GJUHA DHE SHKOLLA SHQIPE DËSHMOJNË MBROJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR

Shaban Kabashi

 

Shkruan: Shaban Kabashi

Një vlerësim i shkurtër për librin  “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar, shkruar nga Dr. Vaxhid Sejdiu

Mësuesi Vaxhid Sejdiu që është edhe autor edhe shumë shkrimeve të llojeve të ndryshme këto ditë nxjerr nga shtypi një libër studimor shumë interesant, si rezultat i studimeve të tija të thella në fushën e arsimit shqip. Libri titullohet: “Shkolla Shqipe në Kantonin e St.Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar”. Në këtë libër që përbëhet nga 10 kapituj, janë përfshirë pothuajse të gjitha të dhënat nga puna e gjatë në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe të shoqëruara me fjalë e fotografi të shumta. Ndarja e punës në libër në periudha të ndryshme që nga fillimi i organizimit të mësimit shqip duke filluar nga „Motrat Qiriazi“, shoqatë kjo e themeluar nga Këshilli prindëror që kishte moton: “Me laps nëpër Evropë”, nga hapja e shkollës së parë shqipe në Glarus me 20 shtator 1990, me hapjen e paraleleve në Sarganserland me mësues: Adnan Mehmetin, hapja e paraleles në Rebstein me 21 Nëntor 1992 dhe deri në ditët e sotme dëshmon përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe në këtë pjesë të Zvicrës.. Në hapjen  e këtyre paraleleve pati vështirësi të shumta organizative, programore, por edhe të  kuadrove. Nga organet tona dhe ato Zvicerane me 30 tetor 1995 u pranua Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, me  emrin “Naim Frashëri”.

 Në këtë libër paraqitet puna reale e bashkatdhetarëve tanë, të bashkëpunëtorëve, arsimtarëve e prindërve tanë të organizuar nëpër shkolla, klube e shoqata për të ruajtur e kultivuar gjuhën tonë, kulturën e traditat tona dhe identitetin tonë. Vlen të theksohet që shqiptarët kudo që janë kanë qëllim ruajtjen e gjuhës sonë, prandaj edhe kërkohet angazhim nga se ruhet kombi ynë që është edhe themel i godinës sonë shtetërore. Sa më i fortë që të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina. Libri: “Shkolla Shqipe në kantonin e St.Gallenit”, vatër e bashkimit kombëtar”, paraqet fakte historike për trojet tona, për migrimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. Autori i librit në parathënie paraqet angazhimin e dëshmuar të popullit tonë për ruajtjen e gjuhës duke theksuar se asimilimi në disa treva e vendbanime erdhi nga mungesa e komunikimit kombëtar. Prandaj edhe kontributi i mërgatës sonë vlen të vlerësohet nga se ndihmoj në rilindjen e përpjekjeve kulturore, arsimore duke mos ndenjur duarkryq, por aty ku ishte e mundur u angazhua. Sa bukur e përshkruan autori në fjalë humbjen e gjuhës me fjalët: „humbja e gjuhës vë në pikëpyetje edhe identitetin kombëtar, kështu është fakt i gjallë dhe i vërtetuar në të gjitha pikëpamjet se nuk është humbje definitive nëse ndokush largohet nga atdheu qoftë edhe me familje, por humbje përfundimtare është kur e harron gjuhën“. Për të arritur këtë lypset një angazhim i gjithanshëm i yni. Historikun e shkollës shqipe e ndanë në tri periudha:1990-1995 hapat drejt pavarësimit të shkollës shqipe, 1995-1999 hapja e shkollës shqipe në mbarë Zvicrën dhe 1999 gjer sot. Ku përfshihen shumë emra të aktivistëve, mësuesve, nxënësve dhe shkollave shqipe, me tekst dhe foto të shumta. Dr. Vaxhid Sejdiu librin e ka konceptuar mjeshtërisht edhe me nëntituj të shumtë. Në libër përfshihen edhe artikuj, tekste e materiale ndihmëse për mësim, fotografi të figurave tona kombëtare dhe punime e biografi të ndryshme. Duhet theksuar që për ta lexuar këtë libër lypset një angazhim, përqendrim dhe reflektim nga se pas leximit do të kuptojmë sa mall e dashuri, sa angazhim e mobilizim kishte dhe ka ende për shkollën dhe mësimin shqip. Theksoj që ka ende angazhim nga se autori në fjalë vazhdon pa ndalë në hapjen e paraleleve shqipe përveç kantonit të St.Gallenit edhe në kantonin e Cyrihut dhe më gjerë. Në fund e falënderoj Dr. Vaxhid Sejdiun për këtë libër e shkrime tjera duke i dëshiruar shëndet e suksese tjera shkencore.