Çfarë bëjmë me fjalën (Përsiatej me pak fjalë) 1

Baladat e Lugut Të Drinit: Prend Buzhala : Tregime me pak fjalë
Prend Buzhala

Shkruan: Prend Buzhala

Çfarë bëjmë me fjalën? Dhe cila është forca e energjia e saj? Me anë të saj ne krijojmë, me anë të saj ne i shqiptojmë mendimet, emocionet, reagimet në rrjedhën e ligjërimit. Është ajo dhunti që njeriu e trashëgon nga urtia e shekujve e mileniumeve, dhunti a dhuratë e paçmueshme, e dhënë falas nga Hyji, gjithsesi, pra, është edhe dhunti hyjnore.
Me anë të saj ne krijojmë edhe rrëfimet për vetveten, për jetën, historinë, kohën…

  1. Thuhet: fjala është e tillë, çfarë është njeriu. Filozofi i moçëm, Konfuci, thotë: “Për shkak të një fjale një njeri shpesh konsiderohet i mençur, dhe për shkak të një fjale shpesh njeriun tjetër e marrin për budalla. Ne, me të vërtetë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm se çfarë flasim. ”Ndryshe ndiejmë, kur na e thotë dikush Fjalën e Mirë, e ndryshe kur na e thotë Fjalën e Ligë, poshtëruese, fyese. Nëse ajo ka forcë krijuese, gjithsesi ajo ka edhe forcën shkatërruese, skllavëruese. Me anë të saj, idealistët luftonin kundër tiranisë, me prometheizmin jetësor të tyre, por edhe me forcën e gjallë të fjalës i çonin peshë shpirtrat e vuajtur, u jepnin shpresë.
    Fjalën e kanë vënë në shërbim të lirisë, ashtu sikundër atë e keqpërdorin për shtypje e dhunë tiranët, diktatorët, regjimet shtypëse policore-ushtarake, të cilët, me anë të fjalës, donin të mbillnin frikë, ankth, dhunë, terror. E pra, se Fjala ka fuqi skllavëruese dhe fuqi çliruese, mjafton të përmendet një shembull: kur ishim nxënës në fillore, mësuesit tanë, për të na e treguar rëndësinë e një presjeje në gjuhë, përmendin fjalinë e një pusulle për njeriun e dërguar në pushkatim nga mbreti: ”Të lirohet jo, të pushkatohet” dhe: “Të lirohet, jo të pushkatohet. „Ne fjalinë e parë, me të njëjtat fjalë, njeriu lirohet, në të dytën pushkatohet.
    Fjala ka fushën e saj ku mbjell në fushën e mendjes: me ide, me mendime a përsiatje, me të bukurën a frymëzimin, me zbulimet shkencore a meditimet filozofike e spirituale. Në këtë fushë kaq të gjerë, fjala mbjell farën e saj, dhe i korr frytet e saj.
    2.Nëse filozofët, në shumë epoka e periudha, e kanë përdorë fjalën për ta mbjellë dyshimin, atëherë ata, asisoj, kanë dashur ta shënjojnë dramën historike e njerëzore që ndodh apo ka ndodhur. Porse koha jonë, e pakursyer nga ankthet e së përditshmes, e kërkon Fjalën e Mirë e jo mendimet negative, si këto: se nuk qenkemi të mirë në jetë, në familje, në shoqëri, në arsim, sport, në organizim të shtetit, etj. etj. dhe kësisoj jetojmë me frikën dhe mendimin e të qenit jo i mirë.
    A duhet t’i pranojmë si të vërteta këto mendime negative për vetveten? Jo.
    Ne mund ta tërheqim vëmendjen për fenomene negative, por duhet ta forcojmë besimin për kapërcimin gjendjes. Në mendje, pra, duhet ta mbjellim atë fjalë që forcon. krijon besim, që e ndryshon realitetin e jetën tonë për të mirë. Fjalët e ndryshojnë edhe njeriun. Bie fjala, ai njeri që vazhdimisht ankon të tjerët, i merr nëpër gojë, përhap. thashetheme pa asnjë fakt e themel; atëherë le ta shikojë ndryshe të vërtetën në sy, me përvojat e jetës së tij, e jo me sytë e të tjerëve, të njerëzve me fjalë të liga.
    3.Sa shumë është përhapur mendimi negativ për moralin e sotëm shoqëror: se vetëm i keqi, intriganti, dallaveraxhiu fiton dhe ka sukses, kurse njeriu i ndershëm sfilitet e mezi e siguron jetën dhe nuk arrin sukses! Sa herë është shtruar pyetja: a thua, a duhet të flasësh (dhe të shkruash) krejt çka të bie ndër mend? Ne flasim për veten tonë, edhe kur flasim për të tjerët. Ndaj atyre që na bëjnë padrejtësi, bie fjala, fillimisht, le ta shohim se ç‘problem kemi brenda vetvetes.Njeriu, kur flet nga zemra, i hapur, atëherë edhe të tjerët e kuptojnë më mirë.
    Naim Frashëri ynë, kur ligjëron për fjalën, ai dëshiron që ta edukojë kombin e tij: Gjuha është thikë e mprehtë, plagë e saj nukështë e lehtë, shumë njerëz gjuha mundon, ca të tjerë i turpëron. Do të rrosh me nder mbi dhe, me të liq mos u përzje. Kur të jesh i zemëruar ,mendja është e turbulluar, bëj durim sa të kullohet, se njeriu pastaj pendohet. Mos e kthe fjalën kurrë,por qëndro më një si burrëKësisoj, thuhet se edhe në fjalët e shprehura depërton virusi i së keqes: unë nuk jam mirë, nuk kam, prandaj jam i pasuksesshëm. Le ta themi të kundërtën dhe ta mendojmë të kundërtën: kam aftësi, kam sukses, arrij aty ku duhet.
    Shkrimtari i ri amerikan, Patrick Rothfuss, te vepra e tij “Emri i erës”, shprehet: “Fjalët janë hije të zbehta të emrave të harruar. Ndërsa emrat kanë fuqi, fjalët kanë fuqi. Fjalët mund të ndezin zjarre në mendjet e njerëzve. Fjalët mund të tërheqin lot nga zemrat më të forta. “Ose Mark A. Cooper: “Jeta nuk ka telekomandë …. çohu dhe ndryshoje vetë!” Fjalët kanë fuqinë e ngushëllimit dhe të shpresës, ashtu sikundër e kanë edhe fuqinë e frymëzimit dhe të vetëbesimit. Ato kanë fuqinë e frikës, ankthit e hidhërimit, por edhe të kapërcimit të tyre. Shqip thuhet: “Fjala e mirë hap dyer të hekurta.” Shkrimtarët përpiqen që, me anë të fjalës dhe forcës së saj, të an shtyjnë të lexojmë, të dëgjojmë, të përjetojmë, të ndiejmë, gjithsesi, që të shohim më qartë, të përqendrohemi te pikësynimet që kemi, të motivohemi për një jetë më të mirë, më etike dhe më të shëndetshme. E kush prej nesh nuk e paska ndonjë sferë të jetës, në të cilën nuk u dashkan përmirësime? Në këso rastesh, ne e themi fjalën e zgjedhur dhe e shqiptojmë mendimin e zgjedhur e me kujdes. Nëse njeriu nuk e ka guximin t’iu hyjë rreziqeve për të arritur me sakrifica diçka më të lartë, atëherë nuk arrin atë që dëshiron dhe ëndërron. “Besoni se mund të bëhet. Kur besoni se diçka mund të bëhet, besoni me të vërtetë, mendja juaj do të gjejë mënyrat për ta bërë atë. Të besosh një zgjidhje hap rrugën e zgjidhjes”, shprehet David Joseph Schwartz, autor motivues amerikan. Dhe fjalët janë ato që na përgatisin t’i besojmë vetvetes dhe jetës Marr nga gazeta „Lëvizja“.