![](https://uraebashkuar.com/wp-content/uploads/grafik.png)
…Shihni sa bukur këta fëmijë edhe pse të lindur larg atdheut, shfletojnë shkronjat e shqipes me qëllim që ta mësojnë gjuhën e nënës – gjuhën shqipe. A ka gjë më të bukur! – Thënë shkurt ky angazhim i përbashkët mësues dhe prindër jep shpresë se “gjuha e arbërit rron”.
“Shkolla Shqipe” në Zvicër më 5 Shator të vitit 2022 hapi dyert për fëmijët shqiptarë edhe në Affoltern të Zyrihut. E hëna me diell zbukuroi klasën e shkollës zvicerane ”Holderbach” me fëmijët shqiptarë të cilët kishin ardhur bashkë me prindërit e tyre të regjistrohen në shkollën shqipe. Buzëqeshja e tyre ishte një lajm i mirë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.
Shkolla shqipe në Zvicër gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit ka arritur t`thyej të gjitha parashikimet me hapjen e pikave të reja shkollore dhe sensibilizimin e prindërve shqiptarë në angazhimin e tyre rreth organizimit sa më të mirë të shkollave shqipe, me qëllim që fëmijët shqiptarë të kenë mundësinë të ndjekin mësimet në gjuhën shqipe.
E gjithë kjo buzëqeshje e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm të motivuar nga prindërit e tyre derdhej mbi abetaret e Shtëpisë Botuese “Shkronjë pas shkronje” të cilat na kishin ardhur para disa muajve dhuratë, nga z. Roland Çano, në shenjë respekti për punën e madhe që po bëhej dhe po bëhet në kuadër të “Shkollës Shqipe” në Zvicër.
![](https://uraebashkuar.com/wp-content/uploads/grafik-4.png)
Eriku, Aaroni, Lendra, Eliani, Lindi, Rioni, Fiona, Ervini, Morea, Narta, Luanda, Rona, Arioni, Diesa, Ari, Nuari, Diellza dhe Rajana dhe disa fëmijë të tjerë të cilët nuk arritën të marrin pjesë në orën e parë mësimore do t`iu bashkëngjiten në javën e ardhshme. Shkolla shqipe në Afffoltern të Zyrihut në bazë të fjalëve të prindërve shumë shpejt do të shndërrohet në çerdhe të vërtetë të dhjetëra e dhjetëra fëmijëve shqiptarë.
Dhe në fund këta nxënës të shkollës shqipe ju bëjnë thirrje të gjithë bashkëmoshatarëve të tyre që edhe ata t`iu bashkëngjiten në mësimin e gjuhës amtare. Të gjithë të interesuarit mund të paraqiten në telefonin kujdestar 076 321 26 94.
Mirë se Vini!
“Shkolla Shqipe” – Zvicër
Isuf Ismaili
Nazmije Kamberi