Shkruan: Isuf Ismaili – (Përshëndetje me rastin e njëzetë vjetorit të Radios Kosova e Lirë, me rastin e transmetimeve të saj nga Prishtina, që nga 22 qershori 1999 në kushte e rrethana të reja, kur ngadhënjeu mbi forcat pushtuese serbe, së bashku me të gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e denjë e së cilës është.)
U bën më shumë se njëzet vite që kur është përhapur nga Malet e Berishës në Drenicën heroike zëri i Radios Kosova e Lirë.
Në mjegullnajën e madhe ku çorientimet e shumë shqiptarëve ndodhen në çoroditura, shpërthen zëri i fuqishëm i Radios Kosova e Lirë, i farkëtuar nga flakët e luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës dhe tokave të tjera shqiptare nga pushtuesit serbë, maqedonas e malazezë, luftë kjo e orientuar për lirinë e plotë të viseve shqiptare e bashkimit të tërësisë së Shqipërisë së natyrshme. Me këto ideale të fuqishme, të bekuara me gjakun e dëshmorëve e heronjve, me mundin e sakrificat e atdhedashësve, që kanë punuar e vepruar e veprojnë për të jetësuar plotësisht Shqipërinë e bashkuar, udhëhiqet Radio Kosova e Lirë. Me këto ideale u nis edhe lufta heroike e UÇK-së dhe këtyre idealeve i qëndrojnë besnikë atdhedashësit e vërtetë, ashtu siç dhanë jetën e tyre po për këto ideale edhe dëshmorët e heronjtë shqiptarë në periudha të ndryshme historike deri te famëmadhja UÇK.
Lumë si ai shqiptar e lumë si ajo shqiptare që i ka qëndruar besnik e besnike këtyre idealeve të shenjta shqiptare. Ndërsa të mjerë janë e do të jenë ata që e kanë humbur rrugën në zigzaget e errësirës mashtruese të politikës e diplomacisë të segmenteve të caktuara evropiane e ndërkombëtare përgjithësisht, që i kanë joshur e i joshin politikanët e diplomatët dhe të tjerë shqiptarë dhe me veshjen e kostumeve pushtetarë, me postet e gradat e shërbimet në institucionet e ndryshme shtetërore në këmbim të idealeve të shenjta shqiptare.
Radio Kosova e Lirë e ka shkruar e është duke e shkruar biografinë e saj në librin e madh të Atdheut e në dritën e pastërtisë së idealeve më të shkëlqyera shqiptare. Zëri i saj është jehonë e përmbledhje e fuqisë atdhetare e dëshmuar kur toka shqiptare ishte ndezur flakë nga gjuhët e çerdhet e nepërkave çetnike e fashiste sllave që donin ta mbërthenin, helmonin e shuanin shqiptarësinë e Kosovës heroike. Por gjaku i dredhur i dëshmorëve, lufta e sakrifica e luftëtarëve të lirisë, puna dhe veprimtaria e atdhedashësve të mbarë trojeve shqiptare në përpjekjet e luftën çlirimtare dolën fitimtare, doli fitimtare Radio Kosova e Lirë që ishte e mbeti zëri i fuqishëm i kësaj lufte heroike, zëri i shqiptarësisë së vërtetë të Kosovës e viseve të tjera shqiptare.
Radio Kosova e Lirë që nga 4 janari i vitit 1998 nuk ka pushur kurrë, por ka jehuar e është bërë zëdhënësja më e denjë e UÇK-së, e dëshmorëve dhe heronjve të mbarë trojeve shqiptare e përpjekjeve, sakrificave dhe luftës heroike të popullit shqiptar, për lirinë e tij e bashkimin e Atdheut. Ajo në kthjelltësinë e dritës së humanizmit e ka përhapur zërin e saj edhe për popujt të tjerë që e aspirojnë çlirimin nga pushtuesit, i ka parë e i shikon me realizëm zhvillimet e ngjarjet e shumta në botë, prandaj ajo është e mbështetur fort në digat e së vërtetës të madhe atdhetare e në principet e parimet e humanizmit përgjithësisht.
Lajmet, emisionet, këngët, kultura, vështrimet, analizat, opinionet, poezitë, proza dhe shumë e shumë e shumë veprimtari janë dëshmi e fortë e argumentuese e asaj që u cek më sipër.
Shumë medie shqiptare e kanë humbur tërësisht orientimin e shëndoshë njerëzor e kombëtar, ato në emisionet e tyre kanë nxitur e nxisin një çoroditje, një shpëlarje të trurit, një zvetënim, një shthurje morale, duke ia topitur ndjenjat e pastra të shikuesve, dëgjuesve a lexuesve, duke legjitimuar tradhtitë familjare, duke e shëmtuar njeriun si nga ana e paraqitjes së jashtme, ashtu edhe duke nxitur e përkrahur pikërisht ato sëmundje të shoqërive në kriza e degradime shpirtërore. Paraqitja e jashtme dhe rrëfimet njerëzore apo edhe vetë manifestimet e shëmtuara janë dëshmi e qartë, e një realiteti që rrumbullakon pikërisht degradimin moral. Megjithëkëtë e shoqëria e shëndoshë shqiptare është mbajtur fort tek ato ideale dhe tek ato veprimtari manifestime që e harmanizojnë njeriun dhe që ngrijnë atë në nivelet e larta të pasurisë së shëndetshme morale, por edhe në idealet e lartësisë atdhetare, duke u mbajtur në shtyllat luftës dhe përpjekjeve për liri e bashkim kombëtar. Radio Kosova e Lirë ka luftuar me të gjithë forcën morale, atdhetare e shoqërore që opinionin shqiptar ta pasurojë sa shumë me vlerat me të shëndosha intelektuale, patriotike, kulturore, politike e tërësisë.
Të gjithë punonjësve të RKL-së ju uroj shëndet, punë e veprimtari të mbarë! Zëri i saj të buçasë e të mos shuhet kurrë në hapësirën e të gjithë Shqipërisë së natyrshme (Marr nga Radio Kosova e Lirë)!