Doli nga shtypi libri i poetit Bahri Shyti, i titulluar “KUSH TROKET”. Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
Nga Hysen Ibrahimi–
Duke e ditur se poezia, me anë të shprehjes, zbulon shumë për opinionin dhe qartëson kuptimin dhe idenë e secilit poet për lëvizjet e kohës, ngjarjet e jetës dhe interesat kombëtare, duke qëndruar fuqishëm mbi artet e tjera në fushën e krijimtarisë. Kështu, siç duket, poeti Bahri Shtyi e ka kuptuar mjaftueshëm këtë ide dhe me përsosmëri të lartë ka arritur të krijojë vargje nga më të ndryshmet, madje me një përsosmëri të natyrshme. Kjo arritje e tij plotëson autorin Bahri Shyti, brengën e tij të kahershme për të publikuar nëpërmjet vargut atë që e ka pasur si brengë në jetë, pra, për t’i publikuar vargjet e tij për lexuesit, pse jo për t’i lënë dëshmi historiografisë shqiptare idenë preokupuese të shprehur nëpërmjet poezisë. Autori me librin e tij të gjashtë të radhës të titulluar “KUSH TROKET” (2022), ka goditur shenjën e synuar të jetës, që ngre lart shpirtin e poetit. Poezia e tij në këtë libër me përmbledhje, e bën aq gjenial poetin Bahri Shyti, sa që edhe poetët më të mëdhenj të gjinive letrare ia kanë lakmi, për formën e mjeshtërisë së të krijuarit varg poetik, për mënyrën se sa përshtatshëm paraqet të vërteta të reja të kohës kur ne po flasim, për intuitën e tij të lartë se si i qartëson ngjarjet nëpërmjet poezisë e nëpërmjet vargjeve të veçanta, duke shprehur brengën e çdo të keqeje që i vjen popullit shqiptar, por edhe lumturinë e të arriturave shoqërore e familjare. Kjo është vërejtur qysh herët, se autori është rritur në frymën e inspirimit patriotik aq të madh dhe të denjë dhe, në këtë formë, autori shndërrohet me të drejtë në cilësi me ndjenja hyjnore si poet.
Gjatë kritikës sime letrare për poezinë e autorit, kam kuptuar se talenti i tij për ndërtimin e poezisë asnjëherë nuk ka munguar, kuptimi i brendshëm ka motive të forta dhe asgjë nuk lëshon pa e përfshirë me një realizëm njerëzor e që më pas e jep formën e bukurisë artistike e ideale, që pastron zemrat e lënduara. Pra, me fjalë të tjera, poeti Shyti arrin që secilit lexues t’ia mbushë shpirtin me mendime të pakufishme nëpërmjet vargut.
Shumë herë, duke e lexuar poezinë, krijohet përshtypja se nuk jemi në gjendje të themi se deri ku mund të arrijë poezia e këtij poeti të madh në të ardhmen. Në anën tjetër, mund të konstatojmë se autori në kokën e tij ka aq shumë brumë poetik të larmishëm të jetës së tij, saqë shumë herë ai arrin ta gjallërojë dhe poezia e tij të interpretohet edhe nëpërmjet
këngës, gjë që dëgjohet me ëndje në brendinë e botës shqiptare. Kam krijuar bindjen se poeti Bahri Shyti është një burim i pashtershëm në fushën e krijimtarisë.
E them këtë me bindje, duke e dëshmuar me fakte përcjellëse, sepse si poezia, ashtu edhe kënga e tij, në shumë raste, sidomos kur përkushtohet në sakrifcën personale njerëzore, janë shndërruar në përmbajtje të rëndësishme historike të jetës së autorit, e që ka të bëjë me historinë e jetës së tij të përvuajtshme, duke mbrojtur interest kombëtare qysh nga mosha e tij e rinisë. Pastaj, në anën tjetër, ai arrin fuqishëm e duke krijuar me përkushtim historinë që flet për lavdinë e popullit shqiptar, lartëson trimëritë e trimave të rënë në beteja, duke mos përjashtuar veset e atyre njerëzve që u kanë shkaktuar dëme interesave kombëtare, pa potencuar emra të përveçëm. Këtu autori tregon nivelin e tij të lartë kombëtar, me pretendimin se me çdo kusht duhet ruajtur ardhmëria e shëndoshë e kombit tonë.
Ndjenjat e poetit Shyti për poezinë e rilindasve tanë e në veçanti për Naimin e Migjenin, i kujton me nostalgji dhe shih për këtë sa bukur krijon vargje në poezinë e titulluar “S’JAM”,
S’jam Naimi as Migjeni
Ndjenjat e tyre mund t’i kemi
Ata ishin dhe do të mbesin
Në letërsi kurrë s’do t’vdesin
Si Naimi s’mund të shkruaj
Edhe pse kemi diç ngjashmëri
Shumë shkrime ai botoi
Jashtë atdheut nënës Shqipëri
Kjo na është pikë e përbashkët
Veç frymëzimi është në mërgim
Kur po shkruante ”Bagëti e bujqësi”
Thuajse të njëjtën për vendin tim…
Mund të konstatojmë se poeti – nëpërmjet vargut – korrespondon me rilindasit tanë, si me Naimin, ashtu edhe Migjenin, duke u kushtuar vargje nga shpirti i tij. Në jetë, kur rilindasit tanë na kanë rrëmbyer zemrën me krijimtarinë e tyre të çiltër e me mesazhe të qarta, janë inspirim për ne shqiptarët kudo që ndodhemi, që ta vazhdojmë rrugën e tyre. Kurse poetët tanë të kësaj kohe, siç është tani z. Bahri Shyti, me shumë të drejtë shpalosin vargje nga më të mirat, që tregojnë se shpirti i tij nuk ngopet kurrë duke i kujtuar. Emrat e tyre te poeti Shyti janë të gdhendur në thellësinë e shpirtit të tij. Kjo shihet në secilin libër të tij, ku autori ka një përkushtim të veçantë për poetët që i takonin fazës së Rilindjes sonë kombëtare.
Autori në këtë libër, nëpërmjet vargut të tij, nuk merret vetëm me një drejtim, por përfshin çështje të natyrës kombëtare, humanitare e shpirtërore. Megjithëkëtë, vendin më të madh e zë kujdesi ndaj vendit, ndaj padrejtësive që i bëhen shqiptarisë, duke i vënë në thumb, me satirë, tërthorazi.
Në brendinë e librit do ta gjeni poezinë e titulluar ”Dardanisë”, ku autori i shkruan këto vargje:
Dardani pashë atë Zot
Ku ma ke lënë flamurin sot
Ku m’i ke krushqit e vjetër
Ata s’duan flamur tjetër
Kuqezi gjithmonë e pata
I burgosën shumë gjenerata
Na i vranë shumë patriotë
Shumë na i zhdukën e s’i pamë dot
Na përcjell deri tek varri
Është i skuqur me gjak shqiptari
Edhe atje ne na shoqëron
Dheun e varrit na e lehtëson
Dardani më nxore lot
Kam qarë dje e po qaj sot
Po kam frikë prapë do t’qaj
Padrejtësitë nuk mund t’i duroj…
E tërë poezia e poetit Bahri Shyti sillet rreth një boshti të çelikosur, e ky bosht është BOSHTI POETIK E PATRIOTIK i tij, që është i pathyeshëm. Mbi të gjitha është poet që mbështetet në idenë, vizionin e porosinë e tij, në përpjekje kulturore, artistike e patriotike.
Sigurisht është edhe një porosi e madhe e poetit për pushtuesin serbo-sllav (pushtues barbar, me forcën brutale e kriminale, duke vrarë, burgosur dhe detyruar shqiptarë për t’u shpërngulur nga trojet e veta stërgjyshore, donte t’i shtypte të gjithë ata intelektualë që kishte vërejtur se janë atdhetarë dhe të palëkundur për idealet e tyre, e në mesin e tyre ishte edhe vetë poeti Bahri Shyti), se jeni pushtues i pafuqishëm kundër vrullit të një populli, e po ashtu edhe kundër poetit Shyti, i cili do t’i këndojë dhe do t’i shkruajë të këqijat e pushtuesit dhe, sigurisht, në anën tjetër t’i madhërojë fitoret dhe gëzimet e tij për Shqipërinë, Dardaninë, Çamërinë, Iliridën dhe mbarë trojet etnike shqiptare, si në vendlindje, ashtu edhe në mërgatë (marrë nga Prointegra).