Letër e hapur Dritan Abazit (Abazoviç)

Nga Tefta Cami

LETËR DREJTUAR KRYEMINISTRIT TË MALIT TË ZI, Z.DRITAN ABAZOVIÇ

Përshëndetje, z.Dritan Abazoviç!

U gëzova shumë, kur u zgjodhët kryeministër i Malit të Zi për këto arsye:

  1. U bëtë tre kryeministra shqiptarë në gadishullin dikur të Ilirisë e prej mëse një shekulli i emërtuar nga Fuqitë e Mëdha, gadishulli i Ballkanit, që do të bashkëpunonit e konsultoheshit për zhvillimet e vendeve dhe të zgjidhjes së çeshtjes shqiptare.
  2. Siç e keni emrin Dritan, do të ndriçonit e zgjidhnit mjaft probleme të shqiptarëve në Mal të Zi, siç ështē problemi, që vazhdojnë të praktikohen presione për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre dhe popullimi me popullsi malazeze e serbe siç ka ndodhur në Krajë e në Tivarë dhe gjetkë.

Do të zgjidhnit zbatimin e Vendimit të Kongresit të Berlinit të vitit 1882, ku qe vendosur që Ulqini të mbahej 100 vite nga Mali i Zi dhe pas 100 viteve t’i kthehej Shqiperisë. Ky afat ka përfunduar që në vitin 1982. Megjithëse, pas Vendimit të Kongresit të Berlinit janë marrë edhe Vendime të tjera ndërkombëtare në dëm të trojeve e të shqiptarëve, por kisha besim tek ju, se do të gjenit zgjidhje të përshtatëshme jo vetëm për Ulqinin e martirizuar e shkatërruar nga bombardimet e flotës së Fuqive të Mëdha në shekullin e XIX-të, por edhe për Tivarin e Plavën dhe Gucinë.

Ndërsa ju si kryeministër bëtë një veprim të papritur e në kundërshtim të interesave të shqiptarëve e të malazezëve: Firmosët marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe, që bie në kundërshtim me ligjet e Shtetit të Malit të Zi.

Si nënë shqiptare po të pyes: Pse mor bir nuk u konsultove me presidentin z. Milo Gjukanoviq, që njihet si një personalitet i shquar? Pse nuk bisedove edhe me dy kryeministrat e tjerë shqiptar, z.Edi Ramën, që njihet si i vetmi kryeministër pas viteve ’90-të si kryeministër prestigjioz në vend dhe paraqitet jo si inferior, por si i barabartë me dinjitet përball përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare; me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, që ka përvojë për problemet e shqetësimet e mëdha, që i kanë shkaktuar e i shkaktojne krerët e Kishës Serbe në Kosovë, të cilët përdoren si pararojë e qëndrimeve shoviniste serbe?!

Kur kam qenë për vizitë në Kosovë në vitin 1980-të si ministre e Arsimit dhe Kulturës, në Deçan dëshiroja të vizitoja Manastirin e Deçanit, për të parë shandanin që i kish dhuruar Skënderbeu, heroi ynë kombëtarë këtij Manastiri, sepse në ato vite ishte Manastir i ritit katolik. Pothuajse në çdo Kishë e Manastir në Kosovë gjen gjurmë të afreskeve e bazoreliefeve iliro-shqiptare, me gjithë ndryshimeve që u kanë bërë serbët këtyre monumenteve të kultit për t’i përvetësuar e tjetërsuar.

Pse nuk u konsultove me historianë, që të njiheshe me lashtësinë e krishterimit në Iliri të ritit katolik. Krishterimi në Iliri ka filluar që në vitin 33, dmth, në shekullin e parë pas Krishtit. Ungjillin e Krishtit e suallen në Iliri dy apostujt Pavli e Mateo nga Jeruzalemi e u përqafua nga popullsia pagane ilire dhe ngritën kisha e manastire të ritit katolik. Ilirët ishin të shtrirë në Veri deri në Trieste, në Jug deri në gjirin e Ambrakisë dhe në lindje deri në lumin Danub. Iliria erdhi duke u tkurrur me ardhjen e fiseve serbe të njëpasnjëshme nga Kaukazi e Uralet, me ardhjen e bullgarëve e malazezëve dhe me mësyemjet e grekëve nga ishujt në viset ilire. Popullsitë ardhacake vranë e shpërngulën popullsin ilire dhe pushtuan trojet e grabitën pasuritë e vendasve, grabitën kishat e manastiret të ritit katolik dhe i shndërruan në kisha e manastire të ritit ortodoks të kishës bizantine të Lindjes.

Detyra juaj si kryeministër ishte që monumentet e kultit në Mal të Zi t’i shndëroje në identitetin e vet, në kisha e manastire katolike dhe jo të përligjëje e të firmosje marrëveshje me Kishën Ortodokse serbe të ritit kristian lindor.

Kush të mashtroi e kubiti, o bir? Kush të bleu, o biri? Kush ta mori mendjen e të bindi, o djal? Me sa duket jeni i rrethuar nga këshilltarë diletantë.

U pikëllova shumë, kur Parlamenti i Malit të Zi me të drejtë të shkarkoi, o djal! Unë prisja, që të tërhiqeshe e abandonoje atë Marrëveshje. Nuk është turp të pranosh fajin e të tërhiqesh, por është trimëri të pranosh publikisht fajin.

Unë më shumë u dëshpërova, se pas shkarkimit tuaj, ju Marrëveshjen me krerët e Kishës serbe e vlerësove si të drejtë e të problemeve të mëdha, që kishe ndërmarrë në mëse 100 ditë të qeverisjes tënde. Kësaj i vjen era tradhëti, që do t’ju shënohet në histori.

Ne nënat i duam fëmijët tanë që të jetojne e punojnë në interes të familjes e të vendit. Ne nënat nuk i abandonojmë apo t’u kthejme krahët fëmijve tanë për gabimet e fajet e tyre, por i përtypim e i falim gabimet e fajet e tyre.

Por ne nënat lëndohemi, kur ndonjë fëmij udhëhiqet nga babëzia e tradhëtia. Lëndohemi nëse bijtë tanë përpiqen të hakmerren ndaj atyre, që i kanë ndëshkuar, sepse hakmarrja është tregues i primitivizmit. Ne nënat i  qëndrojmë pranë dhe e ngushëllojmë birin tonë:”Mos u dëshpëro e mos u mposht nga dështimi, por mendo se si do ta korrigjosh fajin apo tradhëtinë, që i bëre vendit dhe parashiko, se si do te ringrihesh në pozita të shëndosha!”

Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës