“Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën”

Nga Sali Bytyqi        

Letërsia në Kosovë, në dy etapat e saj të para, u krijua në kushte të censurës shtetërore, të cilës krijuesit iu bindën dhe bënë kompromise me të, deri në atë masë sa veprat e tyre të ishin të pranuara nga kjo censurë. Një veprim të tillë nga krijuesit – kompromisin e tyre me censurën – nobelisti polak, Çesllav Millosh, e emërton “tur­p shtëpie”!

Kur flet për “turpin e shtëpisë” në letër­sinë polake gjatë kohës së sundimit të ideologjisë moniste, Çesllav Millosh thotë: “Të folurit për ‘turpin e shtëpisë’ së letrarëve në Poloninë Popullore e justifikon fakti i thjeshtë se ata ishin letrarë, do të thotë dëshironin të botonin dhe shteti ishte i vetmi ent botues”.[1]

Po nëse mund të flitet për “turpin e shtëpisë” në letërsinë polake, sepse shteti ishte i vetmi botues dhe shkrimtarët donin të botonin krijimtarinë e tyre, a mund të flitet për “turp shtëpie” edhe në letërsinë shqipe të krijuar në ish-Jugosllavi, kur shteti ishte i vetmi botues[2] dhe ku edhe krijuesit shqiptarë, gjithashtu, dëshironin të botonin?

Për këtë çështje kemi vendosur të bëjmë një studim monografik, në të cilin objekt trajtimi do të kemi poe­mën e Ali Podrimjes për Kosovën, të krijuar në tri versione dhe të botuar në tri kohë, me tre tituj të ndryshëm: “Meto­hija në vjetin e madh 1941” (1961), “Toka e zgjueme” (1967) dhe “Hija e Tokës” (1971).

Përse u botua në tri versione kjo poemë? Me çfarë ndryshon historia e krijimit të kësaj poeme nga pjesa tjetër e krijimtarisë poetike të poetit Ali Podrimja? Çfarë mësojmë nga historia e kësaj poeme etj., janë disa nga pyetjet që do të përpiqemi t’iu japim përgjigje në faqet e këtij studimi.

Me një fjalë, në këtë studim do të vëmë theksin te përballja e poetit me politikën, te mënyra se si e tejkaloi këtë përballje jo pak të ashpër ai.

Qëndrimi i autoriteteve të kohës ndaj kësaj poeme flet qartë jo vetëm për kontekstin socio-kulturor nëpër të cilin kaloi kjo poemë, si dhe për autorin e saj, poetin Ali Podrimja, por edhe për kontekstin socio-kulturor në të cilin u krijua letërsia shqipe në atë kohë, si dhe për krijuesin e kësaj letërsie, prandaj edhe studimi i kësaj poeme për Kosovën është me rëndësi si për njohjen e procesit letrar të poetit në fazën e parë të krijimtarisë së tij, ashtu edhe për ndikimin e censurës shtetërore në krijimtarinë letrare në periudhën 1945-1968, censurë që, sipas akademik Rexhep Qosjes, “në Kosovë është ushtruar më tepër se njëzet e tetë vjet”.[3]

Studiuesi, duke e përcjellë krijimtarinë e Podrimjes hap pas hapi, vëren se poema e tij, “Metohija në vjetin e madh 1941”, është botuar në numrin një të revistës letrare “Jeta e re”, më 1961, që ishte edhe viti i katërt që poeti ki­shte filluar të botonte në këtë revistë, si dhe viti kur, ai, krijimet e tij më të arrira, i kishte mbledhur dhe i kishte botuar në një vë­llim poetik, me titullin Thirrje. Por, për habi, studiuesi e vëren se në këtë vëllim mungon kjo poemë!

Është e kuptueshme që një pjesë të poezive të cilat i kishte botuar deri në këtë kohë, poeti nuk i kishte futur në këtë vëllim poetik, por mosbotimi i poemës “Metohija në vjetin e madh  1941” në këtë vëllim, ishte një përjashtim.

Këtë poemë poeti nuk e botoi as në vëllimin e tij të dytë poetik, Shamijat e përshëndetjeve (1963), në të cilin e botoi poezinë për Titon, ndërkaq, në vitin 1967, duke “harruar” vazhdimin e saj në numrin 2 të “Jetës së re”, po në këtë revistë boton pjesën e dytë të kësaj poeme, tani me titull të ri, “Toka e zgjueme”, të cilën po këtë vit e botoi në vëllimin e tretë poetik, Dhimbë e bukur!  

Kur jemi këtu, bëhet pyetja: Çfarë fshihet nga mosbotimi i poemës në dy vëllimet e para të poetit, si dhe në botimin e saj të korrigjuar në vë­llimin e tretë, Dhimbë e bukur (1967)?

Sigurisht që këtu fshihet trysnia e politikës ndaj letërsisë dhe artit në përgjithësi, ndeshja e politikës me artin, ndeshje që më së miri e shpjegon Xhorxh Oruelli, kur thotë: “Pika ku letërsia dhe politika kryqëzohen është pika ku totalitarizmi ushtron presionin më të madh mbi intelektualin”.[4]

Nga një krahasim në mes të versionit të parë, pjesa e parë, “Metohija në vjetin e madh 1941” (1961), me versionin e dytë, “Toka e zgjueme”, (1967), të botuar në Dhimbë e bukur, del se poema është ndryshuar në masë të madhe. Tani bëhet pyetja: Përse e ndryshoi dhe e rikrijoi poeti këtë poemë? Ri­punimi i kësaj poeme ndërlidhet me pakënaqësi estetike të poetit apo me pakënaqësi të tjera; me pakënaqësi të tij personale apo me pakënaqësi të të tjerëve ndaj saj; ishin këto pakënaqësi estetike apo politike?

Si versioni i korrigjuar “Toka e zgjueme”, ashtu edhe versioni i tretë, i plotësuar dhe i “përmirësuar”, “Hija e tokës”, edhe më vonë u botuan e u ribotuan, ndërkaq versioni i parë, “Metohija në vjetin e madh 1941”, mbeti në faqet e revistës letrare “Jeta e re”, pa u ribotuar kurrë më në ndonjë përmbledhje poetike të Ali Podrimjes, as për të gjallë të tij, as pas vdekjes. Kjo poemë, për habi, nuk u botua as në Kompletin e veprës së Ali Podrimjes nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, më 2013, një vit pas vdekjes së poetit!

Sa i përket botimit të Kompletit të veprës së Pod­rimjes nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës duhet të themi se, përveç heqjes së poezisë për Titon, “Ush­timë shekujsh”, me copy-paste, në Komplet janë përfshirë të gjitha vëllimet poetike të poetit, por jo edhe poema “Metohija në vjetin e madh 1941” dhe poezi të tjera të  botuara në revistën letrare “Jeta e re”, të cilat nuk janë përfshirë në përmbledhjet e tij!

Akademia e Shken­cave dhe e Arteve e Kosovës në Kompletin e vep­rave të Ali Podrimjes futi edhe një vëllim të tërë me poezi të zgjedhura nga Bashkim Kuçuku, të botuar në Tiranë nga shtëpia botuese “Toena”, me titull Litari i ankthit (2002), por jo edhe poemën “Metohija në vjetin e madh 1941”!

Mosbotimi dhe heshtja e kësaj poeme, ndërsa botimi i poemës “Metohis” në vend të saj, në vëllimin e parë poetik Thirrje, ka bërë që studiues të cilët janë marrë me veprën poetike të Ali Podrimjes, të bien në lajthitje, duke e ngatërruar të dytën me të parën!

Ndërsa sa i përket “turpit të shtëpisë” në letërsinë shqipe të krijuar në Jugosllavinë socialiste, normalisht që kishte. Kjo është e kuptueshme. Por përse as­kush deri më sot nuk flet për këtë turp? Kjo është një çështje që del jashtë këtij shkrimi, ndërsa një rast që dëshmon për “turp shtëpie” në letërsinë shqipe në ish-Jugosllavi, e hasim jo vetëm te mosbotimi i poemës “Metohija në vjetin e madh 1941”, të poetit Ali Podrimja, në vëllimin e parë poetik Thirrje (1961), poemë që ishte botuar disa muaj më parë në revistën “Jeta e re”, më 1961, por edhe më pas, te shpërfytyrimi i kësaj poeme, kur poeti e botoi me titull të ri, “Toka e zgjueme”, në vëlli­min e tretë poetik të tij Dhimbë e bukur, gjashtë vjet më pas.                                        

Në këtë studim do të përpiqemi të hedhim dritë në atë

çfarë në të vërtetë ndodhi me mosbotimin e kësaj poeme në dy vëllimet e para të poetit dhe me ripunimin e saj rrënjësor në vëllimin e tretë.

Librin e kam ndarë në katër pjesë:

  1. Procesi krijues i Podrimjes në fazën e parë,
  2. Tri versionet e poemës,
  3. Tri versionet e tekstit poetik dhe
  4. Shtojca.

           Në pjesën e parë gjerësisht kam trajtuar procesin letrar të poetit Ali Podrimja në fazën e parë të krijimtarisë së tij, kryesisht sa i përket poemës për Kosovën; në pjesën e dytë kam trajtuar tri versionet e poemës; në të tretën, në mënyrë integrale, kam dhënë tri versionet e poemës, ndërsa në të fundit, në Shtojcë, kam sjellë deklaratën e Ali Podrimjes në vitin 1966, si dhe deklaratën e Shefki Osekut për Podrimjen, marrë përmes telefonit në verë të këtij viti.

Në këtë monografi për poemën e Ali Podrimjes për Kosovën, e pamë të arsyeshme të përfshijmë edhe tekstet integrale të të tri versioneve të kësaj poeme, për dy arsye: 1. Versioni i parë, i botuar në revistën letrare “Jeta e re”, kurrë nuk u ribotua në librat e poetit, dhe 2. Lexuesit dhe studiuesit t’i kenë në një vend këto versione, t’i lexojnë dhe të bëjnë krahasimin mes tyre, me ç’rast t’i shohin me sytë e tyre ndryshimet nga njëri version në tjetrin.

Sipas mendimit tim, për ndriçimin e fatit të kësaj poeme ia vlen të bëhet një studim sepse, duke u marrë me të, kthehemi te fillimet e letërsisë shqipe në ish-Jugosllavi, te sfidat që pati kjo letërsi në përballje me cen­surën shtetërore, si dhe mësojmë edhe për fatin e krijuesit shqiptar në ish-Jugosllavi.

Në fund, i falënderoj recensentët, dr. Fadil Grajçevcin dhe dr. Jolanda Lilën jo vetëm për përkushtimin që treguan gjatë leximit të dorëshkrimit të këtij studimi monografik, por edhe për vërejtjet dhe sugjerimet që i dhanë për çështje të ndryshme, të hasura në këtë dorëshkrim.

                                                    Prishtinë, nëntor 2021


[1] Çesllav Millosh, Mbi udhëtimet në kohë. “Papirus”, Tiranë, pa vit botimi, f. 95.

[2] Për dallim nga shtetet socialiste të kohës, në të cilat shteti ishte i vetmi botues, në ish-Jugosllavi ka pasur edhe botues privatë, por që iu kanë përmbajtur me përpikëri politikës shtetërore të botimit të librave. Shkurt, botimi privat nuk ka ndryshuar me asgjë nga botimi shtetëror.

[3] Rexhep Qosja, Kontinuitete, f. 176.

[4] Pound, Orvell, Vulf, Skot, Harvud, Almond, Si të lexohet (ese anglo-amerikane). “Art Club”, Ulqin 1996, f. 55.