Çdo qytetarë e ka për obligim moral dhe kombëtar të ruaj për vete dhe për fëmijët e tij gjuhën amtare, pa marrë parasysh vendin ku jeton. Por, organizimi institucional është shumë më i suksesshëm, se sa ai i shoqatave vullnetare, të cilat jo rrallë herë ngatërrohen me këmbët e veta.
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Një ndër detyrat më të shenjta, në jetën e njeriut është padyshim edhe ruajtja e gjuhës amtare, apo siç i themi shkurt për ta kuptuar më mirë – gjuha e nënës. Pa marrë parasysh se ku jeton njeriu duhet t`i kushtoj kujdes të veçantë ruajtjes së gjuhës amtare dhe trashëgimi i saj te brezi i ardhshëm është një obligim moral dhe kombëtar. Nuk mjafton të thuash jam shqiptarë dhe të fillosh me bashkëvendësit e tu, të komunikosh në gjuhë të huaj. Nëse prindërit e njohin gjuhën shqipe dhe nuk ua përcjellin fëmijëve të tyre, është një gabim shumë i madh. Nëse prindërit nuk flasin me fëmijët e tyre në gjuhën shqipe, nëse anëtarët e një familje nuk flasin shqip në mes veti, ajo gjuhë zbehet, edhe pse është amtare. Çdo fëmijë, që nga klasa e parë, posa të regjistrohet në kopshtin e fëmijëve, shënohet edhe gjuha amtare dhe kjo gjuhë do ta përcjellë tërë jetën. Por me kalimin e viteve, nga pakujdesia gjuha amtare, për një numër të madh të fëmijëve, që rriten jashtë atdheut, ka filluar të mbetet vetëm si një shprehje gjuhësore, që në të shumtën e rasteve nuk ka kurrfarë kuptimi. Dhe një gjë e tillë, po na ndodh para syve tanë. Të gjithë e shohim e përjetojmë, e prekim si një realitet, që përmbledh me vete një grusht arsyetimesh bajate: “ se nuk ka çka i duhet”, “ se na më po jetojmë këtu”, “se po i përzihet gjuha” etj. Dhe ky rrugëtim i pakuptimtë në jetë, kam frikën se gjeneratën e dytë do ta lë pa gjuhë amtare, sepse reagimet tona ndaj këtij fenomeni janë shumë të dobëta ose nuk vërehen fare.
Fakt është se çdo njeri, pa marrë parasysh se ku jeton, në vendlindje apo në vend të huaj, kujdesin ndaj gjuhës shqipe duhet ta vë në rend të parë. Parashtrohet pyetja -A kemi bërë ndër vite, ne shqiptarët sa duhet për gjuhën shqipe – gjuhën e nënës? – Përgjigja është negative.
Po sikur të ishim kujdesur për gjuhën shqipe, ashti siç jemi kujdesur për disa gjëra materiale, gjuha shqipe do të kishte sot, një përfshirje shumë më të madhe, do të ishte në një gjendje më të lartë studimore dhe shkencore në botë.
Parashtrohet pyetja: – A kanë bërë sa duhet institucionet tona, kudo ku jetojnë shqiptarët?
– Përgjigja është edhe më negative, sepse angazhimi i pjesës institucionale është më i lehtë dhe shumë më i suksesshëm në krahasim me angazhimin e shoqatave vullnetare, të cilat jo rrallë herë ngatërrohen me këmbët e veta.
Një prej plagëve më të përhapura është mosruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, kudo ku jetojnë ata. Fëmijët e tyre, sa bukur e flasin gjuhet e vendit, ku jetojnë, por çalojnë rëndë në të folurit e gjuhës amtare. Dhe kjo nuk iu bën nder dhe nuk ka arsyetim për të. Njohja e një gjuhe është pasuri e madhe, kurse njohja e gjuhës amtare është pasuri dhe obligim.
Por, kjo nuk është dhe nuk vlen vetëm për mërgimtarët, të cilët bartin me vete edhe një bagazh arsyetimesh. Edhe më e rëndë është te institucionet tona, të cilat duhet të kujdesen për gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Pastaj, programet e shumta dhe të lloj-llojshme radio –televizive, , të cilat pa asnjë kriter dhe pa asnjë politikë redaktuese avancojnë në bastardimin e gjuhës shqipe. Janë me dhjetëra televizione private të cilat nuk kujdesen fare për përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe, duke dhënë arsyetime bajate dhe të dëmshme për shoqërinë. Vlen ti shikojmë apo dëgjojmë programet radio –televizive në Kosovë, në Maqedoni, por edhe në Shqipëri, ku përdorimi i fjalëve të huaja, përdorimi i shprehjeve të ndryshme më tepër ngatërrojnë gjuhën dhe e pengojnë zhvillimin saj.
Të gjithë e dimë dhe e themi zëshëm: gjuha shqipe, kjo gjuhë e shenjtë dhe e shtrenjtë duhet të ruhet, te zhvillohet dhe të mbrohet nga të gjithë sepse është amanet i baballarëve tanë. Shqiptarët pa gjuhën shqipe nuk e kanë kuptimin e tyre të plotë.
Por, kjo nuk mjafton sepse përdorimi i gjuhës shqipe në praktikë, ruajtja, përkujdesja dhe zhvillimi i saj lënë shumë për të dëshiruar.
Për ta sqaruar këtë problem kombëtar më mirë, do të marr një dëshmi nga komuniteti arbëresh në Itali, i cili më se pesë shekuj jeton larg atdheut dhe familjet shqiptare, të cilat në tri dekadat e fundit jetojnë në Evropën Perëndimore dhe në shtetet e tjera në botë. Derisa arbëreshët edhe sot e kësaj dite, e ruajnë dhe e zhvillojnë me dinjitet gjuhën amtare, familjet shqiptare, që jetojnë më pak se tri dekada në shtetet e Evropës perëndimore, fëmijët e tyre kanë filluar të përballën me mosnjohjen e gjuhës amtare.
Ky fakt është shumë i rëndë sepse gjuha shqipe është leja njoftimit për të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh nga vijnë dhe ku jetojnë.
Prandaj është koha e fundit që familjet shqiptare që jetojnë në mërgim, të kujdesen më shumë në këtë drejtim. Asnjë pasuri sa do të jetë përrallore nuk krahasohet me gjuhën e nënës. Dijetari i madh shqiptar Eqrem Çabej thotë: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”.