Nga Redaksia

Dje, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, u festua 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve – përmes një aktiviteti të veçantë kulturor dhe edukativ, të shoqëruar me ekspozitën e punimeve të nxënësve me temën “Atdheu në mendjen time”.
Aktiviteti u organizua nga Miradije Berishaj, Osman Ademi dhe Ibrahim Hasanaj, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Austri.
Takimin e hapi mësuesi Osman Ademi, kryetar i SHMSH-së “Naim Frashëri”, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe i uroi fëmijët për festën e tyre, duke vlerësuar rëndësinë e aktiviteteve që forcojnë lidhjen e brezit të ri me gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.
Më pas, fjalën e mori i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, z. Albinot Bimbashi, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi punën e nxënësve, mësuesve dhe prindërve.
Ai theksoi se vizatimet e ekspozuara nuk janë vetëm punime artistike, por edhe shprehje të dashurisë, krenarisë dhe lidhjes së fëmijëve me atdheun, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohje për mësuesit Miradije Berishaj, Osman Ademi dhe Ibrahim Hasanaj, si dhe për prindërit që i mbështesin fëmijët në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Austri, të pranishmit i përshëndeti znj. Blerina Serjani, Sekretare e Parë, e cila përcolli përshëndetjet dhe urimet e ambasadorit Fate Velaj, i cili, për shkak të angazhimeve të mëparshme, nuk kishte mundur të merrte pjesë në aktivitet.

Në fjalën e saj, znj. Serjani vlerësoi përkushtimin e mësuesve shqiptarë në Austri dhe rolin e tyre të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë. Ajo falënderoi Shoqatën e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri”, mësuesit Miradije Berishaj, Osman Ademi dhe Ibrahim Hasanaj, si dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e kësaj nisme të rëndësishme.
Fjalën e radhës e mori mësuesi Ibrahim Hasanaj, i cili i përshëndeti të pranishmit, i uroi fëmijët me rastin e 1 Qershorit dhe i falënderoi prindërit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në procesin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Më pas, mësuesja Miradije Berishaj i përshëndeti të pranishmit dhe foli për rëndësinë e ekspozitës dhe mesazhet që përcjellin punimet e nxënësve.
Ajo theksoi se, përmes vizatimeve, fëmijët kanë shprehur mendimet, ndjenjat dhe përfytyrimet e tyre për atdheun, për vendin e të parëve, për gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. Sipas saj, atdheu për këta fëmijë nuk është vetëm një vend në hartë, por kujtesë, identitet, familje, gjuhë dhe trashëgimi. Ajo i falënderoi nxënësit për kreativitetin dhe përkushtimin e tyre, kolegët për bashkëpunimin e shkëlqyer, prindërit për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, veçanërisht të Ngarkuarin me Punë, z. Albinot Bimbashi, dhe stafin e ambasadës për ndihmën dhe mbështetjen në organizimin e aktivitetit.
Pas pjesës zyrtare, të pranishmit patën mundësinë ta vizitonin ekspozitën, ku u prezantuan punime të shumta artistike të nxënësve. Përmes vizatimeve dhe krijimeve të tyre, fëmijët sollën një pasqyrim të bukur të dashurisë për atdheun, flamurin, gjuhën shqipe, traditat dhe figurat kombëtare.
Programi vazhdoi me interpretime artistike të nxënësve, të cilët kënduan dhe vallëzuan me shumë entuziazëm nën drejtimin dhe përgatitjen e mësuesve të tyre. Këngët dhe vallet shqiptare krijuan një atmosferë festive dhe emocionuese, duke sjellë para të pranishmëve bukurinë e kulturës dhe të traditës sonë kombëtare. Performancat e fëmijëve u pritën me duartrokitje të ngrohta dhe me vlerësime nga të gjithë pjesëmarrësit.
Festës nuk i munguan as ushqimet tradicionale dhe ëmbëlsirat e përgatitura me shumë kujdes e dashuri nga prindërit. Me kontributin e tyre, ata bënë që kjo ditë të ishte edhe më e veçantë dhe më e paharrueshme për fëmijët. Tryezat e pasura dhe atmosfera e ngrohtë familjare dëshmuan edhe një herë bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet prindërve, mësuesve dhe institucioneve shqiptare në Austri.
Atmosfera festive, pjesëmarrja e gjerë e prindërve, mësuesve, përfaqësuesve diplomatikë dhe mysafirëve të tjerë dëshmuan edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Austri për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar te brezat e rinj.
Kjo veprimtari ishte një dëshmi e bukur se, edhe larg atdheut, gjuha shqipe, kultura dhe dashuria për rrënjët tona vazhdojnë të jetojnë në zemrat dhe mendjet e fëmijëve shqiptarë në diasporë. Festa e 1 Qershorit u shndërrua kështu në një ditë të mbushur me gëzim, kreativitet, krenari kombëtare dhe kujtime të bukura, të cilat do të mbeten gjatë në mendjet e fëmijëve dhe të të gjithë pjesëmarrësve.
P.S.
Të gjithë të interesuarit për t’i parë punimet e fëmijëve dhe për ta vizituar ekspozitën janë të mirëpritur të mërkurën, nga ora 16:00 deri në 18:00, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës, ku ekspozita do të jetë e hapur për publikun. (Marr nga Miradije Berisha)