Ne jemi një ne jemi të gjithë shqiptarë!

Anila Kadija

Nga Anila Kadija

Madhështor organizimi i shoqatës Ardhmëria në bashkëpunim me shkollën shqipe “ Ardhmëria”, grupin e valleve “ Vajzat e Ardhmërisë”, shoqatën Mother Teresa Albanian Union, DJ Kastrati dhe këngëtarët e ftuar: Përparim Brati, Musa Dauti, Marlen Qelia, Agron Hoxha, Agron Sopaj, Kujdesi Mucmata, Tani Zeqaj.
Në pasditen e 12 shkurtit 2022 komuniteti shqiptar në Londër u ndodh i gjithë së bashku në sallën e madhe të shfaqjeve, në shkollën Hight school St. Augustin, Kilburn, për të festuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar të Shqipërisë dhe të Kosovës e mori fjalën drejtori i kësaj shoqate Z. Lutfi Vata i cili pasi falënderoi të pranishmit në sallë i dha një veshje institucionale këtij organizimi duke ftuar Ambasadorin e Shqipërisë në Londër Z.Qirjako Qirko, përfaqësuesen e trupit diplomatik të Kosovës në Londër Znj. Arrita Gjakova, Kryetare e Bashkisë, Barnet, Znj. Alison Cornelius, Znj. Zamira Përfundi Ruspi.
Vajzat të cilat prezantuan programin, Ranja Dede dhe Jurgesa Bregu, i dhanë freskinë rinore shqiptare skenës angleze në Londër. Në pjesën e parë e morën mikrofonin filizat e shkollës shqipe, nxënësit që mësojnë shqip çdo të shtunë. Niveli i parë u paraqit me kolazhin dedikuar figurës më të nderuar shqiptare në të gjithë botën. E kush më shumë se Nënë Tereza do të kishte qenë për ta shembulli më i mirë. Ata shpalosën në skenë shprehje të sajat që vazhdojnë të jenë busull jete për të gjithë ne! Pas tyre vazhduan programin fëmijët e nivelit të dytë dhe të tretë. Ata u krenuan me viset e Kosovës, treguan në prozë dhe poezi, sa e bukur është toka Dardane. Shqiponjat valltare tundën skenën, herë lozonjare si shtojzavalle dhe herë me patos si trimëreshat kosovare.

Kolektivi mësimdhënës i kësaj shkolle përpiqet gjithmonë të përcjellë në skenë gjëra të reja. Pa dyshim edhe kësaj here u realizua një bashkëpunimin e shkëlqyer mësues, nxënës, prindër. Në pjesën e dytë u nderuan me certifikatë, mirënjohje figura të nderuara të komunitetit shqiptar për punën e vyer ndër vite Z. Fatmir Terziu dhe Z. Abedin Bajraktari. Atmosfera u bë akoma më e bukur nga të ftuarit e muzikës popullore. Nuk u ndal gëzimi deri në orët e vona të pasdite, gëzuar Kosovë!