e fortë, (aty nga mesi i qiellzës së fortë).
Kur e nyjëtojmë zanoren O maja e gjuhës shkon te qiellza e butë, a e poshtme, buzët zgjaten pak përpara duke formuar një shteg të rrumbullakët.
Ndërsa për nyjëtimin e zanores I pjesa e parme dhe e mesme e gjuhës shkon në drejtim të qiellzës së fortë a të sipërme.
Kur e nyjëtojmë zanoren U gjuha shkon pak mbrapa, ndërsa pjesa e parme shkon në drejtim të qiellzës së butë dhe buzët shkojnë shumë përpara.
Zanorja Y nyjëtohet duke çuar pjesën e përparme të gjuhës lart nga drejtimi i qiellzës së fortë dhe buzët shkojnë shumë përpara.