KISHA VDEKUR… NUK E DIJA!?

Nga M.Krasniqi

Agim Doçi 09.05.1948-22.06-2024

Agim Doçi iku përtej kësaj bote në moshën 76-vjeçare, më 22 qershor 2024, lindur më 9 maj 1948 në Shkodër, po aty mbaroi shkollimin dhe gjimnazin dhe studimet e larta i mbaroi në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. 

Agim Doçi, poet i madh kombëtar, autor i shumë teksteve të këngëve për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, disa nga të cilat janë edhe këngë hymne. Doçi ishte mjeshtër i madh i vargut të bukur poetik, ishte edhe njohës i thellë i shpirtit të Popullit Shqiptar, andaj atdhedashuria në krijimtarinë e tij shquhet dhe është mrekullueshme!

Poeti i mijëra teksteve të këngës shqipe, kushtuar për atdheun, lirinë, dashurinë; artisti i fjalës së gdhendur, krijuesi që le pas këto vepra: “Hajde dru me pre”, “Rrëzuar mbi vetminë”, “Rituali i kryqëzimit”. Fituesi i mbi 50 çmimeve dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në “Eurovizion”.  Poeti i këngëve të bukura, bashkëpunues me shumë kompozitorë dhe me këngëtarë të njohur,, i dhjetëra këngëve patriotike dhe 100 këngëve tjera të suksesshme, ndër to kushtuar luftës së Kosovës, poet që me ndjenja shpirtërore shkroi vargjeve himnizuese për Kosovën dhe UÇK-në, ndër këngët tjera ishin: “A vritet pafajësia”, “Ti Shqipëri më jep nder” , “Marrshi i UCK-së” dhe “Mos ja prishni lumturinë”, “Në një flamur të pandarë” e shumë këngë tjera të shoqëruara me tingujt muzikorë, të cilat u skalite në shpirt miljona shqiptarëve vargjet e këngës tuaj dhe ato u bënë të preferuarat për publikun, e do të mbesin në memorien e tyre brez pas brezi.

Lamtumirë artist i madh i kombit, Agim Doçi!

Poezi nga indjeri Agim Doçi

KISHA VDEKUR… NUK E DIJA!?

Kisha shumë vite që kisha vdekur
Erdhën plot njerëz dhe në varrim
Sa fjalë të bukura që kishin gjetur
I kishin shkruar mbi varrin tim…

Sa turp më vinte, sa më peshonte
Rrasa e varrit me ato fjalë.
Ndonse parajsa nuk më pranonte
Ndoshta dhe shpirti s’më kishte dalë…

Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë
Doja nga njerzit një fjalë të ngrohtë
Vetëm më iku, jeta e tërë…

Tani që s’jam, mos u friksoni!
Se larg prej jush vendin e gjeta.
Rri kuvendoj me Perëndinë
Ai s’paska frikë nga e vërteta!