Atdhetari vizionar Metush Krasniqi

Prof. Dr. Hysen Matoshi

Nga Prof. Dr. Hysen Matoshi

Metush Krasniqi

Të nderuar të pranishëm, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues institucionesh, familjarë të dëshmorëve, fort të nderuar familjarë të atdhetarit Metush Krasniqi,

Në këtë aktivitet të sotëm, të cilin në kuadër të Pranverës Shqiptare 1981, si Institut Albanologjik e bashkorganizuam në Shoqërinë Lëvizja dhe Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, kam nderin e veçantë t’ju falënderoj për praninë tuaj dhe veçmas për nderimin që ia bëni njërës ndër figurat më të rëndësisshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, atdhetarit e ideologut Metush Krasniqi.

Dyzetvjetori i Pranverës kryengritëse shqiptare të vitit 1981 sivjet u shënua me aktivitete të shumta shkencore e ceremoniale. Në planin etik u vlerësua sakrifica kombëtare e dëshmorëve dhe e të gjithë pjesëmarrësve në këtë kundërshtim të vendosur të robërisë, përkatësisht në këtë rrugëtim të palëkundshëm drejt lirisë, ndërsa në planin shkencor pati, përveç përsëritjes së rezultateve, edhe ndonjë rivlerësim shkencor në dritën e fakteve më të gjera dhe të burimeve më të plota, që për bindjen time ishin ndihmesë e çmueshme për saktësimin e karakterit të vërtetë dhe për tipologjizimin e saktë të këtyre zhvillimeve historike. Ideja e përballjes me robërinë, përkatësisht ideja e kryengritjes, më 1981, lëshoi rrënjë në jetën e shqiptarëve të mbetur nën robëri. Ky zhvillim në historinë tonë kombëtare shënon pikën kthesë – fundin e mashtrimit dhe të vetëmashtrimit se shqiptarët si komb ishin të barabartë në Federatën Jugosllave, ose se do të barazoheshin së shpejti.

Natyrisht, kjo ngjarje e madhe nuk mund të kundrohet ndaras nga zhvillimet pararendëse dhe as nga ato që pasuan gjithnjë deri në luftërat çlirimtare që shqiptarët i bënë në fundin e shek. XX dhe në fillimin e atij XXI; kjo ngjarje nuk mund të kundrohet as ndaras jetëshkrimit të personaliteteve të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ideja për ta shënuar 35-vjetorin e kalimit në amshim të Metush Krasniqit në kuadër të aktiviteteve të sivjetme të Pranverës Shqiptare, më shumë se sa karakter jubilar, ka domethënie përmbajtjesore si një ndërlidhje e pashkëputshme e ideologut dhe e veprimtarit tonë, Bacë Metushit, me gjakimin liridashës të brezave të shqiptarëve, të cilët, të organizuar në struktura atdhetare, nuk i pushuan përpjekjet për çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare.

Në panteonin e atdhetarëve shqiptarë, përveçse me jetëshkrimin tejet të veçantë, Metush Krasniqi dallohet me konceptet e tij, me veprimtarinë e dendur e të pandalshme gjatë gjithë jetës dhe sidomos me vizionaritetin e tij, që natyrshëm vjen e rivjen fuqishëm në fazat e mëpastajme të zhvillimeve lidhur me çështjen shqiptare.

Metush Krasniqi | Vepër e skulptorit Ismet Jonuzi | flamur jonuzi | Flickr
Metush Krasniqi

Organizatat atdhetare që i themeloi dhe nëpërmjet të cilave veproi Metush Krasniqi si koncepte bartëse emërtuese e kanë bashkimin e shqiptarëve dhe çlirimin e tyre nga robëria shekullore. Bashkimin si pikënisje në rrugëtimin historik të përballjes me robëruesit, e ku do të përfshiheshin të gjitha potencialet e organizatave atdhetare pavarësisht dallimeve ideologjike dhe bashkimin si qëllim përfundimtar të përputhjes së strukturës etnike të trojeve shqiptare me strukturën kombëtare të sendërtuar në një shtet të përbashkët shqiptar. Larg të qenët ëndërrimtar, Metush Krasniqi shfaqet si aktivist i ndërgjegjshëm se liria do të vinte vetëm nëpërmjet aksionit, kundërshtimit të robërisë, nëpërmjet çlirimit nga pushtuesi. Bashkimi në veprimin për çlirimin kombëtar është fryma mbizotëruese e veprimtarisë së gjithmbarshme të atdhetarit Metush Krasniqi. Duke qenë i tillë gjatë gjithë jetës ka përjetuar mizori e tortura të papara nga organet e pushtetit okupator, dhunë e cila e shoqëroi deri buzë varrit. Sipas Profesor Sadri Fetiut, ndonëse Bacë Metushi kishte përjetuar dhunën më të vrazhdë në hetuesi e në burgjet serbe, megjithatë ai nuk kishte ndryshuar aspak në bindjet, në qëndrimet dhe në pikëpamjet e tij. Rrënimi fizik i Metush Krasniqit nuk ishte rrënim shpirtëror e mendor i tij, ai mbeti i pathyeshëm deri në varr, model i përjetshëm i vizionaritetit si mendimtar dhe i bashkimit si veprimtar.

Çfarë na mbetet sot është, përveçse ta kujtojmë e ta nderojmë me pietet, në rend të parë, t’i jetësojmë idealet e tij për bashkimin e shqiptarëve, të përvetësojmë diçka nga mënyra e tij e të vepruarit dhe e të menduarit, nga vendosmëria, nga parimësia e tij.

Qoftë i përjetshëm kujtimi e nderimi për jetën dhe veprimtarinë kombëtare të Metush Krasniqit!