EMOCIONI POETIKË SI FORCË E ATDHEDASHURISË

Mustafö Krasniqi

Fejtoni. nr. II

Shkruan: Mustafë Krasniqi–  Forcën e arsyeshme poetike dhe atdhedashëse e mbarështuar përmes emocioneve njerëzore dhe aftësive artistike e shohim edhe përmes syrit të poetëve, e në veçanti të poetëve të diasporës – mërgatës. Duke parë, se kritikës letrare shqiptare po i mungon një kritikë për veprën e poetëve e prozatorëve  të mërgatës sidomos të pas viteve 80-ta, mendoj me të drejtë se iu qasa analizave me qëllim që para lexuesit ta vë në pah vlerën e këtyre shkrimtarëve. Unë në këtë pjesë të vështrimit kritik do të ndalem te qëllimi dhe atdhedashuria e poetëve të mërgatës, e në veçanti do të marr ca poetë prej shumë poetëve të mërgatës, kryesisht nga poetët që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër. Me këtë dua ta filloj një rrugë për kritikën e shëndoshë mbi poetikën, apo artin e  mërgatës, e cila për mendimin tim është një thesar i çmuar për letërsinë shqiptare, sepse në të gjen motivin e dashurisë, qëllimit, angazhimit, kërkimit, stilit, figurës, simbolit, krahasimit, muzikalitetit dhe satirës etj.

     Kur flasim për poetikën, si një përmbledhje motivesh dhe në mënyrë të veçantë kur flasim për motivin  atdhedashurisë, nuk mund të mos shkruajmë për poetët të cilët me ngulm i janë përkushtuar kësaj krijimtarie shpirtërore ku nuk është vështirë të hetohet në krijimtarinë e tyre vlera dhe qëllimi, angazhimi dhe kërkimi.

     Megjithatë, disa poetë sikur i janë nënshtruar vullnetit për të bukurën, ndonëse kemi te disa prej tyre, të mërgatës, të cilët duke dashur të thoshim shumë përmes figurës, stilit të tyre të të shkruarit, sikur në disa raste ia kanë humbur vlerën e asaj se ç`kanë dashur të përçojnë te lexuesi, por në strukturën dhe thelbin ka ruajtur qëllimin dhe angazhimin e krijimit dhe kjo ka vlerë padyshim, sepse lexuesi mund edhe të mos e hetojë, por ana analitike letrare duhet thënë ajo çfarë është krijuar dhe e ka vlerën.

Te krijimtaria poetike e mërgatës, përpos atdhedashurisë, që te çdo poet e hasim, shijojmë edhe bukurinë figurshme. Figurat letrare, natyrshëm lidhen ngushtë me atdheun, dhe marrim simbolin e bilbilit, kanjushës, diellit, hera-herës edhe figurën e krahasimit si p.sh lumi me lumin, mali me malin, kodra me kodrën, mirëpo te këta poetë në veçanti e më së shumti  shquhet figura e mëmë Shqipërisë, por edhe nënës që na ka nxjerrë në dritë, prandaj duke u lidhur natyrshëm anët më të bukura me motivet atdhetare dhe prindërore, ata sikur janë në përjetimet e ëmbla ashtu si fëmija në gjirin e nënës.

     Ndërkaq, përkushtimi ndaj atdhedashurisë është i madh, mbase sikur  mëmën e shohin vetëm Shqipërinë, që në shumë vargje të poetëve vëmë re, se i drejtohen mëmës me këto fjalë: si mëmë Shqipëri, nënë Shqipëri, rrënjë ilire, trung arbëror, tokë e të parëve, gjak arbëror etj.

Më ke harruar, mos më thuaj,

Ti vëlla nga Çamëria,

Që i ke rrënjët e ngulitura,

Thellë në tokën e të parëve

                             (I.Ismaili)

Poeti Isuf Ismaili është nga ata krijues të përkushtuar që përpos vlerës, qëllimit, kërkimit dhe angazhimit për të bukurën, nga shpirti nxjerr të çiltrën, vlerën dhe atë e shfaq me tërë forcën  intelektuale.

Isuf Ismaili lexuesit i ofron një varg të mirë, të studiuar, emocional dhe mbi të gjitha si një mjeshtër i mirë me vëmendje e gdhend vargun e tij si për nga ngjyrimi, muzikaliteti, figura, stili, duke e respektuar ndërtimin e fjalisë sipas parimeve gjuhësore.  Kjo vlerë këtë poet e bën më të veçuar nga shumë poetë të tjerë, sepse në poezinë e tij, përpos ndërtimit dhe qëllimit, gjithashtu gjen të gjitha vlerat e poezisë së shkruar.

Ndërkaq, te kjo poezi na vjen me një formë piramide, duke e ruajtur  që nga vargu i parë e deri te ai i fundit konstruktin e ndërtimit dhe të qëllimit të poezisë, si për nga aspekti motivues, ashtu edhe për nga ndërtimi i saj. Në të tëra vargjet shohim porosi të qarta dhe atë intuitën e poetit duke skalitur dhe ndërtuar e ngrehinën e bukur letrare. Kështu në strofën e parë sikur poeti dialogun dhe me mllef  thotë:

 “Më ke harruar, mos më thuaj”,

   kurse në strofën e dytë në dy vargjet e fundit na del me një piramidë të dukshme, si :

“Se je rrënjë e gjak arbëror,

Pjesë e çmuar e trungut tonë”.

  Po, për mëmëdheun dhe pjesët e saj shkruan edhe poeti, autori  i shumë librave Lebit Murtishi, po me këtë motiv dashurie si te autori Isuf Ismaili edhe Lebiti, sidomos në librin e tij “Pelegrinë në Janinë” na del i hapur dhe i njëjtë, ndonëse te ky autor kemi një trajtesë tepër të veçantë meqë i kushton rëndësi të madhe gdhendjes së figurës, por që ideja shfaqet shumë e qartë prandaj përmes këtij libri “Pelegrinë në Janinë” na dalin  nota nostalgjike, ku edhe  vetë poeti hyn në botën e thirrjes dhe me vargun  shpirtëror e të ndejshëm, sikur futet thellë në tokën  e Janinës e Çamërisë si pjesë e tërësisë shqiptare prandaj e thotë:

Mos rënko

Kaq me dënesë

Shpresë e lodhur n’ ëndërrim

Gjersa i fundit

Biro t’ mos vdes

Do të  jesh Dhe i Dheut tim…

                              (Çamëri! L.M)

    Autori ynë përmes këtyre vargjeve poetike është në përballje të realitetit e mallëngjimit, ndaj sikur kërkon atë fuqinë e Anteut dhe kështu do që ta zbërthejë në rreze drite qëllimin. Që nga vargu i parë e deri te i fundit e ka vënë në spikamë qëllimin, por sidomos te vargu i fundit ndjehet fuqia sqaruese.

Do të jesh Dhe i Dheut tim…

Këtë poeti na përçon me një mjeshtëri të rrallë. Idesë së veprës së tij, qoftë përmes unit të tij shpirtëror, qoftë përmes  fuqisë artistike të së shkruarit dhe muzikalitetit  i ka dhënë ngjyrime të dukshme edhe përmes këtyre vargjeve, të cekura më sipër.

Dashuria e poetëve për atdheun, na bënë më të ndjeshëm dhe, na ngjall emocione shpirtërore, sidomos atëherë kur malli na i shprush ëndrrat tona. Megjithatë, siç na thonë poetët, deshëm apo s’deshëm shpesh herë gjendemi në mendime të thella, ndonjëherë me nostalgji mbytemi në lot malli.

 Për këtë poetit të mërgatës, sikur papritmas i kthehet forca dhe mbledh tërë fuqinë krijuese. Se  këto vargje siç i shprehim kanë një fuqi që na pushton nga malli për mëmëdheun, heroin dhe të afërmit, miqtë e dashamirët në çdo cep ku ata janë. Sikur ëndrrën, kur poeti e përjeton, dëshiron që edhe realiteti të jetë njësoj, sepse edhe ashtu e ndjen poeti.

Poeti i mërgatës e përshkon idenë artistike si një udhëtar i lodhur nga emocionet e dashurisë, e i ngarkuar me dhimbje malli, ai me vargun e këndshëm dhe të ngjyrosur me një figuracion, a simbol, e tejkalon të parashikueshmen me ndërtimin e vargut të  bukur.

   Poeti i hedh hapat i sigurt, e di se kujt i referohet për të shkruar, se si e gjen atë rrugë për të shkuar tek poezia, tek atdheu i tij që rron aty në thellësinë e zemrës së tij, bashkë me dhimbjen dhe përjetimet në largësi. Ai ecën dhe do të lërë gjurmë, tatuazh në zemrën e tij, që tashmë nuk fshihet, por shprehet hapur para jush, me një guxim poetik për të trajtuar ritmin e kohës.

Përqasja e poetit, në veçanti poetit mërgimtar, me të kaluarën dhe të sotmen, na vjen me shqetësim poetik, por  të arsyeshëm..

  Muza e poetit  fillon me dashurinë e atdheut, dhe krahas ndjenjës së patriotizmit, si fllad i freskët na vijnë lirika dhe ndjenja  patriotike, e për heroin dhe të afërmit, që është një koncept universal.

Lirika e këtyre poetëve na hyn me nota të ëmbla e tingëlluese sikur zëri i bilbilit në hapësirën qiellore. Mbase poeti e sheh lirinë si urë lidhëse në mes krijimit shpirtëror dhe përkushtimit, siç edhe ka ndodhur kur vetë poeti ka qenë personazh i luftës  për liri dhe për bashkimin e mëmë Shqipërisë me pjesët e saja të pushtuara.

   Këtë motiv hasim edhe te poeti, Sylejman Qyqalla, i cili bukur na e përshkruan atdhedashurinë për dallim nga dy poetët e lartpërmendur na shfaqet pak më ndryshe,  por me një motiv të njëjtë na paraqet anën emocionuese, atdhedashurinë, e siç shohim në vargun e tij:

Po kaloja nëpër Shqipërinë tonë;
Isha me gruan dhe me fëmijët e mi…
U ndala të pushoja diku në Tropojë
Kapa një gur dhe po e mbaja në gji.

-Për se të duhet, baba, ky gur?!
Më pyetën fëmijët me frikë…
Nuk e dinin se ai gur ish flori
T’ia çoja babait mbi varr si prikë.

  Në këto dy  strofa sikur poeti është futur thellë në botën e krijuesit dhe përmes vargjeve e ka zbuluar unin e tij për atdheun, sidomos në vargun e parë të strofës së parë dhe në vargun e strofës së dytë na  ka dhënë fuqinë e poezisë artistike.

  Tek vargu i parë i strofës së parë kemi të dukshme nostalgjinë e poetit, kurse përmes dy vargjeve e fundit të strofës së dytë, poeti sikur përçon më tutje amanetin e prindërve, dhe me mjeshtëri realizon fuqinë e vargut përmes simbolit, apo figurës së gurit, “T’ia çoja babait mbi varr si prikë”. Me këtë autori përmes figurës së gurit si prikë mbi varrin e babait të tij,  sikur bëhet premtues i paraardhësve, të cilët ishin të përkushtuar për bashkimin e kombit, se një ditë edhe te varri do t`jua sjellim gurin e atij bashkimi të natyrshëm mëmë Shqipërisë; me një fjalë, përmes këtyre vargjeve poeti na e bën me dije qartë se jo vetëm  e përçon një realitet më tutje, por edhe inkurajon lexuesin që të hulumtojë në arkivat e historisë dhe të krijimtarisë për përkushtimin e paraardhësve .

  Poeti sikur dy autorët tjerë i ka kushtuar vargje Çamërisë, heroit dhe atdhedashurisë dhe me lirikën e tij sikur i ka rrëfyer botës krijuese, se atdheu i do fëmijët e vet, ku edhe prek dhimbshmen e të përmallshmen mërgatën.

   Të bukurën artistike e gjejmë edhe te libri “Fjalën s’e ndal…” duke vënë në mendime lexuesin me këto vargje Kadri Gërvalla, shprehet:

Fjalën kurrë s’e thashë kot…
Edhe kur buzët i kisha shkrumb
Nga sytë më rrodhën lot
E lumi vërshoi shumë

   Pra, për ta kuptuar poetin, dhimbjen e tij, shohim se si përmes vargut të tij bën thirrje,  t’i kthehen atdheut bijtë e mbetur dyerve të botës dhe t’ia kthejnë shpresën, mëmës Shqipëri, Shqipërisë Etnike.

Kështu poetin sikur e shohim në përpëlitje të pandalshme, me një zë përmallshëm e thirrës për bashkëkombësit e vet duke i lutur që të kthehen në tokën e lindjes, e më këtë thotë;

Kthehuni aty ku keni qarë dhe qeshur,

aty ku keni pirë qumësht loke e ujë kroi,

aty ku jeni përkëdhelur duke kënduar ninulla nga lokja,

aty ku ju kanë rrezuar rrezet e para të diellit,

nën çatinë e kullës së vjetër.

Padyshim, poeti me nota malli na e përshkruan dhimbjen e tij, ndonëse jo nëpërmes një poezie metaforike, por që përbrenda ka porosinë, idenë e vargun ritmik,  duke e ruajtur deri diku ndërtimin e vargut dhe qëllimin e përkushtimit, por edhe duke shkuar deri te përpjekja që poezia e tij të ketë muzikalitet. Ndonëse këtë përkushtim dhe e shohim edhe te poezitë të tjera të tij.

…Në fund të oborrit
Ktheva kryet nga shtëpia,
Ujë pas më hodhën
Që të kthehem prapë.

Autori që në fillim të vargut të parë të kësaj poezie sikur na e paraqet pesimizmin e tij, mbase në vargun tretë dhe të katërt sikur e rikthen shpresën për një rikthim të sërishëm. Me këto motive dashurie, malli, nostalgjie i hasim pothuaj te të gjithë poetët e mërgatës. Kështu vetë ndërthurja e vargut në shpirtin e tyre sikur krijon një vullkan dhimbjesh, malli apo dashurie. Është e vërtetë që poetët janë të fortë dhe nganjëherë sikur emocionohen e ligështohen pranë vargut për atdheun. Lotët e tyre i përcjellin edhe me ndjenjat e shpirtit që ato dalin  në bardhësi, në ndërtimin e vargut, krijimit  dhe që merr formë poetike etj.

 Si çdo poet tjetër që është i angazhuar pas të bukurës dhe atdhedashurisë, edhe te Martin Çuni shohim se ka një krijimtari shpirtërore, jo vetëm në aspektin e të shkruarit, por na del edhe në skenë si një luftëtar i përkushtuar përkrah shumë atdhetarëve, tashmë dëshmorë të kombit. Autori sikur vrapon me një angazhim e kërkim për të arritur të përshkruajë sa më artistikisht për fenomenet, qoftë në poezi, tregim e krijime të tjera. Në krijimtarinë e tij e shohim si një skulptor të mirë të poezisë dhe tregimit, ndaj është një krijues i kohës i cili e ka përjetuar më lëkurën e tij dhunën, burgun, luftën dhe së fundi mërgimin, që kjo e fundit për poetin është më e vështira, pra se sa burgu, lufta dhe dhuna. Poeti  Martin Çuni në vargjet e tij del i plotë si artist dhe si një personazh i dhimbjes dhe i mallit, e mu për këtë, shtegtimet e tij nëpër histori janë plagë të hapura, por me fuqinë e tij krijuese bëhet një poet që brezave mund t`ju rrëfehet historia dhe zjarri e shpirtit e   dashurisë për atdheun përmes vargjeve që dalin nga shpërthimi artistik i tij.

Ndonëse  në ca vargje sikur poeti me nota dhimbjeje na e përshkruan fatin e atdheut e sikur të lë përshtypje se poeti është ligështuar nga fati i fatkeqësisë së kombit, siç edhe shprehet te poezia “ACARI”:

Kur vetmia të rrethon
Robëria të behët kurorë
Kur në log thahet rrapi
Atdheu mbulohet me borë
Kur një vend e mban xhelati
Krijuesit akulli i mbulon
Atëherë Bota kthehet mbrapa
Truri i kombit nuk punon

                             (“Acari”M.Çuni)

     Poeti sikur shkrumbohet nga dhimbja dhe pëlcet përmes këtyre vargjeve:

Fajet i ka Koka
Fajet s’i ka Bota
S’bëri gjë Evropa  

               (“Ecje” M.Ç)


Me këto tri vargjet e fundit sikur e shohim poetin se sa i ndejshëm është ndaj së padrejtës, e sidomos kur ajo i bëhet atdheut, kombit. Paqësimin dhe revoltën sikur e shohim në fuqinë e poetit te vargjet:

Nëpër shekuj rrebeshet njëra pas tjetrës

Trojeve tona vërshuan sa e sa herë,

E sërish lulëzuan fole më të mira

Malet shqiptare gjirin plot me jetë.

Në dy vargjet e kësaj poezie e shohim një përshkrim artistik, ndërsa te dy vargjet e fundit, me një motiv dashurie të shprehur me një forcë emocionuese na del më shpresëdhënës dhe më krenar, ku shpirtin e mbush me dashurinë e vargut, që lexuesin e motivon për stilin e të shkruarit dhe muzikalitetin e saj.

 Poetët e mërgatës janë sikur bilbila në kafaz, mbase edhe lotët e tyre të rrëfejnë fare pa i pyetur, e kur i shtohet edhe ana shpirtërore, krijimtaria letrare, shohim se sa me çfarë force të madhe krijuese  përçohet motivi i atdhedashurisë.

Ndaj kjo poezi e mërgatës, nxori në pah një rrjetë  të gjerë të poetëve, krijuesve të përkushtuar, që sakrifikuan gjithçka për të mirën e atdheut të tyre.

Këtë përkushtim e kemi edhe te poeti, atdhetari i çmuar i çështjes kombëtare, te Mehmet Beslimi, i cili përmes librit të tij “Trëndafila Maji” na vjen si një poet i përfillshëm, që poezia apo vargu ti tij ka ruajtur një vlerë të bukur artistike, si për nga figura, rima po edhe nga përmbajtja, forma e shtjellimi. Në këtë libër gjejmë tërë përpjekjen e autorit për të bukurën, cilësoren, vlerën, dhe për të më së miri na dëshmojnë vargjet e tij.

Si poetë të tjerë të mërgatës edhe ky autor ka prekur motivin e atdhedashurisë, heroit, e në veçanti  lidhet me heroin si shok, bashkëluftuar, veprimtar e idealist. Kur jemi te motivi i atdhedashurisë sikur poeti thotë te poezia e tij “Malli”:

Diçka po më djeg në gjoks,

Diçka thellë po më gërryen

Si duhanxhiun e vjetër

Kur e mbështjell

Edhe dushkun me letër!

Epo malli më ka zënë

Për ty moj nënëloke

Për erën e shtogut

Për pragun e shtëpisë

Për vrapin e gjokut

Për zhurmën e fëmijë

Kanë thënë.

Malli gërryen gurin…

                           ( Malli,M.Beslimi)

Vërtet fuqia e kësaj poezie arrin kulmimin e saj mu në shpërthimin e Unit të poetit, sidomos tek krahasimi dhe figura e dushkut, gjokut, shtogut dhe gurit, mbase edhe vargëzimi lidhshmëria e vargut, sidomos kjo poezi rrjedh thjesht si një nevojë e shfryrjes së poetit dhe shpërthim i dufit të

tij, që bukur e ka dhënë përmes poezisë “Malli”,. Sidomos pas vargut të pestë, poeti me mjeshtëri artistike e paraqet në sipërfaqe Unin e tij dhe bukur e trajton emocionin e tij artistik, sidomos tërë porosia e tij qëndron në vargun e fundit “Malli gërryen gurin…”

E me poezinë “Varri i humbur” kushtuar Micit, autori Sadik Krasniqi, na vjen me katër vargje të shkëlqyera të tij, qoftë për nga intonacioni, poe edhe harmonizimi i vargut na e përshkruan thellësisht historinë përmes plisit, lisit, brigjeve dhe shtigjeve, ku edhe thotë:

Nëse s’ e gjeni brigjeve

E kërkoni shtigjeve

Pa ia gjetur plisin

Mos ia rrëzoni lisin…

                     (S. Krasniqi)

MALLI PËR NËNËN

Malli për nënën, në krijimtarinë poetike të diasporës është njëra ndër figurat qendrore të librit të tyre poetik, ku për mes nënës e lidhin dashurinë për atdheun, malli dhe loti sikur gjithmonë rrjedh për të, ndërsa këtë mbase e shohim më së miri dhe mbase më fuqishëm te vargjet e poetit Sadik Krasniqi, ku përmes imazhit të Nënës paraqet mallin e atdheut dhe dashurinë për Kosovën, se –

“…sa të jem gjallë, e të kem mall për ty oj nënë”,

apo:

Nënë

Më gatuaj

një bukë dheu

Me ujë shiu

E kripë loti

Vetë këto vargje melankolike, të mallëngjejnë, të fusin, deshe apo s’deshe, në botën e brendshme të poetit dhe përmes bukës, shiut, lotit kripës, pasqyron një ndjenjë shpirtërore që e simbolizon dhimbjen e poetit prandaj edhe thotë:

Piqe me diell Kosove

Ta marr me vete/Në udhën e zezë

Përmes vargut të parë dhe dy vargjeve të fundit poeti sikur e fajëson veten, ndërsa pikërisht në vargun e fundit “Në udhën e zezë” me të vërtetë këtu  shihet dhimbja dhe shpirti i poetit, se sa shumë vuan në këtë rrugë të zezë, apo të shkretë.

Këtë mallëngjim  dhe imazh për figurën e nënës, qoftë për heroin, atdheun, mallin, lotin e dhimbjes e gjejmë të shprehur vetëm përmes saj, figurës së nënës.