Një popull-komb lartësohet në vlerat të larta, kur ka arsimim dhe shpirtërisht është i përkushtuar për dije dhe shkollë.
Nga Mustafë Krasniqi
Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari ua uron mësuesve Ditën e Mësuesit – 7 Marsin!
Për këto vlera të dijes, që nga pellazgjishtja-Ilirishtja- shqipja e sotme, kanë dhënë shumë e shumë gjenerata. Ndërsa, rilindësit përcaktuan rrugën e shkollës shqipe duke i rezistuar dhunës së Perandorisë Osmane, e cila kishte frikë nga kjo gjuhë hyjnore, që ishte aq e bekuar.
Përpjekjet e rilindësve ishin të mëdha dhe rezistuese, përballë atyre që nuk e dëshironin shkollën shqipe. Për kundër dhunës, figurat e njohura të kombit si: Pandeli Sotiri, Petr Nin Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, e shumë të tjerë dhanë kontributin e tyre kombëtar në drejtimin e përhapjes së dijes, shkollës shqipe. Ndërsa mësonjëtorja e parë në Korçë, më 7 mars të vitit 1887, u hap nga mësuesi i parë, atdhetari i shquar, Pandeli Sotiri.
Kontributi i tyre ishte që të përhapej dija, të hapen shkolla dhe t’i kthehet dinjiteti i një populli të vjetër, që i dha shumë Evropës, trashëgiminë kulture dhe kulturën njerëzore. Andaj me këtë edukatë e përkushtim patriotik trasuan rrugën për gjeneratat e ardhshme, që si porosi lanë ruajtjen dhe vlerën e shkollës shqipe ndër breza.
Pra, LAPSH-i në Bavari duke i qëndruar besnik porosisë, sakrificës dhe përkushtimit të rilindësve, që brezave t’ua përcjellim porosinë për gjuhën e ëmbël, gjuhën shqipe, ta ruajmë dhe ta kultivojmë kudo që jemi, qoftë në trojet administrative apo kudo në botë, ku ka mërgimtarë shqiptarë.
Prandaj, LAPSH-i, të gjithë mësuesve ua uron 7 Marsin, ditën e mësuesit, konkretisht edhe shfrytëzojmë rastin që përmes kësaj urate t‘i thërrasim të gjithë mësimdhënësit, bashkëkombësit, shoqatat dhe bizneset, që jetojnë dhe veprojnë në Bavari, ta përkrahin Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, ngaqë rreziku për asimilim po vije heshturazi , që sikur porosinë e atdhetarëve po e injorojmë me apo pa dashje.
Dita e mësuesit – 7 Marsi, jo vetëm që duhet ta respektojmë si ditë të veçantë, po mbi të gjitha duhet t’i japim një rëndësi të madhe mërgatës shqiptare, e cila përballet me harresën e gjuhës amtare te fëmijët mërgimtar shqiptarë.
Të gjithë mësimdhënësit/et që japin mësim në Republikën e Bavarisë, në emër të LAPSH-i, ju përgëzojmë për vullnetin dhe kontributin e juaj të palodhshëm e shumë human. Andaj edhe kërkojmë, që së bashku, të rrugëtojmë rrugës së rilindësve, sepse jo vetëm që është vetëm nder, po mbi të gjitha është nevojë shpirtërore, detyrë dhe akt patriotik e atdhetar. Po ashtu respekt për të gjithë ata bashkëkombës, këshilla të prindërve, aktivistë, shoqata e biznese që po japin kontribut për ta ruajtur gjuhën dhe kulturën te fëmijët tanë, kudo që janë.
Urime dita e mësuesit të nderuar mësimdhënës/e!
në emër t ë Kryesisë së LAPSH-it
Mustafë Krasniqi – Koordinator