MBI ÇËSHTJEN E “CIVILËVE” SERBË TË VRARË NË KOSOVË

Sali Bytyçi

Nga Sali Bytyçi

Akuzën për 1 000 civilë serbë të vrarë nga UÇK-ja, të cilën e bën Shkëlzen Gashi, me sa e di unë, deri me tani as Serbia nuk e ka bërë! Nga shtypi serb, pas tërheqjes me turp nga Kosova, në Kosovë, nga UÇK-ja, po edhe nga bombardimi i NATO-s, thuhet që janë vrarë rreth 1000 serbë: policë, ushtarë, vullnetarë, mercenarë, paramilitarë dhe civilë. Nuk e di në këtë shifër a kanë hyrë edhe kuislingët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës.

Po përse e thotë një gjë të tillë në këtë kohë Shkëlzen Gashi? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje nuk mjafton as një libër i tërë, prandaj unë do të ndalem te çështja e një pjese të “civilëve” të vrarë në këtë luftë.

Për të shpjeguar këtë, po nisem nga përvoja personale.

Unë dhe 14 të tjerë, jemi arrestuar më 12 maj 1998, ditë në të cilën janë ndeshur policia serbe me pjesëtarë të UÇK-së, po edhe me civilë shqiptarë, në fshatin Ratkoc, po edhe në Bratotin e Vrajakë. Gjithë natën na kanë mbajtur në hapësirat e Sekretariatit të Punëve të Brendshme, në Prizren. Gjatë kohës sa ishim aty, përmes zërit që dëgjohej qartë në sekretariat, e përcillnim krejt ndeshjen e këtyre dy forcave kundërshtare, vetëm pamjet vizuale mungonin.

Të nesërmen, më 13 maj, herët në mëngjes, hynë policët në atë hapësirën ku qëndronim të lidhur me pranga në ulëset e drunjta, i hapën ormanët e metaltë në të cilët gjendeshin armët automatike dhe, pasi na lëshuan nga një vështrim urrejtës, të armatosur shkuan në vendin ku kishin filluar luftimet, në Ratkoc e rrethinë. Në mesin e atyre që i morën automatikët, kishte edhe civilë, të veshur me xhinse dhe me puma.

Po ashtu, gjatë gjykimit që na u bë, si dëshmitarë të gjyqit kundër nesh ishin edhe dy serbë të plagosur në fshatin Ratkoc, më 12 maj 1998, njëri në dorë e tjetri në kërdhokull: të dy figurojnë civilë, po atë ditë në Ratkoc të dy ishin të armatosur dhe kishin marrë pjesë në luftime. Edhe serbi i vrarë, për të cilin na akuzuan ne të arrestuarve, figuron polic i komunikacionit, po atë ditë në Ratkoc ishte në aksionin ndëshkues.

Ky serb, emri i të cilit figuron në pllakatin e të vrarëve serbë në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit, para së cilës ka nderuar edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është vrarë në Ratkoc, në vendin ku ai dhe shokët e tij kanë vrarë ushtarin e UÇK-së, Milaim Krasniqi, nga Pastaseli, kanë plagosur ushtarin e UÇK-së, Osman Zyberaj, nga Drenoci, e kanë vrarë në oborrin e vet, në Ratkoc, Malush Morinën, e kanë vrarë në fushë, në fshatin Vrajakë, Elmi Morinën, 15 veta janë arrestuar, prej tyre Qemajl Bytyçi, nga fshati Dejn, është vrarë nga forcat serbe në burgun e Dubravës, Gani Morina, nga Dejni, nga maltretimet ka vdekur në Burgun e Lipjanit, disa ditë pas kthimit prej Dubravës, Zenel Rrustemi, nga Malësia e Vogël, ka vdekur një vit pas daljes nga burgu, sepse ishte torturuar në burg!

Tetë të mbeturit në burg, në mesin e të cilëve edhe unë, në tetor të vitit 2000, pas dy vjet e gjysmë torturash nga më çnjerëzoret, paguan lirimin e tyre me 112 mijë marka gjermane dhe u kthyen në familjet e veta!

Ky është rrëfimi për ngjarjen e një dite, po ditë të tilla kishte pothuaj çdo ditë në vitin 1998 e deri më 10 qershor të vitin 1999. Pra, një polic i komunikacionit nga pala serbe i vrarë dhe dy të plagosur, nga pala shqiptare një ushtar i UÇK-së i vdekur, një ushtar i UÇK-së i plagosur dhe pesë civilë shqiptarë të vdekur!

Po çfarë të themi për të pauniformuarit, po që janë pjesë e inteligjencies serbe?! Për spiunët, për bashkëpunëtorët e ndryshëm? Edhe ata duhet të hyjnë në kategorinë e personave civilë?!

Diku më lart i përmenda edhe kuislingët shqiptarë.

A ka pasur kuislingë shqiptarë gjatë ndeshjes së popullit shqiptar me shtetin kriminal serb? Po, ka pasur. Fundi fundit, si do t’i cilësojmë shqiptarët të cilët, pas 10 qershorit 1999, kur u tërhoq Serbia nga Kosova, ku la mëse 13 mijë të vrarë, disa individë shqiptarë u tërhoqën me forcat serbe në Serbi apo në veriun e Kosovës? Kuislingë, kolaboracionistë, çfarë tjetë?

Një të tillë e kam parë me sytë e mi në Burgun e Nishit, në shtator 1999, me emrin Jusuf Kelmendi, po kam parë edhe të tjerë, po që nuk ua di emrat, të cilët kinse na vizitonin në burg, për të na pyetur për kushtet në të cilat po jetonim.