NË ÇDO QYTET dhe KOMUNË TË KOSOVËS TË NGRITET NJË LAPIDAR PËR TË BURGOSURIT POLITIK!

Fatmir Brajshori-Tushi

Shkruan: Fatmir Brajshori-Tushi

Sot, kur Kosova që nga 12 qershori i vitit1999, po frymon lirshëm, falë sakrificës dhe luftës që bëri populli ynë, një popull trim dhe liridashës por pak „ mirënjohës, ngaqë i harruan dhe anatemuan ATA më meritorët për rezistencën, sakrificën, qëndresën, ngritjen e popullit kombëtarisht, sypatremburit, udhërrëfyesit e lirisë dhe themeluesit e lirisë, të Burgosurit Politik.

U shpallën Hero- ata që ishin Hero!

U shpallën qe besa edhe ata që nuk ishin. Komandantët që të gjithë u bënë trima! U bënë edhe Ata që nuk ishin komandant dhe trima! Thjeshtë, menduan që koha fillon me kohën e sotshme; historia nis me t‘jetuarit e kohës së sotshme dhe liria është pronë e këtyre të sotshmëve. Por harruan kategorinë më vitale të kombit, më kombëtaren, më të dlirën, më të sakrificës dhe mendjendritur e që ishin të burgosurit politik!

Të burgosurit politik, ishin ATA, që në çdo kohë dhe cilit do pushtet okupues, i thanë „No Pasaran“ dhe të cilët u përballën, fyt më fyt dhe gjoks më gjoks, me lloj- lloj bajlozi të zi ngaqë ishin edukuar ( 100 vite para se të lindnin) në frymën kombëtare për një Shqipëri!

Të burgosurit politik, ishin ATA, që mbrojtën trojet tona; mbrojtën çdo shkronjë të abetares shqipe, çdo vjershë naimjanoçajupçe si dhe çdo prozë , roman a dramë të letërsisë shqiptare.

Të burgosurit politik, ishin ATA, që i ushqyen me patriotizëm, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Tahir Mehën, Hasan Ramadanin etj ngaqë qëndresa dhe lufta e Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut etj i bënë luftëtarët e më vonshëm, të dashurohen në rënjen e tyre për liri e Atdhe!

Të burgosurit politik, ishin ATA, që rrëzuan një iluzion të rrejshëm për „ të drejtat e shqiptarëve“ e të cilin opinion e kishin krijuar pushtuesit serbo – jugosllavë dhe veglat e tyre qorre shqipfolëse të Kosovës ,dhe, të cilët me shembullin e tyre personal, u nisën sypatrembur për të shembur një perandori, për të cilën 80% të shqiptarëve, mendonin që nuk shembet! Ata, të burgosurit politik pra, shembën një perandori me emrin si të doni, Serbi e Jugosllavi dhe mitin për një ushtri, e të cilën e luftuan me krenari duke formuar ushtrinë( UÇK-ën) për ta fituar lirinë!

Kur, para shumë kohësh kisha bë një vështrim timin për mënyrën e sjelljes së pushtetit të sotshëm ndaj të burgosurve politikë, me ofrimin e një „dëm shpërblimi“ për vuajtjet e tyre, disave u kishte mbetur hatri e disa të tjerë më kishin dhënë të drejtë…Çdo pushtet ka frikë nga të burgosurit politikë; e sidomos pushtetet që falë qëndresës së të burgosurve e marrin atë pushtet duke i përjashtuar ATA nga pushteti!

Kur ekzekutivi i shtetit të Kosovës së 17.shkurtit të 2008-tetes, duke u dhënë një „shpërblesë“ harrojë që, po aqë vuajtje, qëndresë dhe sakrificë kishin bërë familjarët e tyre, në mos edhe më shumë se vet ATA, e të cilët, duhej të kursenin edhe për kafshatën e bukës, vetëm e vetëm, që të mund të bënin, një vizitë në burg, ku e kishin të dashurin e tyre!

Së bashku me t‘burgosurit politikë, heronjë të barabartë ishin familjarët e tyre; ndoshta edhe më shumë!I duhej një nëne, nëpër borë e nëpër shi, verë e dimër me opinga të shqyera e qorape të lagura të merrte rrugën e largët për t‘vizituar në burg vajzën e birin e syrgjynosur;I duhej një babai, të merrte rrugë të gjatë, për t‘pritur para dyerve të hekurta, të burgjeve monstrume duke u dridhur nga të ftohtit me shpresën që do ta shihte të birin edhe vajzën së paku edhe një herë;I duhej një gruaje ( bashkëshorte) jo vetëm të rriste kalamajt me misernike dhe t‘i shkollonte e edukonte në frymën e babait por edhe të ruante nderin e të përballej me fjalët „ pise“ të botës.

I duhej një biri o një vajze, të shkonte për ta vizituar babain në burgë; dhe para se të vinte babai te salla e vizitave, shpejt e shpejt t‘i fshinin lotët, që nëna o babai të mos i shihnin. E, i burgosuri para se të takonte nënën, babain, nusën, fëmijët kujdesej që të fshihte plagët e trupit, ta bënte fytyrën të qeshte; ani pse trupi kishte dhembje dhe fytyra vrragë!

Këta ishin ATA që e vetëdijësuan kombin, me shembullin e tyre se „ për Atdhe vdiset me mijëra herë!

“Këta ishin ATA pa të cilët nuk do të ishte as UÇKja dhe as sakrifica e Adem Jasharit!

Këta ishin ATA që na e sollën lirinë!

E këta janë, ATA që tërë jetën e tyre e përfundojnë me dinjitet dhe duke frymuar si frymon vegjëlia dhe jo paria!

Disidentët e lindur!

Të cilët asnjë pushtet s‘mund t‘i bë për vete!

Prandaj, bëjë thirrje të gjitha Komunave të Kosovës që të ngrisin nga një lapidar për të burgosurit e tyre politikë!

Ata bënë shumë për lirinë e Atdheut!

E Atdheu çka bëri për ta?

P.S.Një herë tjetër do të përgjigjem.