Kur duhej të reagonim, heshtëm dhe injoruam

Berat Luzha

KËRKOVA TË NGRITEJ PADI NË KUVENDIN E KOSOVËS KUNDËR KARLA DEL PONTES

Nga Berat Luzha – Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është botuar, më 3 prill 2008, libri i ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, me titull: “Gjahu – Unë dhe kriminelët e luftës”. Del Ponte, në librin e saj, pos tjerash, shkruan se si rreth 300 – 400 persona nga bashkësia etnike serbe, në qershor të vitit 1999, janë kidnapuar në Kosovë dhe janë dërguar në një fshat afër Burrelit, ku janë vrarë dhe organet e tyre të brendshme gjoja janë trafikuar në shtete të ndryshme të botës. Për këto “veprime” monstruoze të imagjinuara ajo fajësonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë ish-krerë të saj!
Ky libër ishte bërë shkas që bashkësia ndërkombëtare të alarmohej dhe Këshilli i Evropës të autorizonte ish-deputetin zviceran, Dik Marti, për hetime të mëtejshme dhe të hartonte një raport për këtë çështje. Marti i raportoi Këshillit të Evropës më 25 janar 2011, duke u mbështetur kryesisht te libri i Del Pontes dhe në materialet e sigurimit serb, të siguruara në Beograd.
Si deputet i Kuvendit të Kosovës, si shqiptar dhe si pjesëmarrës i luftës së UÇK-së, i irrituar, i zhgënjyer e i fyer, inicova, më 17 prill 2008, një mocion në Kuvendin e Kosovës për të nxjerrë një deklaratë politike – rezolutë kundër akuzave të Karla del Pontes, si dhe të niset një aktpadi kundër saj. Pasi mocioni, i mbështetur edhe nga pesë deputetë tjerë, kaloi nëpër të gjitha procedurat kuvendore, u miratua për votim në Kuvend. Pas shtyrjeve të njëpasnjëshme rreth dy muaj, mocioni hyri në rendin e punës të mbledhjes së Kuvendit të datës 2 qershor 2008, nën numrin rendor 10. Mirëpo, ngjau ajo që nuk pritej! Në fillim të mbledhjes, kur duhej të miratohej rendi i punës, pika 10 u hoq gjoja për t’u shqyrtuar më vonë, në një mbledhje tjetër. Mirëpo, heqja nga rendi i punës nënkuptonte se mocioni hiqej për të mos u shqyrtuar kurrë. Ashtu edhe ndodhi!!!
Libri i Del Pontes, raporti i Dik Martit dhe injorimi që iu bë akuzave nga institucionet e Republikës së Kosovës u bënë shkas që krejt ky lëmsh, i tjerrur me kujdes në Beograd, të shndërrohet në një ortek shkatërrimtar, i cili do t’i dëmtojë, jo vetëm të akuzuarit, por më shumë e më keq krejt Kosovën. Kjo çështje nuk ishte për ta heshtur e injoruar, edhe përkundër presionit të faktorëve ndërkombëtarë, sepse bënte fjalë për akuza tepër të rënda dhe vinte nga një personalitet, ish-kryeprokurore të një gjykate ndërkombëtare.
Në vazhdim lexoni Deklaratën e përgatitur për votim dhe miratim në Kuvend kundër ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla Del Pontes.

Fotografia e Berat Luzha