Shkrim nga mësuesja Valbona Roqi
“Ne flasim shqip” – është motoja më e bukur për fëmijët e diasporës

Qëllimi i udhëtimit të nxënësve të klasave shqipe nga Rosenheim dhe Kolbermoor në Shqipëri ishte të lidhnim mësimin me përjetimin, kulturën dhe takimin me bashkëmoshatarët në atdhe
Udhëtimi ynë nisi në shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” në Tiranë, ku fëmijët morën pjesë në një orë Gjuhe Shqipe dhe një orë Historie. Më pas, të gjithë së bashku morëm pjesë në festën e Abetares, ku nxënësit e kësaj shkolle festuan përfundimin e vitit të parë shkollor.
Një nga momentet më të veçanta ishte pritja në Presidencën e Republikës së Shqipërisë nga Presidenti z. Bajram Begaj, Zonja e Parë znj. Armanda Begaj dhe i gjithë stafi i Presidencës. Fëmijët paraqitën detyrat e tyre dhe shprehën entuziazmin për këtë mundësi të jashtëzakonshme shkëmbimi përvoje mes bashkëmoshatarëve të lindur e rritur në Gjermani dhe atyre që jetojnë në Shqipëri. Ata dëshmuan se gjuha që flasim na bashkon e na bën shqiptarë, kudo që të jemi.
Pritja vazhdoi me një drekë të ngrohtë, të organizuar me shumë dashuri nga stafi i Presidencës. Më pas, vizituam Zyrat e Qendrës së Botimeve për Diasporën, ku drejtoresha znj. Mimoza Hysaj i tregoi fëmijëve se si punohet me pasion për të krijuar libra të bukur dhe të kuptueshëm për fëmijët e diasporës. Fëmijët morën edhe dhurata – libra me vlera të mëdha për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Ne lexojmë, mësojmë dhe organizojmë me përkushtim pjesë teatrale kushtuar figurës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Prandaj, nuk mund të largoheshim nga Shqipëria pa vizituar qytetin simbol të rezistencës shqiptare – Krujën.
Në këtë qytet historik, fëmijët vizituan Muzeun Kombëtar të Skënderbeut, ku u njohën nga afër me historinë, armët, simbolet dhe qëndresën shekullore të shqiptarëve. Ishte një përvojë prekëse që konkretizoi atë që mësojmë çdo javë në orët tona të gjuhës dhe historisë shqipe në diasporë.
Udhëtimin tonë e bëri edhe më të bukur pjesëmarrja në festën e 1 Qershorit, organizuar nga Presidenti i Republikës. Fëmijët u njohën me shumë bashkëmoshatarë dhe ndoqën një program artistik të mrekullueshëm, të drejtuar me shumë dashuri nga moderatorja Ketrin Gjocaj – një zë i dashur për fëmijët tanë, që solli shumë emocione.

Ky udhëtim i paharrueshëm u mbyll në stadiumin e Shqipërisë, ku fëmijët brohoritën, kënduan dhe ndanë emocione të forta që do t’i mbajnë mend gjatë.
Unë, Valbona Roqi, prej kohësh punoj për organizimin e këtij aktiviteti me nxënësit e mi dhe jam e lumtur që gjithçka u bë e mundur – falë mbështetjes së prindërve, Shoqatës “Shqiponja” dhe sponsorëve që mundësuan këtë udhëtim në tokën e shqipeve.
Pa harruar dhe duke falënderuar me gjithë zemër mbështetjen e mrekullueshme që ishte edhe hapi i parë i udhëtimit tonë: pritjen në Konsullatën e Shqipërisë në Mynih, disa ditë para nisjes, nga Konsullja e Përgjithshme znj. Gentjana Mburimi.
Një falënderim i veçantë shkon për familjet shqiptare në Shqipëri që pritën fëmijët në shtëpitë e tyre me një mikpritje shembullore, duke e bërë këtë udhëtim edhe më të veçantë.
Faleminderit : Blerta Goci Morina, Ardiana Mani, Rezarta Roqi – për mbështetjen që më keni dhënë!





