Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD-ë) feston 4 korrikun

Sektori për informim i KKAD-së

  Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD-ë), përmes platformës virtuale festoi njëvjetorin e themelimit dhe në prani të anëtarëve të Këshillit paraqiti punën njëvjeçare. Para se ta merrte fjalën kryetari dr.Vaxhid Sejdiu, për 5 minuta u shfaq në një video e shoqëruar me këngën e Kastriot Tushës, e shoqëruar kronologjikisht me aktivitetet e Këshillit, që nga themelimi më 4 korrik 2020/21 deri më sot. Videoja e realizua nga përgjegjësi i sektorit të informimit, Mustafë Krasniqi, nën përkujdesjen e Këshillit dhe teksti nga dr. Vaxhid Sejdiu.

   Në fjalën e hapjes së takimit manifestues të 1-vjetorit të KKAD-së, Sejdiu tha: “Së bashku me bashkëbisedim në mes veprimtarësh të çështjes kombëtare dhe mësuesish të devotshëm të shkollës shqipe, për bashkërenditjen e kërkesave për një shkollë sa më të organizuar në mërgatën shqiptare solli krijimin e Këshillit të Mësimit Shqip për Diasporën (KMSHD), që sot mban emrin Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës (KKAD-ë). E gjithë kjo nuk u arrit brenda natës, por me një punë të mundimshme, dhe me orë të tëra përkushtimi, për të nisur rrugën më të mbarë për gjuhën dhe shkollën shqipe. Dhe këta veprimtarë kanë emra, dikush është angazhuar më shumë dhe dikush më pak: prof. Dr. Adriana Fishta-Bejko, Dr. Vaxhid Sejdiu, Mira Shehu, Mustafë Krasniqi, Teuta Tabaku, Anila Kadija, Miradije Berishaj, Qemal Zylo, Aurela Konduri, Mimoza Dako, Dritan Mashi, Melita Oreshkoviç, Musa Pali, Isuf Bytyçi, Armenda Aliti dhe Michelle Greco. Të gjithë përbëjnë KKAD-në, dhe sot kemi të drejtë të krenohemi me punën tonë të përbashkët.

Por, jo vetëm me kaq, ne krenohemi, edhe me punën e përbashkët me “Qendrën e Botimeve për Diasporën” (QBD) nën drejtimin e znj. Dr. Mimoza Hysa Çuliçi, si dhe me punën dhe përkushtimin e Ministrisë së Shtetit Shqiptar, nën drejtimin e z. Pandeli Majko. Në këtë rrugëtim të përbashkët patëm rastin të punojmë dhe të veprojmë edhe me shumë të tjerë, me të vetmin qëllim, që shkolla shqipe të organizohet sa më mirë. Dhe ne shpresojmë që në përpjekjet tona do të dalim faqebardhë!

E vërtetë është se ne jetojmë dhe punojmë larg atdheut, në vend të huaj, anë e kënd botës, por nuk guxojmë që gjuhën e nënës, gjuhën shqipe apo siç quhet ndryshe gjuha e perëndive, ta lëmë në mëshirën e fatit. Me të drejtë S. Hirzel në librin e tij, “Albanische Texte mit Glossar”, shkruan: “Gjuha Shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral. Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar.”

Dhe, ne shpresojmë, që në vitet në vazhdim KKAD ta realizojë qëllimin dhe vizionin, për të cilin është themeluar. Dhe ky mision arrihet kur punojmë dhe veprojmë sëbashku. Së bashku me të gjithë ata, të cilët jo vetëm dëshirojnë, por edhe punojnë e veprojnë në shërbim të përhapjes së gjuhës shqipe kudo ku jetojnë shqiptarët. Një kujdes i veçantë do t`i kushtohet bashkëpunimit institucional, atyre të cilët jo vetëm na bënë me VKM-ë, por edhe e kuptuan qëllimin tonë të mirë dhe na e shtrinë dorën e bashkëpunimit, siç është rasti i institucioneve tona, kolegët apo shoqatat shqiptare në të katër anët e botës. Dhe, sot Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në diasporë (KKAD) e feston ditëlindjen, ditëlindjen e saj të parë” – Tha Sejdiu

Pastaj, 1-vjetorin e KKAD-së e përshëndeti edhe Prof.Dr. Adriana Fishta-Bejko, Mira Shehu, Mustafë Krasniqi, Teuta Tabaku, Anila Kadija, Miradije Berishaj, Qemal Zylo, Aurela Konduri, Dritan Mashi, Melita Oreshkoviç, Musa Pali, dhe Armenda Amiti, në fund ngritën gotat e shëndetit, për punën njëvjeçare të KKAD-së!

Nga ky manifestim doli njëzëri kërkesa e anëtarëve të KKAD-së, që te dy ministritë përkatëse të shteteve tona shqiptare të bashkëpunojnë ngushtë njëra me tjetrën për të realizuar qëllimin, vizionin dhe misionin e nisur të KKAD-së dhe për unifikimin e shkollës shqipe në Diasporë. Po ashtu gjatë ngritjes së gotës së urimit, ishte edhe një kërkesë e përbashkët:  “Kërkojmë edhe nga ministritë përkatëse të Republikës së Kosovës, që përpos përkrahjes dhe inkurajimit që marrim nga ta, të kemi zyrtarisht edhe njohjen institucionale dhe bashkëpunim real.”

Me bashkimin dhe institucionalizimin, do të arrijmë suksese të mëtutjeshme, ngaqë nuk do të ketë zëra të ndryshëm se kemi apo s’kemi përkrahje institucionale! Kjo, jo vetëm që i bënë nder diasporës shqiptare, po edhe e vetëdijëson diasporën shqiptare, për rritjen e numrit të nxënësve, hapjen e shkollave shqipe dhe së bashku të gjithë në këtë rrugëtim do t’ia dalim me suksese që ta kultivojmë gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare!