Kom pa i ondërr mromë

Ervina Toptani

Nga Ervina Toptani

Kom pa i ondërr mromë, pri atyne ondrrave që dojsha me e dëfty t`u m`u mor fryma pri qejfit t`kallzumes. Aqi fort e kom përjetu sa kur u qush m`rrifte zemra si me qenë zog i vogël qi merr flutrimin për her` t`parë. Qe t`u m`dalë venit!

Dita kish zbardh e latueme pri rrezesh t`florinit e dilli e përkedhlte urën e “100 dashnive” me frymë t`ngrofët e t`butë si avlli i bukvales qit taze. Ishin mbledh i tufë goca, pri atyne qi syni robit veç n`ondërr i shef e qi lindin e rriten t`ui pi ujë pusi brisk e tuj là ftyrën si kadonat me pikla t`kristalta vese qysh pa gdhi mirë m’sabah. Dritë lshojshin dimiqtë e bardhë e u dukshin si rosa e mjelma t`bekueme, skarpinat hijeshu me yjet e mjesit qi pri vezullimit t`modh kur i shifshin gocat te burimi, përmi komë u kishin zdryp e i kishin hijeshu. Beli mulu me kollan florini, kput si gjysëm hone që gjinjtë e bollshëm vijzojshin n`harqe triumfi ku jeta derdh qumësht zanash, pri atij qi ngre n`komë ene t`vdekmit. Jeleku zbërthy se s`un e nxejte gjithë at` bereqet qi Perenia hise u ka dhon me e bo t`bukrën t`prekshme me dorë e syni robit me e sodit e me kongë dashnie merakun me qitë.

Kish nigju hona e dilli se gocat xhevahir lindin veç m`at` onë e kishin zon` ven n`sy e vetull me u derdh si kunorë. Vijshin t`bukrat e dheut tufa tufa zerdeli si biluri bardhë mlu n`dashni. Çunat ke koni kishin zonë pritë, bukurisë s`omël kadalë me iu avitë. Fol i llaf mi shtatselvi se m`dogji molli qi kom n`gji. “A munshi me na çu atje ku lind dilli e krej osht hijeshu me copa ylli veni?” Ke ura e Shijakut, ke ura “100 dashnive”, aty tamom nisi ondrra ime. Aty ku ashikt e ri kan knu kaher’ për dashni. Aty ku mezet e rakija i shoqnojte përher’ qershia, bajomja e zerdelia.

U bonë i mijë çuna e goca përdore rrugës tuj shku, u nisën për Tironë, zemrat atje me i bashku. Ruga shtrume u mush me lule, nisi konga e vallja pri Shijaku, mur me vete gjithë katunet, robi modh giloi t’u ardh. Mrritën te portat e kalasë, dilli fort e kish nriçu, bijshin dajret e lodrat vú, krej Tirona u pat zgju. U mushën rrugët e bahçet plot me t`ri e me aheng, giloi dashnia rrugve e mloi gjithë nji qytet. U hapën portat e miqtë e ri u yzmetun, shpijat çilë si kaher’, erdhën gocat me u martu. Me lulebore e carac t’omël mjoltë, tranofile e selfion, vijte era njerzillik, kishte dasëm Tirona jonë. M`gufoi zemra e s`un e majsha mo gjithë at` gzim për vete. Thirrëm miq ene shoqni pri jugut e der n’veri. Ijet ne momat ke portat dalë, shamitë e bardha si biluri i nritshin m`kry, mësallat me bojna hijeshu, te pragu gocave tuj knu. U bo dasëm e modhe, u bo aheng tirone. Erdhën miq pri Kosove, Gostivar e Çamëri, s’pat mo harta e politikë, Shqipnia u bo krejt nji.

Si u përqafshin robt me njoni tjetrin, si vllezën, miq e krushqi, u kish qa zemra për shqiptari. U nda buka ne rakia, u nda dahoni e mirsia, u knu deri n’akshom, u bo dasëm si kurrë mo parë. Kishin pru pri venit t`vet t`gjithë shqiptarët e ardhë n`Tironë veç mo t`bukrat që toka e tyne kishte me dhonë. Nuk shifshe i rob të shtremnu, nuk pat i llaf t`hidhët a i sy përmys, nuk njeli rob pa gzu. U bo kuvend me pleq e t’ri, u mlodhën si m’at vakt, shpatllat Shqipnisë me i vu, kët farë veni me ndërtu. S’kaloi sahati kur ja mrrinë vllazën e motra pri kurbeti, valoi ahengu ne i her’ u kthyn t’gjithë n’ven t’vet. Ene pri vorreve u ngjojshin fjalë, gjysht e vjetër kishin ardh’ me frymn e Zotit tue beku, Shqipninë e re me trashëgu. Kalamoj si engjuj t’u vrapu, t’u lujt e t’u u përqafu, u kthyn n’Shqipni me festu, folshin n’gjuhë t’nonës vet, ate t’omlën si shërbet.

Ato robt e zi qi n’armiqsi kët ven e kishin fut, ata qi veç vjedhin e mashtrojn’ mas malit t’Dajtit i degdisën, i vunë i gardh t’modh ene u rehatun’. Dul i dilli ngrofët, tokat tona me i beku, ene Zoti vetë erdh kto rob me i përqafu. “Mo n’fun e kuptut, se shpirtin n’moj t’hunit ma prutë” – kshu tha Zoti n’ondrrën teme.

Sa qesh t’ui lidh dimiqtë me kërcy m’aheng me u shkri, m’dul gjumi, medet për mu, fort po fort u trishtush….

T`kishe zgjat ne i dekik ma gjatë mi ondërr sa ta puthsha i herë momën, t’bojsha bè ene rrfe qi kët ditë s’e pashë veç unë. Kshtu pra vendosa me ju shkru, ishit t’gjithë kët’ ditë me mu…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *