KKAD MBAJTI TAKIMIN E RADHËS

Redaksia

Më 07.08.2023, përmes platformës Zoom; Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), mbajti takimin e radhës, ku pjesëmarrës ishin: Vaxhid Sejdiu, Mira Shehu, Miradije Berisha, Anila Kadija, Mustafë Krasniqi, Teuta Tabaku, Dritan Mashi, Melita Oreskovic, Aurela Konduri, Michele Greco dhe Isuf Bytyçi. Në këtë takim qe e pranishme edhe drejtoresha e QBD-së, Dr. Mimoza Hysa.

Takimin e hapi kryetari i KKAD-së Dr. Vaxhid Sejdiu, i cili foli për ecurinë e Seminarit të XVI Mbarëkombëtar, me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë. Seminari i zhvilloi punimet në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, në datat 30 korrik deri më 2 gusht 2023. Ky seminar u mbajt nën organizimin e dy Ministrive përkatëse të Arsimit, të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Takimi filloi me këtë rend të ditës:

1.  Analiza e Seminarit të mësuesve, vërejtje, këshilla dhe sugjerime,
2.  Rreth organizimit të KKAD-së dhe
3.  Të ndryshme

Kryetari i KKAD-së z. Vaxhid Sejdiu  në fjalën e tij hyrëse përshëndeti anëtarët e KKAD-së dhe drejtoreshën e QBD-së znj. Mimoza Hysa. Ai e vlerësoi seminarin si të suksesshëm që arriti pritshmëritë tona Nga mësuesit pjesëmarrës në seminar të cilët ishin rreth 150 mësues/e nga diaspora dhe mërgata, u tregua një interes i veçantë për temat e përzgjedhura në punëtoritë e ndara në grupe. Në këto punëtori qenë dhe tre anëtarë të KKAD-së  me këto tema: 

  • Mënyra e organizimit të një pike shkollore,  Vaxhid Sejdiu,
  • Mësimdhënia përmes teknologjisë në diasporë, Teuta Tabaku,
  • Orë leximi – Lexojmë bukur e rrjedhshëm në gjuhën shqipe, Miradije Berisha, dhe
  • Aurela Konduri me temën: Dygjuhësia e padukshme, si trajtohet në sistemin arsimor bashkëkohor dhe roli e qëndrimi i mësuesve ndaj kësaj dukurie. Politikat arsimore dhe përvojat e mësimdhënësve në Greqi, si dhe menaxhimi i gjuhës shqipe në nivel komuniteti dhe nivel familjar. (në seancë plenare)

Më pas fjalën e mori znj. Mimoza Hysa, e cila falënderoi KKAD-në, vlerësoi punimet e  seminarit, duke pohuar se gjithmonë ka vend për më mirë edhe për kritika, por në përgjithësi qe një seminar i suksesshëm për të cilin u angazhua dhe punoi komisioni i përbashkët Shqipëri-Kosovë.

 Në vijim të takimit morën fjalën: Aurela Konduri, Miradije Berisha, Dritan Mashi dhe Teuta Tabaku, Anila Kadija, Mustafë Krasniqi, Mira Shehu Michele Greco, Melita Oreskovic dhe Isuf Bytyçi të cilët vlerësuan organizimin e seminarit por theksuan gjithashtu mungesën dhe përcjelljen e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në diasporë, nga ana e mediave.

Një falënderim nga të pranishmit në takim u bë për z.Mustafë Krasniqi, i cili për katër ditë radhazi përcolli ecurinë e seminarit, përmes faqes “uraebashkuar.com”.

Në mbyllje të takimit u ra dakord që së shpejti KKAD, të dalë me një kërkesë drejtuar  Lidhjeve të Mësuesve, shoqatave shqiptare dhe mësuesve të pavarur, që kërkesat, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre t`i adresojnë në  KKAD, me qëllim që të hartojmë apo të bashkërendisim kërkesat në fjalë për unifikimin e shkollave shqipe dhe teksteve shkollore në diasporë e në mërgatë. Më pas KKAD-ja do t`i adresojë ato tek institucionet tona.

Sektori për informim i KKAD-së:
Mustafë Krasniqi dhe
Isuf Bytyçi