Shkruan: Gjokë Dabaj
1. Qeveria e shtetit së Serbisë, me sa di unë, kur merr detyrën për të qeverisur, betohet mbi shkrimin e shenjtë të kishës pravosllave serbe. Nuk betohet as mbi Ungjillin katolik, as mbi Kuranin. Në këtë mënyrë, ajo qeveri nuk është as e myslimanëve, as e katolikëve dhe as e ndonjë religjioni tjetër që mund të ekzistojë edhe në Serbi, si në çdo shtet tjetër të kohës sonë… Ndërkaq, kushtetuta e Republikës së Kosovës është shumë më e përparuar. Ajo u jep të drejta të barabarta të gjithë shtetasve të saj, pa marrë parasysh cilit religjon i përkasin.
2. Një Serbi që nuk praktikon autonomi territoriale për hungarezët, boshnjakët, shqiptarët, vllehët, nuk ka kurrfarë të drejte të kërkojë autonomi territoriale për serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës. Vetëm mbasi shteti serb të kish krijuar disa krahina autonome, sipas përkatësisë etnike, por edhe fetare: krahinën autonome të Vojvodinës, krahinën autonome të Sanxhakut, krahinën autonome shqiptare të Anamoravës, krahinën autonome vllahe të Timokut, ne do të mund të pranonim për të biseduar edhe për ndonjë autonomi të sërbëvet, atje ku ata nuk janë imigrantë.
3. Por këtu detyrohemi të shtrojmë edhe ndonjë pyetje tjetër: A ka autonomi për sërbët që jetojnë në numër jo të pakët në Rumani, në Hungari, në Kroaci, por edhe në Mal të Zi, sado që ata të Malit të Zi nuk janë sërbë të mirëfilltë?! Përse u dashka që sërbët në Republikën e Kosovës të kenë të drejta më shumë se ata të Segedinit, Timishuarës, Shibenikut apo Vasojeviqit?!.. Serbë ka edhe në Zvicër, në Francë, në Gjermani, në Suedi. A ka kërkuar Serbia autonomi për ata grupe bashkëkombasish të vet që jetojnë në ata vende?!
4. Ju po kërkoni të negociojmë për kishat ortodokse që gjenden në territorin e Republikës së Kosovës. Por ju jeni qeveri laike (megjithëse bekimin e keni marrë prej Kishës Pravosllave Serbe). Qeveritë laike a kanë të drejtë të negociojnë edhe në emër të institucionevet të fevet?! Qeveria italiane a mund të negociojë për pronat e kishave katolike në cilindo shtet ku ka katolikë? Qeveria turke a negocion dot me qeverinë gjermane për pasuritë e xhamive në Gjermani? Qeveria greke a mund të negociojë lidhur me pronat e Patriarkanës Ortodokse që e ka selinë në Stamboll? Qeveria e Arabisë Saudite a e vë dot para përgjegjësisë qeverinë e Republikës së Kosovës lidhur me pronat e xhamive në Kosovë? E gjithë kjo duhet sqaruar.
5. Por puna të quajturavet “kisha serbe” në viset e republikës së Kosovës dhe më gjerë, nuk mbaron me kaq. Patriarkana e Kishës Pravosllave Serbe është themeluar në Zhiçë, qytezë që gjendet në Serbinë e sotme. Më vonë, pasi e pushtuan një pjesë të Kosovës së sotme, serbët e zbritën edhe patriarkanën në Pejë. Pastaj në Prizren dhe në Shkup. Kjo na dëshmon që institucioni i Kishës Pravosllave Sërbe “udhëtonte” bashkë me operacionet pushtues të monarkisë mesjetare serbe. A është e rregullt që në bisedimet midis dy shtetevet të kohës së sotme të vihet si kusht “legjitimiteti” i pushtimeve të dikurshme të Serbisë mesjetare në territoret e Kosovës? Rrafshin e Dukagjinit ju, zotërinj të Beogradit, vazhdoni ta quani Metohi. Dëshiroj t’ua kujtoj edhe zotërinjve koordinues të këtyre negociatave se fjala Metohi ka kuptimin pronë e kishës. A vërtet mendon pala serbe që Rrafshi i Dukagjinit do të mund të mbetet edhe në të ardhshmen pronë e kishës?
6. Monarkia mesjetare serbe është krijuar në territorin arbëror! Është krijuar në territorin e Iliro-Arbërisë me qendër në qytetin Rrasë të Sanxhakut të sotëm! Emri Rrasë, zonja e zotërinj, është fjalë shqipe, prandaj ajo principatë mesjetare serbe që e kish qendrën në Rrasë, në historiografinë e sotme serbe quhet Rashka. Monarkia e Nemanjiqve, me kryeqendër Rrasën, ka qenë krejt e huaj në hapësirat tona, ngjashëm me monarkinë e Anzhuve me qendër në Napoli të Italisë Jugore. A mund të kenë pretendime francezët e sotëm ndaj Italisë Jugore, sepse aty dikur paska sunduar një dinasti franceze?!
7. Me këtë rast unë po e quaj të nevojshme t’ua kujtoj zotërinjve ndërmjetës të SHBA-së dhe BE-së, se “shenjtorët” serbë, përfshirë edhe Sava Nemanjiqin, kanë qenë që të gjithë shenjtorë të rremë, bizarni sveci, siç i ka cilësuar me të drejtë njëri nga historianët e sotëm malazias. Ata ishin pushtues tokash të huaja dhe vrasës, që nga Stefan Nemanja, i cili ka vrarë me mijëra njerëz dhe ka rrafshuar qytete (përfshirë edhe Tivarin, ku e kam edhe unë rrënjën) dhe pastaj i biri murg e ka shpallur shenjt, për ta përdorur kufomën e tij si mjet pajtimi midis dy vëllezërvet që po vriteshin njëri me tjetrin. Pas Stefan Nemanjës, që të gjithë pasardhësit e tij, deri te Stefan Dushani, janë thjeshtë vrasës dhe literatura që e ka faktuar këtë të vërtetë, nuk ka munguar dhe nuk mungon as në bibliotekat e Beogradit, as në ato botëroret. Nuk besoj që BE-ja dhe SHBA-ja të dalin sot në mbrojtje të të atillë “shenjtorëve”, vrasës edhe të familjarëve të vet, dhe uzurpues të manastireve arbërorë! Ata manastire sundimi serb i ka përdhosur aq keq, sa nuk mund dhe nuk duhet të përdoren më si faltore! Dhe shkoni e shihni çfarë ruhet sot në ata manastire! Armë!
8. Të tilla kisha i takojnë tashmë historisë. Kohët moderne nuk duhet të lejojnë që njerëzimi, qoftë edhe sërbët, të vazhdojnë t’u luten shenjtorëve të rremë. Ne shqiptarët do t’i ruajmë ato kisha si dëshmi historike, në radhë të parë të vetë kombit shqiptar, sepse ato kisha, para shekullit XII, nuk kanë qenë të serbëve, por të arbërvet, brenda shtetit bizantin. Shteti bizantin ka ikur, shteti mesjetar serb ka ikur, shteti i turqvet osmanë ka ikur, por edhe shtetit serb, i cili në fund të shekullit XX kreu në këto hapësira krime të papërfytyrueshëm, i ka ardhur koha që të tërhiqet!
9.Serbisë, në bisedimet me Republikën e Kosovës, nuk duhet t’i lejohet të marrë në patronazh edhe malazezët që jetojnë në këtë shtet. Për statusin e malazezëve nëse e shohin të nevojshme, mund të negociojnë vetëm Republika e Kosovës dhe Republika e Malit të Zi, madje njëkohësisht për malazezët që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe për shqiptarët që janë përfshirë në Republikën e Malit të Zi. Të negociojnë, duke mos iu shmangur faktit që shqiptarët në shtetin malazias janë autoktonë, ndërsa malazezët në Republikën e Kosovës janë të ardhur.
10. Në Republikën e Kosovës jetojnë dy kategori serbësh: Serbë të mbetur këtu qysh në shekujt e hershëm dhe sërbë të ardhur këtu mbas vitit 1913. Të dyja këto kategori janë imigrantë në këto hapësira, por ka një dallim midis tyre se ata të hershmit janë disi më ambientuar, ndërsa këto të ardhurit rishtas, ushqejnë urrejtje të madhe ndaj ne vendësvet. Nuk janë, pra, autoktonë dhe këtë e dinë edhe autoritetet serbe të Beogradit, prandaj dhe u paguajnë nga 400 dollarë në muaj, me të vetmin qëllim që të mos largohen prej këndej!.. Unë ngul këmbë që, pa e përfshirë dhe pa e trajtuar këtë pikë në bisedimet tanë, ne nuk duhet t’i vazhdojmë këto bisedime. Një veprim i tillë i qeverisë sërbe është subversion i qartë dhe tërësisht i palejueshëm! A u jep rroga Serbia serbëve në Kroaci? Rroga pa punuar! A u jep rroga Serbia serbëve në Rumani? Rroga pa punuar! Madje, mund të shkojmë edhe më tutje. Atëherë, pse vepron kështu Serbia me serbët në Republikën e Kosovës?! Vepron kështu, sepse Serbia nuk ka hequr dorë dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë nga territoret e kombit shqiptar! A mund të vazhdohen bisedimet, pa i sqaruar këto gjëra dhe pa ia ndalur veprimtarinë subversive Serbisë mbi një shtet fqinj e të pavarur?!
11. Kemi dëgjuar që sërbët kanë thënë se, në këta bisedime me shqiptarët nuk duan të mbeten pa përfituar diçka. Përgjigjja ime është kjo: Ne zotohemi që, po nuk na ngacmuat sërish, po nuk u kruajtët me ne, nuk do t’i bëjmë shkrumb e hi, Beogradin, Smederevon, Kragujevacin, Nishin (dikur qytet i yni), Paraqinin, Çaçakun, as fshatrat që i rrethojnë ata qytete. Edhe sikur të bëhemi shteti më i fuqishëm në botë (gjë që nuk e ëndërrojmë), ne nuk do t’i vrasim fëmijët sërbë dhe nuk do t’i përdhunojmë gratë e Sërbisë nëpër Serbi. Ne nuk do ta plaçkitim Sërbinë si e plaçkitët ju Kosovën! Kjo është zemërgjërësia jonë, ky është lëshimi ynë dhe toleranca jonë, lëshim dhe tolerancë që te asnjë popull tjetër nuk do të mund ta gjeni!
12. Prandaj, hajdeni ta nënshkruajmë marrëveshjen e paqes me këta kushte! Me kushtin që të paguani reparacionet, me kushtin që, po nuk na ngacmuat, nuk do t’ju ngacmojmë, po nuk i bombarduat qytetet tanë, Mitrovicën, Prishtinën, Pejën, Prizrenin, dhe po nuk i zgjatët duart mbi Tetovën, Gostivarin, Dibrën, mbi Shkodrën, Durrësin e Vlorën, ne nuk do t’i bombardojmë qytetet tuaj! A nuk mjafton kaq?!Kjo do të ishte shkurtimisht platforma ime, nëse do të isha pjesëtar i delegacionit negociues dhe këtë platformë nuk kish përse të mos e pëlqenin shtetet ndërmjetës dhe nuk kish pse të mos e pranonte Serbia, e cila është esencialisht e interesuar për paqe në këto hapësira (Marr nga gazeta “Lëvizja”).