Shkruan: Isuf Ismaili
Artistët, këngëtarët, poetët, shkrimtarët e njerëzit e denjë që kanë krijuar e krijojnë vepra të shkëlqyera artistike, shoqërore, shkencore, gjithashtu mësimdhënësit e veprimtarët e arsimit e të kulturës gjithmonë kanë e do të kenë mirënjohjen e thellë të pjesës së shëndoshë njerëzore, por edhe vëmendjen institucionale.
Një organizim i rëndësishëm dhe një vëmendje e duhur u shfaq pikërisht nga Ambasada e Shqipërisë në Berne të Zvicrës më 22. 7. 2023 duke e nderuar artisten e shquar Mimoza Nazarko, e cila ka kënduar e këndon, ka krijuar e krijon veprimtari të shkëlqyera artistike e shoqërore, veprimtari kjo e cila ka lënë mbresa të mëdha e të pashlyera te publiku e njerëzit që ka bashkëpunuar e bashkëvepruar me ta. Janë shumë aktivitete e shumë krijime artistike që Mimoza i ka realizuar, duke pasur në themel nivelin e lartë e të shkëlqyer artistik.
Ambasadori Ilir Gjoni, së bashku, me punonjësit e Ambasadës na pritën me kënaqësi e gëzim të madh. Ambasadori ynë i nderuar, artistes Mimoza Nazarko për vlerat e shquara artistike, për kultivimin e muzikës e veprimtarisë kulturore, për vlerat e mirëfillta njerëzore si artiste, si grua e denjë, si nënë, si interpretuese, si një dashamirëse e vlerave dhe vetive më të mira atdhetare e njerëzore, si një pedagoge që i ka mësuar fëmijët shqiptarë për muzikën, si moderatore, si një humaniste, i ndau asaj një mirënjohje. Duke i dhënë asaj mirënjohjen, ai theksoi këto vlera të saj.
Edhe ajo e mori fjalën dhe falënderoi përzemërsisht ambasadorin Ilir Gjoni, të pranishmit dhe publikun, njerëzit që e kanë mbështetur dhe e kanë mirëprtur në veprimtarinë e saj. Ajo i theksoi vlerat e shquara të ambasadorit si njeri, si ambasador, i cili i ka përkrahur nismat, aktivitetet e veprimtaritë e shqiptarëve në Zvicër, qofshin ato kulturore, artistike, arsimore, shkencore etj., i cili gjithashtu jo vetëm ka marrë pjesë në këto organizimet tona, por edhe na ka inkurajuar e na dhënë zemër për suksese e arritje sa më të mëdha. Ajo i theksoi edhe vështirësitë, por edhe vlerat e kënaqësinë që ka realizimi i veprimtarive muzikore e artistike.
Më pas në një atmosferë kënaqësie e miqësore kaluam disa orë të mrekullueshme.
Pjesëmarrësit në përurimin e punës dhe veprës së Mimoza Nazarkos
Me artisten e shquar Mimoza Nazarko është një kënaqësi e nder i madh të flasim e ta dëgjojmë. Ajo, rrëfen bukur përvojën e saj , ka një gjuhë të pasur, një rrjedhshmëri të shëndoshë logjike. Ajo ka kënduar që në një moshë fare të vogël dhe është shquar që në bankat e shkollës fillore. Që në atë moshë e ka kënduar këngën aq të dashur ” Gjuha jonë”, kompozitor i së cilës është Limoz Dizdari, ndërsa tekstin e ka shkruar poeti Betim Muço. Si këngëtare e muzikës së lehtë shqiptare, por edhe e muzikës popullore, ajo këndon me pasion e dëshirë të madhe, duke pasur, si dhuratë nga natyra, zërin e përshtatshëm artistik, duke iu përkushtuar teksteve dhe melodive, duke pasur aftësi të interpretimit, të përshtatjes artistike ndaj vlerave e veçorive përmbajtjesore, ndaj efekteve emocionale, si realizime të mirëfillta, të cilat i ka jetësuar, por edhe veprimtarisë që ka krijuar e krijon. Të kujtojmë me këtë rast se ajo ka kënduar edhe në Ansamblin: Na Bashkoi Kënga Popullore, ka marrë pjesë në shumë festivale. Ka vepruar në diasporë. Ka qenë anëtare e Komitetit të Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, moderatore e Lidhjes së Arsimtarëve e Prindërve Shqiptar “Naim Frashëri”, pedagoge e shumë fëmijëve shqiptarë në mërgatë, për muzikën, humaniste që i ka ndihmuar e i ndihmon familjet e njerëzit në nevojë. Ajo në vazhdimësi ka shfaqur vlera e shije mbresëlënëse në këngët e interpretimet e saja, të cilat mbesin edhe vlera të kulturës së përgjithshme shqiptare.
Këngët e muzikës së lehtë, që ajo i ka kënduar, janë plot gjallëri e harmoni, janë melodi e janë lidhje e këndshme në mes tekstit, zërit, veglave muzikore e kritereve të tjera që mundësojnë përsosje të një vepre muzikore. Këngët e saja janë pjesë e vijueshmërisë së emrave të shquar që kanë dhënë shumë, siç janë: Ema Qazimi, Luan Zhegu, Myfarete Lazo, Kozma Dushi e shumë të tjerë.
Po edhe këngët popullore i këndon shumë bukur. Të shtoj, se ajo është nga Kolonja, por shumë bukur e me shije artistike i këndon këngët nga trevat veriore si Shkodra e vende të tjera shqiptare. Sigurisht këngët nga trevat jugore i këndon shumë gjallërisht dhe kemi kënaqësi kur ajo këndon me shumë përkushtim.
Në bisedë me të ajo ka theksuar se para viteve 90 – ta ka pasur kërkesa e kritere të shumta e profesionale, për t’u realizuar një këngë, një vepër muzikore, unë lirisht, do ta quaj një vepër artistike, qoftë edhe një këngë të vetme, sepse është punuar shumë që nga teksti, nga kompozitori dhe patjetër nga këngëtari e nga të gjithë pjesëmarrësit e faktorët të tjerë.
Këngët edhe si tekst, qofshin ato me motive atdhetarie, dashurie, përshkruese e shoqërore, por edhe muzika si tërësi së bashku me këngëtarin, kuptohet, kanë qenë brumë artistik, duke kënaqur shijen e njerëzve, por kanë pasur edhe shijen e një niveli intelektual, gjithsesi edhe karakter edukativ, sidomos për të rinjtë .
Sot ka këngë, ka muzikë, ka tekste, por në pjesën më të madhe të krijimtarisë së muzikës së lehtë, por edhe muzikës qytetare, më duket se niveli artistik, për të mos thënë, gati nuk eksiton, po themi se është shumë i mangët, na lë shumë për të dëshiruar. Megjithëkëtë ka këngëtarë, poetë, artistë që këndojnë e krijojnë vepra të përsosura, por janë shumë më pak se dikur.
Koncertet që i ka dhënë me vëllezërit e motrat arbëreshe janë emocionuese, kanë bukuri, kanë nivel të lartë artistik.