LIBËR PËR JETËN ME NUANCA FILOZOFIKE

Ma.sc. Fatmir HALIMI

Shkruan: Ma.sc. Fatmir HALIMI

LIBËR PËR JETËN ME NUANCA FILOZOFIKE


Libri me poezi me titull domethënës dhe fiksional “Etja e Ujit” i autorit Ahmet Pllana ka poezi me tema e motive të larmishme. Vetë titulli i librit ‘Etja e ujit’ nga diskursi teorik-letrar determinon dy rrafshe të mëdha, atë të rrafshit fiksional dhe atë konkret. Nëse nisemi nga rrafshi apo aspekti diskursiv e letrar, etja e ujit është një metaforë e madhe në diskursin stilistik, pasi që ne e dimë se gjithçka mund te ketë etje dhe atë etje në shumicën e rasteve e shuajmë me ujë, por që të ketë etje edhe vetë uji këtë e gjejmë vetëm te autori Ahmet Pllana. Prandaj në aspektin fiksional kjo bëhet një figurë e fuqishme stilistike.
Kurse nga aspekti konkret uji është një prej faktorëve kryesor te jetës së njeriut, se pa të vërtet nuk ka jetë dhe për rëndësinë e ujit në tokë autori ia kushton edhe një poemë të gjatë siç është; ‘Këngë për tokën’ (Kushtuar planetit Tokë, me rastin e 22 Prillit – Ditës së Tokës).

Keine Beschreibung verfügbar.


Marrë si tërësi edhe uji mund të ketë etje, siç thotë poeti. Poeti Ahmet Pllana shkruan shkurt e qartë, ndaj poezitë e tij kanë një çiltërsi dhe qartësi, kanë një konkretësi dhe kuptueshmëri dhe janë të këndshme për t’u lexuar, si:

Në bogë

Në Rugovë
Në Bogë
Diku
Midis mali
Në një rogë
N’muajin e pranverës
Në muajin mars
Kish lulëzuar
Një shtog!

Pllana nuk i ka poezitë me shumë fjalë, me vargje të gjata, por me vargje të shkurtra, por që kanë një fuqi dhe madhështi të enterierit poetik-estetik, në të shumtën e rasteve të ndara në strofa dhe me rima, që autori e ka shumë për qejf këtë stil të të shkruarit, sepse edhe te libri i parë të botuar me titull “Kujtoj Mollën e kuqe”, por edhe te gjashtë librat e tjerë me poezi, i ka me të njëjtin stili.
Te Pllana realisht nuk mund të gjejmë një temë të vetme, pasi që poezitë e tij janë të thurura varësisht prej momenti, gjendjes shpirtërore dhe situatave kohore nëpër të cilat kalon ai. Megjithatë ne mund të veçojmë disa poezi me tema ose motive si, poezi patriotike, shoqërore, filozofike, sociale, përkushtuese, të dashurisë, etj. Ndër poezitë patriotike do të veçoja poezinë për heroin dhe ideologun e madh te UÇK-së Ukshin Hotin:

Diell që nuk shuhet
(Ukshin Hotit)

Diell që nuk shuhet kurrë
Yll që ndriçon çdoherë
I urti Ukshin Hoti burrë
I lartësuar në çdo pranverë!

Pllana përveç poezive për ujin, token e ambientin, në përgjithësi një numër të poezive i ka poezi përkushtuese, sidomos poezi për nënën. Pos këtyre vend me rëndësi në vëllimin poetik ‘Etja e ujit’ zënë edhe poezitë e dashurisë, të cilat shquhen për muzikalitet rimë e një ritëm të rrjedhshëm simbolik e artistik si:

Loti s’rrinte aty ku dilte
Lëvizte rridhte tej fytyrës
Binte në tokë si pika shiu.

Ose

Duhet një lum lot
Të të arrij deri te ti
Duhet një det lot
Ta kuptoje timen dashuri.

Arti dhe filozofia në poezitë e Pllanës nuk janë të ndara. Ai gjithmonë i ka në lidhshmëri këto dy elemente, meqë ai me poezitë e tij jep mesazhe dhe porosi, jep edukatë dhe kulturë për jetën dhe filozofinë e jetës, duke i kritikuar në mënyrën e vet dukuritë negative në shoqëri dhe duke plasuar të mirat që i duhen shoqërisë njerëzore në përgjithësi.
Njeriu vetëm me vepra të mira bëhet atdhetar i mirë, thotë poeti, dhe jo me fjalë të zbrazëta, por me punë. Në një varg poeti thotë: “Mos u besoni fjalëve, por u besoni punëve!” Poeti Pllana me këtë libër sjell një prurje te re ne letërsinë tonë, sjell një mesazh, sidomos për gjeneratat e reja se vetëm me pune mund te ecet përpara.
Autorit i dëshirojmë suksese dhe krijime te reja në letrat tona shqipe.