ME ESHTRA TË MI
(Isa Buletinit)
Dheu i im
Peshë eshtrat i kam
Nëpër copa- copa
Gojë hienash
Shqipëria ende më rri.
Ta fala gjakun
Kur kërkove Ti
Eshtrat më mbeten
Rrugës për në kthim
Kulla e vjetër
më kërkon pa pushim.
Me koburen time
Lordit plak i thash:
Kam një atdhe
Një Shqipëri
Mu në Vlorë
Një shqiponjë
E mbi te
gjithë Etninë!…
E ti Mitrovicë,
Te lindja ime
Eshtrat le të më sillen-
Prehem i qetë
Në tokën Shqipe!
Këtu është Shqipëria,
E kush po luan
Me eshtrat e mi?!…
LAJME PËR DËSHMORËT
Të kujtova amanetin
erdha t`u them
burrat po grinden
dikush flet për trimërinë
tjetri fsheh tradhtinë.
Dikush me emrin tuaj
hip në kullë të Afelit
atje i përjargur lutet
për harrimin tuaj.
Erdha t`u them
Lokja është lodhur
komeditë nuk i duron dot
burrat presin kot
kullës i vjen ndot.
JU…
(Jusufi, Kadriu e Bardhi)
Ju…
Jeni mes nesh,
Bataretë e rrëmujshme
Nuk ju tremben
E gjithmonë
U kthyet në shtatore,
Në mijëra faqe
Po u gjejmë,
Më të ndritur
Se drita!…
Flatruat
si shqiponja
Koha
Nuk ua thau gjakun
Jeni fillesa e dritës
Ringjallje e Etnisë
Përherë të njomë
E vet ndërgjegjja
E kësaj Toke!…
MURI
Muri më ndau mua
dhe preku qiellin
gjysmë shekulli peng
zuri diellin
Në vend të dritës
flamujt e kuq
ndal i thanë rritës
gjaku shkoi huq!?
Zana bëri be erdh e lindi
Te Berlini
Dragoi i natës e mbyti
Bajlozin e zi.
AI QË MA SOLLI DRITËN
(Komandant Kumanovës)
Në kuvend fole : s’ka më ëndrra
vetëm Fëmijët flenë me përralla .
nata ikën, lind dielli
lisi rritet nga rrënjët , nga qielli.
Në sytë e tu pashë guximin
kur ti në Prizren dhe kushtrimin
në tokën e Sylejmanit e Ymerit
që ajo mos t’i nënshtrohej ferrit.
MOS IKNI NGA VLERAT!
E çuditshme
ikja pas shëmtimit
lakuriqësia
perçja e zezë
ndjell vetëm zi…
Ata…
me megafon
të harbuarit
mendje shkurtër
me lesh dreqi
duan të na e vrasin
ndërgjegjen.
Vëlla thonë kemi dreqin
me mjekër deri në kërthizë
Modë thonë kemi zhveshjen
të tjerat betohen në vdekje
me çarçafët e zi.
Ju… mos merrni malin
n’kultura e huaja
vlerë e jona është
Teuta si Princeshë.
Ajo s’deshi zhveshjen
gjinjtë në lëndinë
po as çarçafët e zi
t’ia mbulojnë bukurinë.
Për ne…., etninë
porosi nga princesha
të mos ikim nga vlerat.
JU VRAFSHIN ZANAT!…
Shkuat dasmorë
Në ëndrrën e lirisë
Në një dasmë të madhe të bëheni valltar,
Diku, në lagjen e trimave,
E në atë valle shqiponjash
Dikush korbin papritmas e ndjelltë,
Të qeshur ishit, por tradhtia u priste.
Zanat e malit mbi ju u lutën
Me fustanella të bardhë
E plagët ua lidhnin vetëm me lot.
Nga djepi i Pirros-Burrë i Shqipes
erdhët si engjëj të buzëqeshur,
të pushoni pak u ulët në Iliridë
e Dardanisë së vjetër ia hodhët krahun!
Nuk e di pse u thanë
Mirëserdhët ju o shqipe,
Kot u presin të gjallë loket në vatra
Me duar të hapura e të thata.
Ju vrafshin ju zanat e maleve
Që pas shpine engjëjt na i vratë!
ËNDRRËS SË GJATË
(Mërgimtarët e inkuadruar në UÇK)
Për ta thithë gjirin e bardhë
Fluturimthi ëndrrës së gjatë,
Lumenjtë derdhen plot me mall
Për ta prekur dheun e shpirtit.
E të parët me xhaketa gjaku
U puthitën me afsh në përqafim,
Bjeshkët u kallën nga zjarri në vete
E koha u zhyt në pelinin e hirit.
Në shtatë breza kohe u skuqen
Nëpër shtigjet e vdekjes për jetë,
Vdekja përmallshëm edhe ne na preku
Nëpër kthetrat e ngulura nëpër tokë.
Kështu na degdisi edhe njëherë jeta
Dhe loti u shtjerr nëpër luftëra,
Kushtrimit ju përgjigjëm burrërisht
Me plagë shpirti për At-Dheun e lirë.
Nëpër shkëmbinj e nëpër beteja
Për liri ne u bëmë burra,
Nuk ke si ta thithësh gjirin e bardhë
Në një ëndërr-zhgjëndërr të gjatë…