MENDIMI KRITIK I REXHEP QOSJES PËR POEZINË E SOTME SHQIPE

Më rastin e 85-vjetorit të lindjes

Isuf Bytyçi

Rexhep Qosja,
e ka ndarë përvojën,
me bashkëkohësit,
por, jo edhe rezultatet!“

fejtoni -I-

HYRJE                              

Në këtë punim, objekt shqyrtimi është mendimi kritik i Rexhep Qosjes për poezinë e sotme shqipe.

Shkruan: isuf bytyçi – Akademik Rexhep Qosja, i lindur më 25 Qershor të vitit 1936. Historian i letërsisë, kritik letrar, prozator, dramaturg dhe ideolog i çështjes kombëtare, autor i shumë librave, për më tepër se 50 vjet është aktiv në letërsinë shqipe.

Akademik Rexhep Qosjaes

Vepra e tij, më tepër është e orientuar në aspektin historik, në historinë e letërsisë shqiptare, ai është marrë edhe me letërsinë bashkëkohore dhe, pasi që poezia e sotme shqipe është pjesë përbërëse e letërsisë së sotme shqipe, qysh në fillim do të ishte e domosdoshme të njihemi me mendimin e tij në raport me letërsinë e sotme shqipe.

Rexhep Qosja, mendimin për letërsinë e sotme shqipe e dha në kuadër të studimit të letërsisë shqiptare në përgjithësi, si historian i kësaj letërsie, por njëherit edhe si kritik dhe themelues i kritikës letrare në Kosovë. Në kohën kur e filloi veprimtarinë ky kritik e historian i letërsisë shqipe, historia e letërsisë shqipe, kritika letrare në letërsinë shqiptare, në përgjithësi, por edhe letërsia shqipe në Kosovë, të tria gjendeshin në nivel të ultë, fillestar, të tria këto po i bënin hapat e parë! Prandaj në këtë kohë do të duhej një personalitet si ai „i profesor Rexhep Qosjes, doajenit të studimeve historiko-letrare ndër ne …“ (1. Pr. Dr. Agim Vinca „Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945 – 1980)“, „Rilindja“ 1985, f. 15), që t’u përballonte problemeve të mëdha të vlerësimit të drejtë të traditës, por edhe në hapjen e horizonteve të reja të letërsisë shqipe në ato vite. Kur jemi këtu, duhet ta vemi në dukje edhe rolin negativ të ideologjizimit të kritikës nga kritika gjysmëzyrtare, e cila bënte përpjekje që letërsia e re „socialiste“ kosovare të shkëputej përfundimisht nga trungu kombëtar, nga letërsia e traditës, nga letërsia kombëtare.

Rexhep Qosja, letërsinë e sotme shqipe e shqyrtoi që nga fillimi, në kuadrin e letërsisë kombëtare, Si vazhdim të kësaj dhe si thellim, si letërsi që rrënjët i ka në letërsinë e Rilindjes dhe në letërsinë e Vjetër, ndërsa, kokën në letërsinë bashkëkohohe europiane. Duke e shfrytëzuar letërsinë e traditës, mitin dhe mitologjinë kombëtare e ballkanike, kjo letërsi arriti të japë struktura të dendura poetike, siç është poezia e sotme shqipe, struktura të papara deri atëherë në këtë letërsi.

Akademik Rexhep Qosja, nuk e shkroi ndonjë monografi të veçantë në lidhje me këtë letërsi, por pothuaj se në çdo vepër kritike të tij, pos vështrimeve, trajtesave dhe eseve për letërsinë e Rilindjes dhe atë të Pavarësisë e të viteve `30, ai trajtoi edhe autorë, vepra e probleme të  letërsisë së sotme shqipe me letërsinë e traditës. Rexhep Qosja, e përcolli letërsinë e sotme shqipe, e dha fjalën e tij, por edhe e orientoi, atë. Në kohën kur Rexhep Qosja doli në skenë, në gjysmën e dytë të viteve `60, letërsia shqipe po oscilonte në dy drejtime: i pari ishte drejtimi dogmatik-socialist, që synonte gjithë letërsinë ta fuste në kallëpet e një romantizmi të rremë dhe të një skematizmi vullgar dhe i dyti, rryma eksperimentale, të cilat e sulmonin letërsinë nga jashtë dhe për të cilat kjo letërsi ishte ende e re për t’i asimiluar, ato! Në këtë kohë paraqitja e profesor Qosjes, në skenën e kulturës kombëtare shqiptare – paraqitja e këtij intelektuali me horizont të gjerë vështrimi, ishte me rëndësi të madhe për zhvillimin e mendimit letrar, por edhe për praktikën krijuese në Kosovë. Rexhep Qosja, përherë, në shkrimet e tij i kritikonte dukuritë negative, ndikimet e paasimiluara, ideologjizimin e tjera dhe, vazhdimisht hapte horizonte t reja për një letërsi autentike, të lirë dhe të hapur ndaj letërsisë botërore.

Edhe pse nuk u mor sistematikisht Rexhep Qosja me letërsinë e sotme shqipe, ai i preku dhe i shtjelloi problemet esenciale të saj. Por, koha e rrethanat, në të cilat veproi, ndikuan që Rexhep Qosja, vëmendje më të madhe t’i kushtonte letërsisë së sotme shqipe, që është krijuar në Kosovë e, më pak asaj që u krjua në Shqipërinë shtetërore.

Në shkrimet e tij, ai u mor me problemet  e dramës shqipe. Shkroi për dramat „Shtatë shaljanët“ të Ndrekë Lucës (2. R.Q – Parathënia), për dramën „Cuca e maleve“ të Loni Papës (3. R.Q – Parathënia), „Toka e jonë“ të Kolë Jakovës (4. R. Q – Parathënia) etj. Në këto parathënie, mendimi i profesor Qosjes, anonte nga kritika sociologjike, ku konceptet dominuese ishin: lufta e së vjetrës me të renë, lufta klasore, shfrytëzimi e tj., por duhet ta theksojmë se edhe pse në këtë kohë nuk mundi të largohej nga kritika sociologjike, nga kjo, në as një rast nuk do të dalë një kritikë e angazhuar, apo një kritikë mohuese! Akademik Rexhep Qosja, ndoqi një rrugë të ndërmjetme, në këtë drejtim.

Në kritikën e tij letrare, Rexhep Qosja shqyrtoi edhe prozën e sotme shqipe. Ai trajtoi prozën e Hivzi Sulejmanit, të Shevqet Musarajt, të Jakov Xoxës, Ismail Kadaresë, Anton Pashkut, Razi Brahimit, Elena Kadaresë, Qamil Buxhelit etj. Në këto shkrime i preku ekstremet në letërsinë shqipe: nga skematizmi vulgar i Realizmit socialist e gjer te skematizmi eksperimental. Një kritikë i jep skematizmit vulgar në artikullin „Artisti i pushtuar prej edukatorit“ (5. Rexhep Qosja „Panteon i rralluar“, f. 201), në të cilin për objekt shqyrtimi e ka romanin e Razi Brahimit „Kthesa të forta“. Një kritikë të plotë i bën kritikës ideologjike e dogmatike në artikullin „Kritika pa estetikë“ për librin „Kritika“, që është botuar në Prishtinë si mbledhje nga disa libra kritikë të Razi Brahimit. Këtu i bën një kritikë terminologjisë politike si dhe asaj ideologjike, që zotëronte në shkrimet e Razi Brahimit, kritikon „analizën sociologjike dhe ideologjike“, që gjendej në të, ndarja e heronjve, në pozitivë e negativë, ndarjen e veprës  në përmbajtje dhe formë, reduktimin e vlerave letrare në vlera ideore etj. Ndërsa, në vështrimin për prozën e Anton Pashkut, profesor Rexhep Qosja, i shqyrton „mundësitë“, por edhe „kufizimet“, e prozës eksperimentale! Ai, me vetëdije i ikë pan-ideologjizimit, por edhe pan-eksperimetnalizimit, sepse të dya këto eksperimente, e dëmtonin letërsinë e re shqiptare.

KRITIKA LETRARE E REXHEP QOSJES

Në opusin e tij krijues, Rexhep Qosja shkroi vështrime kritike, recensione e trajtesa, për Esad Mekulin, Enver Gjerqekun, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Abdylaziz Islamin, Muhamet Kërveshin, Beqir Musliun etj.

Në përgjithësi, Rexhep Qosja shkroi vështrime dhe kritika për krijuesit, që vepruan në Kosovë e, një numër më të vogël i shkroi edhe për ata që krijuan në Shqipëri. Kjo erdhi si rezultat i ndarjes regjionale të letërsisë shqiptare, si një komunikim i penguar në mes të këtyre regjioneve, por edhe si një përpjekje për ta ngritur letërsinë e kësaj ane, në nivel kombëtar.

Për poezinë e sotme shqipe, profesori, shkroi qysh në librin e parë „Episode letrare“, kur shkroi në lidhje me poezinë e Enver Gjerqekut, në shkrimin me titull „Poezia dhe përvoja“. Ndërsa, në librin me trajtesa „Dialogje me shkrimtarët“, të cilin e botoi në vitin 1968, krahas shkrimeve për Zef Seremben, Naim Frashërin, Migjenin e Lasgushin, i kemi edhe dy trajtesa për krijimtarinë e dy poetëve tanë bashkëkohorë; Esad Mekulit dhe të Enver Gjerqekut! Në këtë kohë në Kosovë, krijuesit më të dalluar ishin këta dy poetë, që u përmendën më lart. Poetët, si Din Mehmeti, rrahman Dedaj, Ali Podrimja e tj., ishin në hapat e parë të krijimtarisë artistike!

Në vështrimin për Esad Mekulin, kritiku thekson angazhimin e tij në letërsinë shqipe, angazhimin intelektual të tij, por edhe mungesat që hasen në krijimtarinë e Mekulit. Esad Mekuli, për Rexhep Qosjen „është poet i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore“ (6. R. Q. „Dialogje me shkrimtarët“, f. 215). Ai pra, Esad Mekuli, „flet në vetën e parë, jo si individ i veçuar, por i mishëruar plotësisht me ndjenjat dhe vetëdijen e Shqiptarit, si një simbiozë ndjenjash dhe aspiratash të përbashkëta jetësore“ (7. Po aty, f. 217). Në poezinë e Mekulit, kritiku has edhe në „pasojat e zhdanovizmit dhe të kohës kur prej shkrimtarëve kërkohej ta glorifikonte atë, e cila kërkohej prej tij.„ (8. Po aty f 219). Mirëpo Esat Mekuli, ndoqi një rrugë të veçantë në krijimtarinë e tij, duke i ikur gjuhës bombastike, parullave të kohës së lartë e tj.

 Në këtë punim, Profesor Rexhep Qosja, bën periodizimin e krijimtarisë së E. Mekulit dhe vjen në përfundim „se poezia e tij është fenomen specifik i letërsisë sonë“  (9. Po aty f. 299). Esad Mekuli, bindjet e tij krijuese i formoi në vitet tridhjetë. Si bir i një populli të vogël e të shtypur, ai u bë krijues i këtij populli, këngëtar i vuajtjeve dhe i shpresave të tij! Përhapja e ideve revolucionare lindëte shpresa te ky popull për çlirimin kombëtar. Mekuli u bë poet vizionar, për një ardhmëri më të lumtur të popullit të tij dhe të njerëzimit. Uni i tij krijues u shkri me unin e popullit dhe u bë një Unë i shtypur, i përdhunuar, i vrarë, i gjymtuar, por edhe në Unë ëndërrues dhe kryengritës, në të njëjtën kohë.

Ndërsa, një krijues tjetër i afirmuar në poezinë shqipe, ishte Enver Gjerqeku. Ky poet i ri, duke jetuar në një kohë dramatike për popullin tonë, në vitet `50 dhe `60, bën një ikje, një largim nga ky realitet dhe futet në qenien e vetë subjektive dhe i shpalos dhembjet shpirtërore e fizike të tij! Ai, shkrun një poezi intime, por edhe autobiografike – shkurt, një autobiografi intime!

Në librin „Panteon i rralluar“ kemi një varg recensionesh për poezinë e sotme shqipe. Në këtë libër trajtohet poezia e Musa Ramadanit, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Hasan Hasanit, Milaim Berishës, Ibrahim Kadriut, Adem Zejnullahut dhe Rifat Kukajt.

Në ç’drejtim angazhohet profesor Qosja, në kritikën e tij letrare? Ai që në fillim, në recensionin „Sentimentalizëm anakronik“, që i bën përmbledhjes me poezi të Sinan Hasanit „Dallgët e Vërrinit“, kritikon ekzibicionet poetike, manierizmin dhe epigonizmin në poezinë e tij.“ ( 10. R. Q. „Panteon i rralluar, „Rilindja“, Prishtinë, v. 1973, f. 129), Në poezinë e këtij autori, R. Qosja kritikon tradicionalizmin, të cilin e quan anakronik për atë kohë! Pastaj kritikon sentimentalizmin dhe romantizmin. Figurat e lopëve, të qenve, pulave, zogjve, pastaj të korrat, kullosat, t’bamat etj., të cilat i hasim në poezinë e këtij vëllimi, janë shenja të primitivizmit në kulturën tonë, në atë kohë. Në poezinë e Hasan Hasanit, kritikon idealizimin e jetës patriarkale! Pastaj vazhdon t’i kritikojë edhe të metat formale, të cilat hasen në vargjet e këtij vëllimi me poezi. Në këto poezi kritikohet edhe anakronizmi i ndjeshmërisë së autorit! (11. Po aty, f. 101).

Të gjitha këtyre cilësive të një poezie të perënduar, ai ia vë shprehjen moderne, e cila edhe duhet ta cilësojë poezinë moderne. Në fund të recensionit, e përballë qëndrimin e tij me të këtij poeti: „Në vend të ndjenjës sentimentale, lexuesit të sotëm i duhet ndjenja e fuqishme, në vend të shprehjes së flashkët – shprehja asociative, metaforike dhe simbolike.“ (12. Po aty, f. 102).

  Në poezinë e Azem Shkrelit, Rexhep Qosja kritikon moralizimet që hasen në disa nga poezitë e këtij poeti: Toni didaktit, i cili e rëndon poezinë e tij, mund të vërehet edhe prej titujve të disa vjershave sikundër janë „Katër këshilla vetes“, „çka mësova unë“, „Porosia“, por moralizuese janë edhe vjershat „Kurtha“, „Kupa e Odinit“, „Njerëzit“     e të tjera“. (13. Po aty, f. 110). Në recesionin për Milaim Berishën, profesor Qosja, prapë i vë në thumb të kritikës moralizimet dhe udhëzimet, që hasim me shumicë në poezinë e asaj kohe: „Shkrimtarët, që në njërën dorë marrin skalperin për t`i zhdukur veset e në tjetrën dorë çantën me barna për t’i shëruar plagët e njeriut bashkëkohor, janë bërë monotonë me ato moralizimet e tyre patetike, po aq sa janë bërë të mërzitshëm edhe ata të tjerët që vetëm dënesin dhe, të tulitur, e shikojnë botën prej titanëve të tyre diogjenianë.“ (14. Po aty f. 115). Në poezinë e këtij poeti, Rexhep Qosja dallon oscilimet në mes të letërsisë realiste dhe asaj moderne, pastaj ndikimet e paasimiluara të literaturës së lexuar.

Jo vetëm një herë, profesor Qosja i ka kritikuar këto të meta, të cilat e përcillnin poezinë e sotme shqipe në ato kohëra. Poezia shqipe ishte ende e pastabilizuar dhe krijuesit e saj në të shumtën e herave, me gjithë përpjekjet e tyre, pësonin dështime! Kritiku, përkrahte vargun, artistikisht të përsosur dhe kritikonte „lojën e fjalëve“, (15. Po aty f. 119) me të cilat disa krijues bënin përpjekje që ta mbushnin zbrazëtinë e tyre krijuese! Në këto shkrime, profesor Qosja i kërkonte dhe i hapte rrugë „poezisë së ardhme“, (16. F. 86) e përkrahte ndjeshmërinë moderne në poezinë e Ali Podrimjes, në të cilën haste në një „refren modern poetik“ (127). Rexhep Qosja, duke i kritikuar të metat në krijimtarinë poetike, drejtonte rrugën e poezisë së sotme shqipe drejt një poezie me prirje moderne. Në recensionin „Valle simboleve“, që e shkruan për vëllimin poetik të Ali Podrimjes, kritiku posaçërisht ndalet te „simbolika e tërësisë“ (123), që e has në strukturën e këtij vëllimi. Për Rexhep Qosjen, simboli është vyrtyt i poezisë, ndërsa gjuha patetike, ves! E para shenjon prirjen moderne, ndërsa e dyta atë tradicionale. Poezitë e këtij poeti mund të kuptohen vetëm në tërësinë e tyre, vetëm në kontekstin nga i cili buron kuptimi.

Një sintezë të parë për poezinë e sotme shqipe, prej Rexhep Qosjes e hasim në parathënien e „Antologjisë së lirikës shqipe“. Këtu për herë të parë bëhet një lloj periodizimi i letërsisë së sotme shqipe në etapa. Estetika e këtyre viteve dallohej „për nga theksi dogmatik dhe karakteri zyrtar.“ (17. R. Qosja, „Antologjia e lirikës shqipe – botim i dytë, i plotësuar dhe i përmirësuar. „Rilindja“, Prishtinë 1979, f. XXXVI). Poezinë e viteve të para të pasluftës së Dytë botërore, profesori e përkufizon si „poezi revolucionare publicistike“ (18. Po aty, f. XXXVII). Poezia shqipe e kësaj kohe nuk mund të lirohej leht nga fryma retorike, sepse ishte niveli i ulët kulturor, që e kushtëzonte zgjatjen e kësaj prirjeje! Në rrafshin komunikativ edhe niveli i marrësit, i publikut, e kushtëzonte këtë prirje: „Duke pasur parasysh shëndetin mental të masave të gjera të lexuesve, por jo sa duhet edhe shëndetin artistik të poezisë, autorët e saj me të drejtë e shpallin traditë të vetën në radhë të parë poezinë e viteve tridhjetë, të cilën duke e vazhduar me synimet e saj progresive, e thjeshtësojnë gjithnjë e më tepër.“ (19. Po aty, f. XXXVII). Kjo poezi në këto vite iu afrua më tepër publicistikës poetike e dokumentacionit. Poezinë e viteve pesëdhjetë, me të drejtë e karakterizon si zhurnalistike e agjitative dhe si një poezi që është në nivel më të ultë se që ishte poezia e viteve tridhjetë. Pra, në këtë kohë, në vend që poezia të numëronte përpara, kishte ecur mbrapa.

Mirëpo, ndryshimet vijnë më pas! Në krijimtarinë që do të shkruhej në vitet gjashtëdhjetë, zë fill prirja moderne në poezinë e sotme shqipe. Lirimi prej didaktikës dhe agjitacionit, i liron rrugën shprehjes moderne në poezi! Kjo ndodhë ndër të tjera me pjekurinë e poezisë, me ndikimet e jashtme, me liberalizimin e marrëdhënieve në shoqëri. Poetët e parë, te të cilët dëgjohet zëri i ri në poezi; Enver Gjerqeku, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Vehbi Skënderi etj. Këtë poezi, pofesor Qosja e quan, poezi e brezit të dytë e pasluftës! Këtu fillon trajtimi i letërsisë shqipe si letërsi kombëtare, që nuk njeh kufinj! Në këtë etapë, poezinë shqipe e karakterizon degëzimi, pasuria, lloj-llojshmëria dhe guximi i trajtimit të temave të ndryshme. Poezia e Dritëro Agollit, definohet si lirikë e idesë kolektive, poezia e Azem Shkrelit meditative, e Ismail Kadaresë dhe Rr. Dedajt asociative, ndërsa e F. Gungës si lirikë e simboleve bashkëkohore etj. Dhe, përfundon me konstatimin se „poezia shqipe është sot më e pasur se kurrë mëparë; me përmbajtje, me shprehje e me gjeste.“ (20. Po aty, f. XXXIX).

Në këtë parathënie, Rexhep Qosja shprehet edhe për poezinë e brezit më të ri! Përveç poezisë së etapës së parë, të cilën e emëron si etapë e viteve pesëdhjetë, kur përmend brezin e dytë dhe brezin më të ri, ai nuk i përmend vitet, fare! Në poezinë e brezit më të ri, kritiku dallon dy prirje ose siç i quan ai, dy linja: „linja e racionalizmit të tepruar, ose linja e iracionalizmit të pakontrolluar, me ç‘rast linja e parë ruan një gjendje statike të vargut tradicional, kurse e dyta është akoma e rëndë që ta asimilojë, gjuha shqipe.“ (21. Po aty, f. XLI). Në këtë parathënie, kritiku flet edhe për fenomenin e hermetizmit, në poezinë shqipe.