KMDLNj kërkon sqarim pasi, Josep Borrell tha se ka marrë garanci nga kryeministri, Kurti, për serbët e veriut

Në reagimin e  Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, lidhur me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi për lëvizje të lirë  thuhet se pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-e e të përkrahura nga Amerika  u arrit pajtueshmëria e zbatimit të Marrëveshjes për Liri të Lëvizjes, të  nënshkruar në vitin 2011 përmes njohjes së dokumenteve. Pas kësaj plasi polemika për meritat e kësaj marrëveshjeje ndonëse gjërat ishin dhe janë të qarta se çka ishte nënshkruar dhe pjesërisht për çka është arritur pajtueshmëria pas një presioni të madh ndërkombëtar. Për KMDLNj ende nuk është e qartë se çka përmban pajtueshmëria, sepse mungon një tekst integral, nëse ka apo një sqarim i plotë i kryeministrit Kurti për qytetarët e Kosovës. Për KMDLNj është tregues shqetësues deklarimi i Borrellit pas arritjes së pajtueshmërisë se ka marrë garanci nga kryeministri, Albin  Kurti për serbët e veriut. Për çfarë garancionesh bëhet fjalë e për të cilët nuk janë informuar qytetarët e Kosovës? Pastaj, nëse bëhet fjalë për reciprocitet të plotë, pse Serbia do ua lëshojë qytetarëve të Kosovës një letër ku shkruan se pajtueshmëria për njohje reciproke të dokumenteve nuk nënkupton se Serbia e njeh Kosovën. Nëse kështu veprohet, qytetarët e Kosovës nuk duhet ta pranojnë atë letër edhe me kusht se do të kthehen mbrapsht, thuhet mes tjerash në reagimin e KMDLNJ-së.