KRYETRIMIT . . .

Përmbledhja nga Hamza Halabaku

KRYETRIMIT . . .

Në jetën tonë gjithnjë, o Kryetrim,
Me vëllezërit dy jubile kemi kremtuar.
Pesë shekuj pas rënies në amshim,
Fëmijët me emrin tënd i kemi pagëzuar.

Për stërnipërit përsëri do të ketë jubile
Edhe pas një qind shekujve që vijnë.
Përkrenarja me shpatën fort do të ndrijnë,
Dhe në krye të trimave do të jesh Skënderbe

U L P I A N Ë S

Sa vargje janë thënë për Ty,
Shkruar e radhitur një pas një…
Plagët e historisë t´i shoh në sy
Ulpianë, që rrjedhin gjithnjë…!

Të kujtohet, kur t´i shqiptoja
Me zemër kaq të zhuritur…?
Para botës troç i thoja,
Sa robërinë e kam çuditur…!

Të kërkoja rreth Prishtinës
Shumë dekada më parë…
Natën pa hënë në mug të stinës,
Sa herë jetën ua kanë vrarë!

Shikoj sot poshtë tokës Dardane,
Veç folenë nën një vel lavdie…
Muza seç rend asaj ane,
Të ngopet me fllad lirie…!

Dashuria ka lidh thelpinjë,
Të dyja u ka në zemër…
Gjallërojuni kur të vijë
Vargu im, t´u flas në emër!

UNË DHE TI…

Ti je andej, unë këndej…
Në mes na ndanë i rremi kufi,
Mua dhe Ty…

Unë i besoja Nënës,
Ti njësh me mllefin e nëmës,
U pamë në sy…

Pse kjo ndarje asaj ane?
Kur thonë se të një nëne,
Jemi të Dy…

Në mes e vuri kufirin
Dasia që karmoj zafirin
Me na mësy…

E di, se buzagaz një ditë,
Agimi ka me shëndritë
Në jetë me hy…!

Grimca, guri i pendesës,
Do bëhet nga Dielli i Shpresës
Për ne të Dy…!

KUSH VJEN KËTU DO TË IKË…

Shtatë dekada më parë
Erdha në këtë botë . . .
Përherë e vura në kandarë,
Veç më doli sa një gotë!

Po, shtatëdhjetë pranvera,
Çapita në këtë jetë . . .
Nësa e mata përhera,
Prapë më doli sa një fletë!

Kurdoherë sa një gotë!
Kurdoherë sa një fletë!
Kush vjen si ters ashtu kotë,
Pa u ndjerë ik nga kjo jetë . . .!

KU JEMI NE ?

Shtëpinë në veturë e kemi ne,
Veturën shtëpi në pranverë e verë.
Shkojmë e vijmë vjeshtës e dimrit me re,
Mërgimi na ndjek pas si lypës i mjerë . . .

Çdo stinë e njomim me mallin e vendlindjes,
Andej shkojmë të përlotur e kthehemi të lodhur…
Në kufi na shikojnë edhe ngjyrën e qimes,
Policëve u themi “asgje s´ka ndodhur!”

Të gjithëve u themi “s´kemi gjë pos plaçkave tona”,
Se padurimi drejt Prishtinës po udhëton…
Tek vatra e të parëve është nis maratona,
Tek zemra e Lokes që në pritje lëngon…!

Ata dhe ne jemi mësuar me udhëkryqet…
Mbase dhe ne do t´i lëmë bebëzat diku!
Atje ku në vetmi ligjërojnë qyqet,
Atje ku nënat treten nga gjëma “Kuku!”.

E SHKUAR . . .

Gjatë, në kohë të shkuar,
Ndava kafshatën e bukës,
Tek shtegu nga kalove,
Të të nxirrja nga terri . . .

E ti, e uruar,
Më shoqëroje rrugës,
Dhe më ndihmove,
Të ikja nga sherri . . .

URA . . .

Ura na lidh me Ju
Dhe nga Ju na ndanë . . .
Me botën larg diku
Na bashkon anë për anë.

Themi: kush të ndërtojë,
Andej mbi lumin e rrallë?
Klithim: kush të rrënojë,
Mos pastë ditë të bardhë!

O njerëz të mirë,
Që urat kot rrënoni!
E rëndë, e pështirë,
Qoftë nëma që u sjell te përroi!

O miq, ura ndërtoni,
E nesërmja të kalojë!
Brigje të largëta bashkoni,
Ditët të rriten si shebojë!

TË KORRUPTUARIT …

U shoh, u shoh, o miqtë e mi!
Kishit ngritur pallate e jo shtëpi!

Sa u doja, respektoja e nderoja
e duart me zemër ua shtrëngoja!

Keqardhja e zeheros verës këtij viti,
Mbi varfërinë fitimi dhëmbët ckërmiti!

Kur do të shporret fytyra e mjeran “Maliqit”
e mbi selinë e shtetit të jehojë kënga e ligjit!