NË 22 VJETORIN E BETEJËS SË KOSHARES (lll)

IBISH NEZIRI

„Këto janë nisma që garantojnë fitore!“

V

SHKRUAN: IBISH NEZIRI – Akrepat e orës sapo kishin kaluar 24-shin dhe kishin filluar të rrëshqisnin ngadalë në ditën e nëntë prillit të vitit 1999. Ushtarët ishin në gjendje gatishmërie për të filluar sulmin mbi forcat pushtuese serbe.  Është e vështirë të përshkruhen ndjenjat e ushtarëve në këto çaste. Për herë të parë do të nisnin një operacion të përmasave të mëdha.  Me vendim të ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Azem Sylës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e dha urdhrin: „Me 9 prill, në orën 03:30 të mëngjesit të fillojë operacioni!“ Operacioni filloi me hapjen e zjarrit nga grupi i përbërë prej ushtarëve Nasim Haradinaj, Esat Kadrijaj, Halil Dema, Shpend Dema, Ukë Kurmekaj, Ali Byberaj, Avdi Haxhijaj, Milazim Mavraj, Ismet Neziri, si dhe dy mjekëve të luftës, Time Kadrijaj dhe Ilirjana Hasaj. Grupi i përbërë nga Shpend Dema, Ukë Kurmekaj, Ali Byberaj, Avdi Haxhijaj, që mori detyrë për ta kryer sulmin në pozicionin serb «7 korriku» ( «7 juli») kishte vendosur të mos e merrte në sulm Ismet Nezirin, meqë kishin mësuar se ai ishte djalë i vetëm në familje. Në vend të Ismetit e marrin Halil Demën. Meqë ky grup Ismetin nuk e mori me vete, Ismeti shkon me skuadrën e Nasim Haradinajt, i cili do ta sulmojë pikën kufitare të Morinës. Sulmi do të fillonte saktësisht në orën 03:00 të mëngjesit, por me kërkesën që Agim Ramadani i bën Nasimit, si udhëheqës i sulmit, për ta shtyrë edhe për pak sulmin, me arsyetimin se njësitet që do ta bëjnë sulmin kryesor ende nuk kanë arritur te vendi, sulmi shtyhet dy herë nga 15 minuta, ndërkaq kur bëhet edhe kërkesa e tretë për shtyrje, Nasimi i thotë Agimit se nuk po mund e merr në radiolidhje grupin sulmues, ndërkohë që Shpend Demës i thotë ta fillojë sulmin dhe sulmi befasues fillon saktësisht në 03:30, sipas marrëveshjes që ishte bërë paraprakisht në mes të Rrustem Berishës, Nasim Haradinajt dhe Agimit Ramadanit.  Sulmi që kishte filluar në Morinë, me kërkesën e komandantit Rrustem Berisha, duhej të vazhdonte edhe më tutje me mortaja. Ky ishte një sulm mashtrues për ta tërhequr vëmendjen e njësiteve serbe, për kinse tentimin për të shpërthyer në këtë pjesë, meqë ishte më e rrafshët, në mënyrë që forcat e UÇK-së të lëviznin më lehtë drejt Rrasës së Koshares, cakut të sulmit të planifikuar.

Sulmi ishte përqendruar në dy pika në drejtim të Morinës; mbi karaullën verore „7 Korriku” dhe në pikën tjetër, ku tani gjendet pikëkalimi kufitar, 5 – 6 km larg nga drejtimi kryesor. Sulmi në këtë pikë ka zgjatur rreth 3-4 orë dhe brenda kësaj kohe u hodhën në drejtim të ushtrisë serbe rreth 170-180 predha mortaje.  Përkundër befasisë, ushtarët armiq reaguan shpejt. Ata ishin të stërvitur për situata të tilla. Së pari morën mbështetje me zjarr artilerik nga regjioni i Morinës, pastaj nga Morina, Punasheci dhe Molliqi u nisën përforcimet dhe njësitet intervenuse. Nga përgjimet u mor vesh se njësiti serb i stacionuar në karaullën „7 Korriku“ ishte i shqetësuar tej mase dhe alarmonte për rrezikun. Ismet Neziri dhe Halil Dema u plagosën në ndërkohë, ndërkaq të tjerët vazhduan sulmin me mortaja mbi këto pika derisa filloi sulmi në Koshare.

Sulmi në Koshare filloi pak pas orës 06:00. Njësitet sulmuese të UÇK-së hapën zjarr prej të gjitha armëve mbi caqet e zgjedhura të armikut. Objektivi i parë ishte neutralizimi i një togu të armikut të pozicionuar në Rrasën e Koshares. Ndaj atij pozicioni u hap zjarri nga minahedhësit 82 milimetërsh, topat pa dridhje 75 milimetërsh dhe mitralozi i rëndë 12,7 milimetërsh.  Zjarri ishte shumë preciz dhe me intensitet të lartë. Në fytyrat e ushtarëve të njësisë „Delta“ vërehej entuziazmi dhe dëshira për sulm me këmbësori.  Armiku ishte tërësisht i befasuar dhe në panik. Përgjuesit, të cilët përmes ushtimës dhe krismave të armëve me vështirësi kishin arritur t’i kapnin fjalët e njësiteve serbe të ndërlidhjes, njoftonin se armiku raportonte për humbje të mëdha. Ata kërkonin ndihmë mjekësore për të plagosurit dhe përforcime. Komandanti i batalionit kufitar mundohej t’i koordinonte veprimet e njësiteve të veta, por pa ndonjë sukses. Togu i armikut në Rrasë të Koshares as që arriti t’i përgjigjej zjarrit. Ishte i preokupuar me tërheqjen e të plagosurve dhe i kapluar nga frika e paniku. Të gjitha kushtet u plotësuan që njësiti „Delta“ t’ia japë goditjen përfundimtare njësitit serb në Rrasë të Koshares. Komandosët ishin në pritje të urdhrit. Pranë e pranë qëndronin Xhemajl Fetahaj dhe Anton Çuni. Antoni duke i kujtuar këto çaste thotë:

„Pranë meje ishin Xhema dhe ushtarët. Të gjithë në pritje të urdhrit. U mundova të kujtoja ndonjë frazë të ndonjë strategu të njohur siç ishin Sun Tzu, Zhukov, Ajzenhauer e ndonjë tjetër, por shprehja vendëse “A shkojmë t’ua q.. nanën?”, m’u duk më e përshtatshme, prandaj edhe e thashë. Xhema, i habitur me fjalorin tim, buzëqeshi e më tha ‘Shkojmë e i ndjekim si lepurit’.  Kjo bisedë ishte njëkohësisht shenjë për sulm“.  „Kemi qenë njësia e parë që kemi hyrë në territorin e Kosovës edhe e kemi marrë Rrasën e Koshares. Komandant i saj ka qenë Anton Çuni ndërsa zëvendëskomandant Xhemajli“, – thotë Cenë Aliçkaj.  Që në orët e hershme të mëngjesit të nëntë prillit 1999, për njësitet okupatore serbe, të cilat për 86 vjet radhazi, të ngulitur në mes të Alpeve Shqiptare, në Rrasë të Zogut, me forcën e armëve i mbanin të ndarë shqiptarët, bashkë me fillimin e sulmit nga njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte filluar një ferr i vërtetë, një ferr që edhe ata e pranuan si të tillë dhe e quajtën „Pakao Koshare“ („Ferri Koshare“) nga edhe një film dokumentar serb, kushtuar këtyre luftimeve u emërtua kështu.  Ora kishte kaluar 6:15, kur komandosët e „Delta“-s filluan lëvizjen nga kufiri në drejtim të Rrasës së Koshares, me qëllim të neutralizimit të forcave serbe të mbetura, marrjes së objektit në Rrasë të Koshares dhe rrethimit të kazermës nga ana veriore, ku ishin të vendosura forcat kryesore të armikut. Në të njëjtën kohë ky njësit e siguronte edhe shefin e Shtabit, Agim Ramadanin, i cili sipas planit do të duhej të koordinonte operacionin nga Rrasa e Koshares.

Marshimi zgjati rreth një orë. Ai ishte shumë i mundimshëm për shkak të reliefit, kushteve atmosferike dhe fushave të minuara. Me të gjitha masat e sigurisë, njësiti lëvizte në formacion të togut në vëzhgim me mundësi të kalimit në formacion togu në sulm. Pengesa më e madhe ishte trashësia e borës, e cila e vështirësonte lëvizjen. Reliefi ishte aq i thyeshëm sa që në shumë raste komandosët u detyruan t’i shfrytëzonin edhe metodat e alpinistëve. Reshjet e pandërprera, temperaturat e ulëta, përroskat e thella dhe të rrëmbyeshme, tatëpjetat dhe ngarkesat me pajisje luftarake ishin rraskapitëse për njësitin, por falë përgatitjeve të mira psiko-fizike dhe morale, ai arriti që pa u vërejtur, formacionit të armikut, të stacionuar te Rrasa e Koshares, t’i dilte nga prapa. Gjatë lëvizjes, përgjegjësinë më të madhe e kishin vëzhguesit ballor dhe anësor si dhe snajperistët, të cilët i mbështetnin vëzhguesit. Në mesin e snajperistëve ishte edhe Xhemajli, i cili kishte snajper me shurdhues dhe me rreze veprimi deri në 800m.

Në rast se vëzhguesit binin në pritë, snajperistët duhej t’i mbulonin me zjarr. Njësiti arriti deri pranë pozicioneve të armikut pa veprime luftarake. „Sipas njoftimit nga qendra e përgjimit, togu i armikut ishte tërhequr në drejtim të kazermës, por kishte mundësi që ndonjë ushtar serb të ketë mbetur në pozicion. Kërkova nga njësiti me armë kolektive të ndërpriste goditjet në Rrasë të Koshares dhe zjarrin ta bartte në ndonjë objektiv tjetër. Jashtë rregullave ushtarake, Agimi dhe unë vendosëm që të parët të hynim në pozicionet e armikut, por edhe Xhema e kishte marrë të njëjtin vendim. Njësitin e vendosa në formacion të luftimit në rrethim, kurse grupin e snajperistëve e udhëzova të na mbështeste me zjarr. Në këtë formacion në lëviznim drejt pozicioneve të armikut“, – thotë Anton Çuni.  Kjo treshe gjatë lëvizjes, para se të aktivizoheshin i kishte vërejtur minat më ndezje elektrike dhe veprim të përqendruar të vendosura nga ushtria serbe me qëllim të ndërprerjes së rrugës ushtarëve të UÇK-së. Me kujdes të madh, duke i anashkaluar ato treshja arrin deri te pozicionet e para ku ishin edhe ndezësit elektrik të minave. Ata menjëherë i çaktivizuan minat. Me shumë vëmendje, në gatishmëri të plotë, të armatosur me armë automatike dhe bomba dore kontrollonin çdo istikam, bunker dhe pozicion të zjarrit, të cilët ishin mirë të sistemuar dhe të lidhur me njëritjetrin.  Njësiti vepronte në mënyrën më profesionale të mundshme duke mbuluar me zjarr lëvizjet, kalimet, zonat e dyshuara dhe prapashpinën.

Duke ecur me kujdes përpara dhe duke kontrolluar çdo gjë, hap pas hapi, arritën te një gjysmë shtëpize druri, e cila me siguri do t’u kishte shërbyer ushtarëve armiq për strehimin e njësitit gjatë pushimit. Pasi u kontrollua mirë terreni, njësiti u vendos në pozicionet që ishim marrë nga armiku, por tani me objektiv sulmi kazermën. Anton Çuni bashkë me Xhemajl Fetahajn e kontrollojnë shpejt e shpejt arsenalin luftarak që armiku duke ikur në panik e kishte lënë në fushëbetejë. Aty ishin më shumë se 10 armë AK-47, 2 pushkomitralozë 7.62 milimetërsh, 2 minahedhës 60 milimetërsh, 1 top kundërajror 20 milimetërsh, dhjetëra mina me ndezje elektrike (MRUD), radiolidhje „Motorola“ dhe radiolidhje „RUP 3“, pajisje për ndihmën e parë dhe për mbrojtje kimike, atomike dhe biologjike, municion të kalibrave të ndryshëm, granata, bomba dhe tromblona, dylbi, racione ushqimi të konservuara dhe në një shtëpizë të vogël, edhe një qen kufiri.

Objektivi ishte arritur. Objekti më me rëndësi për operacionin, Rrasa e Koshares, tani më gjendej në duar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Xhemajl Fetahaj ishte ndalur para kundërajrorit 20 milimetërsh dhe përpiqej ta studionte me vëmendje. Në një moment të caktuar, të gjendur para zjarrit të armikut, jepet urdhri për tërheqje. “Le të asgjësohet armatimi i armikut, i cili nuk mund të merret dhe të ktheheni në bazë!” ishte urdhri.

Kthimi në bazë do të thoshte tërheqje, kthim brenda territorit të Shqipërisë. Xhemajl Fetahaj thotë: “Unë i gjallë, prej këtij vendi as nuk luaj e as s’e shkatërroj këtë fare arme që e kemi marrë, sepse, ndoshta dikujt tani i duket çështje e vogël, por për ta marrë një armë të tillë nga serbët nuk është pak! U ul në të duke thënë se “prej ti nuk zbres”!  Agim Ramadani ia pret: “A ka këso djemsh që rrinë këtu, se as unë nuk tërhiqem!”

“Unë isha në zyrën e Gjeneral Kudusi Lamës – Babushit, kur ra telefoni -thotë Frashër Oseku. Babushi e ngriti receptorin dhe dëgjoi. ‘Çfarë tërheqje?! Asnjë hap prapa s’do t’u lejoj të tërhiqeni! Unë do të jem prapa shpinës tuaj dhe s’do t’u lejoj’! – e dëgjova të thotë me zë shumë të lartë e të rreptë, deri sa e lëshonte receptorin e telefonit”, – kujton Frashër Oseku.  Urdhri së pari u thye nga Xhemajl Fetahaj dhe Agim Ramadani. Njësiti mbeti në pozita për ta vazhduar luftën më tutje.  Operacioni duhej të vazhdonte. Secilës skuadër i caktohen përgjegjësitë dhe detyrat e veçanta. Grupi i snajperistëve dhe mitralierve morën urdhër që nga pozicionet e maskuara të fillojnë goditjen e caqeve përreth dhe mbi kazermë. Filluan gjuajtjet mbi objektiva. Zjarri i të gjitha armëve ishte përqendruar mbi objektivin kryesor, kazermën. Shpërthimet e predhave dhe granatave shkaktonin dëme të mëdha duke hapur çarje të mëdha në muret e kazermës dhe pllakat e betonit. Hapësira e armikut për manovrime zvogëlohej gjithnjë e më shumë. Por, edhe ai pas këtyre sulmeve kishte filluar ta merrte vetveten. Ushtarët armiq në pozicionet e tyre te Maja e Kokës bënin rezistencë të fortë.  Anton Çuni dhe Xhemajli i vëzhgonin me dylbi pozicionet e armikut.  Ata vërejtën se një numër i konsiderueshëm ushtarësh armiq ishin strehuar në bunkerët e anës lindore, jashtë kazermës, dhe nga aty shtinin me armë të llojeve të ndryshme kundër trupave të UÇK-së.  Pasi i llogaritën të gjitha elementet, përfshirë largësinë, disnivelin, këndin vertikal, sasinë e mbushjes, i nivelizuan minahedhësit dhe e nisen granatën e parë, e cila pas pak sekondash plasi vetëm 30-40 metra tej cakut të dëshiruar. E bënë korrigjimin dhe e nisën edhe granatën e dytë. E dyta plasi mu në një çerdhe të armikut, prej së cilës si të tërbuar dolën dhe filluan të vraponin ata që i shpëtuan goditjes, por nuk mund iu shpëtuan goditjeve të snajperistëve të UÇK-së, të cilët menjëherë i futën në shënjestër.  Goditjet e caqeve vazhduan me korrigjime të vogla të elementeve. Caqet që goditeshin vëreheshin vetëm nga pozicionet në të cilat ishin komandosët e “Delta-“s. “Delta” po luante rol shumë të rëndësishëm në shtrëngimin e hekurt të rrethimit të karaullës serbe të Koshares.  Gjithë ditën nuk pushuan luftimet. Jehun e krismave e përcillnin tutje në të dy anët e kufirit grykat dhe honet e Bjeshkëve të Nemuna, mes të cilave maja e Gjervicës i shpërthente tejpërtej retë. Në orët e vona të pasdites heshtja filloi ta mbështillte ngadalë këtë majë që dukej sikur e kishte hedhur shikimin tutje Rrafshit të Dukagjinit deri në malet e Drenicës e fushat e paskajshme të Rrafshit të Kosovës, ku zhvilloheshin luftime tjera. Edhe muzgu i shtrinte ngadalë krahët e vet dhe i mbështillte këto bjeshkë që, ku të dihet përse, populli i quajti të nemuna.  Një nga legjendat e shumta shqiptare thotë se në këto bjeshkë Ajkuna e humbi të vetmin djalë, gati fëmijë, në një betejë me krajlitë dhe derisa ia kërkonte varrin lugjeve të këtyre bjeshkëve e nuk ia gjente, nga zemra i doli një nëmë për këto bjeshkë, prandaj edhe e morën emrin Bjeshkët e Nemuna. Ngado që sillesh nëpër këto bjeshkë, duket sikur edhe lisat qindravjeçarë, që janë të shumtë, të flasin për luftëra, për vrasje, për rezistencë… Edhe këtë ditë ishte bërë luftë e madhe. Ishin sulmuar njësitet e armikut që aq shumë vuajtje i kishin shkaktuar kësaj toke.  Ata, të gjendur para zjarrit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, filluan të lëviznin drejt thellësisë së territorit të Kosovës, të cilën duhej kaluar për t’i arritur edhe kufijtë e Serbisë ku mund të gjenin shpëtim.  Derisa errësira shtrihej ngadalë, po ashtu ngadalë edhe intensiteti i luftimeve binte. Eprorët urdhëruan që të përgatiteshin strehimoret për kalimin e natës dhe vendet e rojave, e pastaj t’i ndërronin edhe veshmbathjet, meqë ishin të lagur gjer në palcë si nga reshjet, ashtu edhe nga djersët dhe të qëndrojnë në grupe pranë njëri-tjetrit. Pasi i kryen detyrat, ushtarët u ulën rreth prushit që kishte mbetur nga ca zjarre të ndezura më herët. Temperatura në termometër e kishte prekur zeron, kurse prushi, edhe pse kishte filluar ngadalë ta humbte fuqinë, ende lëshonte nga pak ngrohtësi. Ushtarët, të ulur pranë e pranë, pushonin duke e këmbyer ndonjë fjalë me njëri-tjetrin.