Doli nga shtypi libri i Isuf Bytyçit „krahët e shqipes – përpjekje e pengesa“

ÇKA TË BËJNË SHQIPTARË?

Këto ditë  doli nga shtypi libri  publicistik i Isuf Bytyçit „Krahët e Shqipes – Përpjekje e pengesa“, me redaktor Mustafë Krasniqi, recensentë, Vaxhid Sejdiu dhe Lumni Nimani, i botuar në shtëpinë botuese Lena Graphik, në Prishtinë.

Përveç se iu ka shtuar një libër më tepër galerisë së librit shqiptare, ky libër në vete trajton tematika të ndryshme, kryesisht ato kombëtare, shoqërore-politike dhe ideologjike, ku ndërtimin i tij bazohet në katër shtylla kryesore: Opinione, Aktivitete kulturore, Polemika dhe Bashkëbisedime.  Autori, është i guximshëm i sinqertë i paanshëm dhe parimor! Qasja e temave të parashtruara, përmes opinionit të tij nxjerr në pah defektet shoqërore dhe individuale, në shoqërinë shqiptare! Prandaj, thumbon të keqen, me qëllim që shoqëria të mos bie pre e tyre dhe mbron të drejtën e të moralshmen, duke i argumentuar gjërat, një nga një, me fakte dhe jep sugjerime e këshilla.

Autori, Isuf Bytyçi, është i njohur për lexuesin shqiptarë, ngaqë veprimtaria e tij është e kahershme dhe e larmishme, e cila ka zënë vend në shumë media të shkruara dhe ato elektronike! Si gazetari lirë, autori i librit, kryesisht merret me probleme të përgjithshme shoqërore, politike e kombëtare! Bën këshillime pedagogjike, aktivitete kulturore, me redaktim gjuhësor të veprave të autorëve të ndryshëm, shkruan recensione, trajton probleme gjuhësore dhe merret me mësimin plotësues në gjuhën shqipe, në Bavari.

Kudo në brendësinë e librit “ Krahët e Shqipes – Përpjekje e pengesa”, lexojmë se si dhe ku ka gabime brenda shoqërisë gjithëshqiptare, që nga udhëheqësit politikë, shkencor, akademikë e deri te individët më të thjeshtë! Prandaj, ka kritika të ashpra dhe sugjerime për të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë shqiptare e sidomos atyre nga Kosova, si shteti më i ri në botë dhe i brishtë.

Përpos librit në fjalë „Krahët e Shqipes – Përpjekje e pengesa“, autori është duke u marrë edhe me krijimtari artistike-letrare, që ta lëmë pa u informuar dhe të mbeten surprizë, që në të ardhmen ta shohim se çka na vije nga ky autor.

REDAKSIA