ZANORET (Vokalet)

Isuf Ismaili

Nga Isuf Ismaili

Zanoret janë tinguj të plotë, por edhe të pavarur. Veçorinë e zanoreve është e rëndësishme ta kuptojmë që në hapat e parë të mësimit të gjuhës standarde shqipe.

Gjatë nyjëtimit të zanoreve, duhet të kemi kujdes gjithmonë që ato nuk duhet të hasin pengesa në gojë e as në hundë. Meqë, zanoret janë të pavarura dhe të plota, bashkëtingëlloret mbështeten në zanore dhe së bashku formojnë një tërësi shqiptimi – rrokjen. Por, zanoret mund të qëndrojnë, pa u bashkuar me ndonjë bashkëtingëllore dhe ato mund të formojnë rrokje, p. sh.  a-ra, e-rdhi, ë-ma, o-ra,  u-ra etj.

Gjuha letrare a standarde shqipe ka shtatë zanore. Ato janë: A, E, Ë, O, I, U dhe Y.

Shqiptimi i zanoreve sipas rregullave të drejtshqiptimit, ka rëndësi të madhe, madje është edhe nevojë e domosdoshme t’i përmbahemi rregullave, sepse kështu, duke zbatuar rregullat e flasim pa gabime gjuhën standarde shqipe.

Herë – herë, shqipfolësit e trevave të ndryshme shqiptare, vihen re, se cilës trevë i takojnë, sapo ata i nyjëtojnë zanoret. Kjo ka rëndësi të madhe edhe për dialektologjinë edhe për dialektologët. 

Nyjëtimi i zanoreve

Kur e nyjëtojmë zanoren A gojën e hapim më shumë se për çdo zanore tjetër, por gjuha tërhiqet pak prapa.

Për ta nyjëtuar zanoren E, goja hapet më pak, por pjesa e mesme e gjuhës shkon pak në drejtim të qiellzës së fortë.

Kur e nyjëtojmë zanoren Ë, goja hapet mesatarisht dhe pjesa e mesme e gjuhës ngrihet te qiellza e fortë, (aty nga mesi i qiellzës së fortë).

Kur e nyjëtojmë zanoren O maja e gjuhës shkon te qiellza e butë, a e poshtme, buzët zgjaten pak përpara duke formuar një shteg të rrumbullakët.

Ndërsa për nyjëtimin e zanores I pjesa e parme dhe e mesme e gjuhës shkon në drejtim të qiellzës së fortë a të sipërme.

Kur e nyjëtojmë zanoren U gjuha shkon pak mbrapa, ndërsa pjesa e parme shkon në drejtim të qiellzës së butë dhe buzët shkojnë shumë përpara.

Zanorja Y nyjëtohet duke çuar pjesën e përparme të gjuhës lart nga drejtimi i qiellzës së  fortë dhe buzët shkojnë shumë përpara.