CILA ËSHTË MË E DREJTË PËR SHQIPEN, FJALA DIASPORË APO MËRGATË?

Shkruan: Mustafë Krasniqi

A duhet ta mbrojmë fjalën e bukur të shqipës, nga fjalët e huaja…?

Ne, shkruesit, krijuesit, institucionet dhe në të folurën e përditshme, nga gazetarë të mediave elektronike, të shkruara dhe në TV-të shqiptare, shumë fjalë të huaja i përdorim në vend të fjalëve në gjuhën shqipe, konkretisht edhe fjalën Diasporë-Mërgatë.

Kjo dukuri vije thjeshtë nga mungesa e një strukture të organizuar gjuhëtarësh, të cilët nuk merren me këto probleme të theksuara, por heshtin sikur nuk po ndodhë asgjë! Pa këtë përgjegjësi nuk janë as institucionet përkatëse, të cilat gjuhën e kanë lënë anash dhe mjerisht kohëve të fundit gjuha shqipe po “pasurohet” (bastardhohet) me fjalë të huaje  dhe fjalët e bukura të gjuhës shqipe zëvendësohen me fjalë të huaja. 

Duke i falënderuar disa gjuhëtarë/e, të cilët përmes FB., gazetave onleine, për lexuesin-bashkëkombësin e trojeve shqiptare, për ata të cilët kanë interes ta mësojnë shqipen- shqipfolësit, me thjeshtësinë e tyre ua ofrojnë zbërthimin e fjalëve se si shkruhet, shqiptohet dhe cilat janë fjalët e huaja e me prejardhje dhe si shkruhen e fliten në shqipen standarde.

Unë do të ndalem te fjala Diasporë dhe Mërgatë, që për këto fjalë shumë lexues më kanë shkruar e kanë dhënë vërejtje se pse e përdorë në të shkruar diasporë dhe cila fjalë është më e drejtë; Diasporë apo Mërgatë?

Meqë, në shkrimet e mia më tepër e përdor; mërgatë, por në ato raste kur është përdorur nga institucioni i shtetit, p.sh. “Agjencia Kombëtare e Diasporës” etj. Në këto raste je i domosdoshëm ta shkruash, sepse nuk ke fuqi ta thyesh këtë rregull të institucionit përkatës.

Por, më e drejtë është të përdoret fjala mërgatë se sa fjala diasporë, sepse fjala “Diasporë vije nga fjala greke, ( διασπορά=shpërndarje) që do të thotë shpërndarje. Kjo fjalë fillon të përdoret në shekullin e 19-të dhe pikërisht është përdorur në literaturat fetare, sidomos te etnia fetare te Jevrejtë. Kështu që kjo fjalë ka vërshuar nëpër gjuhë të ndryshme, që nuk i ka shpëtuar as gjuha shqipe. Thjeshtë sipas kuptimit më e drejtë është fjala mërgim.

Pra, me fjalën diasporë kuptojmë një shpërngulje të një grupi, individi apo të një etnie dhe vendosja në një vend tjetër.

Te fjala mërgim sipas kuptimeve të foljeve MËRGOJ (kal.), MËRGOHEM (vet.), MËRGUAR (ndaj. dhe kur e merr nyjën e parme është mb.) rrjedh  nga fjala e vjetër latine “Mergere”, që në gjuhën shqipe është përshtatur dhe sipas kuptimit të foljes LARGIM, LARGOHEM dmth. që është larguar nga atdheu – shteti dhe është mëgruar në dhe-shtet të huaj, jashtë atdheut-shtetit të vet, qoftë nga presioni ekonomik apo politik, e që te shqiptarët, kjo ka ndodhur për këto dy arsye.

Kjo fjalë ka zgjuar një kureshtje të madhe te lexuesi e pak te gjuhëtarët, si shumë fjalë tjera, se si duhet shkruar dhe përdorur në të folur më drejt: Diasporë apo Mërgim? Unë, si një shkrues e shoh se më e drejtë është të shkruhet: mërgatë, pa e marrë përgjegjësinë si gjuhëtar.