Letër e Hapur
Drejtuar :
Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë,
Partive politike pjesëmarrëse në Kuvend,
Intelektualëve të mirëfilltë,
Akademikëve,
Ambasadores së SHBA në Tiranë,
Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë
Gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë:
Për fatin tonë të keq, në këto 32 vite të pluralizmit politik në Shqipëri, klasa jonë politike nuk ka bërë zgjedhjet e duhura që vendi ynë të kishte në krye një President (Kryetar Shteti) gjithëpërfshirës, të gjithëpranueshëm të plotësuar me të gjitha vyrtyteve dhe veçoritë e një njeriu të besueshëm, me përvojë jetësore në të gjitha fushat, që të drejtonte me urtësi dhe mençuri Shqipërisë, të cilës akoma po i dhëmbin plagët që i kanë shkaktuar makutëria, paaftësia, mosdija dhe jovlerat e Klasës Politike në përgjithësi.
Kjo fatkeqësi ka ardhur si rrjedhojë e një mendësie të prapë të popullit tonë, sipas së cilës ne nuk e pranojmë njeritjetrin, edhe pse në vetvete i njohim vlerat e të tjerëve. Së dyti, Partitë politike përzgjedhin njerëzit jo falë vlerave të tyre për t’i shërbyer Kombit, por sipas të qenit të gatshëm për t’u shërbyer interesave të Partive, apo grupimeve të “të fuqishmëve” brenda Partive.
Asnjëherë në këto 32 vite nuk janë bërë përpjekje të vetëdijshme për të vënë në krye të Shtetit një njeri me Vlera… Asnjëherë!
Dhe duhet ta pranojmë që kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër në Botë.
Kjo ka dëmtuar jo vetëm paraqitjen e Shqipërisë në gjykimin e të tjerëve, por edhe ka humbur besimin e popullit shqiptar, kudo që jeton.
Jo në pak raste na ka bërë edhe qesharakë para syve të Botës.
Veç ajo që është e palejueshme mbetet morali i shkatërruar, papërgjegjsia ndaj “të përbashktës” dhe shpërfillja ndaj ardhmërisë sonë.
Të gjithë pyesim: Ku po shkojmë kësisoj???
Veç asnjeri nuk po përfillet që të gjejë një rrugëzgjidhje që të shërojë plagët dhe dhëmbjet.
Njera zgjidhje do të ishte zgjedhja e Presidentit nga populli, po politikanët tanë të të gjitha kahjeve nuk ishin të njehësuar në këtë dhe nuk janë akoma e nuk kanë për të qenë asnjëherë.
Arësyeja dihet… Nuk kanë interes të humbasin shansin për ta patur Presidentin një “Ushtar të bindur” të Partisë.
Meqënëse këtë zgjidhje nuk e bëjmë dot, ne, një grup intelektualësh të mirëfilltë, të shqetësuar për fatet e Kombit, pas shumë kërkimeve të një emri që të meritojë karriken e Presidentit të Republikës, paraqesim për të na përfaqësuar me dinjitet, emrin e një gruaje të nderuar dhe të respektuar, intelektuale akademike e plotësuar me mbivlera të padiskutueshme, shkrimtare, përkthyese, kritike letrare, studjuese në filologji dhe më gjerë, publiçiste, e paanëshme, e paisur me një ekuilibër të përkryer mendimi dhe veprimi… Një Urtësi të Mençur, siç i quanin këta njerëz të rrallë në gjuhën e popullit tonë në të gjitha kohët.
Ajo quhet Iskra Thoma Tata.
Lindur e rritur në Vlorë në një familje vlonjate me tradita atmëmëdhedashurie dhe kulturore e fisnikërie. Mbaroi gjimnazin me rezultate të shkelqyra dhe shkoi studente në degën e Filozofisë. Pas diplomimit (sërish me rezultate të shkëlqyera) emërohet Pedagoge në Universitet, por pas pak kohësh e caktuan si redaktore në gazetën DRITA. Më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë e përfundimisht Zv / Drejtore në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” ku punoi deri në vitin 1996.
Një grua e rrallë që diti të krijojë dhe të mbajë një familje të mrekullueshme, familje të cilën do ta lakmonte çdo njeri. Ka rritur dhe edukuar dy djemë të mrekullueshëm, të cilët ecën nën shembullin e prindërve dhe sot janë integruar në pozicione kyçe në Europë dhe po japin kontribut të vyer.
Edhe pse pati nxitje për tu bërë anëtare e Parisë së Punës, me mençuri arriti të qëndronte larg politikës.
Gjatë kohës kreu kursin pasuniversitar për kritike letrare. Më pas përfundoi edhe shkallën e parë për Akademinë e Shkencave.
Gjatë gjithë kohës, përmes punës së vëmendëshme e të kujdesshme të saj, shumë krijues gjetën rrugën e suksesit, duke kapërcyer shpesh edhe barriera ideologjike e politike, në saje të kujdesit dhe dashamirësisë së Iskrës.
Sot janë të shumtë krijuesit me emër (duke nisur që nga Ismail Kadare) që për Iskrën shprehen me nota të larta, qoftë si njeri, por edhe si drejtuese, kritike letrare, redaktore, studjuese, përkthyese dhe publiçiste.
Largimi i saj nuk u bë me dëshirë. Disa rrethana familjare e detyruan të vendosej në Itali, në Modena. Sidoqoftë, edhe aty, jo lehtësisht, e gjeti veten në rrethe intelektuale. Punoi fort për të paraqitur vendin e vet në ambientet universitare dhe në shkolla të ndryshme, ndihmoi krijuesit tanë të diasporës që të kishin hapsira për të shpalosur prirjet e tyre… Për t’u përmendur është edhe fakti që ka krijuar një kënd të konsiderueshëm me libra në Gjuhën Shqipe në një nga bibliotekat prestigjoze me emrin “Delfini” në Modena.
Shumë shpejt fitoi respektin dhe mirënjohjen e njerëzve me influencë të artit dhe kulturës. Për t’u përmendur është miqësia me shkrimtarë dhe poetë të dëgjuar, me këngëtarë dhe piktorë të njohur. Mes tyre, po përmendim njohjen me Luçiano Pavaroti.
Gjatë këtyre viteve na ka sjellë në Gjuhën Shqipe të përkthyer disa nga shkrimtarët më të njohur italianë, si Luigi Pirandello, Edmondo de Amiçis, G. Pascoli, D. Angeli, M. Colombi, C. Lara, G. Deledda, A. Merini, shkrimtarë francezë si Gi De Maupassan, Sharles Perraut, Jacque Paustis, Alexis Lacrua, Anne Philipe.
Gjatë kohës ka marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare në vende të ndryshme të Europës dhe SHBA.
Ka shkruar shumë artikuj studimorë e shkencorë për letërsinë në organet më me zë. Libri i parë është “Individualitete dhe vepra letrare”. Më pas botoi perkthime edhe per femije dhe vitet e fundit librin me novela, tregime dhe publicistikë “Jetë buzë detit” që u pasuan me tri libra të tjerë në bashkautorësi me shkrimtarin vlonjat Pajtim Xhelo, “Kuajt e natës së bardhë” – tregime dhe novela, “Netët cigane ” – novela dhe “Mes dy dashurive”- novela. Së fundi del në dritë bashkëpunimi më i ri me shkrimtarin Pajtim Xhelo “Shprehje frazeologjike përmes rrëfenjave” një libër i veçantë, një risi në punën studimore të gjuhësisë.
Idhulli i saj ka qenë dhe mbetet shqiptarja e madhe e të gjithë kohëve, Nënë Tereza: Ka botuar disa shkrime dhe intervista për të.
Ata që e njohin Iskra Tata (Thomain), e thonë me plot gojën që ajo është pasardhëse e denjë e Nënë Terezës. Vitet e fundit, edhe pse ka jetuar në Itali (vinte shpesh edhe në Shqipëri). Iskra Tata (Thoma) ka lobuar për Shqipërinë, për Historinë e saj, më shumë se ç’kanë bërë edhe njerëzit që e kishin detyrë funksionale shtetërore atë veprimtari.
Duke u nisur nga të gjitha këto, ne, grupi nismëtar i këtij propozimi, i drejtohemi Gjithë Opinionit Publik dhe organizmave që përmendëm në krye të kësaj thirrjeje që të kthejë sytë dhe mendjen nga Kjo Grua e Rrallë, që do të jetë Fat i Shqipërisë dhe faktor i Paqes Sociale në këtë vend të dërrmuar nga lufta politike donkishoteske.
Bashkohuni të gjithë me këtë përzgjedhje që të shohim një dritë jeshile më në fund!
Jepni miratimin tuaj këtu, te kjo Letër e Hapur.
Faleminderit
Për Grupin Nismëtar (të përbërë prej 30 intelektualësh krijues)
Ahmet Brahimi, publicist, krijues, studjues.
12 Prill 2022 ,Verona, Itali.