JETA E CENSURUAR DHE ISHULLI IM, NË POETIKË

Mustafë Krasniqi

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Fran Tanushi një ishull, që se di kur

do të bëhet gadishull!”

                            Ali Podrimja

      Fran Tanushi, është një poet që me përkushtim të madh shkruan poezi, ndaj na vjen me vargje të goditura artistikisht, i mëshon shumë anës emocionale,  duke goditur aty ku i dhemb edhe shpirti, tek motivi i atdhedashurisë.

Ai sikur shpërthen edhe kundër të padrejtës, në anën tjetër  gjallërohet, emocionohet për të djeshmen, të sotmen dhe përmes poetikës së tij filozofike na flet edhe për të ardhmen. Pothuajse  në tërë krijimet e tij poetike gjejmë një origjinalitet.

  Fran Tanushi si të gjithë poetët e mërgatës e trajton në veçanti motivin e atdhedashurisë. Kështu nëpërmjet këtij motivi na sjellë vargje të përsosura përmes lirikës refleksive, e duke e begatuar me simbole e figura. Kështu ai bëhet një këngëtar i këndshëm poetik. Përmes laboratorit të tij krijues na vjen para lexuesit si një hulumtues i mirë, na sjellë vargje të përkushtuara. Ai kështu lufton kundër të ligës, po edhe në anën tjetër me krenari i këndon së ardhmes.

Për dallim nga autorët tjerë që kam trajtuar për nga ana kritike mbi veprat e tyre, të cilat natyrshëm i kam lexuar e rilexuar, vë në dukje se Tanushi  vjen me një tufë poezish të botuara nëpër portale të ndryshme, e që më kanë emocionuar. E përmes këtyre poezive kam arritur ta kuptoj se Tanushi është një poet i mirëfilltë. Duke kërkuar e lexuar poezinë e tij nëpër portale, më dha kënaqësinë e të shijuarit poetik, por këtë kënaqësi e shijova më mirë pasi i lexova pikërisht dy librat e tij“ Jeta e Censuruar” dhe “Ishulli im”.

Tanushi duket se është një mjeshtër, apo në qoftë se do të shpreheshim figurshëm do të thoshim se është një skulptor i mirë, i cili krijon  në mënyrë të çiltër dhe çdo varg i tij është elegji. Ai vjen para lexuesit me një krijimtari poetike lirike e metaforike duke na ofruar si udhërrëfyes, lashtësinë e popullit të tij. Këtë e shohim te cikli i parë i librit “Jeta e Censuruar”që është përbërë prej pesë ciklesh, tek poezia “Dardania”

Emër i vjetër

shekujve të tërbuar

çmendurisht.

Nën gurë muranash

fshehtësinë e historisë

tënde e ruan

…………..

Dardania

dardhania

kopshti i Edenit.

Poezia e Tanushit  mund të thuhet se shpërthen si vullkan. Ajo është e  sinqertë e  kompletuar duke ardhur para lexuesit natyrshëm. Ndonëse poeti i ngarend pas së bukures artistike, atë do ta shohim edhe të rebeluar kundër padrejtësive që i bëhen shoqërisë dhe popullit shqiptar. Krijimtaria e tij, posaçërisht poezia na del e shpërfaqur si rreze dielli. Kështu te poezia “Ky jam unë” paraqet botën reale ndaj asaj areales:

dhe kur hesht

në mendje bluaj

shumë lexoj

nga pak shkruaj

kur unë flas

 mund të bërtas.

Në krijimtarinë e tij  autori del i natyrshëm, ku përmes vargut të tij melodik e figurativ na jap tablo të qarta të shtjellimit të motiveve, si ajo e atdhedashurisë, për heroin por edhe për dashurinë ndaj të afërmve.  Kjo që e thamë më parë na del te poezia “Pse Kosovë?” dhe “Duaje atdheun”:

Zot e djall/Nyjën ta lidhin/Se kem shpatën/E Lekës për derë/Mbi ty s’do lëmë gërshërë/Pa e ndezur dhe një herë.

E, te një poezi tjetër,  poezi lirike “Vargu im” autori sikur nuk heziton për ta shfaqur botën  imtime të dashurisë, asaj dashurie të sinqertë, ndaj thotë:

Të puth,

 të dashuroj

si më të bukurën dashnore.

Edhe e hidhët

Edhe e vrazhdë

Kur je.

  Tanushin e ringjall vlera dhe emocionet e arsyeshme, vrapon pas së bukurës, mediton për vargun, skalitjen e tij si mjeshtër i poezisë. Poeti sa lirik dhe epik, ecën i sigurt nëpër kohën duke prekur botën reale dhe atë imagjinatave, sikur edhe na duket tepër i dhënë pas dashurisë, e guximshëm shfaqet me një fisnikëri te poezia  “Portreti yt”.

Gushë bardhë

borë e bjeshkëve të larta

rrezet e diellit kur e vezullojnë

…………………………

Më je herë engjëll

herë zanë

që ndihem kaq djalë

pranë kur më je

Fran Tanushi ndalet edhe te dashuria e një realiteti të hidhur, por që përmes dashurisë shpirtërore dhe anës artistike i realizon  bukur përmasat e figurës dhe krahasimit se me “dy degët e një lisi” do të ndodhë realja, vullneti i poetit dhe i popullit të tij do të plotësohet një ditë kur bashkimi i Shqipërisë do të jetësohet. Kjo tematikë më së miri na vjen te poezia

dy degë

një lis

një trup

një gjak

të gjithë në kokë

të njëjtin plis

    Te libri “Jeta e censuruar” është edhe një veçori tjetër që nuk e gjen te poetët tjerë, që në një përmbledhje të shprehet ana emocionale e krijuese e njëjtë në poezi, si te babë e bir, ndaj këtë e shohim vetëm në librin e Tnushit në ciklin e pestë ku lexuesit i ofron poezitë e babait të tij, si poezia: “Guximi i nënës”,,”Luftë të ligës”, dhe “Lundrimi”

Ndërsa te libri tjetër i Tanushit “Ishulli im” na ofron me botën e tij krijuese, bukurinë artistike dhe figurat që e stilizojnë vargun e tij në mënyrë artistike dhe estetike.

Tanushi si një poet mërgimtar që e ndien thellë dhimbjen dhe mallin për atdheun shkruan rrjedhshëm e me dashuri. Kështu në natyrën e tij na jap atë kombëtaren, të cilën më së miri e shohim te krijimet e ndryshme të tij që i ka shtruar në gjerësinë e vargjeve figurative e emocionuese duke vënë theksin edhe tek ana shpirtërore e emocionale. Te poezitë e tij shohim një ngrohtësi, dashuri, po edhe urrejtje, dhe me ato nuanca nostalgjike.

Padyshim e them se përmbledhja  “Ishulli Im” është një vepër letrare që ka trajtuar me ngulm motivin e atdhedashurisë. Kështu përmes katër cikleve të tij në librin “Ishulli Im” apostrofohet si poet, krijues i përkushtuar me të bukurën dhe vlerën e poezisë artistike.

Poeti përmes gjuhës, shtjellimit, figurës, alegorisë, metaforës dhe forcës emocionuese na ka shfaqur një krijimtari të sinqertë poetike, e këtë e gjejmë me të gjitha elementet përbërëse të një poezie të mirëfilltë te poezia “E mbytën duke e dashur”:

Me grumbuj pështyme

E “puthën”

Fytyrën ja shëmtuan.

……………..

Lisi i moçëm u rrëzua

Nuk i shikon ata

Duke e mbytur të mjerën

Me “dashuri”

Dhe te poezia “Ideale të Ndrydhura”, si edhe te poezia “Çamëria” shohim unin e poetit si  shpërthen në zërin e bashkëkombësve të tij për bashkimin e Shqipërisë.

qajë mërinë/Çamëri/të ishim bashkë/e çajmë mërinë

Porosia, ëndrra, shpresa, dashuria, malli që na dalin në poezinë e tij janë thjesht një krijimtari shpirtërore “me vargje zemre”. E, duke qenë vetë i mërguar poeti, sikur më tepër e ndien dhe e shkruan vargun me emocione malli, dhimbje dhe dashurie. Me të drejtë mund të thuhet se, Tanushi si një poet i përpjekjeve, duke krijuar vargje të përsosura, imponohet para lexuesit, sepse e shfaq bukurinë e vlerën artistike,