Firmoza mirëpret nxënësit shqiptarë nga Zvicra: një takim që flet me rrënjët

Shkruan. Vaxhid Sejdiu

Më 30 maj 2025, qyteti i vogël arbëresh i Firmozës u bë skenë e një ngjarjeje të paharrueshme kulturore e edukative: një delegacion i shkollës shqipe nga Zvicra, pjesë e projektit “Mos harromi gluhën”, u mirëprit me nderime nga komuniteti arbëresh në një ceremoni që preku zemrat e të gjithë pjesëmarrësve.

Kjo takim u organizua me përkushtim nga Pro Loco Bashkuar nën drejtimin e profesoreshës Sara Cordoano dhe Rosa Cirillo, si dhe me mbështetjen e plotë të anëtarëve të saj. Festa e mirëseardhjes, e përgatitur me dashuri nga të gjithë ishte një dëshmi e mikpritjes tradicionale arbëreshe dhe e përkushtimit për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Delegacioni nga Zvicra, i përbërë nga nxënësit e “Shkollës Shqipe – Zvicër”, të udhëhequr nga mësuesi Vaxhid Sejdiu dhe mësueset Qefsere Sejdiu e Minire Azemi, shoqërohej nga prindër dhe veprimtarë të shquar të çështjes arbëreshe. Ata u pritën me këngën tradicionale “O e bukura More”, një himn i mallëngjyeshëm që përshkroi të gjitha ndjenjat e kësaj vizite – mall, krenari, dhe lidhje të përjetshme me rrënjët.

Në emër të bashkisë së Firmozës, fjalën e mirëseardhjes e mbajti këshilltari komunal Antonio Di Turi, i cili vuri në dukje rëndësinë e këtij dialogu kulturor mes komuniteteve arbëreshe dhe mërgatës shqiptare, si një mundësi për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi.

Ky takim ishte më shumë sesa një vizitë formale – ishte një përqafim simbolik mes të kaluarës dhe të tashmes, një bashkim mes arbëreshëve që ruajnë gjuhën prej më shumë se 500 vitesh dhe shqiptarëve të diasporës që luftojnë për ta ruajtur atë në një tokë të re. Emocionet kulmuan kur banorët e moshuar arbëreshë, me lot në sy, përshëndetën fëmijët që flasin një shqipe të ngjashme me të tyren – dëshmi e një trashëgimie të përbashkët që kapërcen kohët dhe vendet.

Një falënderim i veçantë iu drejtua komunitetit Arbëresh të Ungros dhe drejtorit të tij, profesor Gianfranco Maletta, për përfshirjen në këtë nismë të bukur, si dhe mësueses së palodhur Teresa Laffusa, e cila organizoi çdo detaj me përkushtim të rrallë.

Në përfundim, nxënësit nga diaspora shqiptare u surprizuan me dhurata simbolike: libra me poezi arbëreshe, dhe produkte të kuzhinës vendase – gjeste që simbolizojnë mikpritjen dhe respektin për kulturën dhe identitetin.

Ky takim nuk ishte thjesht një aktivitet edukativ, por një moment i rrallë që dëshmon fuqinë e gjuhës, kulturës dhe shpirtit të përbashkët shqiptar. Në një kohë kur globalizimi kërcënon të shlyejë identitetet, projekte si “Mos harromi gluhën” janë shembuj frymëzues për mbrojtjen dhe trashëgiminë e rrënjëve tona.