Më rastin e 85-vjetorit të lindjes
„
Rexhep Qosja,
e ka ndarë përvojën,
me bashkëkohësit,
por, jo edhe rezultatet!“
Nga Isuf Bytyçi
Në këtë punim, objekt shqyrtimi është mendimi kritik i Rexhep Qosjes për poezinë e sotme shqipe.
MBI HERMETIZMIN
Në poezinë shqipe, në vitet `70, u shfaq fenomeni i hermetizmit, i cili kishte dallim të madh me shfaqjen e këtij fenomeni në letërsinë e madhe të Europës! Këtë fenomen, që në fillim, profesor Qosja e trajtoi dhe me të drejtë e vlerësoi si diçka që në poezinë tonë ka hyrë nga jashtë dhe jo si inkuadrim të tij të natyrshëm në këtë poezi. Ndërsa, në poezinë europiane, hermetizmi shenjon një stad të kësaj poezie, në letërsinë shqipe më tepër shenjonte në këtë kohë ndikimet e jashtme të paasimiluara, se sa një vetëdije krijuese.
Kur jemi te dukuria e hermetizmit, duhet përmendur se ky u dënua edhe nga kritika e Realizmit socialist, e cila synonte të shpjegonte anën sociologjike të fenomenit, ndërsa Rexhep Qosja hynte drejtpërdrejt në problemet letrare, në problemet e artit, si të tillë. Kështu, në artikullin, për vëllimin poetik të Musa Ramadanit „Mëkatet e Adamit“, me titull „Artikulim poetik“, vëren disporporcionin në mes të asaj çka synojnë poetët tanë në atë kohë dhe rezultateve, të cilat i arrijnë me këtë rast. Në poezinë e tij „…nuk mund të vërehen gjurmët e figuracionit të njohur alogjik të Surealizmit. Vargun e tij e bën hermetik jo figura, jo aq pesha meditative e tij, sa përpjekja e selitur që të jetë doemos hermetike me paradokse abstrakte filozofike, me çka në të vërtetë komprometohet kuptimisht poezia e përmbledhjes „Mëkatet e Adamit“ (22. R. Q. „Panteoni i rralluar“, f. 92 – 93). Për dukurinë e hermetizmit në poezinë e sotme shqipe, kritiku shfaq mendimin e tij edhe në „Antologji e lirikës shqipe“. Edhe këtu, ai shprehet se kjo dukuri në poezinë shqipe nuk është diç e natyrshme, por diç që hyn si ndikim i paasimiluar nga jashtë: „Prej kësaj poezie, e cila efektin e vetë më të madh e mbështet në organizimin guhësor të vargut, ata mbërrijnë të kapin, kryesisht, idetë, të cilat në rastet më të shpeshta s’i kanë mjaft të qarta për shkak të karakterit të tyre metafizik e, jo edhe mënyrën e organizimit gjuhësor dhe muzikor të vargjeve. Jo aq rrallë, ndikimet e tilla, të paasimiluara si duhet dhe sa duhet, sjellin atë hermetizmin e plotë të një pjese të lirikës sonë, që s’ka asgjë të përbashkët me hermetizmin e poetëve, prej të cilëve janë ndikuar, sidomos të atyre poetëve të mëdhenj europianë, që prej simbolizmit e këndej fshehin një nëntekst të pasur, brenda strukturës së ndërlikuar të vargut të tyre.“ (23. R. Q. „Antologjia e lirikës shqipe“, f. XL).
Hermetizmi, në ato vite ishte më tepër shenjë e papjekurisë poetike, sesa vlerë e poezisë! Kjo dukuri shfaqet në letërsitë e ngritura dhe është shprehje e lëvizjes së poezisë nga sferat e njohura në të panjohurat, si pakënaqësi ndaj stadit ekzistues të saj.
X
X X
Më gjerësisht, kritiku u ndal, në vështrimet për poezinë e Enver Gjerqekut, (24. R. Q. „Dialogje me shkrimtarët“, ff. 251 – 287) pastaj në krijimtarinë e Din Mehmetit (25. R. Q. „Shkrimtarë dhe periudha“, ff. 343 – 369) dhe në krijimtarinë e Rrahman Dedajt (26. R. Q. „Nocione të reja albanologjike“, ff. 152 – 191).
Në vështrimin eseistik për E. Gjerqekun, „Enver Gjerqeku (1928)“, profesori, gjerësisht e shtjellon mendimin e tij për tri përmbledhjet e para poetike të tij. Në këtë shkrim ai përcjell hap pas hapi verbin poetik të Gjerqekut, ndalet në pikat qenësore të krijimtarisë së tij. Veçoritë e kësaj krijimtarie si melankolia, subjetivizimi i theksuar dhe notat e dhimbjes, me të cilat ngjyrosej verbi i këtij poeti në vëllimet e para, më vonë edhe se i ruan në masë më të vogël këto veçori, do të shkojë duke e stabilizuar shprehjen poetike me një ndjeshmëri, e cila i afrohet shprehjes moderne. Më tej, Rexhep Qosja do të kërkojë në këtë poezi veçori dhe prirje të reja siç është rruga ekzistenciale, të cilën e ndjekë subjekti lirik i i Gjerqekut, poezia reflektive dhe simboliste, domethënia metaforike – simbolike, metamorfozat poetike, relacionet simbolike, toni ironik etj., që e shenjojnë prirjen dhe ndjeshmërinë moderne në poezi. Edhe në përmbledhjen e fundit „Blerimi i vonuem“, në të cilën kritiku sheh një ngritje cilësore; „poezia e Gjerqekut nuk është liruar ende nga elementet e retorikës dhe të romantizmit.“ (27. R. Qosja „Dialogje me shkrimtarët“, f. 284). Në këtë shkrim, ai flet edhe për formën e vargut, vargun e lirë dhe atë të lidhur, për keqpërdorimin e vargut të lirë dhe kthimin e interesimit të Gjerqekut për vargun e lidhur, konkretisht për sonetin.
Qysh në këtë shkrim, Rexhep Qosja flet për hermetizmin, që është shprehje, më tepër i ndikimit të jashtëm në letërsinë shqipe, sesa si një vlerë e saj! Në poezinë e Gjerqekut, ai heton një „hermetizëm të butë“, që shenjon një rrugë të mesme në këtë drejtim: as qartësi gjer në fund, as varg të mbyllur nga lexuesi.
Në fund, mund të themi lirisht se ky shkrim dhe shkrimet tjera që gjenden në këtë libër, me gjithë të metat që i ka, paralajmëron kritikun e ardhshëm, i cili me kompetencë do të shprehet për fenomenin e quajtur letërsi, si në planin historik, ashtu edhe në atë bashkëhohor.
Në vështrimin për poezinë e Din Mehmetit, në librin „Shkrimtarë dhe periudha“, shihet një ngritje cilësore në kritikën e Rexhep Qosjes, një stabilizim dhe një konçizitet të shprehjes! Në këtë vështrim ai shkruan për pesë vëllimet e Din Mehmetit, të shkruara gjer në atë kohë: për përmbledhjet: „Në krahët e shkrepave“, „Rini diellore“, „Dridhjet e dritës“, „Heshtja e kullës“ dhe „Ora“.
Sikurse në përmbledhjet e para të E. Gjerqekut, ashtu edhe në përmbledhet e para të Din Mehmetit, kritiku i has të metat foshnjore, që e përcollën këtë poezi në fillimet e saj! Një nga të metat e saj, në fillet e saj ishte entuziazmi që shoqëronte atë, pastaj temat sentimentale, si fati i dikurshëm i gruas dhe fati i vuajtur i malësorit, po në të kaluarën, sepse në prezentim shoqëria demagogjike socialiste e konsideronte se i ka zgjidhur problemet, si të gruas ashtu edhe të fshatarësisë së varfër! Në shprehje, këtë poezi e shoqëronte patetika emocionale dhe retorika e shprehjes! Pastaj, si e metë e kësaj poezie në fillimet e saj ishte edhe një lloj sentimentalizmi që depërtonte në poezinë e sotme nga një pjesë e poezisë tradicionale, që zinte vend, jo vetëm në poezinë e Din Mehmetit. Keqpërdorimi i vargut të lirë është një e metë tjetër e kësaj poezie, e cila këtu shenjohet si prozaizëm në poezi. (28. R. Q. „Skrimtarë dhe periudha“, f . 359). Këtë të metë, profesor Qosja e emërton edhe me nocionin „vjershë narrative“, në ndjeshmëri artificialiteti është ai që e dëmton këtë poezi! Nga kjo, si rrjedhojë, do të jetë shkrimi i vargjeve të rënda, të dhunuara dhe artificiale! Formulimi afristik paradoksal i mendimeve në vargje si dhe zhurnalizimi poetik e dëmtojnë këtë poezi.
Vlerat në poezinë e Din Mehmetit, janë ato që i ngadhnjejnë të metat. Ndër shenjat e para të këtij ngadhnjimi, sipas kritikut, është harmonia dhe balancimi në mes të imagjinatës poetike dhe ndjenjave të krijuesit (358), pastaj ndjenja brenda strukturës ritmike dhe figurative të vargut (360), në asociacionet që degëzohen brenda metaforave (360). Në vazhdim, Rexhep Qosja shtjellon distinksionin në mes të poezisë tradicionale dhe asaj moderne. Pasi jep shenja e tradicionales, në poezinë e sotme shqipe, ai metaforën e shenjon si bazën e poezisë moderne. Sipas tij, poezia moderne është e bazuar në metaforat dhe asociacionet që rrjedhin prej tyre. (29. Po aty, f. 360). Metaforizmi i gjuhës poetike (363) shenjon ngritjen cilësore të poezisë së sotme shqipe, shenjon modernitetitn e tij. Si njëra nga vlerat e poezisë së sotme shqipe, po ashtu edhe të poezisë së Din Mehmetit, R. Qosja shenjon kontinuitetin e tyre me poezinë e traditës. Për të qenë me të vërtetë poezia, ajo duhet ta ruajë kontinuitetin me traditën, por edhe ta tejkalojë, atë.
Më poshtë, profesor Qosja shkruan për tragjikën ekzistenciale, që has në fatin e subjektit lirik, për unazat e metaforave (361), që e shoqërojnë shprehjen poetike të Din Mehmetit, për shprehjet e qëlluara simbolike, krijimin e simboleve nga përsëritja e metaforave dhe për simbolet e pavarura. Kthimi i poezisë në figurë, identifikimi i saj me metaforën, kjo është shkalla më e lartë e shprehjes figurative në poezinë e sotme shqipe. Si shenjë e modernes në këtë poezi është edhe dendësia metaforike dhe domethënia simbolike e vargut (345). Përveç shprehjes simbolike në poezinë e Din Mehmetit, hasim edhe në numrin simbolik, që e rivitalizon nga krijimtaria popullore. Në këtë poezi, ai përcjell shtegtimin e subjektit lirik midis vetëdijes mitologjike dhe shprehjes moderne poetike (359).
Ashtu siç bënte distinksionin në mes të tradicionales dhe të modernes, në vështrimin për E. Gjerqekun, kurse në vështrimin për D. Mehmetin, ai bën distinksionin në mes të lirikës subjektive dhe të lirikës objektive.
Angazhimi i D. Mehmetit emërtohet si angazhim universal, megjithëse, fakti që në atë kohë, në rend të ditës ishte angazhimi klasor.
Ndërsa, në lidhje me krijimtarinë e Rrahman Dedajt, profesor Qosja shkroi një vështrim të gjatë me titull „Poetika e risemantizimit“, (30. R. Qosja, Nocione të reja albanologjike, ff. 152 – 188) në të cilën gjerësisht ai i analizoi vëllimet e këtij krijuesi, prej të parit „Me sy kange“, të botuar në vitin 1962 e gjer tek i katërti „Etja“, të botuar në vitin 1973 dhe i pesti „Gjërat që s‘preken”, të botuar në vitin 1980.
Këtë vështrim e fillon me të arriturat e teorisë së receptimit, e cila si kriter të vlerësimit të veprës letrare ka lexuar, ose thënë më mirë pritjen e veprës nga lexuesi. Nocionet e përdorura nga R. Qosja, si „intensiteti i receptimit“ ose „fati receptiv i veprave letrare“ ose „studimi historik i receptimit“, në tekstin e parë me titull mjaft domethënës „Horizontet e pritjes“, për krijimtarinë e Rr. Dedajt hapin një horizont të ri të vlerësimit të veprës letrare te ne. Më tutje, profesor Qosja hyn në analizën e tekstit letrar, nga vepra e parë gjer tek e katërta, duke i analizuar evoluimet e krijimtarisë poetike të Dedajt.
Krijimtaria poetike e .Dedajt, u ngrit së bashku me krijimtarinë e bashkëkohësve të tij dhe pak a shumë kaloi nëpër ato shkallë që kaluan edhe veprat e tyre, por në këtë drejtim vepra e tij i kishte specifikat e reja të vrojtimit të fakturës poetike, disponime të reja lirike, të bazuara në një simbolikë më të sistemuar poetike…,“ (31. Po aty, f. 154) si vlera të reja të kësaj poezie, do të përmenden simbolika dhe mitologjia, mbi të cilat do të krijohet poezia e Dedajt. Këto do të jenë shenja qenësore të strukturës së kësaj poezie. Kur jemi këtu, Rexhep Qosja shtjellon raportin e figuracionit në strukturën e veprës me hermetizmin, që kishte filluar të depërtonte në poezinë shqipe, pastaj drejtpeshimin në mes të traditës kombëtare dhe të sensibilitetit modern, në krijimtarinë e poetit. Duke e vështruar këtë poezi në kontinuitet, këtu, në tekstin „Prej poetikës së lirizmit deri te poetika e ironisë“, përcillen ndërrimet në strukturën poetike, të cilat e karakterizojnë poezinë e sotme shqipe, në kalimin nga vitet `60, në vitet `70.
Në disa faqe në vazhdim, kritiku shqyrton qëndrimin e poetit ndaj krijimtarisë dhe ndaj vargut! Margjinalizimi i letërsisë dhe i artit në botën bashkëkohore është një problem më vete. Për poetin, vargu është trashëgimtar i gëzimeve dhe i dhembjeve, i dyshimeve dhe i shpresave të tij. „Vargu poetik, sipas pikëpamjeve të tij, mund të jetë dëshmi e dramës intime të krijuesit të tij, duke qenë njëkohësisht, dëshmi e së kaluarës, e trashëgimisë, e historisë.“ (32. Po aty, f. 159) Edhe qëndrimi ndaj krijimtarisë, ndryshon nga vëllimi i parë e i dytë në të tretin e, sidomos në të katërtin! Në vëllimin poetik „Etje“, vargu na del me sintagmë të re, „vargu kryeneç“! Në këtë kohë, vargu i tij më nuk është ai vargu transparent i përmbledhjeve të para, por është një varg më i rëndë, më kryeneç me formën, me figuracionin, më kryeneç me semantikën e tij. Kalimi i poetikës nga intimizimi në ironi shenjon kalimin në poetikën moderne, që e përjetoi poezia shqipe, në vitet `70, pjesë e së cilës është edhe poezia e Dedajt.
Një pjesë në vazhdim, „Semantika e hapësirës“, kritiku shtjellon nocionin ,kohë` në poezinë e Rr. Dedajt. Gjeografia e poezisë së këtij poeti, plotësohet me lëvizjen imagjinative të subjektit lirik nëpër të! Hapësira, këtu merr kuptim figurativ duke marrë konturat konkrete të vendlindjes, por që rrezaton një kuptim më të gjerë, një kuptim më universal. Edhe këtu jep shenjat dalluese të poezisë së Dedajt! Këtu vendlindja, poezisë, nuk i jep ngjyra sentimentalizmi apo të një ndjeshmërie folklorike, por përkundrazi „poezia e Rr. Dedajt, kur e kur ngritet në nivelin e mendimit modern poetik, mbi fatin e njeriut të asaj hapësire. (33. Po aty, f. 165). Nuk është vështirë që të „zbulohet“ pas fatit të subjektit lirik fshihet fati i shqiptarit, të cilit ia caktojnë hapësirën të tjerët, në të kaluarën dhe në të sotmën e tij.
Hapësirën e subjektit lirik e mbështjell koha, e cila është më e gjerë, sepse përfshin të kaluarën dhe të sotmën, kohën subjektive, pra atë të përjetuar subjektivisht nga ai: „Hapësira dhe koha janë dimensione objektive që konkretisht e ndriçojnë qenien e tij.“ (34. Po aty, f. 65) Rrezatimet semantike të hapësirës dhe të kohës janë të kushtëzuara ndërmjet vete. Edhe këtu, Rexhep Qosja bën dallim në mes të nocionit të kohës, në poezinë e vëllimeve të para poetike të Dedajt dhe të atyre të mëvonëshme. Në fillet e kësaj krijimtarie shquhej koha subjektivisht e përjetuar, ndërsa më vonë subjekti lirik e përsiat kohën përmes monumenteve të saj autentike e, jo përmes kohës subjektive. Tani subjekti lirik i kësaj poezie „është një memorie e vërtetë mitologjike dhe historike.“ (35. Po aty, f. 166) Koha objektivizohet përmes monumenteve të saj, sikundër janë! Guri i lashtësisë, Koka e Apollonit, Butrinti, fyelli, duvaku i nuses etj., por edhe përmes baladave, legjendave, përrallave etj.
Ndër simbolet, të cilat R. Qosja i analizon në krijimtarinë e Dedajt, janë simboli i gurit, i shiut, i erës dhe ai i urës. Përmes simbolit të gurit „koha merr trajtën e objektit material, kurse objekti material ruan trajtën e kohës….“ (36. Po aty, f. 168) R. Qosja, këtu bën distinksionin në mes të kohës së subjektivizuar dhe të kohës së objektivizuar në poezinë e Rr. Dedajt, duke i dhënë përparësi kësaj të fundit: „koha e objektivizuar është koha që flet më së miri, me fjalë të tjera koha e objektivizuar është koha më autentike që objektivisht e mbulon hapësirën e subjektit lirik …“ (37. Po aty, f. 168), Koha në poezinë e Dedajt bëhet një dimension i manifetimit meditativ të subjektit lirik, por ky dimension dallon mjaft nga dimensioni i poezisë, e cila përherë ngelet në figurimin subjektiv të saj. Figura tjetër qëndrore e Dedajt, ura, e cila inkuadrohet lirshëm në mitologjinë poetike të tij: „Ura, që simbolizon idenë e kontinuitetit, bëhet ide kryesore, që inkuadrohet në mitologjinë poetike, duke u bërë një prej dimensioneve më të rëndësishme semantike të fakturës së poezisë së tij.“ (38. Po aty, f. 169) Në këto monumente, të kulturës shpirtërore, siç janë ura dhe guri, R. Qosja e sheh dimensionin metafizik të poezisë së tij.
Në pjesën „Struktura e mitologjisë poetike“ shenjohet struktura e poezisë së Rr. Dedajt, me mitologjinë, e cila në të njëjtën kohë është e lashtë dhe moderne. Miti dhe simboli, sikur në poezinë më të re të këtij poeti shquhen, dalin në radhë të parë dhe kështu bëhen shenjues të poetikës së tij. Këto dy figura, mitike dhe simbolike, tani qëndrore në krijimtarinë e tij, lidhen me hapësirën dhe kohën, kështu „krijojnë një varësi të kuptimit poetik …“ , (39. Po aty, f. 171) depërtimi në poetikën mitike bëhet jo vetëm përmes figurave, por edhe përmes numrave. Në vëllimin „Gjërat që s’preken“, poezitë e të cilit kanë numrin fiks të vargjeve 13, ky numër: „bëhet, kështu, indikator, çelës deshifrues i lindjes, respektivisht i botëkuptimit të tij.“ (40. Po aty, f. 172). Numrat, legjendat, baladat, mitet dhe simbolet sikundër janë; Fjala, Etja, Lulja, Emri, Guri, Balada, Legjenda, Përralla, Ura, Zjarri, Uji, Hëna, Toka etj., krijojnë sistemin e simboleve, respektivisht, mitologjinë poetike.
Simbolet në këtë poezi ndahen në simbole konstante dhe jokonstante, ndërsa struktura simbolike e tij është dinamika dhe, për këtë shkak numri i simboleve jokonstante është më i madh se ai i simboleve konstante. Më tej, poetika e Rr. Dedajt përkufizohet si poetikë e risemantizmit në pjesën në vazhdim të këtij vështrimi. Shtimi i simboleve individuale, kontekstuale, por edhe shtresimi i ri semantik i simboleve konstante, tregon dinamikën strukturore të kësaj poezie, në sistemin simbolik të së cilës „simboli konstant dhe simboli kontekstual, ndikojnë në njëri-tjetrin në drejtime të kundërta: në drejtim të universalizmit, respektivisht në drejtim të kontekstualizmit semantik dhe, rrjedhimisht, artistik.“ (41. Po aty, f. 175) Këtu analizohet simbolika e kullës, e cila në kontekste të ndryshme rrezaton kuptime të reja, si psh.: Në poezinë „Fëmija“, kulla simbolizon vetminë, izolimin, heshtjen e simbolit lirik, në poezinë tjetër „Ai i lagjes së fundit“, ajo bëhet simbol i objektit të kërcënuar prej izolimit të vet, ndërsa në poezinë „Letra e pestë“ kulla „përplotëson lektisjen e subjektit lirik për vendlindjen.“ (42. Po aty, f. 175-6) Në vazhdim, kritiku analizon simbolin e rrashtës, të unazës, simbolin e zogut, pastaj analizon poezitë, të cilat i quan antologjike, „Përralla për vashën“, Përralla për nusen“ dhe përralla për gruan“, të përmbledhjes „Etje“. Në këto poezi shprehet më së miri poetika e risimantizimit, kur simbolet tradicionale, konstante, siç janë; Vasha, Nusja dhe Gruaja, kthehen në simbole kontekstuale: „Kështu, poezia e tij semantikisht intensifikohet deri në maksimum. Dhe, kështu, një poezi e strukturës dinamike figurative, bëhet poezi e strukturës polisemike.“ (43. Po aty, f. 182). Kuptimi i poezisë së Dedajt, do të mbetet i pazbërthyer, nëse nuk hetohen elementet themelore të sistemit të tij simbolik, nëse nuk do të zbërthehet mitologjia e saj poetike. Çdo simbol, çdo mit mund të ketë kuptim, vetëm në kontekstin e caktuar të sistemit. Por, figura është përcaktuesja e karakterit të strukturës së poezisë së tij. Poezia e Dedajt është poezi e hapur: „Duke e bazuar, kështu, thënien e vetë në figurën, në të vërtetë duke i dhënë mundësi realizimi poetik botës materiale, në njërën anë, kurse mitit dhe simbolit, që s’janë tjetër përpos përfytyrim i konkretizuar i asaj bote materiale, në anën tjetër, Rr. Dedaj, në poezinë e tij, praktikisht, i jep mundësi botës të flasë vetë.“ (44. Po aty, f. 185).
Një tjetër problem që shtrohet në këtë vështrim është problemi i kontinuitetit, që e karakterizon krijimtarinë e Dedajt. Ky poet, me vetëdije, në poezinë e tij i inkuadroi figurat materiale dhe shpirtërore kombëtare, por mënyra se si u inkuadruan ato në strukturën e tekstit të tij është moderne!
Ky vështrim për poezinë e Rr. Dedajt është kulmi i kritikës, është vështrim antologjik në kritikën shqiptare.