Mustafë Krasniqi:-NJË GUR SHQIPËRI, SHTËPIA IME

Fejtoni nr.VII

Mustafë Krasniqi

     Poeti, Sylejman Qyqalla, shfaqet me librin e tij “NJË GUR SHQIPËRIE”, ku trajton një tematikë të gjerë poetike e gërshetuar dhe pasuruar me motive të ndryshme, si patriotike e lirike. Vend të rëndësishëm zë edhe motivi i dashurisë. Të gjitha poezitë e tij kanë një porosi të qartë për lexuesin. Si krijues i ri, në skenë del i kompletuar dhe i motivuar duke dhënë bukuri artistike krijimtarisë, por ai është edhe  i ashpër kur duhet dhe modern në poezi, premtues për të na ofruar edhe projekte të tjera, të dobishme për artin poetik.

  Ky krijues hyri në botën e artit me një përkushtim të madh, si një krijues i etur për shprehjet metaforike të ndjeshme në dimensionet e shtrirjes së atdheut, Shqipërisë Etnike. Poeti, Sylejman Qyqalla, poezinë e trajton natyrshëm, me ndjenja të thella, ndonëse herë-herë të shfaqura me rebelim, si atak ndaj atyre që i bishtnojnë përparimit kombëtar. Poeti përmes vargut e shpërthen dufin:

Ti kur po e di se ai shteg është i pashteg
Kur po e di se po të shpie në qiell të zi
Pse, vallë, verbërisht atë baltë po e ndjek
E…”jam në udhë të mbarë!”-thua përsëri?

Ti,kur po e di se nga udha jote piku gjak e lot
Të shtrembëron po e quan “Diell” e “Hënë”
Pse, vallë, të vërtetën po e përplas në tokë…
Nënës i thua “njerkë”e njerkës “nënë”!?

Në këto vargje të sipërme dhe pothuaj në tërë poezitë e tij, përpos figurës, rimës, simbolit, krahasimit, melodisë, shtjellimit të formës,  temës etj., kemi  të bëjmë me një poezi të shkruar me vargje katërshe, që gati tërë veprat e tij i përshkon kjo mënyrë e të shkruarit.

  Poeti sa di të jetë i ëmbël dhe i butë, po aq di të jetë i ashpër dhe i pamëshirshëm ndaj atyre që ia zënë dritën e diellit kombit. Shpesh herë poetin e shohim me mallëngjim të madh, por edhe të brengosur për të djeshmen, për të sotmen dhe të ardhmen e kombit, të shqetësuar gjithashtu edhe për mospërfilljen e gjuhës së pastër shqipe, që ka filluar të shkruhet keq. Kështu do të shohim se këto brenga e shqetësime do të paraqiten në vargjet që nga koha kur ishte i burgosur kazamateve beogradase, duke e bërë të veçuar porosinë në mënyrë të drejtë e shqiptarisht të  babait të tij (anëtar i NDSH dhe ish- i burgosur) që e kishte rritur dhe frymëzuar me ide të atdhetarizmit.

 “Duaje atdheun dhe gjuhën e pastër shqipe biro, se pa këto nuk ka lezet as jeta”.

Kryeneçësia e poetit është i pathyeshme dhe kryengritëse në mbrojtje të vlerës së bukur, që  fuqizohet në vargjet e tij me figura dhe metafora të qëndrueshme, gjithnjë duke i ikur fjalës dhe figurës që nuk tingëllon në shqipen tonë të ëmbël, e në këtë ndërlidhje shpeshherë thotë:

Shpirtin ma shëron çdo fjalë shqipe, qoftë edhe krahinore, kurse ajo që më shqetëson dhe më trazon shpirtin është huazimi i fjalëve dhe vjedhja e figurave të huaja që fare nuk i shkojnë shqipes së bukur.

 Te poeti e shohim  gjithashtu se në shpirtin e zemrën e tij janë rrënjosur nderimi dhe përkushtimi njerëzor e atdhetar për heronjtë e dëshmorët,  sepse sipas tij këta ishin të vetmit ata që me gjoksin e tyre liruan rrezet e diellit, të zëna nga retë e zeza, bile poeti gjunjëzohet para veprës së tyre dhe kërkon që prapë të ringjallen dhe:

Na thirr stinën të dalë nga varri

Na i thuaj dimrit le të vdesë

 Nxirr një dritë nga fanari…

Na është zënë fryma nga të pabesët.

 Çohu Jusuf e thirr Metushin!

Ne po duam vetëm qershor…

Stuhi e zezë po na e lag prushin.

Poeti, trimërinë nuk e shikon vetëm tek burrat, por edhe te gratë, prandaj, pa dallim thërret, qoftë trim apo trimëreshë, si më poshtë:

Shotat e Norat, jo nuk kanë vdekur…

 Nuk ka vdekur Dedë Gjo Luli…

Me Ademin po kuvendojnë…

Kur flasim për poetin, ne deshëm o s’deshëm nuk mund t’i ikim një realiteti, sepse fati ti tij ishte dhe mbeti i lidhur ngushtë me atdheun dhe pikërisht atë shpesh herë e shohim tek shkrihet nga atdhedashuria, prandaj ai ka shkruar edhe nga grilat, ndërsa në mungesë të lapsit herë-herë vargjet i ka krijuar me gjakun e vet për  heronjtë, për sakrificën e madhe të tyre dhe për të ndëshkuarit nëpër burgjet famëkeqe serbe, të cilët nderuan atdheun, me sakrificën e tyre.

Ndonëse për këtë liri të pjesshme që mbretëron në gjysmë hapësirën shqiptare, poeti sikur ende nuk shikon se kemi të drejtë t`i gëzohemi tepër, sepse natyrshëm edhe sipas tij edhe sipas të gjithë njerëzve të tjerë të ndërgjegjshëm, ende një mjegull po rri e dendur me një egërsi në ca pjesë të tokës së atdheut dhe kjo  po ia zë edhe frymëmarrjen .

   Siç shihet përmbledhja poetike e Sylejman Qyqallës, “Një gur Shqipërie”  është tërësisht e veshur me petkun e atdhedashurisë. Lirika e tij shoqërohet edhe nëpërmes fabulave të ndërtuara, ku në një thesar bukurish artistike janë edhe figurat letrare si metafora, krahasime etj., nëpërmjet të cilave jep një porosi të sinqertë që ta duam atdheun, ta nderojmë heroin dhe ata që vepruan në rrugën e lirisë, që edhe na motivon të vrapojmë pas artit.         

  Poeti përmes stilit të tij artistik shpreh  ndenjen patriotike:

Po kaloja nëpër Shqipërinë tonë;
Isha me gruan dhe me fëmijët e mi…
U ndala të pushoja diku në Tropojë
Kapa një gur dhe po e mbaja në gji.

-Për se të duhet, baba, ky gur?!
Më pyetën fëmijët me frikë…
Nuk e dinin se ai gur ish flori
T’ia çoja babait mbi varr si prikë.

  Një pjesë të veçantë të përmbledhjes poetike “NJË GUR SHQIPËRIE” e përbëjnë poezitë që kanë për temë dhembjen e përmallimin për vendlindjen. Poeti nga mërgimi në mënyrë të skajshme e  herë-herë me lot në sy shkruan:

Më merr malli, Bardh, (O sa shumë, pa kufi!) 
Të ngjitem atje sipër në Kalanë Dardane, të ngjitem 

Bardh, unë ëndrrat ende i kam të bardha me ty 

             ………….

(Ndonëse më përvodhi i ziu, i ftohti mërgim) 
Nuk bëj dot gjumë pa ëndrra, kurrsesi 
Nuk më lënë varret, i pleqve e i gjyshit tim.

  Poeti, në vargjet e tij jep imazhe për fshatin, baltën ku ai është rritur, dhe kështu del si një vrojtues i mirë i së tashmes dhe  së ardhmes. Ai, përmes vargjeve shpërthyese që të bëjnë të mbytesh në lot, na e shpjegon figurativisht se po thyhen zemrat e nënave, motrave, të familjeve, se po zbrazet atdheu nga të rinjtë e që iu kanë dhënë botës me duart e vëna mbi kokë, pa ditur se ku po shkojnë.

  Në vazhdën e vargjeve poetike hasim edhe në poezinë kushtuar vëllait të humbur:

Nuk besoj të kesh ndërruar jetë…
Virtytet s’vdesin kurrë, vëlla!
Ti qe vetë shqiponjë me fletë,
Shpirt njeriu, sa më s’ka.
Shpirt të gjerë, sa një det,
Zemër shqiptari, mal mbi retë. 

  Poeti përmbledhjen e tij e përfundon me vargjet kushtuar nënës.

Ti s’ishe arkitekte të bëje planimetri,
Të bëje projekte për një qytet,
Po shtigjet e lirisë “Për Nanën Shqipni!”
Me sy e zemër, nënë, i njihje cep më cep.

   Përmes artit shprehet një bota e dukshme, një fshehtësi e thellë shpirtërore, që buron dhe zbërthehet si vullkan në hapësirën e rrezuar të botës së edukuar e të civilizuar. Kjo fshehtësi artistike na bën të ndihemi mirë me të bukurën, padyshim edhe na pasuron e na i ngjall ndjenjat shpirtërore.

Kur flasim për të bukurën dhe artin, nuk mund të mos flasim edhe për poetin dhe frymëzimin e tij, sepse poeti është i lidhur ngushtë me artin, meqë përmes artit dhe unit të tij të fshehur na e zbërthen të bukurën artistike dhe na dhuron atë shpirtëroren.

  Edhe, libri “Shtëpia ime” i Sylejman Qyqallës, është një vepër poetike, që në vete ngërthen një larmi temash, e cila ka arritur vlerën serioze e të pasur, si për nga ndërtimi, po ashtu edhe për nga qasja si ju ka rrekur poezisë. Realisht, fare pa ngurrim e them, se penda e tij është një pendë e talentuar e një krijuesi që ka fituar një vetëbesim, që pa asnjë frikë del para lexuesit me tërë fuqinë e tij krijuese që e ka, i bindur dhe i sigurt ecë rrugës së ndërtimit poetik.

Autori, Sylejman Qyqalla, përmes këtij libri “ Shtëpia ime” na ka emocionuar dhe na ka thelluar pas të bukurës, qoftë me vargun melodik e atë ritmik, qoftë me figura e metafora, që i ka krijuar sipas shijes së lexuesit. Po, ai është bërë njësh me shpirtin popullor me shpirtin e lexuesit, prandaj kam një bindje të plotë, se vargu i tij ka një qartësi kuptimi të kthjelltë, ndaj çdo lexues sikur do të shtronte pyetje: “Mos vallë ky poet ka një pjesë të mendjes së të ndritshmit, Dritëro Agollit!?” S`ka dyshim pra se ai është ndikuar  shumë nga i madhi Dritëro Agolli.

Ja si shprehet Sylejman Qyqalla:

Jam patriot dhe popullin e dua

Për të mund të bëhem hi.

Apo Dhe ky popull shumë po ankohet…

Dhe si shumë po e tepron!

Kur s’ka bukë të hajë,

Pse, vallë, çokollata s’ kërkon?!

Autori Syljman Qyqalla, ka një veçori dalluese nga shumë poetë të tjerë, ngase ka vargje, apo poezi të thjeshta, të kapshme, melodike, por të përmbushura me plot figura të qarta, të kthjellëta si loti. Ky, autor, di ta përfitojë lexuesin spontanisht, sepse qasja e tij është e prekshme, nganjëherë na del e dhimbshme,  ndonjëherë e këndshme dhe me nota humori. Lirika e tij zbërthehej dhe vjen si një dallëndyshe e ditëve të para të pranverës, këtu e shohim se si poeti i këndon dashurisë, babait, motrës, vëllait dhe shokut të jetës, gruas, që shpesh herë e bëjnë të mallëngjehet, mbase edhe të shpërthehet në gëzim, apo edhe në dehje, e siç shohim në te poezia e tij “puthmë”:

Uau! Të putha “pa dashje”…më fal!
Bëra mëkat, mike…si thua ti?
-Puthmë sa të duash… mos u ndal…
Po të mos më puthje, s’do rrija me ty!


Poeti Sylejman Qyqalla, i sigurt vrapon pas së bukures, ndaj edhe ka fituar një guxim artistik, ndonëse vetë jeta e tij prej një veprimtari të nderuar të çështjes kombëtare, për të cilin ka sakrifikuar një pjesë të rinisë, nëpër burgje famëkeqe të pushtuesit serbo-sllav, për lirinë e njëmendtë  është një dhembje e pa-përshkruar.

Përqasja e poetit me të kaluarën dhe të sotmen sikur shikohet me një shqetësim dhe përmes saj zbërthehet në vargje poetike, duke përshkruar gjendje të dhimbshme e shpirtërore në kuptimin e tërësisë popullore.

Autori, Sylejman Qyqalla, përmes librit poetik “Shtëpia Ime” na e pasqyron gjendjen e tij shpirtërore, dhe krahas dashurisë për heroin, atdheun, patriotizmin si dhe këndimin për shkrimtarët e mëdhenj, aktorët, artistin e popullit Kadri Roshi na del i çiltër dhe i madh me vargun e tij shpirtëror, e siç na thotë për heroin…:


U bëfsha dhe, u bëfsha gur
Më mbuloftë ai turp i zi
Po s’luftova për flamur
Dhe për Nënën Shqipëri!

Kjo dashuri, shpesh herë e bën të mallëngjehet, fare natyrshëm edhe të derdhë lot, sepse për trimin dhe burrin e dheut loti për atdheun është krenari, por asnjëherë atë nuk e ka ligështuar, as atëherë kur ishte prapa grilave serbo-sllave i prangosur, as atëherë kur i rrëfente Xha Ramizi, atdhetar i kombit dhe ish i burgosur, për vuajtjet dhe torturat e tij, që i kishte përjetuar nëpër burgje famëkeqe të ish-Jugosllavisë, as atëherë kur vetë autorin e kishte përjetuar burgun dhe e kishin përjashtuar si njeri i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm për pushtuesin, as edhe vdekjen e vëllait, ku edhe thotë:

M’u varfërua gazi fort, o vëlla Nuhi
Unë ende të kërkoj, në tokë e në qiell
Të kërkoj në mes krismash për liri…
E deshe Shqipërinë, më shumë se mbi diell

Poeti sikur e sheh botën ndryshe, përplot shpresë për  të ardhmen, ndonëse shpeshherë poetin e gjejmë si të rebeluar me pyetjen ku na mbeti Çamëria, Presheva, Plava e Gucia? Poetin nuk e kënaq kjo gjysmë lirie në atë pjesë të Dardanisë së vjetër, po mbi të gjitha ai është optimist dhe çdo vargu të tij i ka dhënë një kuptim të plotë fjalës poetike, qoftë për nga tema dhe thelbi, qoftë për nga ndërtimi dhe figuracioni i saj.

Gjithsesi temë prekëse është edhe vetë titulli i librit “Shtëpia ime” mbase e përshkruan me nota malli ashtu siç e ndjen dhe e përjeton vetë poeti, ku shpesh herë mallëngjehet për baltën e vendlindjes, oborrin e shtëpisë, ku ka shumë kujtime e takime edhe me veprimtarë, heronj të kombit, e siç thotë në vargun e tij:

Kaherë shtëpia ime rri e vetmuar, e pandryrë
Në të mund të hyjë një qen a një mace fshati;
Sikur shihem përditë me të në pasqyrë…
“Eja bir, ndiz një oxhak, siç ndez kombinati!”


Ngase poeti si shumë nga bashkëkombësit e tij e ka përcjell fati që të jetë në vargun e kolonës së mërgimtarëve, e mu për këtë e ndjen një peshë të rëndë, ndërsa përmes fjalës artistike i bënë thirrje tokës nënë, të ketë mëshirë edhe për këtë pjesë që i është dhënë botës me kokë në duar pa ditur se ku po mbarojnë, mbase edhe thotë:


Kaherë shtëpia ime rri në këmbë, kryeneçe;
Më duket sikur aty kam motrën time, vëllanë…
Prushin ndezin pleqtë e mi, si atëherë me dyfeqe
Dhe shtëpinë të gjallë ma mbajnë si kalanë.


Ky vëllim poetik padyshim se mbart vlera artistike dhe hyn në mesin e librave më të mirë, si për nga përmbajtja, tematike, figuracioni, po ashtu edhe për nga ndërtimi i saj, sepse më të vërtetë poeti Sylejman Qyqalla është një prej atyre poetëve të talentuar që vargu i tij peshon me vlera të mëdha letrare e artistike. Lirika në poezinë e tij vjen e lehtë, futet fare natyrshëm në mendjen e lexuesit, sidomos kur preket motivi i dashurisë që zë vend në shumë poezi, mbase edhe hera-herës me dhimbje, nota malli që e përshkruan kohezionin e vargëzimit dhe kështu thellësisht i dhënë pas optimizmit të  jetës i jep kuptimin e mirëfilltë krijimtarisë së tij.

   Malli, dashuria që ndjen për atdheun, poetin sikur e ligështon, ndonjëherë sikur i duket vetja i humbur, por kjo papritmas si një forcë e shtyn atë dhe gjendet përball vargut emocionues, prandaj këto emocione të bukura, i ka hedhur  në poezi.

 Ne mendjen e poetit, meditohet për tej Rinit e na del te Drini, apo si një udhëtar i lodhur nga dhimbja, malli, ulet e bisedon me Gëten, Kadri Roshin, si dhe spontanisht, po me një varg përkushtimi shkruan për heronjtë, vëllain që s’kthehet më në këtë jetë, e mbi të gjitha për atdheun. Po poetin e shohim edhe si të rebeluar për dashurinë.

Desha të të puth, zemër,s’e di…
Thashë,mos më shtyn e trazohesh;
Mos do më shohësh vëngër
E mos,ndoshta,do “shpenzohesh”.

Desha të të puth,zemër,s’e di…
Mos nga “inati” do të pëlcasësh;
Mos do ndizesh e bëhesh si qiri,
Nga “inati” më s’do më flasësh.

Unë,si ujk i çartur po të vështroj,s’e di…
Po hyj në “front” dhe të më godasësh! (S’e di)


Apo te poezia tjetër na del:


Lëre,mor burrë,Eifon-in,
Lëri,mor burrë kufjet;
Tek unë shtyp “butonin”…
Buzët i duan puthjet!

                     (Dashuri moderne) VAZHDON…