Ç’më flet zëri i shpirtit, zëri i Dritëroit!

Lefter Çipa

Shkruan: Lefter Çipa

Ç’më flet zëri i shpirtit, zëri i Dritëroit.

I

Fotografia e Lefter Çipa
Dritëro Agolli

Në jetë asgjë nuk shuhet, nëse ke dritësuar për jetën tënde dhe atyre që të rrethojnë. Sepse jeta vjen nëpër drita për të dritësuar, engjëllimin e të jetueshmëve ndaj jetuesve. Nderi është fron i historisë vetjake dhe asaj që trashëgojnë ata që vijnë pas dhe pse jo edhe të këndojnë këngën. Se kënga është vula, medaljoni, për të cilin krenohen ata që janë patriotë dhe atdhetarë, hyjnizuesit për diturinë, sakrificën, guximin dhe trimërinë. Për këtë arsye të nderuarit kombëtarë kanë veti dritën, të cilën e derdhin për kombin, duke kryer, pse jo, flijimin e shpirtit dhe duke fituar shenjtërimin.
Çdo lumë vjen dhe shkon i rrëmbyeshëm. Shumë herë lumenjtë rrjedhin edhe të turbullt nga mjegullimat e rënda të reve, prej baltosjes që krijohet, rrëkeve të kohërave të trazuara, etj. Për këtë arsye, çdo kohë ka vlerën dhe zërin e saj që dritëson apo errëson. Nata me ditën respektojnë njera-tjetrën, por asnjëherë bashkë, nuk takohen. Ato nuk ndodh të miqësohen, por duhen, duke qenë të kundërtat e njera-tjetrës. Të njëjtën ligjësi kanë edhe lindja, edhe vdekja. Veçse lindja nuk e di ç’histori do të lerë mbrapa. Kurse vdekja, lë atë histori që në të vërtetë bën. Me një fjalë, nocioni “vdekje-jetë” ndahet dhe kufiri i të jetuarit mishërohet në shprehjen “ I gjalli për të gjallët, i vdekuri me të vdekurit “.
Ka një hamendësim se, edhe në parajsë ka vdekje(!) Natyrisht, për ata që nuk pranohen brenda parajsës, është fjala. Këtyre të fundit, nuk u flet zëri i shpirtit. Dhe ky quhet dënim me shuarjen e qiririt. Kjo ndodh se, kjo kategori s’ka pasur asnjë vlerë; as për të gjallët dhe, as për të vdekurit.
Mirëpo, ky zë shpirti që më flet mua, jam i bindur se u flet gjithë shqiptarëve, të kohës së sotme. Ky zë ka folur edhe në kohën e djeshme dhe do të na flasë dhe të nesërmen e shkuar.
Ky është zëri që të gjithë bashkëjetuam me të, me aspiratat e tij, atdhedashurinë e përflakur të tij, me edukatën, qytetërimin dhe kulturën që ai gjelbëroi si pasuri kombëtare. Aspirimet e Dritëro Agollit ishin edhe tonat. Mes tyre, spikatën dituria, urtësia, dashuria për jetën dhe njeriun. Këto na krenonin.
Virtytet e tij shpirtërore na çonin në zgjime zgjuarsie. Për këtë arsye, Dritëro Agolli është i rralli ndër të rrallët. E thënë me gjuhën e Rilindjes Kombëtare, ai ishte një bilbil midis manushaqeve të borës, një bilbil të cilit i diktoheshin dëshirat dhe ëndrrat e ëndërruara për një vëllazërim gjaku. Pikonte mbi burimet në pikën e vapës dhe në inatin e tramundanës. Driteroi predikonte dhe thoshte: Kush mbjell do të korrë. Ai që di të korrë, (se për të korrur ndoshta duan të gjithë njerëzit), madje ata që s’mbjellin fare, duan më shumë. Këta të fundit madje, mund të korrin, madje shumë herë thekrën për grurë, dhe shumë herë edhe elb e thekër. Këta, pse jo, tentojnë të shijnë në lëmë edhe egjër me kalin e të tjerëve, duke i thënë ferrës hardhi.
Dihet që mali që mban borë s’pranon mjegull. Sepse mjegullën, sipër borës e rrëmben era dhe e vërtit nëpër luginat me hije të zezë. E çon mjegullën aty ku nuk e shikon syri i Diellit, atje ku e shkel Hëna me gjurmët e saj të zbathura. Zakonisht detin e zgjuajnë gjëmimet. Në këtë çast, vetëtin Dielli mbas vetëtimave. Pas gjëmimit dhe vetëtimës, zakonisht bie shi dhe shfaqet ylberi i dritave. Ylberet zakonisht quhen lajmëtarë të behareve, apo shenjat e dashurive.
Dritëro Agolli ishte ylber i dashurisë, i dashurisë së bekuar, që thurr kurorë martese. Ndërsa vetë martesa është kurorë djepi që ndez zjarrin, të cilit i këndon flaka e tij. Në këtë rast, kënga e zjarrit thotë: Nuk shuhem, por jam ndezur! Pranë jush jam i qeshur, i pamërguar. Jam në Atdheun tim të shenjtëruar.
Dritëro Agolli, në këtë kuptim, është një princ i përjetshëm shpirtëror, për njerëzit brenda Atdheut dhe diasporën shqiptare në gjithë kohën e ardhme.

Pjesa II

Me Dritëro Agollin u njoha në vitin 1970. I thamë njeri-tjetrit “Tungjatjeta!”. Ishin ato që ne i quanim: “Dekadat e Majit”, që
zhvilloheshin në Tiranë. Grupi polifonik miks i Pilurit ishte ftuar nga Teatri Kombëtar i Operas për të përshëndetur natën e fundit, pra mbylljen e koncerteve me këngën time “Unazo”. Ishte nje motiv lirik, i paekspozuar më parë. Këngë e modeluar dhe me një stil të kënduari ëmbëlak, pranveror. U interpretua bukur dhe mirë nga grupi im polifonik. Fitoi duartrokitje të vullnetshme të spektatorëve. Salla në tërësi ishte me pushtetarë, intelektualë dhe personalitete të asaj kohe. Mbaruam shfaqjen dhe dolëm në sallonin e Operës, ki na priste zv.ministri i Arsimit dhe Kulturës, Mantho Bala dhe Dritëro Agolli, i cili kish një qeshje beharore. Duke na shtrënguar përqafueshëm, na përcillte fjalën e kënaqshme të tij. Na jepte urime shpirtërore. Kur erdhi radha ime, mu drejtua: Urime bre Lefter, se ky Grupi i Pilurit na qenka një valë e maleve, ku këndon thëllënza dhe bilbili bashkë. I ka kënga juaj edhe hijet e burimeve, edhe avazet magjike të fyejve dhe longares prej panje.
Në atë çast entuziast diktova te shpirti i Dritëroit ylberizimin e syrit të tij burrëror. Këtë ja rrëmbente bukuria e ballit të tij. Më shtrëngoi dorën dhe me fjalë të dredhur e të ëmbël të dialektit devolli, shtoi: Bre djalosh, na ke ngopur zemrën me atë motiv të harruar, melodioz e të kenaqshëm për cilindo që e dëgjon! Ky të bën për vete dhe harron të pish gotën e verës e të shtyn t’ja marrësh këngës piluriote.
Vërtetësisht, në atë çast mu duk sikur Dritëroi më mbolli në shpirt një trëndafil të vesuar. Që atë çast pagëzova me të dashurinë e miqësimit. Kjo ishte dita e nderit, dita e gëzimit të pambaruar në jetën time si krijues dhe artist me këtë shkrimtar dhe poet të madh të vendeve të mia. Për këtë arsye, më flet zëri i shpirtit të Dritëro Agollit, se është zëri i një dritësori që na ëngjëllon si unaza në gishtin e dorës. Dritëroi me elegancën e dashurisë së tij fisnike nuk i binte kambanës te lisi. Ai nuk diti t’i binte kësaj kambane të lisit të madh dhe të thoshte: Unë jam poeti dhe shkrimtari i lindur! Me gojën e tij ai thoshte: Unë jam i juaji dhe ju jeni të mitë. Ndaj hajdeni t’ja marrim këngës polifonike! Mes jush dhe unë të bëj iso në shumë zëra, të vjershëroj dhe të shkruaj në botën e artë të popullit tim.
Dritëroi mbi telat e lahutës së malësisë vinte kokën dhe hapte zemrën. Ai flakëronte si gjaku i trëndafilit. Në grushtin e dorës ai mbante pathosin legjendar, flijimin e malësorëve për gurin e thatë të atdheut. Shpirti i bukur i tij, si një rrush i pjekur nga syri i diellit pranë burimit, nën vesimin e qeshjes së Hënës, bënte verë të ëmbël, të cilën e pije me ëndje.
Ti si burrë i rëndë vendi, nusja dhe dhëndëri, e të tjerë… Prej krijimit të tij pagëzohej puthja e perëndive. Prandaj, miqësimi im me Dritëronë, qysh në fillim ishte i ëmbëlsuar si vera, i bukur si kurora e martesës, ishte miqësim i flakëruar dhe i pashuar prej 50 vjetësh. Vite të rrahura si tallazi për shkëmbi.
Si nëpër legjenda dhe balada, vetëm qeshëm dhe kënduam, me shpirtin tonë. Miqësinë tonë lotimi nuk e ligështoi, as në djalëri dhe, as në pleqërinë e bukur. Ajo ishte si zjarri me flakën e tij, e natyrshme u shfaq kudo, nëpër auditorët shoqërorë, takimet e malluara, haretë burrërore, plot nur e lezete vllazërore, në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Mirditë dhe anë e kënd Shqipërisë.
Gjaku i poet Agollit ndez qirinj dhe nuk shuan. Ai kishte ligjësinë e viteve që ikin, por që vijnë prapë. Jeta e miqësise sonë në këtë botë nuk na la kurrë pa pranverë dhe verë, pa behare të vapuar dhe të lulëzuar, nuk na la pa kënduar. Dritëroi ishte bilbil i këtyre vendeve, i viseve ku i ishte tundur djepi, nën dritën e hënës dhe blegërimën e bagëtisë, i viseve me ninullat e parmendës, me flladitjen e tendës, me hijen e mrrizit të burimeve, me gjurmë kali, me gërxhe të sorkadheve të përgjimit e të drerit.
Dritëroi ishte poeti nëpër krisma të revoles, gajretit dhe hareve, brohoritjes së burrave, logatjes dhe belbëzimit të nënave, nëpër tribunat dhe vulat e historisë kombëtare, në kohën e mallimit të tij kombëtar.
Aty nga viti 1972 e në vazhdim, sa herë ndodhte që më thërriste Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve në Tiranë, shkoja me gëzim të brendshëm, pasi do të takohesha me Driteroin, do të shmalleshim me shakatë dhe rebelimin tonë të brendshëm. Në një nga këto ditë mbërita në Tiranë, hëngra bukë në restorantin ku njihesha si klient. Zgjodha menunë, pa porositur gotën e rakisë që e kisha zakon të trashëguar. Me kamarieren ishim të njohur prej kohësh. Për këtë shkak më solli porosinë e drekës dhe natyrshëm një dopio raki.
-Të lutem, i thashë, lere gotën e rakisë, se sonte do ta pi në shtepi të Dritëroit, me mikun tim të zemrës dhe të shpirtit.
Kamarierja qeshi duke më thënë: Më thuaj një shishe apo damzanë ?! Lum si ti o burrë, që e paske mik e i shkon në shtëpi. Unë ju përgjigja: Faleminderit për këtë përgëzim të sinqertë, por ai është mik dhe i dashur për të gjithë dhe jo vetëm për mua.
Kështu bëra. Pasi mbarova së ngrëni drekën, mora çantën në dorë dhe u nisa te shtëpia e mikut. Trokita. Por kur u hap dera, ishte hapur dhe dritarja me të dy kanatat. Në derë mu shfaq nëna e Driteroit. Pasi mê pa dhe më njohu se kush isha, me një buzeqeshje të melaqeshme, “Urdhëro-, më tha,-bre djalë! Me atë zërin e urtësisë, si çdo nënë, kur i venë miqtë e djalit në shtëpi.
U futa në sallonin e pritjes, ku derdha shikimin me mall dhe kënaqësi të veçantë. Gjatë vizitave të mëparshme nuk isha përqëndruar tërësisht mbi komoditetin e sallonit. Nuk më kishte lënë ngrohtësia e muhabetit të Driteroit. Sepse sa vije aty, ai të çlironte. Salloni ishte krejt një galeri e vogël artistike, piktura me heronj të munduar dhe të vuajtur, skulptura simbolike, objekte të punuara druri, trasta prej leshi të stilizuara, motive folklorike, veçanërisht devollite, objekte të trashëgimnisë, ku dominonin shijet dhe mjeshtëritë artizanale toske, etj. Bashkë me këto objekte kishte dhe dy divane druri, sa të thjeshta dhe të pëlqyeshme, me forma të harkëzuara dhe të veshura me punime tradicionale leshi. Njeri ishte tek, ku rrinte një njeri dhe tjetri, ishte dysh, por mund të rrinin dhe tre veta, kur e sillte rasti. Përballë ishte tavolina e Dritëroit dhe një kolltuk i zakonshëm. Nëna shkoi të më bënte kafen, duke më thënë: Mos u mërzit të keqen nëna, se vijnë shpejt djali me nusen, nuk do vonohen.
Më solli kafen dhe një gotë të rakisë bosh. I vuri mbi tavolinë dhe ngriti sediljen e divanit njësh, duke më thënë: Bre djalë i nënës, Dritëroi rakinë për miqtë e vërtetë e mban në ndenjësen e mikut. Duke nxjerrë nga divani një shishe okare të shkruar si me sërma, që të rrëmbente sytë. Ma mbushi gotën. U ul pranë, duke rregulluar kryet e saj, flokët, jakën e pulovrës ngjyrë mjaltë. Vendosi të dy duart mbi gjunjë dhe duke më parë në sy mu drejtua: Bre Lefter, Dritëroin e kam me ëngjëll mbi supe, o djali im i shtëpisë! Dhe pa më lënë kohë ta pyesja se, pse e ke me ëngjëll, vazhdoi:
-Emrin ja kemi folur kur djali ishte 6 vjeç, duke mos u bërë mukajet. Ditën që vendosëm me burrin, ishte një ditë e bukur, e shënuar. Gjatë natës kishte rënë shi, me uratë të perëndisë. Mëngjesi u gdhi me një vesitje të argjendë dhe dielli dukej i florinjtë. I folëm djalit me endjen e zemrës të zgjuej me një këngë besimtare në gojën e të atit. Djali si një zog fluturak u çua nga gjumi, me një bukuri tjetër nga ditët e zakonshme. Shpejt e shpejt u la me kanën e miqve, erdhi tek unë dhe me tha: vishëm me rrobat e emrit. Mora e vesha bukur me rrobat e jeshilta të besimit tonë, si bektashinj që besojmë, duke i uruar: Qofsh me emër të dëgjuar o biri im! U shkëput nga unë dhe vajti te i jati duke i thënë: Më krih pak, o ba, se burri mbante krehër. I ati e krehu me kujdesin atëror dhe i uroi: Qofsh me emër o biri im! Djali si një kaçator, u shkëput e vajti tek dritarja, ku hapi kanatin. Mbështeti të dy bërrylat mbi parmakun e dritares dhe nisi diçka të mërmëriste. Në atë heshtje të belbëzimit me veten kaloi rreth 10 minuta. Pastaj u kthye nga ne: Nënë, mbushëm një pagur me raki, se do t’ja çoj babait të teqesë, që ta pijë për emrin tim, që të bëhem djalë i mirë për juve dhe të tjerët. U nisëm me djalin përdore, për në teqe. Babain e teqesë burri e kishte mik dhe djali e dinte këtë. Kur ju afruam teqesë, djali me pagurin e rakisë krahaqafe, u shkëput nga ne të dy dhe vrapoi drejt derës së teqesë. Mbërriti te babai, u përkul, i puthi dorën tre herë, hoqi pagurin nga krahëqafa e ja dha babait pa thënë asnjë fjalë. Përsëri u përkul dhe i puthi dorën, prapë tre herë dhe vrapoi për te ne. Babai i teqesë e kapi për dore dhe e ktheu prej vetes. Ne prindërit, po ndiqnim veprimet e djalit. Në atë çast, babai i teqesë i foli emrin, me zë të fortë e të lartë, aq sa kubeja e teqesë jehoi. -Paç emër o Dritëro!
Sa mbaroi fjalën nëna, Dritëroi erdhi së bashku me Sadijen. Sa më pa, duke qeshur mu drejtua: paske ardh o bilbil i Bregut?! Me pathos më përqafoi dhe ju drejtuar Sadijes: Sadije, si do ta quajmë, Pashkë apo Bajram? Sadija u përgjigj: Si të duam ne!
Sa u ul në kolltukun e tij, nisi të më pyeste për gruan e fëmijët. Por më bëri me humor kur më tha: Bre Lefter, kot të pyes për këto, se për ty familja është Grupi. Ky ishte pohim me domethënie për mua. Atëhere e kuptova se Grupi ishte vlerësuar në një rreth të gjerë shoqëror dhe sidomos tek elita e shoqërisë. Në vazhdim të bisedës me Dritëroin, ndërhyri Sadija me respektin e zakonshëm, sa miqësor aq edhe tradicional. Me vetulla të ngritura e me fjalën e mjaltosur.”-Lefter, të të bëjë motra një çikë bukë për të ngrënë se vjen nga rrugë e largët?”Unë iu përgjigja:-Jo Sadie se jam i ngopur sot që kam Dritëroin pranë! Ndërsa kafe dhe raki më qerasi dora dhe shpirti i Nënës së Dritëroit duke më rrëfyer edhe të veçantën e shenjtërimit në fëmijërinë e tij, kur i nxorën emrin në Teqenë e Devollit. Të dy buzëqeshën me një guduli shpirtërore duke parë me kënaqësi nga dhoma e Nënës.
-Sadie bëna nga një kafe me raki me Lefterin, bre! E kisha ndër mend vetë i dashur, ja, po ua bëj. Mos mu mërzisni sa ta bëj gati! Në çastin që lëvizi Sadija, Dritëroi më thotë: Bre Lefter ngrehe pak sedilen e divanit aty ku je se, aty është mikesha jonë, aty janë dhe të dy gotat prej druri dhe na i mbush ta rufisim sa të bëjë kafen Sadia. Ashtu veprova me nxitim. Gotat prej piksi, të shkruara e të qëndisura, jo teke por dopjo, u mbushën.
Dritëroi kishte një virtyt të paarritshëm.
Të keqen e qëllonte me pëllëmbë dhe të shëmtuarën e refuzonte që të shpëtonte të bukurën.
Viti 1973 ishte viti i Festivalit Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës. Atje tek lëmi i kalasë legjendare zbërtheheshin peshllinjtë, xhamadanët dhe jelekët, gjithë ngjyrat etnografike shqiptare. Piluri, në këtë festival, u paraqit me dy këngë të reja: ”Bejkën e bardhë” që u quajt dhe u vlerësua si simfonia lirike e Polifonisë shqiptare dhe “Bilbilin që dëgjon bota”. E gjithë fuqia maxhore e festivalit, me brohoritje dhe entusiazëm i vuri vulën suksesit të këngës që u quajt lajmëtarja e parë që shfaqi evoluimin dhe modelin e ri të polifonisë shqiptare. Dritëro Agolli me një grup shokësh, shkritarë, poetë, artista, specialistë të artit dhe të kulturës si Çesk Zadeja, Mantho Bala, Piro Mani, Anastas Kondo, Tish Daia, Pjetër Gaci, Luigj Gurakuqi, Kadri Roshi, Dhimitër dhe Roza Anagnosti e shumë e shumë të tjerë, të cilët tashmë nuk më kujtohen, erdhën tek Grupi Polifonik i Pilurit. Duke bërtitur, Dritëroi me zërin e tij kumbues dhe gjithë muzikalitet, na u drejtua:
-Të na trashëgohet Bejka e Bardhë me djalë çobanin! O Lefter Çipa i djalërisë shqiptare!
Vazhdimisht, sa herë shkoja në Tiranë derën e parë ku hyja dhe dilja, kisha Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Më dukej si konak i shpirtit tim me vatër zjarri të ngrohtë që ë hapte Dritëroi. Atje, kisha shpesh patriotin e dhembur dhe të shquar Petro Markon. Si zakonisht, në sallën e madhe të Lidhjes rrinte vetëm dhe kur më shihte që futesha, çohej më këmbë dhe më thoshte me zë të lartë: Dritëro, erdhi bilbili im i Bregut të Diellit! Dritëroi i përgjigjej:-Nuk është vetëm yti, por i të gjithëve dhe nxitonin të më qerasnin.
Dritëroi me atë krenarinë e tij burrërore më thoshte:-Ke të drejtë se guri zë vend tek guri. Në vazhdim, në tavolinë na vinte sekretarja e zyrës. Më jepte dorën, më përshëndeste dhe më ftonte për të marrë ca honorare. Fillimisht nuk e kuptoja fjalën. Por ajo më sqaroi se kisha botuar tek gazeta “Drita”, tek Zija Çela. Dritëroi ndërhyri një çast dhe tha:-Nëse nuk i merr Lefteri, leri se ia postojmë gruas së tij se, ajo o ka fëmijët në ngarkim, se ky është kaçak rebel.
Dritëroin e kam dashur dhe e dua si askënd tjetër. E ndieja këtë sa nëpër takimet e mbledhjeve dhe analizave në Lidhje, ashtu edhe nëpër takimet e degëve në rrethe, sidomos në atë të Vlorës ku isha pjesëtar. Në Vlorë vinte vetë, pasi aty gjente veten si në shtrat të lumit të tij. Ishte degë e suksesshme me artistë të njohur e të suksesshëm si Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Petrit Cenaj, Agron Dine, Haxhi Dalipi dhe kryetar Piro Cakrani etj, etj. Pas mbledhjeve të analizës, të gjithë së bashku organizonim “martesën e natës”, siç e quanim shpesh. Ishte natë–nuse e artistëve vlonjatë. Dritëroi me atë zërin e tij karakteristik na drejtohej të gjithëve e na thoshte: Do martohet hënëza nuskë se për krushka kemi ftuar kajanën (verën) dhe Kristinën e rakinë….
Ky ishte Dritëroi, sidomos kur niste këngën me poezi të tij për Selim Bratin dhe vijonte me lirikat: ”Tatëpjetë bregut kur vije/jelekverdha veshuro/ me llërë përveshuro/vije duke qeshur-o/me llërë përveshuro..”
Dhe vazhdonte me elegjinë lirike monumentale himariote “Vajzë e valeve”.
Dritëroi sipas shijes së vet, shumë krijime të autorëve të ndryshëm i regjistronte dhe i proklamonte në kuvende të ndryshme, duke u dhënë rrugë suksesi. Duke përdorur thënien e tij kapitale: Ke punuar bukur sot usta!,- të jepte përkrahjen e pashoqe.
Atë ç’ka dua ta them hapur dhe për të cilën ndiej krenari dhe kënaqësi ta shpreh tani që jam moshatar, Dritëroi shumë krijime të mia jo vetëm i pëlqeu, por i propagandoi dhe u referohej si krijime që vinin prej popullit.
Me atë karakterin e tij si një lis që nuk e tundin dot erërat që frynin nga të gjitha drejtimet, këtë mbështetje ma jepte si askush tjetër.

III

Ishte gushti i vitit 1981. Dritëroi me Anastas Kondon kishin ardhur familjarisht me pushime në Kampin e Dhërmiut. Pas dy-tri ditëve qëndrim në mjediset e kampit, Dritëroi o thotë Anastasit:
-Bre Anastas, këtyre brigjeve kemi edhe atë dhëndërin e “Bejkës së Bardhë”. E njofton të na vijë të rebelohemi një natë behari? Anastasi, zemërhapur i përgjigjet, patjetër Dritëro i dashur. Përmes Mero Dukatit më lajmërojnë të shkoja në Kampin e Dhërmiut se më priste Dritëroi. Mero Dukati më dërgon Koço Gjikurinë me motor, të më marrë në Pilurin tim. Koçua ishte edhe polifon i shkëlqyer, sidomos i këngëve elegjiake himariote. Koçua më gjeti nën hijen e Rapit të Pilurit. M’u duk sikur fluturoja nga brigjet mbi det. Si zot i vendeve dhe visit, mora “armët e sigurisë”, pasi mendova se ishte “punë nate” në gusht. Në kamp mbërrita rreth orës katër të mbasdites. Ishte ora e gjumit të pasplazhit. Qëndrova në hijen e një ulliri mbi një stol, ku përballë gjendej një shkëmb, të cilin e qëllonin valët e detit. Në një çast, në ballkonin e godinës mu shfaq Dritëroi. Me zërin e tij bariton m’u drejtua:-Paske ardhur bre Lefter. Ec lart se u çuam nga gjumi. Në çast në ballkon u shfaq dhe Sadija e cila gjithashtu më ftoi me zërin miqësor. Dritëroi i foli Anastasit me zë qortues. ”Çohu o Caci se na paska ardhur dhëndëri i “Bejkës”! Çohu t’i biesh fyellit si nga Vunoi që je! “ Nuk vonoi e mbërriti edhe Anastasi me gjithë bashkëshorten Lilin, e cila mu drejtua :”Erdhe jeto??? Mirësenaerdhe! ”
Pa vonesë, mbërritën kafet dhe kuparet dopjo me raki, nga Sadija. Në bisedë e sipër, pasditja u thye dhe shakatë tona nuk mbaronin. Kurajon e pati Dritëroi që na tha se duhet të çohemi se na pret Merua në klub për të kaluar një copë herë, ashtu siç e kanë zakon burrat. Ndërkohë iu drejtua grave, ju na përgatisni darkën se nuk do vonohemi se sonte kemi ftuar dhëndërin e “Bejkës së Bardhë” për t’u shmallur.
Në klub Merua kishte marrë masat. Në manjetofonin e tij këndohesh një këngë e Trios vlonjate ”Vlora jonë qytet i bukur”. Kështu nisi ajo tavolinë me gotat tona si në këngë.
Pasi kishte kaluar goxha kohë, në një moment befas rrufeshëm në lokal futet një shofer nga Vlora me dy shishe në duar dhe një tepsi e peshq (qefuj) të skuqur. Njerën nga shishet ia vuri Dritëroit dhe tjetrën mua.
-I kam sjellë për ju shoku Dritëro dhe dollinë e parë po e pi për ju. Dritëroi u ngrit në këmbë duke i shtrënguar dorën shoferit vlonjat dhe duke i thënë: -Qofsh i nderuar bre, se kur ke nderuar poetin, nderon Njeriun.
Shoferi u ul mes nesh dhe ia mori këngës për ismail Qemalin. Dritëroi mbante iso.
Kur mbaroi kënga, Dritëroi m’u drejtua: Bre Lefter, mos u prish këngën se unë këndoj devolliçe, toskërisht?! Unë nuk ia kam anën kësaj labo-himarioçes. Vlonjati mbushi gotën dhe mu drejtua mua:-Lefter, bashkë do ta pimë për Dritëro Agollin, për shkrimtarin, poetin deputetin që ka ky komb!
Mero Dukati ia nisi këngës: ”Pse e vranë Odisenë?/Pse e vranë, kush e vrau?/Dervenarët me dervenë/që venë dhe vinë më atë anë/Prizreni vuri kujen/ Për ata që muarën paratë/Se Sevo, një herë kish lerë/ ndaj këndojmë e nuk e qajmë”.
Kënga na i shtoi burrërinë dhe patriotizmin. Dritëroi pyeti mua dhe Anastasin kush e ka vënë këtë këngë? Ishte këngë e Nase Benit nga Vunoi për Odise Nesturin-Kasnecin. Ora kishte shkuar një e natës, kur u kujtuam se duhej të shkonim në darkën e të ftuarve. U çuam të katër, njeri pas tjetrit. Gratë na prisnin në ballkon.
Mbi tavolinë, mbaj mend që ishin katër shishe. Mero Dukati sa u ulëm vijoi këngën. Ishim tre zëra dhe sidomos zëri devolli. ” Atje tek lisi në brinjë/një çikë ç’ta lypa synë / Po ti më zbërtheve gjinë/ që bij era trëndelinë/ Kur u rrite moj malinjë/ ti tërvit ishe kërthinjë ”. Kthenien e këngës e bënte Anastas Vunoi, hedhjen spirale Lefter pilurioti, Dritëroi si kryetar jurie, na përgëzonte të gjithëve.
Rreth orës 3 të mëngjesit, unë si konferencier dhashë sinjalin “sos”. Pas këmbënguljes për të qëndruar aty, vendosi refuzimi im. Bashkë me Mero Dukatin dolëm, por nuk sosëm asnjeri në destinacionin e duhur. Rojet e shërbimit të kufirit të parin, gjetën mua. Më pas, gjetën dhe Mero “Lumin”.
Kjo ishte nata e paharruar e Dhërmiut me Dritëroin.

IV

Çdo ditë, javë, muaj dhe vit që vjen nuk ma largon dhe as e bën dot, ikjen e Dritëroit.
Zëri i Dritëroit më flet me gjuhën e miqësisë dhe të shpirtit. Tani, kur eshtra i është bërë fildish unë, i puth baltën e mjaltosur si një miku të shenjtëruar.
Pena e tij është shtizë shpirtërore dritësimi për të sotmit dhe të ardhmit e këtij vendi dhe më gjerë.
Sa herë më merr malli për zërin dhe fytyrën e tij, i them vetes: Ç’më flet zëri i shpirtit të Dritëroit!
Këto kujtime i mbylla në ditën e shenjtit të Dashurisë dhe në përvjetorin e 77 të ditëlindjes sime, duke dashur e besuar se pata dritë prej Dritëroit për këtë miqësi të jetës sime dhe të popullit tim.

Zëri i Dritëroit

Ç’më flet zëri i një shpirti,
Më flet shpirti i Dritëroit.
Qiri-ndezur si Naimi
Me penën e tij që shkroi.

Vjershërues i shqiptarizmit
Nderit të kombit i këndoi,
I këndoi mbi borën e dimrit
Kur të fjeturit, ngrica u rëndoi.

Ndaj ligjëratat e nderit
Princ Dritëroin do ta zgjojnë
Se nuk u bë pre e mërgimit
Që të mërguarit ta vajtojnë.

Se ishte behar i lulëzimit
Për kryqin dhe Hënën e plotë.
Bilbil sipër trëndafilit
Dhëndër kali me kurorë.

Atdhetar i diturimit,
Që nuk shuhet por do dritësojë.
Se Hënës s’ia shkeli qilimin
Ajo në djep nisi ta bekojë.

Siç bekon dhe shtiza himnin,
Kur në gjak flamurin pagëzoi.
Dhe Dritëronë e bukur, princin,
Gurin e dheut ia mjaltësoi.

O gjuhë e dashurisë së syrit,
Syrin e zemrës të shikojmë.
Që përmbi supet e guximit
Guximin tënd dot s’e peshojmë.

Ndaj malli yt i mjaltësimit,
Për të tërë do vjershërojë
Meraku ynë i lotimit,
Mallin tënd do e ëmbëlsojë.

Në atë Parajsë të gjumësimit
Kujto ata që ty të kujtojnë.
Miqtë e tu të miqësimit,
Tungjatjetë-n të dërgojnë.

Se ti je ëngjëll i kujtimit.
Këto kujtime na djalërojnë.
O ëndërrtar i ëndërrimit,
Çdo ëndërr tënde e besojmë.

Të këndojmë se kemi shpirtin,
Që perënditë ta dashurojnë.
Ato që ty shqip të flisnin,
Dhe ne dimë t’i nderojmë.

Nga libri me kujtime të miqve: ” Ky është Dritëroi im