“Mashtrimi i madh”

Bedri Islami

“Mashtrimi i madh”, a ishte Shtabi i Përgjithshëm një “organizatë e strukturuar kriminale” dhe kërcënimi ndaj Serbisë nëse publikohej lista e krimeve kundër shqiptarëve në Kosovë

Shkruan: Bedri Islami

Ditën e djeshme, 9 nëntor 2020, dy nga drejtuesit kryesorë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, zëdhënësi politik i saj që nga qershori 1998 dhe drejtori politik, Hashim Thaçi, ishin para gjykatës speciale për të dëgjuar aktakuzën ndaj tyre, çka është e njohur tashmë, megjithëse jo në të gjitha detajet, për shkak të disa censurimeve.

Njëra ndër akuzat themelore mbi veprimet dhe qëndrimet e të akuzuarve të tanishëm është përfshirë në togfjalëshin “grup i strukturuar kriminal”, ose edhe më tej “ndërmarrje e strukturuar kriminale”, që shkon edhe përtej tyre, duke synuar të paraqesë në këtë trajtim të gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai që mendon se kjo gjykatë në deklarimet e saj ka të bëjë vetëm me disa njerëz në zinxhirin e lartë komandues, ai është krejt i gabuar. Hapësira e aktakuzës është shumë më e gjerë, çka e detyroi senatorin Tom Engel të kërkojë nga qeveria e dijë të shohë nga afër dhe konkretisht veprimtarinë e kësaj gjykate.

Të duket se kjo strukturë, e cila vepron në kornizën e kushtetutës së Kosovës, jo vetëm që nuk e njeh shtetin që e ka formësuar dhe i ka hapur dritën e gjelbër, por synon të rrënojë edhe atë çka është njohur juridikisht nga instanca të larta gjykuese.

Pretendimi se krimet e kryera nga UÇK-ja në periudhën për të cilën ka hapësirë gjykata speciale në tërë kompleksitetin e saj, nuk janë raste të izoluara e sporadike, apo krime të individëve të caktuar, por janë krime të organizatës madje të mirë-menduara, të planifikuara e sistematike është prezent në gjithë aktakuzën, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë tërthorazi. Kjo vërehet qartë e thuhet drejtpërdrejt në pikën 39 të aktakuzës, sipas së cilës të akuzuarit (citoj): “si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kanë lëshuar direktiva, udhëzime dhe urdhra në lidhje me Kundërshtarët. Fokusi te Kundërshtarët ngjashëm reflektohej në disa rregulla dhe rregullore të brendshme, në trajnime, dokumente politike dhe broshura informative të hartuara dhe lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm dhe nivelet tjera të komandës së UÇK-së/Qeverisë së Përkohshme të Kosovës”.

Sa është e vërtetë kjo:

Në komunikatën nr.19 të Shtabit Qendror të UÇK-së, 25 prill 1996 (deri në maj 1998 emërtohej Shtabi Qendror dhe më pas Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së), është shënuar me forcë se “Lufta e armatosur e popullit shqiptar nuk ka karakter “terrorist“, nuk ka karakter të luftës ndëretnike e as karakter fetar. Ajo është luftë për çlirimin e Kosovës“.

Këtij përcaktimi i është përmbajtur edhe Shtabi i Përgjithshëm. Në periudhën për të cilën bëhet fjalë, sidomos pas marsit të vitit 1998, rrethimit, luftës dhe vrasjes së Familjes Jashari, mes tyre edhe të komandantit të përgjithshëm, Adem Jashari, sëbashku me 54 pjesëtarë të familjes dhe të afërm të tij, hovi rritës në UÇK ishte i paparashikuar nga strukturat e shtetit serb, por i pritshëm nga strukturat drejtuese të luftës.

Por rritja duke qenë e shpejtë dhe në një kohë të shkurtër, pasi nga rreth 370 forca të aktivizuara vazhdimisht, sa ishin në radhët e UÇK-së në marsin e vitit 1998, do të kalohej në muajin qershor në mbi 30 mijë vetë, pra rreth 100 herë më shumë dhe, edhe në një shtet solid, të mirëorganizuar, të fuqishëm dhe në liri, do të ishte e vështirë riorganizimi pa probleme dhe normalisht i tyre.

Shumë prej tyre vinin nga strukturat e Lëvizjes Popullore të Kosovës, të cilat ishin shndërruar pas marsit në njësi të UÇK-së, por edhe nga një masë e madhe njerëzore, përgjithësisht e përgatitur për luftë, por edhe hovet që shpërthenin nga vuajtjet e shkaktuara.

Megjithatë, në të gjitha anët Shtabi i Përgjithshëm, e më shumë se ata shtabet e zonave, të cilat u rritën vazhdimisht dhe u fuqizuan, kishin jo vetëm përgjegjësinë, por edhe bënë çka ishte e mundur që të mos kishte eksese, krime dhe ndëshkime etnike, politike; ndërsa nuk është vënë asnjëherë në dyshim se nuk do të kishte ndasi fetare, një fenomen që nuk ka ekzistuar as në çastet më të vështira të luftës në Kosovë. Cilësimi nga prokurori i specializuar në aktakuzë të një grupimi të përndjekur “katolikë“ është një qorrsokak ku e futi veten dhe ku duket se përkthimi i materialeve të dërguara nga prokuroria serbe është përkthyer pa bërë redaktimet e nevojshme.

Aktakuza si ka vërejtur analisti Jusuf  Thaçi, ashtu si është hartuar dhe paraqitur, e si u përshfaq edhe ditën e djeshme, nuk është ndaj emrave të përveçëm e rasteve individuale, por është ndaj gjithë zinxhirit komandues të UÇK-së dhe  vetë UÇK-së si organizatë. Kjo theksohet në pikën 35 të aktakuzës, në të cilën përveç emrave të përveçëm, për krimet e pretenduara akuzohet si strukturë pothuajse gjithë UÇK-ja, përfshirë Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, komandantët e zonave operative, zëvendëskomandantët e zonave operative, eprorët tjerë të komandave të zonave, komandantët e brigadave, komandantët e njësive, policinë ushtarake, eprorët tjerë të UÇK-së dhe ushtarët e UÇK-së. Përveç gjithë zinxhirit strukturor të UÇK-së, aty po akuzohet edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës (pjesa e UÇK-së) si tërësi me të gjithë strukturat e saj. Argument tjetër se nuk po akuzohen individët, por struktura dhe organizata janë pikat 53, 54, 55 dhe 172 të aktakuzës, por edhe gjithë aktakuza në përgjithësi, sepse katër anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm në përgjithësi akuzohen për përgjegjësi komanduese (planifikim, lejim, mos-ndalim, urdhërim, etj. të krimeve të pretenduara) e shumë pak akuzohen për përfshirje personale të drejtpërdrejtë në realizimin e krimeve të pretenduara. Pra, qëllimi është i qartë, kriminalizimi i gjithë kupolës dhe gjithë strukturave të UÇK-së, prej Shtabit të Përgjithshëm e deri te ushtarët e thjeshtë.

Mundësia më e madhe për të pasur revansh politik dhe për të qenë pjesë e krimit ishte menjëherë pas masakrave në Prekaz, Çirez, etj., ku u vranë edhe fëmijë, gra, pleq e plaka, disa nga të cilët u takonin UÇK-së, e të tjerë ishin familje të zakonshme. Asaj kohe gjithçka ishte shpërthyese dhe shumë vetë do të mendonin se kishte ardhur koha e hakmarrjes. Ndoshta prokurori i specializuar nuk e di, por në këtë periudhë nuk ka asnjë serb të humbur. Periudha e dytë e mundshme për hakmarrje, kur plagët ishin të freskta ishte pas-qershori i vitit 1999 dhe përsëri ndodh e njëjta gjë-krime nuk ka, serbë të zhdukur nuk ka.

Në Kosovë njihet ajo që ndodhi në një çajtore në Pejë ku u vranë disa të rinj serbë. Ishte mesi i luftës. U akuzua UÇK-ja dhe shteti serb këtë vrasje të të rinjve e përhapi gjithë ku mundi. Më vonë u provua se ishte një vrasje e organizuar nga vetë pushtuesit serbë për të nxitur krimin dhe justifikuar aktet e barbarisë.

Nuk besoj se ka njerëz që mendojnë se në Kosovë nuk ka njerëz të frustuar, të cilët, kur kanë parë varret e të afërmve të tyre nuk do të kishin dashur, sidomos në çastin e parë, të hakmerreshin dhëmb për dhëmb dhe sy për sy. Do të ketë pasur, si kudo në botë. Kjo nuk ndodhi. Ka një shkak. Është vetë vlera reale e besimit që ke, pasi lufton për një kauzë më të madhe se ajo e familjes tënde. Prej gati 24 viteve jam mik i afërt i familjes së Adem Jasharit, kam publikuar letrat e fundit të tij dërguar Lëvizjes Popullore të Kosovës, kam ndjekur biseda të Ademit dhe të Hamzës, dhe askund, as nga ata vetë sa ishin në jetë e as nga familjarët e tyre nuk kishte asnjëherë mllef të verbër për hakmarrje. Dhe, shumë kush mund të mendonte se kjo familje e shumë të tjera si këto do të ishin në të gjithë të drejtën e Zotit e të robit për të pasur shpagimin e saj.

Shtabi i përgjithshëm, shtabet e brigadave, drejtuesit e formacioneve, pikërisht kur mendohej se duheshin përgëzuar për përmbajtjen e mllefit dhe të urrejtjes, janë tashmë të akuzuar.

Kam menduar shpesh për rastin e mikut tim Gani Lipaj, çka e kam përmendur edhe në një rast tjetër. Kam qenë i pranishëm në shtëpinë e tij, së bashku me një mik të përbashkët, atdhetarin e njohur Avdyl Hima, kur nga Televizioni Shtetëror jepeshin pamjet e nxjerrjes nga pusi të familjarëve të tij, që më parë ishin vrarë nga paraushtarakët serbë. Shihnim se si nxirrnin nga pusi kufomat e prindërve të tij të moshuar, të vëllait, bashkëshortes, fëmijëve dhe mendoja se njeriu në një moment të tillë mund të luajë mendsh. Më pas kam menduar se çfarë mund të kishte ndodhur nëse në ato çaste Ganiu do të kishte qenë në Kosovë, në fshatin e tij, të kishte mësuar se njëri nga fqinjët e tij të dikurshëm serbë kishte prirë në këtë masakër dhe ai, Ganiu t’i kishte hyrë në dru. Ganiu tani do të ishte në Hagë, fqinji i tij që u bë paraushtarak do të merrte pension në Serbi ose do të ishte dëshmitar i mbrojtur në një vend të fshehtë.

Por isha i bindur se ai nuk e ftonte hakmarjen të ishte pjesë e jetës së tij.

Çfarë ndodhi mes UÇK-së dhe LDK-së?

Shpesh herë në aktakuzën e prokurorit të specializuar cilësohen se mes kundërshtarëve të keqtrajtuar, të torturuar, të burgosur etj., ishin edhe aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sa është e vërtetë kjo?

Është e ditur se mes UÇK-së dhe LDK-së ka patur qëndrime të ndryshme, herë pas here të kundërta, përplasje dhe tensione, por kurrë përleshje si forca politike.

Ndoshta prokurori i specializuar duhet të dijë se në radhët e UÇK-së ishte më shumë se gjysma e kryesisë së lartë të LDK-së, që nga nënkryetari, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Berat Luzha, Ali Laçej, Ramë Buja, Basri Musmurati, Gani Syla, të gjithë ish të burgosur politikë.

Nuk ka pasur asnjë njësi që është ndarë, këndej ata të UÇK-së, andej ata të LDK-së. Megjithëse Lëvizja Popullore e Kosovës kishte themeluar, drejtuar politikisht dhe mbështetur organizativisht Ushtrinë Çlirimtare, pra ishte themeluese e saj, ajo, pas propozimit të Fehmi Lladrovcit dhe shpallur nga Jakup Krasniqi në deklaratën e parë Politike si zëdhënës politik, ishte për ndërprerjen e të gjitha veprimtarive partiake. Zoti Rugova ka qenë i informuar për veprimtarinë e UÇK-së gjatë një takimi të veçantë të drejtuesve të lartë të Lëvizjes Popullore të Kosovës që kishin me të, ku ishte edhe Fehmi Agani. Vetë profesor Agani gjatë Konferencës së Rambujesë, mbështeti të gjitha propozimet e vyera të delegacionit -pjesë e UÇK-së, sidomos për ngushtimin e predispozitave presidenciale, duke rritur rolin e Kuvendit.

Përfshirja globale nën një tekst do të jetë fshehja e fundit e vrasjeve që kanë motivacion politik, sidomos ndaj disa figurave të njohura që vinin nga LDK-ja. Askush nuk i di deri tani vrasësit e tyre, ashtu si nuk dihen vrasjet e ndodhura në dhjetëra raste, shumë herë më tepër, që kanë ndodhur me figura të njohura të luftës, pas qershorit të vitit 1999. Nuk është e saktë ajo që cilësoi këto ditë një politikan i njohur shqiptar, Berisha se “komandantët e UÇK-së kanë akuzuar njëri tjetrin për vrasje“. Ka pasur vetëm një vrasje gjatë luftës brenda radhëve të saj, ajo e komandantit Abedin Rexha, ndodhur në Drenicë dhe, kur nga një deklaratë politike është akuzuar një familje e njohur, vetë shtabi operativ i zonës së Drenicës e ka kundërshtuar atë.

Tentimi për të fshehur në një thes të gjitha vrasjet e pasluftës, sidomos me motiv politik, është rifshehja e tyre. Kushdo që e ka ndjellur, planifikuar dhe realizuar duhet ndëshkuar, por kjo nuk ka të bëjë me qëndrimet ndaj LDK-së.

Jam krejt i bindur dhe e di fare mirë se nuk ka pasur asnjë vendim për eleminimin e zotit Rugova, edhe kur për atë, nga qeveria në mërgim, janë premtuar shuma të konsiderueshme financiare. Askush nuk ka qenë i aftë të planfikojë dhe të fitojë një luftë brenda shqiptare, pasi kujtdo do i ka dalë mjaft pushteti serb.

Po ashtu, përpjekjet për t’u viktimizuar tani se UÇK-ja planifikonte eleminimin e njerëzve të politikës në Shqipëri janë aq bajate dhe pa vlerë saqë tani, kur dëshmohen rrejshëm, janë aq budallaqe, sa që nuk i mban më tej. Ndaj zotit Berisha dhe njerëzve të tij nuk ka pasur asnjë plan tentimi e as nuk është diskutuar asnjëherë. Ai, pas vitit 1997, nuk ishte faktor dhe megjithëse e kishim dashur bashkëpunimin edhe me të, nuk ka qenë e mundur. Në fakt ka ndodhur e kundërta, njerëz pranë Berishës, në veriun e Shqipërisë, janë përpjekur të ndalojnë aktivitetin e UÇK-së dhe asnjëherë nuk kemi dyshuar se këto janë bërë pa dijeninë e tij. Sulejman Berisha, një i afërm i tij, ka qenë bazë e UÇK-së që nga fillimet, së bashku me Sulejman Krasniqin e djemtë e tij.

Shtabi i Përgjithshëm dhe struktura e lartë drejtuese e LPK-së vetëm një herë është konkretizuar tek zoti Berisha, kur ndodhën ngjarjet e 14 shtatorit 1998, të cilat i cilësuan si tentim për grusht shteti.

Nga ana tjetër, asnjëherë, as Shtabi i Përgjithshëm, as Drejtoria Politike dhe as Kryesia e Lëvizjes Popullore e Kosovës nuk kanë dalë kundër qëndrimit të Berishës për marrëveshjen e Rambujesë, e ardhur pas dorëzimit të Draftit të Dytë të Marrëveshjes, pasi ishte në përputhje me qëndrimin e UÇK-së, që nuk i njihte kushtet e atij Drafti fatal, që u hodh poshtë.

Ndërlidhje normale UÇK-ja ka pasur edhe me parti të tjera që i takonin spektrit të së djathtës në Shqipëri, si me Partinë Republikane dhe zotin Godo. Jam takuar me zotin Godo në Rambuje, gjatë ditëve të zhvillimit të Konferencës, ku ai kishte ardhur si kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, për të koordinuar veprimet dhe mbështetur delegacionin shqiptar, kemi biseduar gjatë, mendimet e tij ishin të vlefshme dhe shumë më të avancuara në dobi të UÇK-së, se sa vetë shteti shqiptar.

Vrasjet politike duhen sqaruar jo në bllok, jo përmes zingjirit komandues, por konkretisht, që të mos mbeten enigmë. Nuk do të çuditesha, përkundrazi do më saktësohej bindja se e gjitha kjo ka ndodhur si në rastin e vrasjes së pesë të rinjve në një çajtore në Pejë, ku fillimisht u akuzua UÇK-ja e më pas vrasësit dolën serbët.

Shqipëria dhe UÇK-ja

Kjo është një temë e gjatë, për të cilën kam shkruar në disa libra të mi.

Në Shqipëri ka shpërthyer një fushatë për të gjetur fajtorin, shkaqet, akuza dhe përgjigje të ashpra dhe asnjëra prej tyre nuk ka tëbëjë me gjendjen dhe atë që duhej të ishte bërë.

Akuzat e Karla del Pontes dhe të Dick Martyt kanë kaluar në dyert e dy qeverive. Asnjëra prej tyre nuk e ka bërë detyrën. Nëse në vitet 1998-1999, sidomos pas takimit të pjesëtareve të Drejtorisë Politike të UÇK-së me zotin Holbruck dhe takimin e tij në Junik me pjestarë të UÇK-së, ndërlidhjet kanë njohur rritje dhe përparësi ka qenë mbështetja e luftës në Kosovë, por edhe e zotit Rugova, ku shquheshin drejtuesit e lartë të qeverisë, Majko e Meta, ministri i Mbrojtjes, miku ynë i çmuar Sabit Brokaj, shefi i Shërbimit Informativ Klosi, përmes të cilit janë vendosur kontakte me institucione të rëndësishme të shërbimeve inteligjente euroatlantike, periudhë në të cilën Shqipëria mirëpriti çka nuk ishte menduar, rreth 1 milion të dëbuar nga pushtimi dhe reprezaljet serbe, tani është kohë tjetër. Dekoratat janë ndarë, faji nuk mund të ndahet më tej.

Në këto vite qeverisje nga dy forcat politike duheshin dorëzuar fakte dhe materiale të rëndësishme që do të demantonin aktakuzat e sotme për burgje dhe kampe në Shqipëri, për tortura dhe keqtrajtime e deri vrasje. Duheshin dorëzuar materiale, dëshmi e fakte që demontonin propogandën e shtetit serb, që, si kudo edhe në Shqipëri ka gjetur dyer të hapura, që nga njerëz të veçantë, media dhe përsonazhe publikë.

Grindjet e tashme nuk bëjnë asgjë tjetër veçse shurdhërojnë gjetjen e të vërtetës. Shqipëria nuk duhej të pranonte të miratonte dokumentin e Dick Martyt, duhej të kishte denoncuar në kohën e duhur maskarrallëkun që fshihej aty; ajo duhej të kishte forcën e duhur që EULEX-i të lejohej të vepronte nën ose bashkërendimin me sistemin shqiptar, si një shtet i pavarur dhe i aftë të drejtojë punët e tij.

Tani grindjet nuk bëjnë punë.

Shqipëria mbetet një shtet i akuzuar dhe një strehë për krimin. Aktakuza e rëndon atë dhe shteti duhet çliruar nga kjo aktakuzë dhe së bashku me çlirimin e tij do të saktësojë edhe të vërtetën, ashtu si ka ndodhur.

Së fundi:

Paraushtarakët serbë kush ishin?

Në Raportin e Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë, Republika Federale e Jugosllavisë”, 27 shtator 1999, tre muaj pas përfundimit të luftës, në shumë nga pikat e shënuara dhe të dëshmuara, përmenden paraushtarakt serbë.

Shumë nga masakrat e ndodhura kanë pikërisht këto ushtarakë si protagonistë ose ndihmës të afërm të makinerisë ushtarake dhe policore serbe.

Në 82 raste, vetëm në tre muajt e fundit të luftës, cilësohet prania e tyre dhe çdo herë për vrasje, dhunime, grabitje, tortura, përdhunime, djegie, dëbime.

Kush janë këta?

Jo vetëm bandat e Arkanir dhe të Sheshelit, ata ishin të njohura, ashtu si grupi vrastar “Beretat e Kuqe“. Ishin të aftë për krime të tmerrshme, por jo vetëm ata, e as vullnetarët rusë apo ukrahinas që iu bashkuan atyre.

Në shumë raste ata ishin banorë serbë të Kosovës, të cilët u uniformuan, u armatosën, menduan se ky ishte çasti i fundit i jetesës së përbashkët dhe se shqiptarët, fqinjët e tyre do të dëboheshin një herë e përgjithnjë, si u kishte premtuar Millosheviçi dhjetë vite më parë në Gazimestan.

Këto paraushtarakë bënin garë me bandat e Arkanit se kush vriste më tepër, kush dhunonte më shumë, kush ishte më grabitës, kush u printe policisë serbe ndaj bazave të UÇK-së.

Këto, nga strukturat e shtetit serb quheshin “grupet paramilitare që operonin me veshje civile“.

Është interesant, ka vërejtur politologu i shquar Bardhyl Mahmuti, ish ministër i Jashtëm i Kosovës së pasluftës, autori i librit të shkëlqyer “Mashtrimi i madh“, “se në asnjë botim të “librave të bardhë“ nuk u publikua emri i ASNJË të vrari, të plagosuri, të rrëmbyeri apo të zhdukuri që ka qenë pjesëtar i grupeve paramilitare që operonin “me veshje civile“.

Dhe këto, edhe pse kishin fqinjëruar me shqiptarët në dekada dhe nuk kishin pasur asnjë të keqe prej tyre, u bënë pjesë e makinerisë vrastare. Por nuk u shpallën të vrarë në luftë, sepse do të cilësoheshin kriminelë, por më pas, duke rregulluar shifrat, u shfaqën si të rrëmbyer, të zhdukur, të vrarë barbarisht nga UÇK-ja etj.

Në botimin e vitit 1999 nga qeveria serbe relatohen 32 civilë serbë dhe malazezë të vrarë nga UÇK-ja gjatë periudhës 1995-1999. Më pas, nga i njëjti institucion numri u rrit në 75 të vrarë në botimin e vitit 2000 dhe në 87 të vrarë në botimin e vitit 2001.

Nga 65 civilë shqiptarë të vrarë, të cilët cilësohen në këto libra si “besnikë ndaj regjimit të beogradit“, numri i tyre një vit më pas u rrit 196, ndërsa në botimin e vitit 2001 shkoi në 230. Nga 8 civilë të vrarë, pjestarë të grupeve të tjera etnike, u rrit një vit më vonë në 15 për të shkuar në 18 persona.

Ish-shefi i Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviç, në kërkesën për falje të dënimit që ia drejtoi Kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikolic-it, e kërcënon se do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse publikon listën e krimeve të bëra kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Mjafton kjo për të treguar se kush i ka bërë vrasjet në Kosovë.

Dhe kush duhet të jetë para Gjykatës Speciale (Marr nga portali “DITA”)!