Në Therandë, Akademi përkujtimore për heroin e Kombit Fadil Vata.

Shkruan: Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari

Ist möglicherweise ein Bild von 3 Personen und Text

Në Therandë. Kam mbajtur një fjalë me rastin e 31 Vjetorit të ndarjes nga ne fizikisht të Heroit të Kombit Fadil Vata. Ndër të tjera kam theksuar:

Kanë kaluar 31 vite nga ndarja jonë me Fadil Vatën. 31 vite janë pak për jetën e një kombi, por janë shumë për jetën e një njeriu. Fadili ynë nuk e arriti dot moshën 31 vjeçare. Për fatin tonë të keq, ai e arriti vetëm moshën 28 vjeç. Pra, ju anëtarët e familjes Vata dhe ne shoqet dhe shokët e tij, kemi kaluar më shumë vite pa të fizikisht, se sa që kishim kaluar vite bashkë me të. Por, që nga 25 prilli i vitit 1990 ne jetojmë me emrin e tij në mendje dhe në zemër. Dhe, përkundër 31 viteve të kaluara, Fadili ynë ka mbetur në mbamëndjen tonë, në mendjet dhe zemrat tona, i ri dhe i dashur siç ishte, racional dhe njerëzor.
Fadil Vata dhe Afrim Zhitia, bashkë me shumë prej nesh, shoqeve dhe shokëve të tyre, e kanë kuptuar politikën edhe nga prizmi filozofik. Ne e konsideronim njeriun tonë në kuptimin aristetolian, si një zoon politikon – një qenie politike. Vetërealizimin e qytetarit të Kosovës e konsideronim si imperativ kategorik përmes krijimit të gjendjes së lirisë së kombit. Bazuar në konceptet e Jean Jeacquues Rousseaus ishim të bindur se nga natyra njeriu i Kosovës është i mirë, ai gjakon lirinë dhe dëshiron bashkimin në vetë natyrën e tij. Liria dhe Republika konsideronim se janë të domosdoshme, sepse vetëm kur një komb është i lirë, ai mund të njohë dhe realizojë të vërtetën, kurse vetëm në Republikë ai mund të etablojë demokracinë e vërtetë. Ashtu siç është graviteti thelbi i materies, ashtu është edhe liria thelbi i frymës (Geist). Dhe, për të arritur lirinë, njeriu duhet të ngritet, të organizohet dhe të punoj kundër pushtimit, shtypjes dhe skllavërisë.

Ist möglicherweise ein Bild von 1 Person, steht, Denkmal und außen

Në verën e vitit 1988 e takova Fadilin për herë të parë. Ishte veshur thjeshtë dhe pastër. Nën sqetull mbante revistën “Mladina”. Kjo ishte shenja e identifikimit tonë njoftues në kushtet e veprimtarisë së fshehtë. Parulla njohëse u tha natyrshëm dhe pa ceremoni. Ai ishte së bashku me shokun tonë Beqir Beqa. Ata njiheshin mes vete nga burgu. Fadili përfaqësonte Therandën, Beqa Rrethin e Ferizajit, kurse unë përfaqësoja Rrethin e Llapit në Komitetin Organizativ Provizor që duhej ta rithemelonim. Biseda që e shkurtër, por shumë përmbajtësore. Në Llap dhe Ferizaj kishim konstituar celulat dhe komitetet e Rrethit, kurse në Therandë ende jo. Fadili mori përgjegjësinë dhe e realizoi me kompetencën e veprimtarit të devotshëm për pak kohë këtë gjë.
Që në takimin e parë me Fadil Vatën ne krijuam një raport të rrallë mirëbesimi. Gjatë takimit të dytë, kur duhej bërë ndarja e detyrave, sensi i tij për analizë, një lloj reflektimi racional politik, fjalia e gdhendur me kujdes gjuhësor dhe drejtpeshimi refleksiv e zbuluan vetvetiu Sekretarin Politik të Lëvizjes. Unë dhe Beqa vetëm e formalizuam mandatin plot besim, duke marrë për bazë edhe një lloj egalitarizmi që e karakterizonte frymën organizative të Lëvizjes sonë. Dhe, edhe sot pas 33 vitesh, jam krenar se vepruam drejt.
Të nderuar miq,
Pas largimit të Beqës në Zvicër për t’i ikur arrestimit, vendin e tij në Komitetin Organizativ e zuri natyrshëm Afrim Zhitia. Fadili dhe Afrimi ishin njohur në burg. Burgu kishte arritur një efekt maturimi filozofik te ata. Kur dolën nga burgu filluan të studionin filozofinë dhe sociologjinë në Universitetin e Prishtinës. Lexonin pa nda. Në një rast debati të gjatë, deri para agut të mëngjesit, Fadili me zërin e tij që mezi dëgjohej, por të sigurt në përmbajtje, na e kontekstualizoi premisën e imperativit kategorik të Kantit, përmes thënies programatike: Një komb nuk duhet t’a trajtoj kombin tjetër në atë mënyrë, siç nuk dëshiron ai të trajtohet nga kombet e tjera. Në rast se një komb e pushton dhe e mban nën sundim kombin tjetër, duke e mbajtur në varfëri, mjerim dhe skllavëri, ai komb nuk do të jetë as vet i lirë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Fadili shtroi teza të qarta politike në vitet 1988-1990. Mendja e tij racionale politike ndikoi pa masë në qëndrimet tona në lidhje me protestat e nëntorit të vitit 1988, të cilat u shpërfaqën anash Lëvizjes sonë, si një thirrje për ruajtje të autonomisë. Kishte një rrezik serioz që Lëvizja jonë gjithëpopullore të shndërrohej në një lëvizje për mbrojtje të autonomisë. Ne ishim të sigurtë se kjo nuk duhej lejuar. Duhej mbështetur protestat e nëntorit vetëm si formë veprimi, por jo edhe parullat e saj për LKJ, Titon dhe Jugosllavinë. Në vend të saj duhej përgatitur, organizuar radhët dhe punuar për të rikthyer në shesh parullën Kosova Republikë.
Çeta e Llapit, në kohën e Fadilit, personifikon idenë politiko-organizative të një vije që po ravijëzohej drejt një sistemi të organizimit ushtarak, drejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fadil Vata, Afrim Zhitia, Ali Ajeti, Fahri Fazliu dhe shumë shoqe dhe shokë të tjerë, i kanë vënë bazat për krijimin e një fryme të tillë dhe një sistemi të tillë organizativ, që do të materializonte vite më vonë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përmes heroizmit të ushtarëve të UÇK, shumë prej të cilëve kanë qenë shokë real të tyre.
I ftoj studiuesit e rinjë që të shkruajnë punime diplomash e magjistraturash për jetën dhe veprën e Fadil Vatës. Përmes tyre do të zbulojnë thesarin e një jete plot dinjitet, të një mendjeje të mprehtë politike dhe të një veprimtarie kuptimplotë për liri.
E Fadili ynë, do të vazhdojë të mbetet një yll orientues në situatat e hamendjes për drejtimin veprues për të ardhmen e vendit tonë.
Lavdi për jetë e mot!

Ist möglicherweise ein Bild von 6 Personen, Personen, die stehen und außen

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.