Berat Luzha – Dëshmori që ra në Ditën e Flamurit

Me rastin e 25-vjetorit të rënies dhe me rastin e dekorimin me urdhrin “HERO I KOSOVËS”

Fotografia e Berat Luzha
Ismail Raka

Pos ngjarjeve të rëndësishme që janë zhvilluar në historinë shqiptare më 28 Nëntor, Dita e Flamurit shënohet edhe me rënien në altarin e lirisë të dëshmorit të kombit Ismail Raka.
Ismail Raka ishte arrestuar në shtëpinë e tij në Kaçanik nga Sigurimi i shtetit serb në mëngjesin e hershëm të 28 nëntorit të vitit 1994, kohë kur terrori serb mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare kishte marrë hov të madh. Megjithatë, mbajtja e Ismailit në arrest nuk kishte zgjatur shumë. Në natën pasuese, në natën mes 28 e 29 nëntorit, në tortura mizore ishte vrarë Ismaili. Ishte vrarë pa e nxjerrë asnjë fjalë nga goja para xhelatëve gjakatar. Trimi kaçanikas e kishte bërë mendjen një, të mos përgjigjej në asnjë pyetje të hetuesve, të cilët, si të tërbuar mbi trupin e tij po zhvillonin tortura mizore. Dhe, kur të tjerët festonin, dikush Ditën e Flamurit shqiptar e dikush tjetër Ditën e Republikës jugosllave, Ismaili luftonte me trupin e tij kundër një perandorie të tërë që po ishte plagosur, por që në mbarimin e tij po shqelmonte shumë.
Qëndrimi stoik, nga njëra anë dhe tërbimi i shfrenuar i fashistëve serbë, nga ana tjetër, i kushtoi Ismailit me jetë. E dha jetën në rini martiri, dëshmori, heroi ynë. E dha jetën në Ditën e Flamurit, për ta mbrojtur të pastër flamurin përgjithnjë
I lindur më 24 janar 1955 në një familje të varfër e atdhetare kaçanikase, Ismaili u rrit me shumë probleme e vështirësi jetësore të tij, të familjes dhe të rrethit të tij. Por, duke u rritur e duke u burrëruar, problemin më të madh e kishte parë se ishte robëria. Se në çfarë pozite nënshtruese ishte populli i tij e kuptoi më së miri gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, pjesëmarrës aktiv i të cilave ishte edhe vetë. Atëherë bisha e tërbuar jugosllave ishte lëshuar mbi rininë shqiptare, dhe jo vetëm mbi rininë. Ajo po sulmonte çdo gjë shqiptare; edhe gjuhën, edhe kulturën, edhe arsimin shqip.
Ishte student kur, si shumë studentë tjerë, ishte përjashtuar nga fakulteti. Tashmë.ëndërrat e tij për shkollim kishin përfunduar. Perspektiva e tij personale jetësore dhe ajo kolektive kombëtare ishte cenuar rëndë. Liria e tij dhe e shokëve të tij nuk shihej e nuk ndihej askund. Robëria po i fanitej gjithkah në jetë; në ëndërr dhe në zhgëndërr. Ajo i kishte hapur kthetrat dhe po e mbante pezull Ismailin, bashkë me popullin e tij. Kurse, ai po orientohej në jetë në një kahje tjetër. Nga Kaçaniku shkonte shpesh e më shpesh në Ferizaj, në Prishtinë… Në dorë shpesh i mbante “Lirinë”, “Lajmëtarin e lirisë”, “Zërin e Kosovës”, por edhe literaturë tjetër ilegale të kohës. I lexonte dhe i rilexonte ato me një frymë, pastaj ua përcillte të tjerëve, shokëve të vet të idealit.
Ishte e pamundur të mos hetohej nga hijenat e robërisë, prandaj ishte thirrë disa herë në të ashtuquajturat “biseda informative”. Madje, në mars të vitit 1982, bashkë me një grup shokësh, të gjithë të rinj, ishte arrestuar. Për mungesë provash ishte liruar, por emri i tij tashmë ishte futur në listat e zeza të armikut. Nga ana tjetër Ismaili ishte kalitur në një revolucionar të vërtetë, i cili e kishte dendësuar veprimtarinë ilegale në dobi të lirisë së popullit të tij.
Duke i ikur valës së arrestimeve të vitit 1988, Ismaili u detyrua të emigronte në Suedi. Por jeta larg Atdheut për të nuk kishte kuptim. Suedia nuk ishte e mire për të. Jeta larg Atdheut për Ismailin nuk kishte kuptim, prandaj kishte vendosur të kthehej. Ishte i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej; burgosja e tij. Atëherë u detyrua të bënte një jetë gjysmëlegale. E ku të shkonte përtej shtëpisë së tij, përtej Atdheut të tij?
Edhe në protestat e demonstratat masive të viteve 1988, 1989, 1990 Ismaili ishte protestues dhe organizues i protestave, ishte në mesin e protestuesve dhe në ballë të protestuesve. Ishte organizator i mirë, i gjallë, i qetë, fjalëpak e punëshumë.
Atëherë kur Kosovës iu hoq autonomia dhe kur në skenën politike kosovare dolën disa parti politike shqiptare legale, pas vitit 1990, Ismaili mbajti qëndrim të qartë; të kombinohej ilegalja me legalen. Nuk kënaqej me një politikë pasive, e cila nuk i plotësonte as afërsisht synimet e popullit për liri. U angazhua të formohej, të forcohej e të zgjerohej një lëvizje kombëtare, e cila do ta udhëheqte popullin në luftën për liri.
Ismaili kishte bindjen të mos vazhdohej më me veprimin e deriatëhershëm ilegal, por të kalohej në një fazë të re të organizimit, në organizimin ushtarak gueril. Madje, me një grup shokësh, që në vitin 1990 kishte formuar një bërthamë të tillë, një si njësit gueril. Sigurisht se në këtë drejtim ishte i ndikuar nga dëshmori nga Llapi, Ali Ajeti, i cili kishte formuar “Çetën e Llapit”, me të cilin Ismaili kishte vendosur kontakte luftarake. Njësiti gueril nga Kaçaniku rreth dy muaj, në vitin 1991, kishte operuar maleve mbi Kaçanik, por, në forma të tjera ka vazhduar veprimtarinë edhe në vitet pasuese, deri në rënien e dëshmorit Ismail Raka.
Ismaili ishte ideator i vendosjes së rojeve të natës nëpër vendbanime në fillim të viteve të ’90-ta, sepse ndihej rrezik i depërtimit të terroristëve serbë për të bërë masakra, siç bënin në Bosnjë e Kroaci. Ismaili kishte dhënë kontribut të madh edhe për organizimin dhe sigurimin e mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik.
Për të mos rënë në kthetrat e terroristëve serbë, që paraqiteshin si inspektorë të Sigurimit Shtetëror, në qershor të vitit 1993 ishte detyrur të kalonte në jetë ilegale e pastaj për pak kohë u strehua në Shkup..
Mirëpo, një ardhje e fshehtë në shtëpinë e tij në Kaçanik ishte vërejtur nga kolaboracionistët dhe ishte denoncuar në organet e sigurimit të shtetit serb. Menjëherë kishte pasuar arrestimi i tij. Shtëpia e Ismailit ndodhej e vetmuar në mal, në një kodër të lartë mbi Kaçanik, andej kah Guri i Shpuem. Para agimit të 28 Nëntorit 1994 ajo kodër ishte mbushur të armikut. Pas ndërhyrjes brutale në këtë shtëpi, ato uniforma ishin larguar drejt Ferizajt, duke e marrë me vete edhe Ismailin.
Të nesërmen, më 29 nëntor, në Kaçanik e rrethinë ishte përhapur lajmi për vrasjen mizore të atdhetarit Ismail Raka. Më 30 nëntor Ismaili ishte kthyer në Kaçanik i ngrirë, si një flamur, të cilit i ishin ngrirë valët.
Dita e parë e dhjetorit të vitit 1994 Kaçaniku po ia jepte lamtumirën e fundit Dëshmorit. Moti ishte i ftohtë, rrugët ishin të zbrazura, nëpër kafene nuk rrinte askush. Në përcjelljen e tij ishin të gjithë. Rrugët ishin shndërruar në lumenj njerëzish. Urrejtja për armikun po shtohej gjithnjë e më shumë.