Nga Emin Z. Emini)
Në konkursin letrar për poezi, të shpallur nga komuna e Shtimes, pas vlerësimit të 95 poezive konkurruese nga juria e konkursit, në përbërje: prof. dr. Shyqyri Galica, kryetar, Zyrafete Shala, anëtare dhe prof. asoc. dr. Merxhan Avdyli, në Orën letrare publikisht i shpalli rezultatet dhe çmimin e parë ia dha poezisë “Shtatë zonja dhe 29 të tjera për ta bërë një dashuri”.
Mirëpo ky çmim nuk i shkoi autorit/autores laureat/laurate shkaku i mospjesëmarrjes në orën letrare. Pra, aty iu dha çmimi, aty iu mor. Iu dha e iu mor çmimi nga juria, nga organizatori apo nga juria dhe organizatori bashkë, kjo nuk u sqarua në orën letrare. Por, u sqarua se çmimi i tërhiqet fituesit/fitueses shkaku i mungesës në orën letrare, ani pse në termat e referencës së konkursit nuk përcaktohet kriteri se krijuesi/krijuesja që mungon në orën letrare do të sanksionohet me tërheqje të çmimit.
Krejt çka thuhet në termat e konkursit është “pjesëmarrja e obliguar” në orën letrare, por assesi, askund dhe asnjëherë nuk përcaktohet ndëshkimi me tërheqje të çmimit nëse konkurruesi-fituesi nuk merr pjesë. Për ta fuqizuar skandalin, aq më tepër, në njoftimin zyrtar të komunës së Shtimes, Drejtoria për Informimin nuk denjoi së paku për hir të korrektesës e të vërtetës ta përmendë titullin e poezisë fituese të vlerësuar me çmimin e parë nga juria, për të cilën e ka formuar vetë organizatori, pra komuna e Shtimes.
Prandaj, pyetja është krejt e natyrshme: u dashka mohuar vlera letrare, artistike e estetike e poezisë fituese shkaku i mospjesëmarrjes së autorit/autores, apo konkursi qenka organizuar për të vlerësuar (mos)pjesëmarrjen e konkurrentëve në orën letrare?
Çka nëse autori/autorja fitues/e duke shkuar në orën letrare i ka rënë pika në zemër a e ka shtypur tramvaji i Barcelonës duke vrapuar për në aeroport për ta kapur avionin për të fluturuar për në Shtime, se ndryshe i mohohet çmimi, siç iu mohua poezisë “Shtatë zonja dhe 29 të tjera për ta bërë një dashuri”. Ose, siç tha njëri nga konkurrentët, çka nëse laureati/laureatja ka mundësi të jetë i shtrirë në spital dhe pas shërimit i padit në gjykatë dhe jo vetëm që e fiton të drejtën e tij/saj për ta gëzuar çmimin e parë të dhënë e të shpallur nga juria, por i shpall fajtorë dhe i ndëshkon të gjithë ata që morën vendimin për tërheqjen e çmimit të parë. E tash, pa e ditur se kush është laureat/e, po i them vetëm kaq: mos qofsha në lëkurën tënde.