Akademi mirënjohjeje për Shyqri Nimanin, artistin unik në fushën e arteve krijuese me një opus multidisiplinar

Në qytetin e Gjakovës ditë më parë u mbajt Akademi mirënjohjeje për Prof.Dr. Shyqri Nimanin, organizuar në 80 vjetorin e tij të lindjes dhe 60 vjetorin e opusit multidisiplinar, nga Shoqata ‘’GjakovaBasel’’ dhe Shoqata e Intelektualëve “Jakova”.

Nga Krenare RIZVANOLLI

Historiani dhe shkrimtari i mirënjohur Jusuf Buxhovi tha se Prof.Nimani  me emrin dhe veprat e tij, ka zënë me meritë të plotë e të padiskutueshme një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të brezit të tij. Në këtë akademi mirënjohjeje ishin të pranishëm edhe Ministrja e Arsimit të qeverisë së Kosovës,  Arberie Nagavci, e cila mbajti një fjalë të shkurtër përshëndetëse, si dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Morën pjesë edhe familjarë dhe miq të prof. Nimanit nga Kosova, Shqipëria, dhe vendet tjera. Vet Prof. Nimani, në fjalën e tij, përmes emocioneve të pafshehura, falënderoi shoqatat organizatore të kësaj akademie si dhe pjesëmarrësit. Më pas ai vuri në dukje se Gjakova është një nga djepat më të shquar në nivel kombëtar për kulturën dhe artin. Si e tillë, me dashamirësinë e saj të njohur, ajo e ndihmoi atë të ecte përpara e të afirmohej në vend e në botë. Prandaj, ai ndjehej përjetësisht borxhli ndaj Gjakovës.

Nga referuesit kryesorë dhe të tjerë, që morën  fjalën, u çmua lart kontributi i tij në fusha të ndryshme të arteve figurative, të historisë dhe kulturës shqiptare. Kështu kryetari i Shoqatës së intelektualëve “JAKOVA”, Rushdi Sefa, që mbajti fjalën hapëse dhe përshëndetëse, vuri në dukje vlerat dhe ndihmesën e Prof.Shyqri Nimanit për zhvillimin bashkëkohor të arteve figurative në Kosovë , Shqipëri dhe në shumë vende të botës.

Ndër te tjera Prof. Shyqri Nimani njihet për karrierën e bujshme që ka lënë gjurmë artistike në vendin tonë, duke filluar me krijimin e logos së Grand Hotel, Kosova Film, simbolin e Universitetit të Prishtinës, deri tek kaligrafimi me dorë në pergamenë e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në emër të Shoqatave “GjakovaBasel” dhe “ABSM”, me qendër në Bazel të Zvicrës, kryetari i bordit, z. Skënder Nikoliqi nderoi Prof.Shyqri Nimanin me mirënjohje duke vlerësuar lartë kontributin e tij multidisiplinar (marr nga Prointegro)