DIASPORA DHE KRIJUESIT E SAJ

Mustafë Krasniqi

Shkruan: Mustafë Krasniqi

    Përmes këtij vështrimi kritik për lexuesin do të sjell disa përmbledhje poetike të krijuesve mërgimtarë. Meqë lexuesi ynë nuk është njohur aq sa duhet   me krijimtarinë e tyre letrare, sidomos me krijimtarinë poetike, dua ta paraqes një vështrim për disa autorë, me dëshirën që ta ringjall përkushtimin për veprat poetike të mërgatës.

Krijimtaria letrare e diasporës, vjen me një qasje të prekshme dhe pak sa më ndryshe, se te autorët që jetojnë në atdhe, qoftë për nga motivi, shtjellimi, forma, apo angazhimi i krijimit poetik në poezi, tregim, apo roman etj.

Poetika, apo krijimtaria në tërësi e mërgatës ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqiptare, krijimtari kjo e cila në dukje të parë të lë përshtypje sikur është lënë mënjanë  këto vitet e fundit, duke mos u trajtuar nga kritika dhe përkujdesja e institucioneve të shtetit.

Vlen të thuhet, se ai që e frymëzon dhe e përkrah këtë krijimtari, krijuesin e mërgatës, deri në fund është lexuesi i pasionuar, apo dhe lexuesi i rëndomtë pa marrë parasysh  dallimin, se ku është: në atdhe apo mërgatë, i cili e lexon dhe e respekton vlerën artistike.

Duke u nisur nga fakti se shumë poetë, që nga rilindësit e tutje i ka dhënë një rëndësi të veçantë krijimtarisë poetike, përmes  së cilës ka dalë në  sipërfaqe ana shpirtërore e tyre, mund të themi lirisht e natyrshëm se kanë gjallëruar më tepër ndjenjën e atdhedashurisë.

Kështu, krijuesit shqiptarë të diasporës i janë qasur me përkushtim vlerës poetike dhe përmes saj e kanë shfaqur botën shpirtërore dhe emocionale, duke ndërthurur me anën figurative, metaforën dhe simboliken krijuese, që është njëra ndër karakteristikat kryesore të krijimtarisë së diasporës.

 Natyrisht nga ecuria e kohës, poeti i diasporës ka besuar në vlerat e veta krijuese,  përmes së cilave shfaqet ndjeshmëria figurave e simbolit e metaforës nga edhe dalin porosi të qarta për lexuesin, duke e vënë theksin, se sa shumë vlerë për ta ka atdheu, prandaj vihet re se krijimtaria më shpirtërore për atdheun del nga poetët e diasporës, sepse përpos imagjinatës,  syrit vrojtues, duke qenë në një distancë të largët me atdheun, duke përjetuar një gjendjeje të rëndë shpirtërore e me një mallëngjim të theksuar, i janë drejtuar atdheut.

Sikurse shkruan poeti:

Nata qanë, pelin i lotit syrin bren

Gjëmë m’u bëftë dhembja për ty

Kore buke e vaj, u ngop toka

Lulja u tha, pa zemër mbet’ sofra

                           (Mall i djegur.H.Qyqalla)

Kjo shtresë e poetëve, shquarsinë ideore e tematike të atdhedashurisë në të shumtën e rasteve e çojnë drejt një shpërthimi të fuqishëm, prej nga zbërthehet gjithçka që del nga ana e tyre shpirtëror, qoftë duke i dhënë një ngjyrim malli, apo dhimbje. Ndonjëherë poeti i mërgatës sikur poezinë e shndërron në këngë, apo të kundërtën.

Jam diku unë/S`e di ku/Ti je/Shenjti Atdhe (L. Murtishi)       

Në këto katër vargje sikur e shohim poetin të humbur, por përmes dy vargjeve të fundit sikur gjen ngushëllimin te mëmëdheu dhe më të drejtë e quan i shtrenjti Atdhe.

Ndërsa tek poezia “Kam mall” sikur poeti shpërthehen në vaj dhe ligësohet para vargut, që ai vetë i ka dhënë një fuqi artistike, një kuptim prekës dhe me një ngjyrim të bukur, sa edhe të përmallshëm, prandaj edhe shkruan:

Kam mall për pragun/Ku pleqtë kanë shkelë,/Kam mall dhe për vargun/  Që porta shpirti çel…  (L.Murtishi)                    

Këtë motiv e trajton edhe poeti Sylejman Qyqalla përmes vargjeve poetike, e siç na thotë:

Kaherë shtëpia ime rri në këmbë-kryeneçe;

Më duket sikur aty kam motrën time,vëllanë…

Prushin ndezin pleqtë e mi,si atëherë me dyfeqe

Dhe shtëpinë të gjallë ma mbajnë si kalanë.

   Po me një varg të shkëlqyer na vijnë edhe Sadik Krasniqi, e Fran Tanushi.

 Bari i egër

I paska ngrënë varret

Vetëm kokat e gurëve pa emër

Si krerët e notarëve në ngërç

Shihen mbi detin e blertë

                         Sadik. Krasniqi

APO:

Çdo stinë pikonte lot

Lulet pikëlloheshin

Rrezet i vrisnin çdo agim

                  (Fran Tanushi)

Brenda pjesës së krijimtarisë së shkruar letrare, në hapësirën mbarëshqiptare, ne përmes këtij vështrimi kritik do të ndalemi te disa autorë të mërgatës shqiptare që krijojnë dhe zhvillojnë krijimtarinë e tyre në mërgatë, konkretisht te disa që e kultivojnë më tepër poezinë në Gjermani dhe Zvicër. Pra, përmes këtij vështrimi, lexuesit dëshiroj t`ia paraqes vlerën dhe përkushtimin për të bukurën, duke trajtuar veprat letrare të këtyre poetëve e prozatorëve: Martin Çuni, Lebit Murtishti, Mehmet Bislimi, Fran Tanushi, Hasan Qyqalla, Isuf Ismaili, Ali Berisha, Zeqir Gërvalla, Sylejman Qyqalla, Sadete Zhitia, Sadik Krasniqi, e Kadri Gërvalla dhe të tjerë.

Këta krijues, veprat e tyre kryesisht i kanë poetike, por nuk mungojnë as veprat prozaike, si tregimet dhe anekdotat popullore etj.